S. Topi - Komisioni i Posaçëm për Reformën Administrativo–Territoriale u mblodh sot për të shqyrtuar përgjigjet zyrtare të kryetarëve të bashkive, komunave dhe këshillave sipas qarqeve, në lidhje me propozimin për ndarjen e re administrativo– territoriale në Republikën e Shqipërisë. Në këtë mbledhje ishin të pranishëm dhe përfaqësues të grupit të punës të ngritur nga PDIU, kryesuar nga z. Ardit Bido. Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi u shpreh se qeveria do të trajtojë me kujdes të gjitha propozimet e ardhura. “Do ti shohim me shumë kujdes , do t’i peshojë të gjitha propozimet sipas kritereve që kemi vënë dhe do ti qëndrojmë kësaj ideje”, tha z. Çuçi. Kryetari i Komisionit Bashkim Fino theksoi se vendimmarrja e anëtarëve të komisionit nuk duhet paragjykuar, ndërsa ftoi opozitën që të marrë pjesë.
“Ne kemi bërë një sërë mbledhjesh, takimesh, dëgjesash dhe kemi hedhur në treg 5-së variante të cilat janë të rëndësishëm për t’u diskutuar. Por nga ana tjetër kemi marrë pjesë dhe kemi qene pjesë e diskutimit bashkë me z. Vasilin në tryezat e diskutimit të Partisë Demokratike të pushtetit vendor dhe kemi bërë këtë me koshiencë të plotë sepse duam gjithë përfshirje. Nga ana tjetër po themi që ne do ta lexojmë me kujdes mendimin, sugjerimin e argumentuar të kryetarëve të bashkive, të komunave, të këshillave të bashkive dhe të komunave. Pas propozimeve të argumentuara të organeve të pushtetit vendor, pas propozimeve shumë interesante që bëri PDIU, ne na intereson jo vetëm PDIU, por dhe PD. Ne kemi qenë gjithë kohës të hapur dhe gjithë kohës kemi qenë të pranishëm që kolegët tanë të jenë këtu, sepse kjo është një reformë që bëhet për 20 apo 30 vjet. Nuk është një reformë vetëm e një partie politike. Jo pa qëllim marrim dhe mendimet dhe sugjerimet tuaja dhe e vlerësojmë grupin e punës të partisë suaj për këtë situatë”,tha z. Fino Kryetari sqaroi se në 23 korrik komisioni do të vlerësojë hartën përfundimtare dhe do t’ia dërgojë Kryesisë së Kuvendit, e cila të enjten në seancë plenare do ta përfshijë në rendin e ditës me 3/5 dhe në datë 31 korrik do të ketë diskutim dhe miratim të projektligjit në fjalë.
Propozimet
Nga 385 njësi vendore që ka vendi, 225 kryetarë bashkish dhe komunash kanë kthyer përgjigje për mendimin që u është kërkuar për propozimet mbi reformën territoriale. 94 drejtues të pushtetit vendor janë pro variantit paraprak të komisionit që vendi të ketë nga 39 deri në 47 bashki. 131 kryebashkiakë dhe kryekomunarë janë shprehur kundër këtij varianti. Ata janë pro për më shumë njësi të pushtetit vendor, duke përkrahur variantet nga 57 deri në 63 bashki.
