Me Dekretin Nr. 8675, bazuar në nenet 85, pika 1 dhe 93, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Presidenti i Republikës ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend ligjin nr. 97/2014 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8136, datë 31.7.1996, “Për Shkollën e Magjistraturës”, të ndryshuar”. Ky dekret shoqërohet me arsyet mbi të cilat i kërkohet Kuvendit të Shqipërisë rishqyrtimi i ligjit të lartpërmendur.
D E K R E T
PËR KTHIMIN E LIGJIT Nr. 97/2014
“Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8136, datë 31.7.1996, “Për Shkollën e Magjistraturës”, të ndryshuar”
Në mbështetje,
D e k r e t o j
Kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 97/2014 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8136, datë 31.7.1996, “Për Shkollën e Magjistraturës”, të ndryshuar”.
Nr. Dekretit 8675
Tiranë, më 11.08.2014
PRESIDENTI I REPUBLIKËS
BUJAR NISHANI
* * *
Arsyet e kthimit të ligjit nr. 97/2014
“Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8136, datë 31.7.1996,
“Për Shkollën e Magjistraturës”, të ndryshuar”
Të nderuar deputetë,
Në seancën plenare të datës 24 korrik 2014, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ligjin nr. 97/2014 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8136, datë 31.7.1996, “Për Shkollën e Magjistraturës”, të ndryshuar”.
Ky ligj është paraqitur për shpallje më datë 30 korrik 2014. Në bindje të Kushtetutës së Shqipërisë dhe në ushtrim të drejtës së parashikuar në pikën 1 të nenit 85 të Kushtetutës kam vlerësuar se ky ligj i duhet kthyer për rishqyrtim Kuvendit, mbështetur në arsyet dhe argumentet e mëposhtme.
Së pari, ndryshimet e ligjit nr. 8136, datë 31.7.1996, “Për Shkollën e Magjistraturës” vijnë në një kohë kur vetë propozuesit e ligjit pranojnë se: “Përgjatë këtyre viteve, falë trupës akademike të përfaqësuar nga juristë të shquar në fushat e ndryshme të së drejtës, të cilët mbajnë tituj të lartë akademikë, si dhe drejtimit profesional të saj, Shkolla e Magjistraturës është evidentuar si një institucion serioz dhe efikas në formimin fillestar dhe atë vazhdues të magjistratëve” dhe kur partnerët ndërkombëtarë vlerësojnë cilësinë e mësimdhënies dhe transparencën e pranimit të kandidatëve për magjistratë në këtë shkollë (shih Progres Raportet e Komisionit Europian 2012, 2013).
Deputetët propozues nuk kanë justifikuar dhe arsyetuar në mënyrë bindëse nevojën e ndërhyrjes në ligj dhe sidomos në strukturat e Shkollës së Magjistraturës dhe në stafin akademik, kur pranohet se ka treguar “një nivel profesional të admirueshëm, që duhet të shihet dhe evidentohet si një ndër çelësat e suksesit të kësaj shkolle”.
Së dyti, ndryshimet e bëra në nenin 6 pika 1 shkronjat “ç”, “e” dhe “f” , në nenin 7 dhe shtimi i nenit 7/1 të ligjit nr. 9136, datë 31.7.1996, “Për Shkollën e Magjistraturës”, prishin ekuilibrat e vendosur në Këshillin Drejtues të Shkollës së Magjistraturës, i cili ka funksionuar në përputhje me parimin Kushtetues të ndarjes dhe balancimit të pushteteve.
Me përbërjen e re të Këshillit Drejtues shihet qartë se shtohet pjesëmarrja e pushtetit ekzekutiv në këtë Këshill dhe përjashtohet Këshilli i Lartë i Drejtësisë i cili sipas ligjit dhe Kushtetutës “është autoriteti shtetëror përgjegjës për mbrojtjen, emërimin, transferimin, shkarkimin, edukimin, vlerësimin moral e profesional, karrierën, dhe për kontrollin e veprimtarisë së gjyqtarëve të gjykatave të shkallës së parë dhe të gjykatave të apelit”.
Përveç heqjes së kompetencës për emërimin e Drejtorit të Shkollës së Magjistraturës nga KLD, ulet numri i gjyqtarëve dhe prokurorëve (nga 2 në 1 për secilën kategori) që janë pjesë e Këshillit Drejtues dhe kushtëzohet përzgjedhja e gjyqtarit anëtar të Këshillit Drejtues nga Konferenca Kombëtare Gjyqësore dhe jo nga KLD.
Pjesëmarrja e përfaqësuesve të Këshilli të Lartë të Drejtësisë në Këshillin Drejtues të Shkollës së Magjistraturës është e vetmja mundësi e këtij institucioni për të qenë pjesë e vendimmarrjes në procesin e propozimit dhe emërimit të gjyqtarëve.
Përjashtimi nga kjo pjesëmarrje bie ndesh me nenin 136 pika 4 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, i cili parashikon se: “Gjyqtarët e tjerë emërohen nga Presidenti i Republikës me propozim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë” duke qenë se magjistratët e pranuar në Shkollën e Magjistraturës janë de facto të emëruar gjyqtarë dhe prokurorë që me pranimin e tyre në Shkollën e Magjistraturës nga komisionet e ngritura nga Këshilli Drejtues i kësaj shkolle.
Pra, me ndryshimet që sjell ligji nr. 97/2014, përjashtimi i KLD-së nga pjesëmarrja në Këshillin Drejtues, de facto i heq kompetencat kushtetuese këtij institucioni dhe Presidentit të Republikës për emërimin e gjyqtarëve të rinj, duke i lënë thjesht kompetencën për të bërë shpërndarjen e magjistratëve në vendet vakante.
