Është përkujtuar 100 vjetori i Masakrës së Panaritit në një ceremoni ku morën pjesë me qindra banorë të kësaj zone, Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave z.Edmond Panariti, deputetët e Kuvendit Shqiptar Arta Dade dhe Pirro Kapurani, prefekti i qarkut Korçë si dhe autoritete të pushtetit qendror dhe atij lokal.
Në ceremoninë e organizuar në fshatin Panarit, në nderim të 374 martirëve që humbën jetën si pasojë e masakrës së andratëve grekë, mbajti një fjalim Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, z.Edmond Panariti.
Ai tha se: “Masakra e Panaritit është një histori tragjike por që mbart në vetvete një mesazh të fuqishëm, i cili është sot gjithmonë e më shumë aktual dhe prandaj me prezencën tonë këtu ne jemi për të përkujtuar ata burra, gra, pleq dhe fëmijë, të cilët u masakruan mizorisht, por që do të mbeten të pashlyer në kujtesën tonë, në kujtesën e kësaj zone por edhe në kujtesën e të gjithë shqiptarëve të Shqipërisë dhe të të gjithë trevave të banuara, sepse ata mbartin në vetvete edhe mesazhin e paqes, të mirëkuptimit, të bashkëjetesës”.