English

Rama bashkëbisedim me gazetarët dhe pyetjet e ardhura nga rrjetet sociale

Fjala e Kryeministrit Rama gjatë bashkëbisedimit me gazetarët dhe pyetjet e ardhura nga rrjetet sociale:

Mirëdita të gjithëve!

Shpresoj dhe uroj që të keni kaluar edhe ndonjë ditë pushimi të mbarë.

Sikundër edhe e kemi lajmëruar jam këtu i gatshëm që t’i përgjigjem jo vetëm pyetjeve tuaja, por edhe shumë pyetjeve që kanë ardhur nga qytetarët në Twitter dhe Facebook. Pjesën e parë do t’ia kushtojmë tërësisht këtij bashkëbisedimi ku do të ketë edhe ndërhyrje nga rrjetet sociale. Përgjigjet do të jenë të drejtpërdrejta dhe pastaj pjesën tjetër kur të mbarojmë me pyetjet tuaja do të vazhdojmë drejtpërdrejt me ata që e ndjekin konferencën në Twitter dhe Facebook.

Dëshiroj ta filloj, besoj nga sektori më i rëndësishëm në këtë fazë që është turizmi. Nuk do të bëj bilanc imagjinar dhe as një bilanc të bazuar tek të gjitha hyrjet-daljet në Shqipëri, pra, nuk do të konsideroj turistik asnjërin nga ju që mund të keni shkuar jashtë dhe të jeni kthyer përsëri gjatë kësaj periudhe. Duke iu referuar vetëm numrit të vizitorëve të huaj jo rezident në Shqipëri kemi deri tani, një rritje të fluksit të turistëve me 14% krahasuar me një vit më parë dhe një numër total vizitorësh jo rezidentë prej 1 milionë e 213 mijë. Shifër mjaft e konsiderueshme duke pasur parasysh që jo vetëm Shqipërinë, por gjithë Mesdheun e preku jo pak në këtë sektor, moti i keq i muajit korrik dhe duke pasur parasysh një specifikë të veçantë për vendin tonë që lidhet me muajin e Ramazanit.

Nga ana tjetër, besoj që pa u munduar për asnjë arsye të fsheh problematika të trashëguara dhe ende për t’u adresuar, këtë sezon arritëm që të kemi plazhe shumë më të pastra se më parë, falë një aksioni intensiv, ku bashkuam një sërë forcash nga Forcat e Armatosura që gjej rastin t’i falenderoj në mënyrë të posaçme, nën drejtimin e Ministres që i ka kushtuar drejtpërsëdrejti, një pjesë të kohës e punës së vet pikërisht këtij aksioni, tek institucionet publike dhe tek një numër i vyer vullnetarësh nga Shqipëria dhe Kosova, të angazhuar nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, e cila filloi punën e vet, për herë të parë, pasi ne e krijuam. Kemi një numër total personash të angazhuar specifikisht në pastrimin e plazheve, në periudhën që nga marsi dhe deri në ditën që po flasim, pasi angazhimi është intensiv dhe i vazhdueshëm, i përditshëm në çdo zonë plazhesh me pushues, prej mbi 3 mijë persona.

Nga ana tjetër vumë në funksion nga korriku dhe vazhdojnë të jenë në funksion plot 9 kampe vullnetarësh, në 9 zonat më të frekuentuara nga pushuesit, vendas e të huaj, që nga Riolli, në Tale, në Gjirin e Lalzit, në Durrës, në Golem, në Vlorë, në Dhërmi, në Himarë dhe në Borsh. Numri total i personave të angazhuara në këto kampe është 1200 persona. Për herë të parë filluam të vendosim kullat e vrojtimit. Praktikisht, patëm 7 plazhe pilot, ku realizuam edhe certifikimin sipas standarteve ndërkombëtarë, të 40 personave të parë, të moshës së re, si roje plazhi.

Vija bregdetare, vija liqenore, të gjitha zonat e mbrojtura praktikisht janë ruajtur dhe kanë filluar të stabilizohen si zona të paprekura nga tentativa të shumta për ndërtime të qëndrueshme pa leje, veç atyre sezonale, të cilat janë evidentuar në gjithë territorin dhe hera-herës, fatkeqësisht, janë autorizuar në shkelje të direktivës së qeverisë nga disa autoritete vendore, për të cilat do të merren edhe masat përkatëse.

