Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla deklaroi dje, në një konferencë të përbashkët për shtyp me tre rektorët e universiteteve më të mëdha në vend, Universitetin e Tiranës, Universitetin e Mjekësisë dhe Universitetin Politeknik, se është arritur një zgjidhje shumë e mirë për studentët që ndërpresin studimet e tyre në 18-të Institucionet e Arsimit të Lartë privat, që iu hoq licenca.
“Në ditët në vijim do të detajojmë programin e ndihmës duke ngritur pranë universiteteve publike komisionet e pritjes, të cilët me përgjegjësi të plotë do trajtojnë rast pas rasti, duke shqyrtuar cilësinë e dosjeve të studentëve”, tha Nikolla.
Gjatë konferencës për shtyp, së bashku me Rektorin e Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, Rektorin e Universitetit të Mjekësisë, Ali Refatllari dhe Rektorin e Universitetit Politeknik Jorgaq Kaçani, ministrja Nikolla tha se pas diskutimeve të gjata me rektorët është gjetur një zgjidhje për këta studentë, duke mundësuar atë që u premtua, se do t’i jepet studentëve një shans i dytë për vijimin e studimeve të tyre.
“Ajo për të cilën ne ramë dakord me universitetet është zgjidhja e duhur dhe më e mira për këta studentë, që jo vetëm u ofrohet një shans i dytë, por një program specifik që nuk cënon cilësinë e universiteteve, nuk cenon cilësinë e formimit të studentëve që tashmë janë në këto IAL publike si dhe nuk cënon asgjë nga buxheti i universiteteve”, tha Lindita Nikolla.
Ministrja shtoi se nga programi i ndihmës për studentët e IAL që iu është hequr licenca, përfitojmë jo vetëm ata të cilët kanë një shans të dytë për të ndjekur studimet e tyre, por edhe studentët që janë tashmë në universitete publike, sepse nuk do të konkurrohen më nesër në tregun e punës nga diploma pa vlerë, si dhe përfiton e gjithë shoqëria duke investuar cilësi për kapitalin e saj.
Rektori i UT-së Dhori Kule, në emër edhe të rektorëve Kaçani dhe Refatllari, shprehu gatishmërinë maksimale të strukturave drejtuese të universiteteve duke siguruar vazhdimin e studimeve për studentët e IAL-ve qe iu hoq licenca, sipas udhëzimeve të MAS, në të dy ciklet e studimit.
Ministrja Lindita Nikolla falënderoi rektorët për gatishmërinë e treguar në sistemimin e studentëve dhe garantimin e një cilësie të re në diplomimin e tyre.