Fjala e Kryetarit të PD Lulzim Basha në mbledhjen e Grupit Parlamentar
Të nderuar deputetë,
Sot rifillojmë takimet tona periodike pas pushimeve të gushtit. Uroj të keni kaluar mirë dhe të jeni kthyer plot me energji, me vendosmëri dhe besim akoma më të madh në përballimin me sukses të sfidave që presin Partinë Demokratike, grupin e saj parlamentar, opozitën në tërësi.
Sot starton gjithashtu një vit i ri politik, i dyti i legjislaturës në vazhdim, që na ka vendosur në rolin opozitës përballë qeverisë më antidemokratike që vendi ka njohur gjatë 23 viteve të hapjes dhe pluralizimit.
Një vit më parë, në bazë të rezultatit të zgjedhjeve, ne bëmë kalimin demokratik të pushtetit në duart e shumicës së majtë, duke uruar suksesin e saj për të mirën e Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe duke premtuar nga ana jonë një opozitë të fortë dhe alternative, të mbështetur në fakte, argumente dhe propozime. Ky ishte dhe do të jetë gjithmonë investimi dhe vizioni ynë për normalitetin dhe bashkëjetesën demokratike, ku shumica dhe opozita përmbushin secila detyrat e veta. E para duke qeverisur, e dyta duke kontrolluar, ndërkohë që debatojnë por edhe dialogojnë, bashkëpunojnë dhe bashkëvendosin në mënyrë demokratike për çështje madhore që kërkojnë jo vetëm politikisht por edhe ligjërisht me Kushtetutë, gjithpërfshirje, konsensus.
Që prej fillimit shumica Rama-Meta iu përgjigj me monedhën e kundërt investimit tonë për paqen dhe normalitetin, iu përgjigj me monedhën e provokimit, arrogancës, konfliktit, luftës. Ata nuk pritën të uleshin në karriget e pushtetit për të ndërmarrë revanshin më të egër të mohimit dhe zhbërjes. U hodhën në sulm të paprecedentë për të kapur institucionet e pavarura, për ti nënshtruar ato sipas projekt të tyre famëkeq, vunë në lëvizje politikën e goditjes me akte antidemokratike dhe aktikushtetuese të shtyllave të sistemit, siç janë zgjedhjet e lira, ndarja demokratike e pushteteve, decentralizmi dhe demokracia vendore.
Në ketë mënyrë, shumë shpejt, ata provuan se nuk kanë ardhur për të qeverisur sipas kuptimit që ka qeverisja në demokraci, përmes ligjit, përgjegjësisë dhe transparencës, por për të sunduar sipas mendësisë së vjetër të baballarëve të tyre politikë, të partisë së vjetër-shtet, duke e përdorur demokracinë si fasadë.
Në bilancin e vet njëvjeçar, kjo politikë revanshiste dhe agresive e shkallës më të lartë, megjithë pengesat që ka hasur dhe humbjet që ka pësuar në përballjet me institucionet e pavarura, opozitën politike, shoqërinë civile dhe median e pavarur, ia ka dalë për fat të keq të shënojë dy arritje të zeza.
Së pari, të konturojë dhe krijojë në kokën e qeverisjes një oligarki tipike nga ato për të cilat ka folur me shumë shqetësim pak muaj më parë Sekretari Amerikan i Shtetit John Kerry. Oligarkia, regjimi i një grushti sundimtarësh, tashmë nuk e kemi më një metaforë apo një rrezik në horizont, por një realitet të hidhur dhe të strukturuar me emra dhe mbiemra konkretë në qeverinë shqiptare të vitit 2014. Kjo është oligarkia Edi Rama - Ilir Meta dhe një establishment i tërë me interesa apo rekorde kriminale, me pozicione dhe detyra të qarta, rreth tyre.
Së dyti, të godasë për vdekje, për të mos thënë të asgjësojë bashkëjetesën demokratike me opozitën, me palët e tjera, me faktorët e tjerë të shoqërisë shqiptare që nuk pranojnë të zvarriten apo t’i bëjnë fresk oligarkisë, të asgjësojë pra një vlerë themelore dhe një kusht të domosdoshëm të ekzistencës dhe zhvillimit të shoqërisë së lirë, duke instaluar konfliktin më të ashpër që ka njohur vendi dhe duke u investuar verbërisht në papërgjeshmërinë ekstreme për përplasje të mëdha shoqërore në vend.
Ne, Partia Demokratike, opozita shqiptare, kemi qenë e jemi shumë të vetëdijshëm se ku kërkon të dalë Edi Rama dhe ortaku i tij politik Ilir Meta me dorashkat frenetike të konfliktit që hedhin parreshtur kundër opozitës dhe shoqërisë së lirë shqiptare.