Nga ana tjetër, Agjencia Kombëtare e Bregdetit është vënë e tëra në dispozicion, megjithëse ende në formim e sipër dhe me një numër të vogël njerëzish dhe me eksperiencë krejt të re, për të marrë masa për rehabilitime mjedisore në disa zona.

Sigurisht që, e përsëris, pamja e përgjithshme është pozitive, por nuk lë vend për asnjë lloj triumfalizmi, apo për asnjë lloj ndjesie që na shtyn drejt një bilanci si ato bilancet tradicionale të turizmit, bazuar në suksese tërësisht imagjinare. Problematikat janë ende aty. Kemi një problematikë të trashëguar, shumë të rëndë, që ka të bëjë me një sërë aksesh kombëtare që vazhdojnë të jenë të hapura. Puna për të cilat vazhdon me ritme të ulëta, për shkak se vazhdojmë të gjendemi në kushtet kur duhet të mbushim gropën e madhe të borxheve, të krijuara pikërisht për këto punë publike që u çelën në mënyrën më të papërgjegjshme nga Qeveria paraardhëse dhe i vendosi kompanitë në situatën tmerrësisht të vështirë që të hyjnë ato në borxhe për të vazhduar punën. Sot, praktikisht, ajo që shihet në disa rrugë,- kam parasysh rrugën e Pogradecit si një rrugë tipike e asaj që na la pas Qeveria e deridjeshme,- përbëjnë një arsye të fortë për të mos qenë sot, tërësisht të kënaqur.

Sigurisht që, ky është një problem i madh financiar, është një problem që ne po e trajtojmë intensivisht, qoftë me Fondin Monetar Ndërkombëtar, qoftë me Bankën Botërore, sepse mungon në buxhetin tonë masa e parave që janë të nevojshme për t’i mbyllur të gjitha këto rrugë, e përsëris, për shkak, se Qeveria paraardhëse i ka çelur në kuadrin e orgjisë së përgjithshme me financat e shtetit dhe në marshimin triumfal drejt sukseseve imagjinare, pa marr parasysh fondet që ka pasur në dispozicion.

Negocimi nuk është aspak i thjesht, sepse kemi të bëjmë me domosdoshmërinë për të siguruar një masë parash, që duhet të dalin nga burime të tjera dhe jo nga buxheti i shtetit. Jemi në diskutim dhe kemi marrë pëlqimin në parim nga një bankë e rëndësishme ndërkombëtare. Por sigurisht, e përsëris, jemi ndërkohë edhe në një program me Fondin Monetar Ndërkombëtar, që ne nuk kemi asnjë tendencë të mos e respektojmë pikë për pikë.

Çështja e dytë që mbetet problematike është çështja që lidhet me kanalizimet. Jemi të gjithë të vetëdijshëm se zhvillimi i turizmit në Shqipëri ka qenë një zhvillim tërësisht kaotik. Përgjatë rrugës së këtij zhvillimi, qeveritë e mëparshme dhe posaçërisht Qeveria e tetë viteve të shkuara nuk kanë marrë përsipër të luajnë asnjë rol udhëheqës dhe koordinues, duke lejuar që pisllëku dhe ujërat e zeza të bashkëjetojnë me të gjithë ata që kanë ndërtuar duke investuar në vijën bregdetare, apo me gjithë ata që vijnë për të konsumuar ditët e pushimit në vijën tonë bregdetare. Për këtë ka disa muaj që po përgatitet një program tërësisht i posaçëm, duke bashkuar një sërë burimesh financiare të huaja, për të filluar dhe për të kuruar plagën e madhe të ujërave të zeza në vijën tonë bregdetare. Kemi zona shumë të nxehta si një pjesë e plazhit të Durrësit, apo vetë Himara që përbën një nga pikat më të forta ku do të mbështetet zhvillimi i turizmit në vitet në vijim, flas për gjithë bregun Jon, po këtu kam parasysh Himarën ku, praktikisht, gjendja është alarmante, për shkak se nuk kemi kanalizime të ujërave të zeza.