Ndërsa nga këshillat e komunave dhe bashkive vetëm 108 prej tyre i janë përgjigjur kërkesës për të dhënë mendim lidhur me variantet e propozuara për reformën administrativoterritoriale. “Nga këshillat e bashkive dhe komunave deri tani kanë sjellë propozime 108 njësi të qeverisjes vendore nga të cilat, janë shprehur pro 48 këshilla për variantin paraprak që kemi miratuar ne dhe janë shprehur kundër 60 këshilla të cilat kërkojnë një shtrirje me të gjerë se 39 njësi vendore”, - sqaroi dje kreu i komisionit, Bashkim Fino. Pas prezantimit të këtyre të dhënave ai u kërkoi deputetëve që secili prej tyre, në bazë të qarqeve që shqyrton, të marrë në konsideratë çdo propozim të argumentuar. “Natyrisht propozimet e organeve të pushtetit vendor, të kryetarëve apo këshillave të bashkive e komunave që janë dhënë të argumentuara dhe mbi bazën e kritereve që ne kemi dhënë si komision, mendoj se duhet të merren në konsideratë dhe të shikohen duke menduar për një zgjerim të kësaj harte. Ka dhe mendime të thata që ne nuk i marrim në konsideratë sepse thjesht thonë jemi kundër dhe nuk japin argumente”, - tha ai. Fino sqaroi më tej se në total janë rreth 70% e njësive vendore që kanë kthyer përgjigje për mendimin që iu është kërkuar për reformën territoriale, në këtë përqindje hyjnë edhe drejtues apo këshilla të djathtë vendorë. Por pas aktivitetit ku ishin të pranishëm përfaqësuesit e majtë të komisionit të reformës territoriale, Fino e Vasili, si dhe kryetari demokrat Lulzim Basha, drejtuesit e djathtë, tha bashkëkryetari socialist i këtij komisioni, me urdhër politik kanë ndërprerë kthimin e përgjigjeve, madje edhe disa që kanë qenë pozitiv në përgjigjen ndaj komisionit, kanë riparë qëndrimin e tyre duke kthyer një përgjigje të dytë negative.
Lidhur me shqetësimin e ngritur nga deputeti Andrea Marto se një pjesë e propozimeve, të paktën për qarkun Gjirokastër dhe Vlorë, ishin dhe për ndryshimin e kufijve të njësive vendore ekzistuese, Fino tha se kjo do të merret në konsideratë vetëm në rastin e njësive minoritare. “Nëse ka propozime për kufijtë e njësive vendore minoritare mund të procedojmë se e kemi nxjerrë jashtë kriterit nëse nuk është për minoritetet nuk procedojmë sepse do ruajmë kriteteret e caktuara”, - tha ai.
Procedurat e miratimit të hartës së re
Komisioni i Posaçme për Reformën Administrativo-Territoriale pritet të njihet sot me variantin e ri të hartës territoriale pas propozimeve të ardhura nga rreth 70 për qind e njësive vendore në të gjithë vendin. Sipas propozimit të kreut të këtij komisioni, Bashkim Finos, ministri për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi dhe deputeti Armando Subashi në përputhje me sugjerimet e anëtarëve tw tjerë të komisionit, do të propozojnë sot variantin e ri i cili pritet të marrë të enjten dhe votat në komision. Më pas drafti final do të përcillet për mendim në Këshillin e Ministrave për t’u rikthyer sërish në komision. Do të jetë komisioni parlamentar i cili do të verë firmën finale të hartë së re territoriale dhe në përputhje me të të hartojë dhe projektligjin përkatës. Të gjitha këto procedura do të mbyllen javën që vjen. Nga varianti paraprak tek ai final, mazhoranca është treguar e hapur për sugjerime dhe ndryshime, por ajo që mbetet e pandryshuar është koha e miratimit të reformës. “Në datë 31 korrik do të diskutohet dhe miratohet projektligji në fjalë”, - theksoi Fino.
Elbasan, bashkitë pro variantit me 47 njësi, komunat kundër
Qarku Elbasan Bashkia Elbasan
Pro varianteve të propozuara.
Bashkia Cërrik, komuna Labinot Fushë
Pro variantit të propozuar me 47 njësi vendore.
Komuna Paper
Pro variantit të propozuar me 47 njësi vendore. Të mos copëtohet në dy njësi por të jetë vetëm në Elbasan.
Komuna Shushicë
Pro variantit të propozuar me 47 njësi vendore përkatësisht: bashkia Elbasan, komunat Labinot Fushë, Labinot Mal, Gjinar, Zavalinë, Shushicë, Tregan, Shirgjan, Gjergjan, Graçen, Funar, Paper dhe Bradashesh.
Komuna Tregan
Kundër varianteve të propozuara. Propozon të jetë njësi më vete ose të krijohet bashkia Shpat me komunat: Zavalinë, Gjinar, Shushicë, Shirgjan, Tregan e Gjergjan.
Bashkia Gramsh, komuna Skënderbegas
Pro variantit të propozuar me 47 njësi vendore.
Bashkia Peqin
Pro variantit të qeverisë me 47 njësi vendore që cakton bashkinë Peqin si njësi më vete bashkë me komunat; Karinë, Pajovë, Gjocaj, Përparim dhe Sheze.
