Është miratuar harta e re e çmimit të tokës për të gjithë territorin e vendit. Drejtoresha e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Sonila Qato,ka sqaruar ditën e djeshme gjatë një konference për shtyp, detajet mbi vendimin e ekzekutivit.
Vendimi
“Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave gjatë një periudhe intensive pune ka arritur të përfundojë hartën e vlerës së tokës në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë me qëllim arritjen e rezultateve sa më të arsyeshme dhe reale, duke marrë parasysh gjatë këtij procesi zhvillimin e tokës si dhe luhatjen e tregut. Kjo hartë e re është miratuar sot me vendimin e qeverisë”, - deklaroi Qato. Sipas saj, për nxjerrjen e vlerave të pronës është përdorur metoda e përpunimit të të dhënave bazuar në vendimin e qeverisë për miratimin e metodologjisë për vlerësimin e pronave të paluajtshme në Republikën e Shqipërisë. “Në realizimin e këtij procesi, AKKP-ja bashkërendoi punën me Ministrinë e Drejtësisë si dhe me Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Republikën e Shqipërisë. Harta e re e vlerës së pronës, realizon transparencën e plotë të çmimeve të tregut.
Për nxjerrjen e vlerave të pronës është përdorur metoda e përpunimit të të dhënave bazuar në VKMnë “Për miratimin e Metodologjisë për Vlerësimin e Pronave të Paluajtshme në Republikën e Shqipërisë”. Grupi i punës i ngritur në AKKP për përpunimin e të dhënave, është bazuar në kontratat e shitjeve në ZVRPP të regjistruara për një periudhë 1-vjeçare, për të gjitha llojet e pasurive të paluajtshme, sipas zonave kadastrale të çdo qarku”, - sqaroi drejtoresha e AKKP-së. Qato shtoi se çmimet e hartës së vlerës do jenë çmime referencë për kompensimin në vlerë financiare për pronarët që janë në pritje të kësaj vlere; shpronësime për interesa publike; përcaktimin e masës së shpërblimit për subjektet prona e të cilëve është zënë nga ndërtimet informale. “Gjithashtu këto çmime kanë ndikim në investimet strategjike dhe politikat qeverisëse pasi ato orientojnë sipërmarrjet private për investimet vendase dhe të huaja. AKKP-ja me miratimin në qeveri të hartës së vlerës të pronave shënon dhe fillimin e procedurave për rishikimin e metodologjisë së vlerës së pronës me qëllim përafrimin e saj me vlera të qarkullimit civil të pronave në territor”, - deklaroi ajo. E pyetur nëse çmimet e reja janë rritur apo ulur, Qato pohoi se: “Harta e re e vlerës së pronës e miratuar sot me vendim qeverie ka një trend uljeje të hartës së çmimeve të vlerës së pronës në krahasim me vitin e kaluar. Por këto janë çmime të cilat kanë dalë dhe janë produkt i metodologjisë së miratuar dhe të dalë me vendim qeverie. Jemi bazuar në gjithë transaksionet e kryera dhe regjistruara në zyrat vendore të ZRPP-së gjatë vitit të kaluar. Ato janë përmbledhur sipas një formule të caktuar dhe një metodologjie për të gjitha transaksionet e kryera në Republikën e Shqipërisë sipas llojit të pasurisë. Produkti i nxjerrë sot sipas kësaj harte është produkt i matematik i gjithë transaksioneve të paraqitura në zyrat e hipotekës”. Ajo shtoi më tej se reforma që do të ndërmerret vitin tjetër parashikon dhe rishikimin e metodologjisë për hartimin e vlerës së tokës.
“Ju siguroj që reformat që duam të ndërmarrim vitin që vjen në raport me rishikimin e metodologjisë për hartimin e vlerës së hartës së pronave do parashikojë dhe masa konkrete që Ministria e Drejtësisë do ndërmarrë në raport me deklarimin e transaksioneve të shit-blerjeve pranë noterëve dhe regjistrimin e tyre pranë ZRPP-së. Ne si qeveri na intereson ti përafrohemi sa më shumë vlerave reale”, - tha drejtoresha e AKKP-së.
Vendimi
"Këshilli i Ministrave vendosi miratimin e vlerës së pronës, sipas llojit të pasurisë së paluajtshme, për secilin qark të Republikës së Shqipërisë. Vendimet “Për miratimin e çmimeve të trojeve, që ndodhen në të gjitha bashkitë dhe në disa komuna”, “Për miratimin e vlerës së pronës për secilin qark të Republikës së Shqipërisë”, shfuqizohen”, - thuhet në vendimin e Qeverisë. Vlerat në këtë hartë janë përcaktuar për çdo bashki e komunë të vendit dhe janë shoqëruar me harta që i janë bashkëlidhur vendimit të Këshillit të Ministrave, duke qenë pjesë përbërëse e tij. Këto vlera do të përdoren në të gjitha rastet e shitjeve apo blerjeve, si çmime referencë, në bazë të të cilave do të taksohet shitësi me 10 për qind mbi fitimin e realizuar.
Lame: Mbajtëm premtimin
Vendimet e fundit të qeverisë janë tregues se po mbajmë premtimet e dhëna gjatë miratimit të ligjit të ri të legalizimeve. Kështu pohoi dje drejtori i Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Ndërtimeve, të Zonave Informale, Artan Lame gjatë një konferencë për shtyp së bashku me drejtoreshën e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Sonila Qato, pas vendimeve të qeverisë për caktimin e çmimeve të reja të pronës por dhe vendimit që ka të bëjë me përcaktimin e çmimit për parcelat e ndërtimit dhe kategoritë që përfitojnë falje të pagesës, çka lehtëson edhe procesin e legalizimit të pronës.
“Ky vendim formalizon në mënyrë të detajuar gjithçka premtuam në fazën e miratimit të ndryshimeve në ligjin e legalizimeve, cilat janë kategoritë e qytetarëve që përfitojnë ulje, sa është masa e uljes, cilat janë kategoritë që e përfitojnë tërësisht falas, sa është përqindja e uljes së parcelës, si dhe sa do të përdoren bonot e privatizimit, e kështu me radhë”, - deklaroi Lame. Ai shtoi se miratimi i kësaj VKM-je, u bë në qeveri javën që shkoi, por efektet e saj do të ishin të pjesshme pa miratimi dje të VKM-së për hartën e vlerës së tokës, të përgatitur nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Lame u bëri më tej thirrje qytetarëve dhe në mënyrë të veçantë emigrantëve që të aplikojnë për legalizimet.