Nga ana tjetër, po kështu problem i rëndë dhe i trashëguar në rang kombëtar, por që në periudhën e turizmit është shumë i ndjeshëm në vijën bregdetare, është problemi i ujit të pijshëm. Dihet që Qeveria paraardhëse erdhi në fuqi me premtimin se brenda një mandati do të zgjidhte qoftë problemin e kanalizimeve, qoftë të ujit të pijshëm, jo vetëm që nuk e zgjidhi, por pas tetë vjetësh e rëndoi atë, në një masë të atillë, që sot ne flasim me të drejtë për gropën e madhe që na la në sektorin energjetik, por kemi një gropë ende më të madhe borxhesh, të akumuluara nga keqadministrimi total i ujësjellësve në gjithë Shqipërinë dhe nga korrupsioni i jashtëzakonshëm që ka karakterizuar këtë keqadministrim, por edhe nga mungesa e plotë e një vizioni integral për investimet në sistemin e ujit të pijshëm në mbarë vendin.

Nga ana tjetër, vërtet kemi pasur këtë vit, plazhe shumë më të pastra, por nuk kemi zgjidhur problemin e mbetjeve, që sigurisht është një problem i trashëguar prej 20 e kusur vitesh dhe nuk mund të zgjidhet brenda 300 ditësh, por ne po e adresojmë, pasi kemi vënë në vijë edhe punën për hartimin e një plani kombëtar të menaxhimit të mbetjeve, çka, padyshim, bashkë me ujin e pijshëm, bashkë me kanalizimet, hyjmë tani në një fazë, besojmë ne, më lehtësisht të trajtueshme, falë Reformës së re Administrativo-Territoriale.

Vazhdojmë të jemi përballë krimit mjedisor, vazhdojmë të shohim që ky është një krim që ende nuk është vënë plotësisht nën kontroll. Ligji i ri, që kemi kaluar për Policinë e Shtetit, përfshin tërësisht Policinë e Shtetit në aktivitet të plotë përballë kësaj veprimtari kriminale, deri dje e lënë tërësisht jashtë fokusit të Policisë së Shtetit dhe e trajtuar nga gjithfarë inspektoratesh, struktura të dobëta dhe të korruptuara që më shumë kanë bashkëpunuar me krimin sesa kanë ndaluar krimin mjedisor. Do të vazhdojmë të shtrëngojmë shumë fort, masat kundër këtij krimi. Policia e Shtetit po fillon. Protokolli i ri punës, që po shtohet në protokollin e punës së Policisë së Shtetit lidhur me krimin mjedisor, do të jetë gati në shtator dhe praktikisht do të jetë detyrë e çdo drejtorie, e çdo komisariati dhe e çdo punonjësi të policisë të angazhuar në terren, që ashtu siç duhet të parandalojë apo godasë krimet, të konsideruara të tilla deri tani, nga krimet e rënda deri tek krimet ordinere, të trajtojë me të njëjtin intensitet dhe me të njëjtën përgjegjësi, edhe krimin mjedisor. Në mbyllje të kësaj pike dua të theksoj se sot jemi përballë një bilanci barbarie vendore, të pashembullt dhe të pakrahasueshme me asgjë në rajon dhe në Europë.

Barbaria, e një organizimi të falimentuar territorial dhe e një pushteti të falimentuar me qindra njësi, ku në të shumtën e herës kanë munguar kapacitetet dhe ka sunduar korrupsioni. Barbaria ndaj territorit dhe ndaj interesave lokale e kombëtare.

Pika e dytë, sigurisht nuk mund të mos jetë rendi, në kushtet kur trashëgojmë një bilanc tradicional vit pas viti dhe këtë ju mund ta verifikoni lehtësisht që rendohet për sa i përket rendit, në muajt e verës. Nuk mund të mos jemi sot optimist për ndryshimin e kursit bazuar në punën e bërë nga Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit për të garantuar mbarëvajtjen e sezonit turistik, ku u angazhuan specifikisht 2388 punonjës policie, 201 automjete, 17 mjete lundruese dhe një helikopter. Për here të parë patëm patrullimin policor në plazh, qoftë me mjete fare të lehta, si biçikleta dhe me uniforma verore. Në këtë shërbim që u pilotua këtë vit dhe që do të jetë shumë më i strukturuar vitin e ardhshëm, u aktivizuan 100 punonjës policie të Patrullës së Përgjithshme, të cilët luajtën një rol shumë të rëndësishëm si ndërmjetës të menjëhershëm mes komuniteteve të pushuesve dhe forcave të policisë.

