Qeveria shqiptare me një vendim të Këshillit të Ministrave datë 27 gusht vendosi të ndryshojë plotësimin e rubrikës “Vendlindje” në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile dhe në çertifikata për përdorim nga autoritetet e huaja, duke zgjidhur në këtë mënyrë çështjen e toponimeve në pasaportat apo dokumentat e tjera te identifikimit të mijëra emigrantëve shqiptarë që përballonin probleme sidomos me autoritetet greke.
Ndryshimi ka të bëjë me disa shtesa në vendimin e mëparshëm të qeverisë me nr.332 të datës 17 mars 2010,ku përcaktohet që: “Në të gjitha modelet e çertifikatave për përdorim nga autoritetet e huaja, që lëshojnë zyrat e gjendjes civile në njësitë e qeverisjes vendore, informacioni në rubrikën “vendlindja” të plotësohet, i shkruar sipas rasteve:
a) Për shtetet, të cilat kanë depozituar pranë OKB-së katalogët zyrtarë të emrave gjeografikë të romanizuar (toponimet), sipas listës së vënë në dispozicion nga Ministria e Punëve të Jashtme, si dhe kodin 3-karakterësh të shtetit përkatës, sipas standardit te Organizates Ndërkombëtare te Aviacionit Civil ICAO, psh GRE për Greqinë ;
b) Për shtetet, të cilat nuk kanë depozituar pranë OKB-së këta katalogë, sipas shkrimit në dokumentin e hartuar nga vendi i origjinës, por me simbole, germa latine/romane, si dhe kodin 3-karakterësh të shtetit përkatës, sipas të njëjtit standard;
c) Rubrikat e tjera të çertifikatave, për përdorim nga autoritetet e huaja, të plotësohen në gjuhën zyrtare shqipe”.
Pas këtij ndryshimi në plotësimin e rubrikës “Vendlindja” në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile do të korigjohen edhe pasaportat, gjë që do të zgjidhë përfundimisht problemin edhe me pasaportat biometrike. Vendimi i 27 gushtit do të hyjë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Duhet theksuar se është në të mirën e emigrantëve që sapo të publikohet ky vendim të procedojnë menjëherë ose pranë zyrave të gjendjeve civile në Shqipëri, ose në zyrat pranë konsullatave në vendet ku ata jetojnë pasi prej 1 Janarit të 2015 çmimi i pasaportave dhe kartave të identitetit do të rritet.
Kjo, pas një vendimi të qeverisë Berisha të vitit 2013, i votuar edhe n parlamentin shqiptar, me anë të të cilit është rinovuar edhe për 10 vjet të tjera marrëveshja për prodhimin dhe shpërndarjen e dokumentave midis Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë dhe Grupimit Morpho dhe Fondit Shqiptaro-Amerikan, në të cilën parashikohet edhe rritja e çmimeve me 25%.
Kështu duke nisur nga 1 Janari i viti që vjen nëse do të merren në Shqipëri, pasaporta do të ketë çmim 7.500 lekë nga 6.000 që është sot dhe karta e identitetit 1.500 leke nga 1.200. Nëse ato do të kërkohen në zyrat konsullore të vendeve të huaja ku banojnë emigrantët, pasaporta e re do të kushtoje 130 nga 108 euro që është sot, ndërsa karta e identitetit 12.5 nga 10 euro që kushton në këto momente.
Vlerësohet se vendimi i qeverisë shqiptare do të mirëpritet nga komunitetet e emigrantëve shqiptarë veçanërisht në Greqi, pasi prej më shumë se dy vitesh mijëra emigrantë kanë pasur probleme tepër serioze me rinovimin e dokumentave të identifikimit, të pasaportave dhe çertifikatave, sidomos të fëmijevë që kanë lindur në shtetin grek dhe shpeshherë janë penguar të kalojnë kufirin/Top Channel/.