Qëkur prishi konsensusin për Nëpunësin Civil në shtator të vitit të kaluar e deri sa shmangu konsensusin e domosdoshëm me opozitën dhe qytetarët shqiptarë për reformën administrative-territoriale në korrik të këtij viti.
Qëkur vunë në zbatim tritolpoltikën kundër ndërtimeve me leje në fillim të mandatit e derisa nxorrën para pak ditësh me pasionin antikushtetues të oligarkëve të fryrë nga deliri dhe urrejtja ndaj autonomisë vendore një vendim pa vlerë juridike për ndalimin e gjithë sektorit të ndërtimit në vend, duke hapur një tjetër plagë të stërmadhe të papunësisë dhe duke luajtur një tjetër rol makabër me bukën e gojës të mijëra e mijëra qytetarëve që mbahen nga puna e ndershme në sistemin zinxhir të ndërtimit.
Qëkur iu qep dhe kapi me dhunën e kartonave të blerë, institucionin e parë të pavarur, ILDKP e deri te atentati i fundit kundër sistemit të drejtësisë me ndryshimin e fundit në ligjin e KLD-së, të kundërshtuar njëzëshëm nga të gjithë partnerët tanë perëndimorë.
Qëkur larguan dy zonja socialiste për t’i hapur rrugë hyrjes në Kuvend të një të dënuari për trafik prostitucioni dhe rrembim personi e derisa urdhëroi të dënuarin në fjalë të godiste oratorin e opozitës në foltoren e Kuvendit.
Që nga dita e parë e qeverisjes e deri sot që po flasim në këtë mbledhje, ne kemi qenë dhe jemi të bindur se kryeoligarku Rama kërkon me çdo kusht ose konformimin dhe nënshtrimin e opozitës, ose përplasjen me “të dalë ku të dalë”. Asgjë tjetër nuk mund të kërkojë, asnjë qëllim tjetër nuk mund të ketë një qeveri dhe një shumicë që qeveris në shkelje permanente të ligjeve dhe të Kushtetutës.
Nënshtrim apo konformim të opozitës ndaj oligarkisë Rama-Meta as ka patur, as do të ketë kurrë. Partia Demokratike e Shqipërisë mban në biografinë e saj një histori të madhe, që fillon me kontributin e saj vendimtar për shembjen e rregjimit më të egër komunist të Europës para 23 vjetësh dhe kulmon me pranimin e vendit në NATO, me heqjen e regjimit të vizave për shqiptarët, me hedhjen e shtyllave të një Shqipërie të zhvilluar.
Ne kemi njohur rrotacionin politik, kemi bërë rrotacion paqësor të pushtetit me kundërshtarët tanë, por nuk do të lëshojmë kurrë, as një fije, nga arritjet demokratike të çertifikuara nga institucionet dhe dokumentat e partnerëve tanë euro-amerikane. Nuk do të lejojmë kurrë, në asnjë lloj forme, restaurimin e rregjimit të etërve nga bijtë.
Për të mbrojtur kushtetutshmërinë, Lirinë dhe Demokracinë, Partia Demokratike është dhe do të jetë në çdo çast në lartësinë e historisë dhe misionit të saj.
Provokimet e rënda për konflikt dhe përplasje i kemi shmangur e do të bëjmë çmos t’i shmangim, ndonëse presioni nga shtresat dhe kategoritë e ndryshme shoqërore të cilëve ju ka shkuar në palcë thika e mashtrimeve dhe arbitraritetit qeveritar, vjen gjithnjë në rritje ndaj nesh.
Ne kemi kontribuar si asnjë forcë tjetër politike për ngritjen në këtë vend të infrastrukturës së institucioneve demokratike. Ne kemi punuar dhe ia kemi dalë ta bëjmë funksionale demokracinë e re shqiptare duke ngritur dhe forcuar dora-dora institucionet e saj, pavarësisht se mbetet akoma shumë rrugë për të bërë për të arritur standartet më të përparuara europiane.
Nëse ne nuk do të mbështesim e nuk do të bashkëpunojmë me këto institucione për mbrojtjen e demokracisë dhe sprapsjen e oligarkisë, ne do të mohonim veten tonë. Ndaj besojmë se institucionet që kanë rolin e rojtarëve të kushtetutës, organet e drejtësisë në tërësi, opozita, shoqëria e lirë civile dhe media e pavarur do të arrijnë të qëndrojnë, siç kanë qëndruar gjatë këtij viti, do të arrijnë të sprapsin dhe t’i tregojnë vendin oligarkisë, kësaj krijese të huaj dhe armiqësore për demokracinë dhe shqiptarët.
Nuk ka dyshim se oligarkia Rama-Meta ka bërë, po bën dhe do të vazhdojë të bëjë dëme të mëdha në vend sa nuk është shkulur nga kolltukët ku është ulur. Varfëria dhe papunësia në rritje, pasiguria në rritje dhe tronditja si asnjëherë e kohezionit shoqëror janëë pasqyra më e qartë e produktit të saj. Por oligarkia nuk ka të nesërme. Fati i saj është dështimi i sigurt, humbja, shporrja.