4 stacione provizore policisë u ngritën në zonat turistike, në zona që janë larg njësive policore ekzistuese, duke filluar nga Thethi e duke shkuar deri në Ksamil. U sigurua një monitorim nga ajri përmes helikopterit, i akseve kryesore rrugore në oraret me ngarkesën maksimale dhe orientim i shërbimeve për mbulimin e pikave më të ngarkuara për rritjen e sigurisë dhe garantimin e rrjedhshmërisë së trafikut. Përgjithësisht mund të themi, ashtu sikundër mund të dëshmojnë edhe pushuesit e shumtë të ardhur nga Kosova që për herë të parë ra në mënyrë drastike intensiteti i kontrolleve në kufi. Përgjithësisht kufiri u la tërësisht i lirë, në orët e pikut dhe puna e policisë u strukturua në mënyrë të atillë që pa hequr tërësisht kontrollin e domosdoshëm policor për të parandaluar atë çka mund të vijë nga kalimet në kufi, të mos krijohej ai pengimi i tmerrshëm i pushuesve. Edhe këtu jam i bindur që jemi tërësisht të gatshëm që vitin e ardhshëm të kemi një rezultat edhe më të mirë.

Tani të vijmë tek shifrat. Unë nuk kam asnjëherë dëshirë që të flas për shifrat kur është fjala tek vrasjet, por faktikisht shifrat janë kokëforta dhe të vrarët janë emra dhe mbiemra e as mund të zhduken dhe as mund të fshihen. Kemi 30 % më pak vrasje se në të njëjtën periudhë të 2013, çka është një shifër që sigurisht do ta përmirësojmë ende më tutje dhe kemi arsye që të besojmë se do ta përmirësojmë më tutje, por është një shifër që qartësisht tregon se ka një përmirësim të ndjeshëm në këtë aspekt, siç ka një përmirësim ende më të ndjeshëm kur vjen fjala për vjedhjet me dhunë apo me armë të pushuesve në zonat turistike dhe në akset rrugore që janë 75 % më pak se sa një vit me parë.

Nga ana tjetër nga 1 qershori deri në 15 gusht që flasin shifrat, që unë kam përpara, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kemi 22 % më pak aksidente rrugore, 29 % më pak viktima në aksidentet rrugore dhe 39 % më pak të plagosur rëndë në aksidentet rrugore. Le të kuptohemi që çështja e aksidenteve rrugore vazhdon të mbetet nje çështje komplekse që lidhet shumë më pak, sot, me punën e Policisë së Shtetit në këtë aspekt, ku kemi parë dhe shohim përditë ndryshime të qenësishme, sesa lidhet me gjendjen e trashëguar të akseve kombëtare, që të gjithë jemi dëshmitarë se gjithçka mund të jenë, por nuk janë rrugë kombëtare të një vendi europian.

Numri i mjeteve të ardhura nga jashtë ka një rritje të qenësishme krahasuar me grafikun e 8 viteve të fundit. Praktikisht, janë afro 100 mijë mjete më shumë që kanë hyrë nga jashtë në vendin tonë krahasuar me një vit më parë.

Besoj që të gjithë pushuesit mund të dëshmojnë se ka një ndryshim drastik për sa i përket qetësisë publike dhe gangrenës së muzikës deri në orët e para të mëngjesit që ka qënë një problem që i ka tmerruar pushuesit në Shqipëri. Praktikisht, jo se është arritur maksimumi por është arritur që të ketë përgjithësisht qetësi dhe ndërkohë ka për herë të parë procedim penal për subjekte që kanë prishur qetësinë pas orarit të përcaktuar të mesnatës, në zonat e populluara me pushues.