Së treti, lidhur me ndryshimin e procedurës së rekrutimit të magjistratëve të parashikuar në nenin 17, ngritja e një komisioni me mjek psikiatër dhe psikolog për të dhënë një “leje aftësie për ushtrimin e profesionit të gjyqtarit apo prokurorit” është antikushtetuese.
Ngritja e një komisioni të tillë, i cili do të përcaktojë aftësinë mendore për të ushtruar këto profesione, faktikisht nuk bën gjë tjetër përveç se gjykon mbi zotësinë për të vepruar të kandidatëve. Zotësia për të vepruar mund të kufizohet ose hiqet vetëm me vendim të gjykatës referuar Kodit Civil të Republikës së Shqipërisë.
Së katërti, kriteret e vendosura në nenin 7 për zgjedhjen e Drejtorit të Shkollë së Magjistraturës janë të ekzagjeruara duke përbërë në thelb kritere tepër përjashtuese dhe absolutisht diskriminuese.
Jo të gjithë intelektualët në fushën e drejtësisë i kanë pasur mundësitë t’i plotësojnë të gjithë kriteret së bashku, që nga përmbysja e sistemit diktatorial deri më sot.
Së fundmi, dispozitat kalimtare të parashikuar në këtë ligj cenojnë parimin e sigurisë juridike dhe rrjedhimisht edhe parimin kushtetues të shtetit të së drejtës.
Ndryshimeve të parashikuara në ligj u jepet fuqi prapavepruese për drejtuesit që janë në detyrë me mandat dhe janë zgjedhur sipas kritereve të ligjit të kohës dhe bazuar në jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese ligjvënësi nuk mund të përkeqësojë në mënyrë të paarsyeshme gjendjen ligjore të personave, të mohojë të drejtat e fituara ose të shpërfillë interesat legjitime të tyre (vendim nr. 36/2007).
Lidhur me fuqinë prapavepruese të ligjeve duhet t’i referohemi vendimit të Gjykatës Kushtetuese nr. 9, datë 26.02.2007 në të cilin shprehet se: “Si rregull, ligjet i shtrijnë efektet e tyre për kohën e ardhshme dhe fuqia prapavepruese e tyre zbatohet në raste përjashtimore, sepse në të kundërt mund të krijohen situata me pasoja të paparashikuara. Teoria e së drejtës pranon se fuqia prapavepruese zbatohet si përjashtim si për shembull në ligjet penale favorizuese, në ligjet që ndërhyjnë për të rregulluar me ligj situata të paligjshme të krijuara më parë, në ligjet që interpretojnë anët e errëta ose të paqarta të një ligji të mëparshëm e në ndonjë rast tjetër ku paraqitet domosdoshmëria për të shmangur pasoja të rënda, negative ose të pandreqshme”.
Ndryshimet që sjell ligji nr. 97/2014, nuk vijnë si pasojë e asnjërës prej situatave të mësipërme. Duke i dhënë ligjeve fuqi prapavepruese në mënyrë të pajustifikuar do të krijohej një precedent duke e shndërruar në rregull dhe jo si përjashtim.
Fuqia prapavepruese e këtij ligji nuk mund të justifikohet as me interesin publik të pretenduar nga deputetët propozues në relacionin e paraqitur, pasi nga njëra anë pranojnë nivelin profesional të admirueshëm të stafit të Shkollës së Magjistraturës dhe nga ana tjetër vendosin kritere të cilat mund të përjashtojnë nga mësimdhënia në këtë shkollë të një pjese të pedagogëve që kanë kontribuar në cilësinë dhe efikasitetin e kësaj Shkolle të vlerësuar pozitivisht deri më sot.
Në dispozitat kalimtare parashikohet edhe ndalimi i zhvillimit të konkursit të pranimit për formimin fillestar në Shkollën e Magjistraturës për vitin akademik 2014-2015. Konkurset e pranimit zhvillohen duke marrë parasysh kërkesat e KLD-së dhe Prokurorisë së Përgjithshme të cilat bazohen në nevojat e sistemit gjyqësor dhe atë të ndjekjes penale.
Edhe konkursi i pranimit për vitin akademik 2014 – 2015 pasqyron nevojat për gjyqtarë dhe prokurorë, numri i të cilëve nuk përcaktohet dhe vlerësohet nga pushteti legjislativ.
Anulimi i konkursit për vitin akademik 2014 – 2015 gjithashtu është një parashikim ligjor me fuqi prapavepruese, i pajustifikuar, duke marrë në konsideratë faktin se njoftimi për zhvillimin e konkursit të pranimit mban datën 2 korrik 2014 dhe janë me qindra juristë që presin të konkurrojnë për një vend në këtë shkollë.
Për sa më sipër, ndryshimet ligjore që sjell ky ligj, janë në kundërshtim me Kushtetutën, nuk janë të justifikuara dhe shkelin parimin e sigurisë juridike në një shtet demokratik.
Të nderuar deputetë,
Si përfundim, kërkoj mirëkuptimin tuaj në rishqyrtimin e ligjit nr. 97/2014 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8136, datë 31.7.1996, “Për Shkollën e Magjistraturës”, të ndryshuar”.
Gjithashtu, referuar prononcimeve Tuaja se arsyetimet e kthimit të ligjeve nga Presidenti i Republikës janë “të dobëta” kërkojmë t’i mbrojmë para Komisionit duke respektuar parimin e të drejtës për t’u dëgjuar.
Me respekt,
PRESIDENTI I REPUBLIKËS
BUJAR NISHANI