English

Rama-Samaras takohen në Wales (VIDEO)

Nisi në Wales, samiti dyditor i NATO-s. Në këtë Samit, i konsideruar shumë i rëndësishëm për çështjet që do të trajtojë, delegacioni shqiptar kryesohet nga Kryeministri Edi Rama dhe në përbërje të tij janë edhe Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati dhe Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli.

Samiti, ku marrin pjesë delegacionet e nivelit të lartë të 28 vendeve anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut, u hap nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmussen, i cili nënvizoi se ky Samit do t’i shërbejë forcimit të partneritetit të Aleancës në përballjen me sfidat e përbashkëta të sigurisë.

Në ditën e parë të Samitit diskutohet mbi situatën në Ukrainë dhe Afganistan.



Kryeministri Rama takohet në Wales, me Kryeministrin Grek Samaras

Kryeministri Edi Rama u takua në Wales, me Kryeministrin e Greqisë, Antonis Samaras.

Në takim u ndanë pikëpamjet respektive për çështje që lidhen me marrëdhëniet mes dy vendeve, duke nënvizuar gatishmërinë për t’i zhvilluar ato më tej.

Kryeministri Rama theksoi vullnetin e Qeveria shqiptare për t’i dhënë një dinamikë të re bashkëpunimit dypalësh në frymën e partneritetit e të fqinjësisë së mirë, si dhe në kuadër të bashkëpunimeve dhe nismave rajonale, në përputhje me realitetin e ri të rajonit. Me interes të veçantë u fol për projektet me rëndësi rajonale në fushën e infrastrukturës dhe të energjisë, të diskutuara në kuadër të platformës së Samitit të Berlinit.

Takimi u zhvillua në Newport, Wales, ndërsa delegacionet e dy vendeve marrin pjesë në Samitin e NATO-s.
2149

KOMENTE