Gjuha shqipe duhet të studiohet gjatë 3 viteve të shkollës së mesme dhe duhet të jepet provim pjekurie i ndarë nga letërsia. Këshilli Ndërakademik për Gjuhën Shqipe, në një njoftim për shtyp ka bërë me dije propozimet e fundit, dhe ndër të tjera ka theksuar se gjuha shqipe duhet të mësohet në të gjitha profilet dhe t’i jepet përparësi anës praktike.
Gjithashtu Këshilli ka propozuar që të reduktohet norma mësimore për mësuesit e gjuhës dhe të rriten orët mësimore për lëndën e gjuhës në ciklin 9-vjeçar, shkruan Shekulli..
Më poshtë janë propozimet e Këshillit Ndërakademik.
1. Meqë cikli nëntëvjeçar nuk po arrin dot t’ua mësojë mirë nxënësve të gjitha nënsistemet e shqipes standarde, si në të shkruar ashtu edhe në të folur, propozohet që gjuha shqipe në planin mësimor të shkollës së mesme të jetë lëndë e veçantë, e ndarë nga letërsia, dhe të jepet provim pjekurie në përfundim të shkollimit parauniversitar.
2. U miratua propozimi që në të gjitha shkollat e mesme të të gjitha profileve, lënda e gjuhës të mësohet gjatë tri viteve, me një program të ri dhe me tekste të reja.
3. U mbështet propozimi që në vitet e para të ciklit nëntëvjeçar (cikli fillor) në mësimin e gjuhës shqipe t’i jepet përparësi anës praktike, zotërimit të standardit, bashkë me leximin; në vitet në vazhdim të ciklit nëntëvjeçar (klasa VI-IX) dhe në ciklin e shkollës së mesme gjuha të mësohet në aspektin teorik, por krahas kësaj, t’u jepet rëndësi e veçantë leximit të letërsisë artistike dhe punëve me shkrim, hartimeve e diktimeve.
4. U arrit përfundimi që planet e programet në fakultetet e mësuesisë, përfshirë ato të gjuhëve të huaja e fakultetet që përgatisin edukatorë për institucionet parashkollore, si dhe në fakultetet e gazetarisë, ka nevojë të rishikohen, duke u dhënë shtrirje më të gjerë lëndëve kryesore të gjuhës së sotme, si leksikologjia, morfologjia, sintaksa. Mendohet që përvetësimi i drejtshkrimit duhet të përfundojë në shkollimin parauniversitar. U propozua që lënda ‘Kulturë Gjuhe’ të përfshihet në programet e universiteteve, në radhë të parë në fakultetet e mësuesisë, të gazetarisë, të gjuhëve të huaja, të arteve, të drejtësisë, të mjekësisë etj., me synimin e zotërimit sa më të mirë të normës leksikore, gramatikore, stilistike e terminologjike në funksion të komunikimit sa më të plotë.
5. U pa e arsyeshme të kërkohet për t’u zbatuar nga institucionet përkatëse:
- rritja e orëve mësimore për lëndën e gjuhës në ciklet nëntëvjeçare;
- reduktimi i normës mësimore për mësuesit e gjuhës;
- mësimi i gjuhës shqipe në ciklet parauniversitare, nëpërmjet teksteve e mësuesve, sipas koncepteve teorike e terminologjike bashkëkohore;
- trajnimi i mësuesve të gjuhës në kurse periodike katërvjeçare;
- hartimi i teksteve për fëmijët e emigrantëve sipas një politike në ndihmë të emigracionit.
6. Përgatitja e gjuhës shqipe në universitete duhet të jetë përparësi e arsimit universitar, ndërsa mësimdhënës i lëndës së gjuhës dhe të letërsisë shqipe në nivelet e ulëta e të mesme, nuk mund të jetë askush që nuk ka së paku 180 kredite (ECTS) të lëndëve profesionale sipas planprogrameve të shkollave përkatëse. Ndonëse nismat për përmirësimin e cilësisë në arsim kanë propozuar shtimin e komponentit didaktik, kujtojmë se kompetenca gjuhësore është parakushti themelor për mësimdhënie cilësore.
7. Albanologjia me shqipen në veçanti, duhet të jetë përparësi e investimeve shkencore të qeverive përkatëse. Përqindje të konsiderueshme të investimeve për shkencë e kërkime shkencore duhet të jepen për projekte që lidhen me albanologjinë. Duhet të ngrihet departament i veçantë për gjuhën shqipe (përdorimet, terminologjitë, përshtatjet me standardet evropiane, ku po synojmë të integrohemi) në kuadër të ekzekutivit (mbase brenda Ministrive të Arsimit a të Kulturës).
8. Në shkolla t’i kushtohet vëmendje diversitetit kulturor e begatisë dialektore të shqipes, në mënyrë që të mos krijohet hapësirë për stigmatizim të cilitdo varietet të shqipes.