Prokuroria për Krime të Rënda mbyll hetimet për Sandokan Meçajn, ish-emigrantin 29 vjeçar nga Pogradeci, që plagosi vajzën e tezes për xhelozi në shkurt të vitit 2014, me të cilën kishte një lidhje dashurie prej 6 muajsh.
Gazeta “Shekulli” boton historinë e Sandokanit dhe të dashurës së tij 34-vjeçare që nga lidhja në Greqi e deri te sherri për xhelozi në fshatin Memëlisht të Pogradecit. Afërsisht 6 muaj pas krimit, prokuroria mbylli hetimin duke e dërguar për gjykim. Ish- emigranti 29-vjeçar akuzohet për “vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”, mbetur në tentativë në dëm të Brunilda Manit. Në shkurt të këtij viti, policia gjyqësore e Policisë së Pogradecit ka referuar në prokurori , materialet hetimore në lidhje me ngjarjen e ngjarjen e ndodhur në rrugën kombëtare Pogradec - Qafë Thanë. Nga hetimet e para të kryera në Pogradec rezultoi se ditën e ngjarjes, rreth orës 09.00, pas një grindje dhe debateve për motive të dobëta, Sandokan Meçaj goditi me thikë në qafë të dëmtuarën Brunilda Mani, 34 vjeçe, nënë e 3 fëmijëve, me të cilën ai kishte kohë që bashkëjetonte. Nga goditja ajo mori një plagë të rëndë në qafë dhe më pas u dërgua për kurim në spitalin e Pogradecit. Gruaja me origjinë nga Shkodra ishte strehuar 7 muaj më parë tek të afërmit, për shkak të frikës së gjakmarrjes, pasi bashkëshorti i saj vrau një person në vitin 2011. Për këtë shkak ajo kishte jetuar në shtëpinë e kushëririt të saj. Në deklarimet e dhëna nga persona që tregojnë rrethana të hetimit, Ermira Rramoshi, nëna e autorit, sqaron se Sandokanin e ka djalë nga martesa e parë, ndërsa Brunildën e ka mbesë, vajzën e motrës së saj.
Ngjarjen ajo e kishte mësuar nga nipi i saj Drini (djali i Brunildës), që i kishte treguar për rrethanat se si ka ndodhur plagosja, duke i saktësuar gjithashtu se autor ishte Sandokani. Nëna e Sandokanit, deklaroi për hetuesit se Brunilda dhe Sandokani kishin jetuar të dy në një dhomë për një kohe prej 7 muajsh, në Greqi. Brunilda i kishte premtuar Sandokanit se të dy do të jetonin në Angli, por ditët e fundit ajo kishte ndërruar mendje dhe nga xhelozia e dashuria për të, Sandokani nuk ka pranuar që ajo ta braktiste dhe e goditi me thikë duke e plagosur. Vetë deklaruesja dëshmon se motivi i ngjarjes është xhelozia dhe Sandokani i kishte shprehur Brunildës se nuk jetonte dot pa të. Para hetuesve gruaja e plagosur tha:
Gjithçka ndodhi për shkak të xhelozisë, pasi kishim një lidhje intime prej disa muajsh. U grindëm sepse ai ishte xheloz. Unë jam nga Shkodra dhe kam ardhur këtu e shtatë muaj më parë te banesa e tezes. Ndodhi që unë krijova lidhje me djalin e tezes sime. Kam tre fëmijë, të cilët nuk i kam me vete, kam edhe të afërm të tjerë.”
Ndërkaq, i pyetur në lidhje me këtë ngjarje Sandokan Meçaj kishte ka pranuar autorësinë dhe motivin e ngjarjes. Ai kishte deklaruar se me Brunildën kishte një lidhje dashurie që prej 7 muajsh, që në kohën që kanë qënë në Greqi, dhe se atë e ka vajzën e tezes së tij. Më 15 shkurt, kur u la në burg, Sandokani ka rrëfyer se historia e lidhjes nisi në Greqi.
“Pasi ajo erdhi në fshat, vendosëm të shkonim në emigrim, ndërsa fëmijët i la tek nëna ime, ndërsa erdhi dhe nëna e saj (tezja ime) që të kujdeseshin për ta. Ne u kthyem në Memëlisht, ku Brunilda mori një banesë me qira dhe jetonte me 3 fëmijët që i futëm në shkollë, ndërsa lidhjen e mbajtëm të fshehtë.
Por, të martën, djali i saj 15-vjeçar u kthye më shpejt nga shkolla dhe na gjeti bashkë. Ai u largua dhe ne u alarmuam e bëmë denoncim në polici. Në mbrëmje, kryeplaku i fshatit na njoftoi se djali ndodhej në komisariatin nr.3 në Tiranë. Këtu nisi problemi. Brunilda duhej të shkonte të merrte djalin në Tiranë, por mua nuk më kishte njoftuar. I terrorizuar nga frika se kur të kthehej djali do të tregonte për lidhjen e dashurisë, u detyrova dhe i tre- gova nënës, e cila bashkë me njerkun u tronditën. Të mërkurën në mëngjes unë kisha dalë në fshat, kur pashë njerkun që shoqëronte Brunildën për tek stacioni i furgonëve”. Kur ai ishte nisur ta ndalonte, kishte takuar njerkun me të cilin debatoi, ndërsa ajo ishte aty. “U bëra shumë xheloz, sepse po ikte vetëm në Tiranë. Në debat e sipër nxora thikën dhe godita të dashurën. Më pas u vetdorëzova në polici”., - ka thënë në deklarim Meçaj.
Nga të dhënat e administruara më datën 24 qershor 2014, nga policia gjyqësore nëpërmjet printimit të tyre nga regjistri elektronik i gjendjes civile rezulton se Ermira Rramoshi (nëna e Sandokanit) dhe Sadije Cenaj (nëna e Brunildës) janë motra pasi të dyja kanë prindër shtetasit Nazmi (babain) dhe Fatime (nënën). Në materialin hetimor të prokurorisë thuhej se pasi mori dijeni për ngjarjen policia e këtij qyteti ka gjetur, fiksuar dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale njolla të kuqe gjaku, që i përkisnin Manit. Më pas ajo i është nënshtruar mjekimit spitalor si dhe u krye ekspertimi mjeko-ligjor i saj. Nga ky ekspertim ka rezultuar se në qafë është vënë re një plagë prerëse në qafë, rreth 3 deri 4 cm, nga ku ka sasi të bollshme hemorragjie. Sipas prokurorisë, këto dëmtime janë shkaktuar me mjete të forta prerëse siç mund të jetë thika. Dëmtimet e konstatuara klasifikohen në kategorinë e dëmtimeve që duan mbi 9 ditë pushim. Në deklarimet e dhëna si person nën hetim Sandokan Meçaj, i pyetur në prani të avokatit Budion Hoxha, i caktuar kryesisht për mbrojtjen e personit nën hetim, ka pranuar autorësinë e veprës penale si dhe ka treguar vendin ku e kishte fshehur thikën e zezë. Më pas u arrestua.