English

Rritet me 2 muaj në vit mosha e pensionit për gratë. Pensionet rriten për të gjitha kategoritë

S. Topi - Rritje për çdo kategori përfituese, kjo është skema e re e pensioneve e cila do të prekë me rritje të gjitha kategoritë.

Premtimi vjen nga Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erjon Veliaj i cili shpjegoi dje në Komisionin e Ekonomisë ndryshimet në ligjin e sigurimeve shoqërore. Sipas ministrit rritje më të madhe do të ketë për ata që kanë kontribuar më shumë në një kohë që për ata që kanë dalë në pension, apo që do të dalin para 1 janarit të 2015 kur hyn në fuqi skema e re, pensioni mbetet ky që është duke u indeksuar vit pas viti. Veliaj sqaroi gjithashtu se do të ketë një rritje me 2 muaj në vit të moshës së pensionit për gratë deri në barazimin me burrat. Skema e re e pensioneve, implemenimi i të cilës do të nisë në fillim të vitit të ardhëm dhe do të shtrihet deri në vitin 2056, parashikon gjithashtu heqjen e tavanit për pensionin, njehsim të masës së kontributeve dhe ndryshim të formulës së llogaritjes së pensioneve familjare. Një tjetër ndryshim me rëndësi në skemën e pensioneve do të jetë edhe stimulimi me 0. 5 % shtesë mbi pensionin për çdo person që punon pasi ka mbushur moshën dhe vitet e kontributit për të përfituar pension pleqërie.

Reforma e pensioneve

“Pensioni i sotëm është 141 mijë e 740 lekë në një kohë që nga 1 janari do të jetë 143 mijë e 500 lekë. Kjo do të thotë se edhe për pensionin më fundor të pagës minimale ne do të kemi rritje”, - deklaroi Veliaj duke garantuar në këtë mënyrë se skema e re e pensioneve që nis janarin e ardhshëm nuk do të sjellë ulje por vetëm rritje të pensioneve. Sipas ministrit rritja do të jetë më e madhe për ata që kanë derdhur më shumë kontribute. “Nga një pagë mesatare që do dilte me pension maksimal me sistemin e vjetër 24 mijë e 500 lekë, me sistemin e ri del 26 mijë e 700 lekë. Një i punësuar me pagë maksimale, me 35 vite të siguruara, nga 24 mijë e 548 lekë do të dalë me një pension rreth 30 mijë lekë”, - saktësoi Veliaj. Ndërsa për ata që kanë dalë në pension, apo që do të dalin para 1 janarit të 2015 kur hyn në fuqi skema e re, pensioni mbetet ky që është duke u indeksuar vit pas viti. “Së pari, të drejtat e fituara nga vitet e punës nuk humbasin. Do të vazhdojë indeksimi”,- nënvizoi ministri.

Sa i përket rritjes së moshës së pensionit, ministri shpjegoi se: “Do të ketë rritja graduale të moshës së daljes në pension për gratë me dy muaj në vit, për të arritur në 63 vjeç në vitin 2032. Që nga viti 2032 mosha e daljes në pension për burrat do të rritet me një muaj në vit dhe për gratë me dy muaj në vit duke arritur në 67 vjeç për të dy sekset në vitin 2056”. Ministri dha më tej sqarime dhe për shqetësimet e deputetëve të mazhorancës. Relatori i projektligjit, Anastas Angjeli kërkoi saktësime në terma dhe përllogaritje.

“Mua më duket se duhet parë me kujdes sepse është e paqartë teorikisht, ngatërrohen policët me akademikët, ngatërrohet një ushtar që është ushtar me rrogë me një ministër”, - deklaroi Angjeli. Por për Ministrin Veliaj projektligji i ri për pensionet synon që të rrisë numrin e kontribuesëve, por edhe të ulë defiçitin në buxhet. Kreu i Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë qartësoi edhe se si do të funksionojë pensioni social, duke thënë se ai nuk prek individët që kanë kontribuar, por vetëm ata që nuk plotësojnë vitet e sigurimeve dhe që me skemën aktuale do mbeteshin pa asnjë pension. “Nëse dikush nuk i ka bërë vitet e punës dhe deri në 70 vjeç nuk i bën, atëherë me të njëjtin vlerësim sipas të cilit ne japim ndihmën ekonomike, ne japim një pension social. Këtu nuk bëhet fjalë për të hequr. Këtu ne i japim diçka dikujt që të ardhurat i ka zero”, tha Veliaj. Reforma e pensioneve parashikon qe nga viti i ardhshme rreth 5000 të moshuar mbi 70 vjeç do të përfitojnë një minimum jetik edhe pse nuk i kanë plotësuar vitet për pension. Ndërsa do të njihen vitet e punës edhe për emigrantet në Çeki, Rumani, Kanada etj, por ende jo në Greqi dhe Itali. Reforma e pensioneve është edhe një detyrim i Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Indeksimi

Bazuar në ndryshimet e parashikuara në nenin 59 të ligjit aktual, referuar nenit 31 të këtij projekt-ligji, për efekt të llogaritjes fillestare të pensioneve duke filluar nga data 1.1.2015 e në vazhdim do të bëhet ripërcaktimi i koeficienteve të indeksimit të bazës së vlerësueshme, përcaktimi i një page referuese për vjetërsinë e punës në ish- kooperativat bujqësore dhe do të eliminohet dyshemeja administrative që krijonte shkëputje në llogaritjen e pensioneve fshat-qytet.

Ndryshimet

Do të ketë rritje graduale të kontributit për zonat rurale duke barazuar kontributet e fermerëve me ato të zonave urbane deri në vitin 2018.

Do të bëhet shfuqizimi i formulës së llogaritjes të pensioneve të zonave rurale dhe përdorimi i të njëjtës formulë si për pensionet e tjera.

Do të inkurajohet vazhdimi i punës pas mbushjes së moshës së daljes në pension nëpërmjet rritjes të shtesës për shtyrje pensioni në 0.5% për muaj.

2.56 miliardë lekë, ose 9.49% janë rritur të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shoqërore për pjesën e parë të vitit, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo sipas të dhënave zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve çka tregon se kemi një rritje të numrit të të punësuarve të futur në këtë skemë, çka do të thotë se tashmë nuk punojnë në të zezë.

KOMENTE