Problematika vazhdon të jetë e qartë. Kemi një polici që është me nivelin më të ulët arsimor në rajon, se në Evrope nuk diskutohet. Kjo sjell si rezultat edhe si pasojë edhe një nivel sjellje që sado i përmirësuar, që lë ende shumë për të dëshiruar. Ashtu sikundër edhe një nivel tërësor performance që sado i përmirësuar lë ende shumë për të punuar dhe për të përmirësuar. Por jemi besimplotë se puna e bërë në fazën e parë të qeverisjes, rekrutimi i 1000 punonjësve të rinj të policisë që po kalojnë në dy faza në rrugën e Akademisë së Rendit, dhe vetë rihapja e Akademisë së Rendit, do të na japë në vitin në vijim dhe në vitet në vijim, rezultate jashtëzakonisht të tjera kur vjen puna tek komunikimi dhe tek standardet e performancës të çdo punonjësi policie.

Problem vazhdon të mbetet numri i policëve të angazhuar në territor. Kemi numrin më të vogël në rajon dhe pa diskutim edhe në Evropë. Shtimi i numrit është i kushtëzuar nga mundësitë tona financiare. Megjithatë siguria ka qënë dhe mbetet prioritet themelor i programit dhe i rrugës sonë qeverisëse. Ne do të vazhdojmë ta mbështesim fort, rritjen, fuqizimin dhe transformimin e Policisë së Shtetit shqiptar, nga një trupë si ajo që gjetëm e tradhtuar dhe e rrënuar, në njërën prej trupave më shembullore dhe cilësore të rajonit dhe pse jo edhe të Europës.

Çështja e tretë brenda kësaj problematike mbetet teknologjia, por jemi afër konkretizimit të një plani të Ministrit të Brendshëm për të futur kapacitet e teknologjisë së re në funksion të sigurisë. Besoj, që sot një vit do të jemi në kushte të tjera dhe do të mund flasim për projekte të zbatuara ose në rrugën e zbatimit dhe që do të transformojnë tërësisht marrëdhënien mes policisë dhe qytetarit; qytetarit dhe gjithë rregullave të sigurisë, pasi monitorimi me kamera do të fillojë të vihet në funksion duke filluar nga Tirana. Më në fund pas kaq vitesh do të shpëtojmë edhe nga figura e policit në çdo lloj semafori dhe do të kemi një kontroll shumë më objektiv dhe teknologjik të qarkullimit, gjë që do të sjellë dhe kalimin në një fazë të re me një epërsi të ndjeshme të Policisë së Shtetit ndaj botës së krimit.

Vijmë tek energjia. Ka qenë një vit i vështirë. Trashëgimia është e tmerrshme, por mund të them se vazhdon përmirësimi në shifrat e performancës lidhur me administrimin e gjithë rrjetit të shpërndarjes së energjisë. Ajo që vlen të theksohet këtu është se për herë të parë, qysh nga vitet 70 ndoshta, janë bërë investime në rrjetin elektrik në të gjithë bregdetin Jon, ku praktikisht përqendrohet prej vitesh një pjesë e rëndësishme e prurjeve turistike dhe ku ndërprerjet e energjisë kanë shoqëruar në mënyrë konstante çdo pushues. Këtë vit janë realizuar investime me një vlerë të konsiderueshme prej 66 milionë e 841 mijë lekësh konkretisht, vetëm dhe specifikisht, në atë vijë bregdetare. Janë kryer remonte të nënstacioneve të rrjetit të shpërndarjes në të gjitha zonat turistike bregdetare. Numri i remonteve në periudhën maj- qershor për të përgatitur sezonin ka qenë pothuajse 100 % më i lartë se sa ai i një viti më parë, që po të shikosh dhe hartën e remonteve, nuk kupton asgjë se përse këtu dhe jo aty.

Gatishmëria teknike ka qenë e plotë, ka pasur raste ndërprerje energjie, por ama skuadrat speciale të vendosura në shërbim të pushuesve kanë funksionuar dhe kanë arritur të ndërhyjnë në kohë dhe të japin rezultat në një afat shumë të arsyeshëm.

