Mëse një muaj më pas lajmit të bijshëm të vjedhjes së thesarit të shtetit, policia mbrëmjen e sotme vë nën pranga guvernatorin Ardian Fullani dhe kryeinspektorja Elivar Golemi.
Ndalimi i Guvernatorit është bërë nga blutë e kryeqytetit me urdhër të Prokurorisë së Tiranës rreth orës 19:45 të mbrëmjes në ambientet e Bankës së Shqipërisë, në godinën e ish “VEFA”, për tu shoqëruar më pas në Drejtorinë e policisë së Tiranës.
Gjykata e Tiranë ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Guvernatorin me akuzën e shpërdorimit të detyrës. Më pas u mësua dhe arrestimi i Inspektores së Përgjithshme të Bankës.
Këto dy arrestime janë konfirmuar zyrtarisht në një deklaratë për mediat nga Prokuroria e Përgjithshme. Kreu i BSH-së akuzohet për shpërdorim detyre, pas vjedhjes së thesarit të Bankës së Shqipërisë ku u vodhën 713 milionë.
Fullani aktualisht ndodhet në Drejtorinë e Policisë, ndërsa aty ka shkuar edhe avokati Maks Haxhia. Arrestimi i tij është bërë më urdhër të Gjykatës, pasi prokurori Ramadan Troci ka dorëzuar sot kërkesën e arrestimit. Ndërkaq, mësohet se ka edhe arrestime të tjera.
Prokuroria: Fullani dhe Golemi shpërdoruan detyrën
Në orën 21: 20 minuta Prokuroria e Përgjithshme bën publike 5 argumentet ligjore për të cilën u kërkua arrestimi i Ardian Fullanit dhe Elivar Golemit të akuzuar për shpërdorim detyre. Ndërkohë Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë po vijon me hetimin e kësaj çështje, ku fokusi kryesor vijon të mbetet destinacioni i shumës së vjedhur.
1- Nuk i ka propozuar Këshillit Mbikqyrës, zëvendësguvernatorin e dytë të Bankës së Shqipërisë, duke krijuar një boshllëk në përmbushjen e detyrimeve të këtij funksioni.
2- Në cilësinë e kryetarit të Këshillit Mbikqyrës, nuk ka ushtruar kompetencat e tij për propozimin e nismave juridike të funksionimit të Bankës së Shqipërisë
3- Në cilësinë e drejtorit të përgjithshëm ekzekutiv të Bankës së Shqipërisë, nuk ka marrë masat e nevojshme ligjore për zbatimin e vendimeve dhe rregulloreve të Këshillit Mbikqyrës
4- Guvernatori është i ngarkuar me mbarëvajtjen e veprimtarisë së përditshme të Bankës së Shqipërisë, përgjegjësi të cilën nga analiza e hetimit në kuadër të procedimit penal, rezulton që nuk e ka ushtruar.
5- Në kundërshtim me nenin 8 të rregullores “Mbi inventarizimin e vlerave materiale e monetare në Bankën e Shqipërisë”, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, në komisionet e ngritura për kryerjen e inventarizimit të detyrueshëm periodik të vlerave monetare në Bankën e Shqipërisë ka caktuar dy herë të njëjtin person
Elivar Golemi në funksion të inspektores ka shkelur ligjin. Nuk ka ushtruar adutitim konform ligjit përgjegjësi e drejtëpërdrejtë e saj. Ka vepruar në kundërshtim me kuadrin ligjor sa i takon kontrollit të brendshëm periodik. Nuk ka realizuar kontrolle peridodike.