Komuna Fierzë
Kundër varianteve të propozuara. Propozon bashkinë Belsh me komunat.
Komuna Funar
Kundër varianteve të propozuara.
Bashkia Librazhd
Kundër varianteve të propozuara. Propozon që kjo bashki dhe ajo e Përrenjasit të jenë një njësi më vete.
Komuna Shirgjan
Kundër varianteve të propozuara.
Komuna Kodovjat
Kundër varianteve të propozuara. Propozon që të jetë bashki më vete me komunat Kukur, Kodovjat, Lenie e Skënderbegas.
Bashkia Përrenjas
Kundër varianteve të propozuara. Propozon të jetë bashkia Përrenjas me komunat Qukës, Rrajcë e Stravaj.
Qarku Vlorë, harta e re, Ksamili e Lukova propozojnë bashkim vullnetar
Bashkia Sarandë
Pro variantit të parë me njësitë administrative përbërëse aktuale: bashkinë Sarandë, Konispol dhe komunat Lukovë, Markat, Xarrë e Ksamil por të shtohet dhe fshati Çukë dhe Berdenesh. Në pamundësi të varianti të parë, pro variantit të dytë me njësitë administrative përbërëse aktuale: bashkinë Sarandë, Konispol dhe komunat Markat, Xarrë e Ksamil por të shtohet dhe fshati Çukë, Berdenesh dhe një pjesë e komunës Lukovë deri tek Ura e Prodanit si dhe fshatrat Vremero, Vrion, Shelegar, Pandalejmon e Sopik.
Këshilli i bashkisë Sarandë
Kundër varianteve të propozuara. Propozon që me bashkinë Sarandë të bashkohet komuna Lukovë dhe komuna Ksamil.
Komuna Ksamil dhe Lukovë
Për zgjedhjet vendore të 2015-s, bashkim vullnetar të njësive vendore me më pak se 10 000 banorë. Për zgjedhjet vendore të 2019-s, katër bashki: Sarandë (Sarandë, Lukovë), Butrint (Ksamil, Konispol, Markat, Xarrë), Aliko (Aliko, Livadhja, Dhivër) dhe Delvinë (Delvinë, Finiq, Mesopotam, Vergo).
Këshilli i komunës Ksamil
Kundër varianteve të propozuara.
Komuna Finiq
Pro varianteve të propozuara por bashkia të quhet Finiq me qendër fshatin Finiq.
Komuna Livadhja
Pro me variantin e propozuar për bashkinë Livadhja me përbërje: komunat Livadhja, Mesopotam, Dhiver, Finiq dhe Aliko.
Komuna Xarrë
Pro varianteve të propozuara.
Komuna Aliko
Pro varianteve të propozuara por qendër e bashkisë të jetë fshati Aliko dhe jo Livadhjaja.
Komuna Vllahinë
Pro variantit të parë, bashkia Vlorë me përbërje: Vlorën, Orikumin, Selenicën, Himarën, dhe komunat Qendër Vlorë, Novoselë, Shushicë, Armen, Vllahinë, Sevaster, Kotë, Brataj dhe Vranisht.
Këshilli i bashkisë Vlorë, komuna Qendër Vlorë
Pro varianteve të propozuara.
Komuna Dhivër
Kundër varianteve të propozuara.
Bashkia dhe këshilli i bashkisë Selenicë
Kundër varianteve të propozuara, mbështet variantin 4 me 57 njësi vendore ose 5 me 63 njësi vendore.
Komuna dhe këshilli i bashkisë Novoselë
Kundër varianteve të propozuara. Propozon ndarjen me 4 njësi: Vlorë, Himarë, Lumi i Vlorës, Novoselë. Bashkia dhe këshilli i bashkisë
Konispol
Kundër varianteve të propozuara. Propozon bashkimin e bashkisë Konispol me Xarrë dhe Markat.
Bashkia dhe këshilli i bashkisë Orikum
Kundër varianteve të propozuara. Kërkon të jetë njësi më vete.
Komuna Brataj
Kundër varianteve të propozuara, kërkon të jetë njësi më vete. Propozon që komuna Horë-Vranisht të bashkohet me komunën Brataj me Qendër Brataj.
Komuna Kote
Kundër varianteve të propozuara. Të jenë gjithsej 80-90 njësi vendore.