Problematika është ajo që dimë, vazhdojmë të kemi vjedhje të energjisë elektrike dhe goditja ndaj hajdutërisë së energjisë elektrike do të intensifikohet dhe do të hyjë në një fazë të re, ashtu sikundër edhe goditja ndaj sjelljes barbare me rrjetin elektroenergjitik, ku dëshmohen në mënyrë të vijueshme shumë grabitje dhe dëmtime të qëllimshme të rrjetit.

Vijmë tek situata ekonomike. Ju them se çdo shifër që po jap sot është një shifër lehtësisht e verifikueshme. Fluksi i investimeve të huaja në tremujorin e parë të vitit është rritur me 12.8 %. Për herë të parë është kaluar barriera e 1 miliard dollarëve investime të huaja të drejtpërdrejta. Një nivel, të cilin qeveria ka një synim të qartë që ta tejkalojë sërish dhe ta çojë shumë më lart, në sajë të një sërë politikash lehtësuese për të cilat jemi të përgatitur dhe që do të jenë vazhdim i atyre politikave lehtësuese që ne bëmë me sektorin e manifakturës apo me sektorin e bujqësisë.

Por programi do të shtjellohet duke filluar qysh nga shtatori. Faktikisht, në muajin qershor një burim shumë serioz ndërkombëtar, “Foreing Policy”, që publikon indeksin bazë të rentabilitetit ‘Ku të investosh në botë për vitin 2014’, e rreshtoi Shqipërinë, 18 vende më lart krahasuar me një vit më parë. Sigurisht, këtu ka një kompleks gjërash, por, padyshim, një rol të rëndësishëm luan qoftë aspekti i sigurisë që është qartësisht i përmirësuar, qoftë edhe aspekti i një qasjeje të re i Qeverisë shqiptare, që është qartësisht e lexueshme përmes indikatorëve të përdorur objektivisht dhe jo në mënyrë politike apo në mënyrë partiake.

Indeksi i tregtisë me pakicë është rritur 5.7% në tremujorin e parë të këtij viti. Indeksi i tregtisë me pakicë është pa as më të voglin dyshim, një nga shifrat kryesore për të lexuar besimin e konsumatorit tek ekonomia. Jemi, absolutisht, besimplotë që leximi i kësaj shifre për tremujorin e dytë do na sjellë rritje të shifrës. Ka rritje të besimit të konsumatorit tek ekonomia.

Kemi një rritje të konsiderueshme të eksporteve. Një rritje që dëshmon, krahasuar gjithmonë me një vit më parë, për një rritje të fuqisë prodhuese dhe për fillimin e vënies në lëvizje të modelit tonë të ri ekonomik. Faktikisht, vetëm nga përpunimi aktiv në industrinë fason, janar-qershor kemi pasur 100 milionë dollarë më shumë eksporte. Gjë që tregon edhe efektin e menjëhershëm, pozitiv, të politikës sonë të re qeverisëse ndaj këtij sektori.

Edhe në 12 gusht, kur Moody’s nxori raportin tjetër, konfirmoi nivelin B1 për ekonominë shqiptare, duke theksuar se ky vlerësim reflekton një sërë faktorësh pozitivë, që kanë ndihmuar në rimëkëmbjen e ekonomisë së vendit dhe në veçanti, masat e ndërmarra nga administrata e re, pra, nga qeveria e re, për konsolidimin fiskal në kuadrin e marrëveshjes së shumë anatemuar me FMN-në dhe të nismës së qeverisë për të paguar të gjitha borxhet ndaj biznesit. Në këtë aspekt, unë jam shumë krenar, sepse po i qëndrojmë një për një, angazhimit tonë dhe praktikisht, sipërmarrja po merr mbrapsht atë që i ishte marrë me dhunë, arbitrarisht, në formën e një kreditimi të pavullnetshëm të Qeverisë. Qeveria i merrte sipërmarrjes paratë me dhunë, në kuptimin? Nuk flas këtu për ato gjobat dhe harbutëritë e tjera, por flas për ato kontratat që e katandisën Shqipërinë në derexhenë e rrugës së Pogradecit apo të rrugës Lushnje-Berat e kështu me radhë, ku Qeveria detyroi kompanitë që të hyjnë në marrëdhënie tërësisht hipokrite dhe tërësisht të disavantazhuara financiare. Do të vazhdojmë të shlyejmë dhe jo vetëm për kompanitë e rrugëve, por në gjithë rastet dhe për të gjitha shërbimet, që Qeveria ka marrë shërbimet dhe nuk ka paguar kompanitë.

