English

Vrasja e Artan Santos. 2 kushërinjtë e dyshuar do të dalin nga paraburgimi

Pasi i ka mbajtur 15 ditë në paraburgim Prokuroria e Tiranës, e cila po heton vrasjen e bankierit Artan Santo pritet të tërhiqet nga qendrimi i saj kundër dy kushërinjëve Klodian dhe Sajmir Gjozi.

Nga arrest me afat që kërkoi dy javë më parë, organi i akuzës nuk ka mundur të gjejë prova që faktojnë se dy kushërinjtë janë të përfshirë në vrasjen e Santos e për këtë të martën Prokuroria do të kërkojë në gjykatë një masë më të butë për të dyshuarit, atë të detyrimit me paraqitje.

Prokuroria thotë se edhe me ndryshimin e masës së sigurisë, dy kushërinjtë janë ende të dyshuar, por provat janë kontradiktore dhe jo bindëse për t‘i mbajtur Gjozët në paraburgim.

Fillimisht prokurorët shprehën në kërkesën për ndryshimin e masës se motoçikleta e gjetur në një magazinë në Fushë-Kuqe, që është pronë e Klodian Gjozit, nuk është i njëjtë me atë të përdorur nga ekzekutorët e bankierit Santo.

Ndërkohë që 15 dëshmitarë të ndryshëm provojnë se dy kushërinjtë ditën e krimit ndodheshin në fshatin e tyre në Ishëm duke punuar, evidenton prokuroria, ndërsa tabulatet telefonike tregojnë se ata nuk kanë udhëtuar drejt kryeqytetit atë ditë.

Por prokuroria shton se në trupin e dy të rinjëve janë konstatuar nga policia shkencore grimca të mbetjeve të barutit, shkruan Top Channel, por,përfaqësuesit e akuzës, nuk munden dot me veprimet e deritanishme hetimore të lidhin ngjarjen me këtë provë, e cila kundërshtohet edhe nga avokatët.

Këta të fundit këmbëngulin se mbetjet e barutit janë pasi dy të rinjtë kanë përdorur një gur fleksibël për të prerë disa tuba uji atë ditë.

KOMENTE