Rekrutimi i pacientëve nga spitali publik drejt klinikave private të mjekëve vazhdon të jetë një fenomen shqetësues në spitalet tona, me pasoja shpesh tragjike për pacientët.
Rasti më i fundit, i cili ka dhe një fund të hidhur, i përket një 62-vjeçareje së cilës i lotonte njëri sy dhe është paraqitur në shërbimin e otorino-laringologjisë ku është vizituar nga mjeku Ali Tonuzi dhe bashkëshortja e tij gjithashtu mjeke. Vajza e pacientes denoncon atë që ndodhi me nënën e saj.
“Ka ardhur në QSUT për të bërë ndërhyrjen apo atë çfarë kishte nevojë dhe mjeku e ka dërguar në klinikën e vet private. Ishte një klinikë ku nuk kishte asnjë shtrat ku mund të rrinte pacienti 1 ose 2 orë, por kishte një shtrat ku futeshe, ishte familjari, merrnin të dhënat pacientit dhe e futnin në sallë. Nuk ishte një klinikë me shtretër sepse sikur një dhëmballë të heqësh, apo të bësh një ndërhyrje sa më të vogël, njeriu ka nevojë të pushojë të paktën 1 orë”, thotë Blerina Cenameri, vajza e 62-vjeçares.
Mjeku Tonuzi ka këmbëngulur se duhej kryer një ndërhyrje e cila mund të realizohej në klinikën e tij private, ku sërish ofronin shërbim të dy mjekët bashkëshortë. Fillimisht janë shprehur për një ndërhyrje të lehtë ambulatore.
“Mjeku tha që kjo ndërhyrje bëhej vetëm në klinikën e tij dhe ishte urgjente sepse infektohej edhe syri tjetër. Vendosëm që në ditë të shtunë të bëhej ky operacion. Operacioni më tha doktori, nuk do të zgjasë shumë, rreth 10 minuta. Nuk u hap asnjë kartelë, asnjë firmë nga familjarët apo pacientët. Bëmë analizat dhe i treguam anestezistit Bilbil Rakipi. Ai tha që është në rregull dhe mund të kalojë në sallë për 10 minuta punë operacion. Kemi pritur rreth një orë dhe u shqetësuam sepse doktori na tha 10 minuta”, sqaron vajza e të ndjerës.
Cenameri shpjegon se edhe pse në gjendje të rëndë mjekët e këshilluan ta dërgonte në shtëpi nënën pasi kjo ishte një situatë normale. Por pas pak orësh gruaja ka kaluar në koma dhe është dërguar me urgjencë në reanimacionin e QSUT-së.
“Nga salla doli në gjendje të rëndë, e djerësitur, me të vjella, me dhimbje, pyetëm mjekun për këtë dhe tha mos u shqetësoni është normale. Anestezisti thotë se kishte injektuar më shumë se ç’duhet sepse pacienti ishte pak e fiksuar. Mjeku na thotë që duhet ta merrnim dhe të lëvizë sepse i bën mirë. E kam lënë nënën të qetësohet maksimumi 1 orë, pas një ore mamaja ime kaloi në gjendje kome. E çova në QSUT dhe pas ekzaminimeve që u bënë atje, skanera dhe analiza e vendosëm në reanimacionin qendror ku 13 ditë kaloi në gjendje kome dhe pas 13 ditësh mamaja ime vdiq”, shton Cenamei për mikrofonin e Top Channel.
Burime nga Ministria e Shëndetësisë shpjegojnë se janë në pritje të hetimit nga prokuroria për të marrë ose jo masa ndaj dy mjekëve, ndërkohë që vetë mjekët që kanë kryer ndërhyrjen janë me pushime.
Ndërsa urdhëri i mjekut shprehet se nuk kanë të bëjnë me një gabim mjekësor. Por ky nuk është rasti i parë dhe as i fundit ku mjekët që ofrojnë shërbim në spitalet publik transferojnë pacientët në klinikat private.
Ka patur raste kur pacienti pasi paguan faturat e kripura në klinika private dhe gjendja e tyre shëndetësore është përkeqësuar atëherë transferohen sërish në spitalet publike.