Sepse oligarkia është në konflikt, në armiqësi, por jo vetëm në konflikt dhe armiqësi, por në papajtueshmëri me sistemin demokratik. Rama dhe Meta duan të qeverisin si pashallarë, si çifligarë, si sekretarë të parë por në një sistem që funksionon mbi parimet e lirisë dhe ndarjes demokratike të pushteteve, kjo s’mund të ndodhë. Në këtë mospërputhje, në këtë papajtushmëri organike, në këtë papajtueshmëri organike të tyre me sistemin qëndron shkaku themelor i gjithë ngërçeve dhe i konfliktualitetit që ata kanë mbjellë dhe vazhdojnë të mbjellin në vend. Por për të realizuar këtë ëndrr të tyren ata duhet të prishin demokracinë në themel, gjë që nuk mund ta bëjnë kurrë.
Pavarësisht nga kjo, pavarësisht se themelet e demokracisë janë tashmë më të forta se orekset e oligarkisë që qeveris sot vendin, ne as i kemi soditur, as nuk do t’i përcjellim duarkryq në aventurën e tyre. Do t’i denoncojmë siç i kemi denoncuar ditë për ditë, orë për orë. Do t’i luftojmë ditë për ditë, orë për orë.
Do të vazhdojmë t’i përballim me ligjet dhe kushtetutën e vendit në institucionet respektive të ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë. Do të vazhdojmë t’i përballim me standardet demokratike në forumet dhe kancelaritë e demokracive perëndimore.
Do të vazhdojmë të organizojmë dhe udhëheqim protesta popullore kundër mashtrimeve dhe papërgjegjshmërisë qeveritare, kundër papunësisë dhe shpunësimit, kundër përkeqësimit, rrokullisjes dhe varfërisë. Bashkë me të gjithë demokratët e Shqipërisë dhe me të gjithë qytetarët e lirë të këtij vendi, do t’u kujtojmë shumë shpesh, shpesh e më shpesh Edi Ramës dhe Ilir Metës urtësinë e vjetër se kush mbjell erën do të korrë furtunën, dhe kush mbjell furtunën do të korrë tsunamin.
Një vit u ka mjaftuar të gjithë shqiptarëve, edhe votuesve socialistë madje edhe militantëve të ndershëm socialistë që arsyetojnë me busullën e logjikës dhe fakteve konkrete, për të kuptuar se çfarë është Rilindja e Edi Ramës.
Nuk është legalizm falas- legalizimet e mbetura kushtojnë shumë më shtrenjtë se më parë.
Nuk është shëndetësi falas - shëndetësia gjithashtu kushton më shtrenjtë se më parë. Nuk është rend dhe siguri në rritje - treguesit flasin gjithnjë vetëm për përkeqësim.
Nuk është zhvillim, nuk është punësim- shifrat dhe gjendja reale flasin vetëm për rënie dhe tatëpjetë.
Nuk është një administratë e motivuar në punë - administrata po mbushet me klientë dhe individë me rekorde kriminale siç nuk ka ndodhur kurrë në historinë e shtetit shqiptar. Nuk është një shoqëri më e bashkuar dhe një Shqipëri më demokratike. Rilindja e ka hequr maskën.
Thjesht dhe qartë Rilindja është kllapia e Edi Ramës për të sunduar në një Shqipëri pa opozitë reale, me një opozitë dekorative, më konkretisht pa Partinë Demokratike. As punistët e reformuar nuk do ta pranonin këtë kllapi të kryeoligarkut në kushtet e sotme. Aq më pak shumica absolute e të majtës dhe e të djathtës demokratike në vend. Nëse kjo papajtueshmëri eksistenciale mes kryeoligarkut Edi Rama dhe opozitës shqiptare është e pazgjidhshme, nëse një nga palët është e tepërt, është shumë e qartë se e tepërt nuk është e nuk mund të jetë opozita, por është Edi Rama që duhet të ikë.
Bashkë me maskën e së ashtuquajturës Rilindje kanë rënë edhe maskat e të ashtuquajturve rilindës. Kanë dështuar me të gjitha premtimet, prandaj i kanë shpallur luftë së vertetës, duke bërë çmos ta zëvendësojnë me gënjeshtrat e tyre. Në mos ta zëvendësojnë, ta turbullojnë, ta kthejnë atë nga një çështje faktesh kokëfortë në dritën e diellit në një çështje opinionesh.