Problematika vazhdon të jetë e qartë për ne. Nga njëra anë legjislacioni; Do të kemi një ndërhyrje shumë agresive në legjislacion në periudhën shtator-nëntor, për të lehtësuar shumë më tepër sipërmarrjen dhe rrugën e bërjes biznes në Shqipëri. Burokracia që vazhdon të mbetet një problem serioz, i trashëguar dhe që ne do ta adresojmë në mënyrë shumë agresive, me disa ndërhyrje të reja në ligjin për administratën publike. Ne nuk mundet dot, të pranojmë parazitizmin që vjen si rezultat i bindjes se çfarëdo që të bëj unë, jam i mbrojtur me ligj dhe mund të mos shkoj fare në punë se më mbron ligji. Ne do të vendosim në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë dhe me ekspertizë ndërkombëtare, standarde performance të verifikueshme për çdonjërin që paguhet me rrogë në administratën e shtetit shqiptar.

Vijmë tek punësimi; Një temë e debatuar, por edhe këtu, shifrat janë të verifikueshme, sepse janë në llogaritë e shtetit. Pra, ka një sistem llogarish tatimore ku mund të verifikohen shifrat. E praktikisht, zyrat e anatemuara të punës dhe të mos harrojmë se nuk kemi gjithë rrjetin e plotë të zyrave të punës, kanë ndërmjetësuar dhe siguruar punësimin e 10 359 personave të papunë. 10 359 persona. Bëhet fjalë për të gjithë ata që kanë hyrë në punë, falë ndërmjetësimit. Ka të tjerë, që nuk janë në statistikat tona, që kanë hyrë në punë nëpërmjet zyrës së punës, por pa ndërmjetësimin e zyrës së punës. Gjithashtu, janë regjistruar 20 345 vende të lira pune në zyrat e punës. Vende të lira pune, që janë në dispozicion të gjithë punëkërkuesve. Shumë më tepër se e njëjta periudhë e një viti më parë. Ashtu sikurse kemi 160% më shumë individë, sesa e njëjta periudhë e një viti më parë, që i adresohen zyrave të punës, që tregon se ka, sigurisht një rritje të kërkesës, por dhe një rritje të besimit.

Nga ana tjetër, numri i punëkërkuesve, pjesëmarrës në programet e nxitjes së punësimit, është 300% më shumë. Janë 3 mijë vende të tjera pune që janë siguruar vetëm nga programi i nxitjes së punësimit, financimi për të cilin do të rritet ndjeshëm vitin e ardhshëm. Vetëm për periudhën e verës kemi 14300 persona të shtuar në skemën e sigurimeve shoqërore, që janë praktikisht, vende të reja të regjistruara pune. Kemi dhënë shifrën prej 43 879 vende të reja, të regjistruara pune për 6-mujorin e parë, të verifikueshme në llogaritë tatimore të shtetit. Këto nuk janë si ato 10 mijë kilometrat rrugë që nuk verifikoheshin dot. Këto janë të verifikueshme. Vetëm për periudhën e verës, 14 300 persona më shumë, falë bashkëpunimit mes tatimeve dhe Inspektoratit të Punës.

Nga ana tjetër, lufta ndaj ilegalitetit në punë po zhvillohet intensivisht dhe në mënyrë kapilare. Vetëm nga 1 qershori deri në 15 gusht, tatimet ekskluzivisht kanë imponuar regjistrimin e 1360 punonjësve që mbaheshin ilegalisht në punë dhe është një numër zbulueshmërie 10 herë më i madh i të njëjtës periudhë të një viti më parë.

Problematika, sigurisht, është e qartë dhe është aty. Administrata, e përsëris, vazhdon të përbëjë një pengesë serioze në rrugën tonë të zhvillimit, sepse trashëgimia është tejet e rëndë, por edhe sepse ende nuk kemi kritere të performancës në punë të çdo punonjësi të administratës.

