English

IMEI, si një kod i shasisë së makinës. Asnjë lidhje me qytetarin por me kontrabandën

Deklaratë e Ministres së Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito:

Sa më shumë flet Lulzim Basha, aq më shumë rritet keqardhja për katandisjen e Partisë Demokratike në një teatër kukullash, ku mekanikisht recitohet kënga e vjetër e pushtetit që iku me turp.

Pretendimi për gjoja kontrollin e të dhënave të qytetarëve përmes celularëve është pjesë e propagandës së vjetër, që ngre akuza për të përbaltur kundërshtarin ose, edhe më keq, është rrjedhojë e budallallëkut që karakterizon të paaftit, kur duan edhe ata të thonë fjalën e tyre.

Qeveria nuk ka asnjë punë me të dhënat personale të qytetarëve, por qeveria ka detyrë të luftojë kontrabandën e celularëve dhe qeveria ka gjithashtu, detyrë që për çdo aparat celulari që hyn në Shqipëri të paguhet taksa përkatëse.

Kodi IMEI, i famshmi kodi IMEI nuk ka asnjë lidhje me përmbajtjen e komunikimit. Është vetëm një kod makinerie, si me thënë një kod i shasisë së makinës apo një numër serie i një kompjuteri. Është njëlloj si të thuash që nëpërmjet kodit të shasisë së veturës, qeveria kontrollon cili është shoferi.

Cili shqiptar e beson këtë!

Kjo është e vërteta e thjeshtë. Dhe, edhe kjo masë e qeverisë shkon në drejtim e përcaktuar nga vetë shqiptarët në 23 qershor: Rilindje dhe jo rrënim; barazi para ligjit dhe jo tjetër ligj për të fortët dhe tjetër ligj për të dobëtit; shtet i fortë dhe jo atdhe pa shtet.

Të tjerat janë llafe boshe dhe për llafe boshe, Lulzim Basha është vërtetë i zoti. Mjafton të pyesni ata që e votuan për kryetar bashkie dhe do t’ju tregojnë se përveç llafeve, asgjë nuk panë prej tij, në këto tre vjet.

KOMENTE