Asistentja e Sekretarit të Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euro-Aziatike, Victoria Nuland viziton të shtunën Shqipërinë si pjesë e një turi në rajon.
Gjatë qëndrimit, Nuland fillimisht do të pritet në Tiranë në një takim nga kreu i shtetit Bujar Nishani në orën 16:00. Takimet më pas do të vijojnë me kreun e Kuvendit Ilir Meta në 17:00, me kreun e opozitës Lulzim Basha në 17:30, për ta përmbyllur me shefin e qeverisë Edi Rama në 18:00.
Njoftimi është dhënë nga Ambasada Amerikane në Tiranë nëpërmjet faqes zyrtare në Facebook.
Vizita e saj në vendin tonë do të bëhet në kuadër të një turi disa ditor në Ballkan e më gjerë.
Zyrtarja e DASH do të vizitojë Kosovën dhe Serbinë në 13 korrik, ku do të diskutojë për dialogun mes dy vendeve dhe zbatimin e marrëveshjes së Brukselit.
Një ditë më parë nëpërmjet një editoriali Sekretari Amerikan i Shtetit i drejtohej Senatit ku i shpjegonte rëndësinë e çbllokimit të situatës për një sërë emërimesh nga presidenti Obama, mes tyre edhe ambasadori i ri amerikan në Tiranë, Donald Lu.
Sipas Kerrit, në këtë situatë, pa patur ambasadorë në vënde si Turqia, Republika Ceke, Moldavia dhe Shqipëria, ne nuk mund të përmbushim detyrat tona diplomatike me standarde të larta në ato vënde ku vlerat demokratike janë ende të kërcënuara.