E, nga ana tjetër na duhet të rrisim në mënyrë të ndjeshme cilësinë e burimeve njerëzore në administratë. Ajo që filluam me trajnimet intensive të administratës do të vazhdojë në mënyrë të strukturuar nga shtatori. Të gjithë punonjësit e tatimeve dhe doganave do t’i nënshtrohen Akademisë Fiskale, do t’i nënshtrohen provimeve periodike dhe do t’i nënshtrohen verdikteve që do të dalin nga rezultatet e këtyre provime. Nga ana tjetër, do të investojmë sigurisht, në mënyrë intensive, në rritjen e vazhdueshme të meritës përkundër rrogës.

Tek financat dua të flas shumë shkurt. Rezultatet janë aty. Kemi kaluar çdolloj, dhe e them këtë bazuar tek shifrat, nevoje për t’u krahasuar me një vit më parë. Jemi shumë më lart në mbledhjen e të ardhurave. Jemi shumë më lart në mbledhjen e TVSH-së. Jemi shumë më lart në kontrollin e shtetit mbi aktivitetin tregtar, ekonomik e financiar. Kemi kërkuar e do të kërkojmë edhe më me shumë këmbëngulje që, në këtë aspekt, prokuroria të bëjë punën e saj për të luftuar deri në fund, bashkërisht, të gjithë format e evazionit dhe posaçërisht, evazionin me skemat grabitqare të TVSH-së. Së fundi, është arrestuar një grup i tërë personash, që përdornin skema mashtruese për TVSH-në.

Sigurisht që ka ende shumë për të bërë. Ajo që vlen të theksohet në këtë aspekt është se burimet e reja të rritjes janë edhe burimet ku praktikisht ka filluar të shkojë paraja. Kemi shumë më pak investime në ndërtim, që unë e konsideroj një gjë shumë pozitive dhe kemi shumë më tepër investime tek burimet e reja të rritjes, që padyshim është një gjë shumë pozitive. Modeli i ri i zhvillimit ka filluar të thithet nga sipërmarrja vendase dhe e huaj.

Tek arsimi dua të ndalem pak, sepse ishte një fazë shumë e rëndësishme për arsimin, qoftë me maturën shtetërore, qoftë me goditjen e parë, por jo të fundit që iu bë sistemit të piramidave në arsimin e lartë. Për herë të parë, 24958 maturantë plotësuan formularin A2 dhe për atë që, për ta bërë më të qartë, kishin të qartë situatën për degën, për profilet, për filialet apo për universitetet që nuk plotësojnë kushtet e ligjshmërisë për të funksionuar si institucione të arsimit të lartë. Jo si deri dje, që të gjithë shkonin pas berihait dhe askush nuk u thoshte mos shko të humbasësh vitet e tua dhe nuk u thoshte prindërve mos hidhni paratë e kursimeve tuaja, në këto gropa të zeza që rezultojnë sot dhe që kishin vite që qelbnin gjithë Shqipërinë dhe të gjithë e dinin që ishin gropa të zeza, por askush nuk bënte asgjë. E, në një lojë symbyllur mes Qeverisë që blinte kohë për të mos u ndeshur me problemin e papunësisë mes të rinjve dhe shumë të rinjve që e konsideronin fat që merrnin diploma pa shkuar fare në shkollë, u humb gjithë ajo kohë dhe u humbën gjithë ato kursime.

Në harkun kohor të 6 muajve janë bërë 7 mijë orë pune inspektime dhe 59 grupe pune janë ngritur për të realizuar këto inspektime, për të verifikuar ligjshmërinë. Dua ta theksoj ligjshmërinë bazuar në ligjin ekzistues dhe jo në ligjin që e sollëm ne, por në ligjin ekzistues, të miratuar nga Qeveria paraardhëse, ku Qeveria paraardhëse ishte shkelësja e parë, kryesore dhe më e rënda, e ligjit që kishte miratuar vetë. Siç e dini, u mor vendimi për heqjen e licencave për 18 institucione private të arsimit të lartë dhe për pezullimin e aktivitetit për 13 institucione private të arsimit të lartë. Çka do të thotë që të parat nuk do mund më të funksionojnë dhe studentët e tyre do të spostohen gjetkë.

Vijon...

KOMENTE