Zëvendësministri i Arsimit dhe Sportit, Z. Arbjan Mazniku dhe Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Z. Plarent Ndreca zhvilluan një vizitë në institucionin e arsimit të lartë privat “Vitrina”, për të kontrolluar nga afër shqetësimet e shprehura nga studentët.
Gjatë takimit që patën me drejtues të këtij institucioni, ata sqaruan edhe një herë, se institucionet e arsimit të lartë privat që iu është hequr licenca, kanë detyrimin, sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave 539, që t’u dorëzojnë studentëve, dosjet me dokumentacionin e nevojshëm, pa asnjë detyrim financiar shtesë nga ana e tyre, brenda datës 1 shtator 2014.
“Ja bëmë të qartë këtij institucioni dhe do vazhdojmë t’ua bëjmë të qartë të gjithë institucioneve në vijim atë çfarë përcakton VKM, detyrimin për t’ia vënë në dispozicion studentëve, dosjen me të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, pa asnjë detyrim financiar shtesë nga ana e tij, brenda datës 1 shtator 2014. Ju themi studentëve se MAS do t’i gjendet secilit student pranë në mënyrë që ai mos të ketë kosto dhe të transferohet pa probleme në një institucion tjetër të arsimit të lartë”, tha Mazniku.
Zëvendësministri ftoi të gjithë studentët të shkruajnë të gjitha shqetësimet e tyre në adresën e MAS, vkl@arsimi.gov.al, për të qenë pranë tyre në procesin e çregjistrimit.
“Koha kur shteti i braktiste studentët ka mbaruar. Shteti do t’i qëndrojë pranë çdo studenti nëse u kërkohen para, apo nëse kanë probleme. E gjithë qeveria shqiptare është e përkushtuar ndaj zbatimit të plotë të ligjit në të gjitha hapat e tij, vetëm për një qëllim, të mirën e arsimit shqiptar”, tha Arbjan Mazniku.
Duke iu referuar VKM-së, Zëvendësministri Mazniku tha se institucionet e arsimit të lartë që ju është hequr licenca kanë detyrim të mbyllin të gjitha detyrimet lidhur me veprimtarinë mësimore-shkencore për vitin akademik 2013-2014.
Zëvendësministri theksoi se data 1 shtator është afati i fundit për çregjistrimin e studentëve, më pas institucionet e arsimit të lartë, deri në datën 10 shtator, sipas VKM-së, duhet të dorëzojnë në MAS, dosjet e studentëve që nuk do të tërhiqen nga studentët përkatës si dhe edhe të gjithë dokumentacionin ligjor, administrativ, financiar dhe akademik që disponojnë dhe mbi bazën e të cilit kanë zhvilluar veprimtarinë e tyre akademike.
Ndërkohë Ministria e Arsimit dhe Sportit ka publikuar sot procedurat që do të ndiqen për transferimin e studentëve nga universitetet, të cilëve iu është hequr licenca.
Sipas udhëzimit të nxjerrë sot më datë 11/08/2014, të gjithë studentët që në vitin 2013-2014 kanë ndjekur studimet në universitetet që iu është hequr licenca, mund të transferojnë studimet e tyre në një universitet publik ose privat të arsimit të lartë, brenda ose jashtë vendit.
Dosja duhet të përmbajë këto dokumente:
- Dokumentin e çregjistrimit
- Planin e plotë të programit të studimit
- Listën e lëndëve të shlyera me notat dhe kreditet përkatëse
- Listën e notave dhe kreditet për çdo lëndë dhe detyrim të shlyer për ekuivalentimin e notave
- Kopje e kontratës në kohën e regjistrimit me IAL përkatëse
- Diplomat e cikleve të mëparshme të studimit
Brenda datës 20 shtator, studentët duhet të aplikojnë për transferimin e studimeve me dokumentacionin e mëposhtëm:
- Dosjen e studentit
- Fotokopje e noterizuar e diplomës së Maturës Shtetërore dhe certifikatë notash
- Dokument identifikimi
- Dy fotografi
- Deklaratë e kandidatit që nuk ndjek një tjetër program studimi në institucione të tjera të AL.