Për këtë qëllim kanë mobilizuar si asnjëherë më parë mjete, para dhe taborre sahanlëpirësish në ekrane dhe media. Luftë opozitës, luftë institucioneve të pavarura, luftë përfaqësuesve të grupeve të interesit, luftë zërit të lirë në shoqërinë civile, luftë zërave të pavarur në media, luftë kundër kujtdo dhe gjithkujt që guxon të bëjë transparencën dhe të thotë të vërtetat. E kanë të kotë. Beteja kundër të vërtetës do të jetë Vaterloja e oligarkëve të Tiranës.
Të nderuar deputetë,
Në korrik kemi ndërprerë marrrëdhëniet me Kuvendin e Shqipërisë. Ngjarja e rëndë që u bë shkak për marrjen e këtij vendimi rezultoi të ishte vetëm maja e ajsbergut të skemës kriminale, skemë e përzgjedhur nga Edi Rama për të ndërsyer kundër opozitës një grup kriminal të rekrutuar, të strukturuar dhe të drejtuar personalisht prej tij për të bërë xhandarin kundër opozitës dhe fjalës së lirë në Kuvendin e Shqipërisë. Për të provokuar skena dhe ngjarje akoma më të rënda.
Mbi pesëdhjetë herë i kemi bërë thirrje publike të prononcohet për deputetin e tij të dënuar për trafik prostitucioni dhe rrëmbim personi, të cilin e ka sjellë në Kuvend duke spostuar dy gra socialiste. Njeriu që s’pushon së foluri shtatë ditë në javë, nuk ka thënë dot një fjalë për këtë rast të pashembullt në historinë e parlamentarizmit shqiptar dhe europian.
Por me heshtjen e tij ka folur shumë qartë se ai është vetë kapobanda që shkelmon të drejtën dhe dinjitetin e grave për të realizuar synime të shëmtuara. Është ai që nuk e ka për gjë të prishë tempullin e demokracisë, për të ruajtur të paprekur botën e krimit ku komandon dhe komandohet.
Në këto kushte, vendimi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike në lidhje me Kuvendin mbetet në fuqi. Ne nuk do të shkojmë në një Kuvend ku opozita nuk dëgjohet, nuk replikohet, por goditet dhe kërcënohet fizikisht. Nuk është Kuvendi arena që Edi Rama të nxjerrë mllefet dhe urrejtjet e tij të bartura; nuk është kuvendi arena për të larë hesape të tilla.
Ne do të mbrojmë dinjitetin e Kuvendit të Shqipërisë duke mos lejuar përdhosjen dhe damkosjen e tij me skemat dhe intrigat e një armiku të vjetër të parlamentarizmit. Le të flasë ai me vete sa të dojë atje. Ne do të vazhdojmë opozitën tonë të vendosur ditë për ditë për çdo projektligj, për çdo akt, për çdo vendim, për çdo veprim të qeverisë dhe të shumicës. Opozita jonë do të jetë non stop, publike, e mbështetur si kurdoherë në fakte dhe argumente. Dhëmbë për dhëmbë për mbrotjen e demokracisë, duke qëndruar fort në pozitat e një opozite europianiste. Kjo do të jetë opozita jonë.
Duke përshendetur dekretet e Presidentit të Republikës, z. Bujar Nishani për kthimin e ligjeve antikushtetuese të seancës së 31 korrikut, ne shprehim keqardhjen tonë për rrëzimin e këtyre dekreteve nga shumica oligarkiste dhe njëkohësisht indinjatën tonë për mënyrën thellësisht arrogante të rrëzimit të tyre.
Nuk u trajtuan as edhe një çast argumentet juridikë të Presidentit, nuk u dëgjua asnjë kundër-argument, dëgjuam dhe pamë vetëm përsëritjen e grimasave të pakontrolluara dhe deklaratave të pakoka të Edi Ramës se nuk ka kohë për të humbur me mendimet e Partisë Demokratike!
Ne do ti ankimojmë një për një në gjykatën kushtetutese këto ligje dhe akte, duke filluar me hartën e ndarjes së re territoriale, që përveçse antikushtetuese ka zhdukur konceptin dhe paralajmëron të zhdukë edhe realitetin e demokracisë vendore në Republikën e Shqipërisë.
Paralelisht, për të njëjtën çeshtje, kemi marrë masat dhe po vemë në lëvizje referendumet vendore përmes të cilëve do tu japim mundësi banorëve të komunave dhe bashkive të shprehin mendimin e tyre ashtu siç është sanksionuar në nenin 108 të Kushtetutës së Shqipërisë.
Me Kushtetutë në dorë, kjo është e do të jetë arma jonë kryesore. Me më shumë vendosmëri, me më shumë përkushtim, me më shumë përvojë le të rinisemi në misionin tonë. Është një kohë e vështirë, Shqipërinë e ka vënë nën zgjedhë oligarkia Rama-Meta por kjo nuk mund të zgjasë, demokracia nuk mund të humbë, opozita dhe qytetarët janë e do të jenë më të fortë se oligarkët.
Faleminderit