English

Hysi: Ja ligjet që do të ndryshojnë

S. Topi - Ndërhyrje në ligjin e Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese, Konferencës Gjyqësore, Këshillit të Lartë të Drejtësisë, mënyrës së zgjedhjes së gjyqtarëve, organizimit dhe funksionimit të Prokurorisë, dhe një sërë ligjesh të tjera do të jenë pjesë e reformës në sistemin e drejtësisë. Nënkryetarja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, njëherësh anëtare e Komisionit të Ligjeve, Vasilika Hysi në një intervistë për “Shekulli”-n shpjegon se ku do të fokusohet ajo që është shpallur si kryefjala e këtij sesioni parlamentar: reforma në drejtësi. Hysi nuk përjashton as ndryshimet kushtetuese apo dhe referendum nëse parlamenti dhe ekspertët e konsiderojnë të domosdoshëm në kuadër të kryerjes së një reforme të thellë dhe të plotë. E ndërsa kritikon Presidentin e Republikës duke i kujtuar atij se një ligj mund të kthehet kur ka shkelje të Kushtetutës. “Kthimi i çdo ligji, edhe kur nuk ka shkelje të Kushtetutës, nuk bën gjë tjetër veç ngadalëson ecurinë e vendit përpara, godet prioritetet kombëtare dhe e largon institucionin e Presidentit nga misioni që Kushtetuta i njeh atij, atë të unitetit të popullit dhe Kryetarit të Shtetit dhe jo të një partie të veçantë”, - pohon ajo. Ligjvënësja e selisë rozë sqaron më tej se në sesionin e ri do të vijojë puna për vënien në zbatim të reformës territoriale ndërsa Grupi Parlamentar i PSsë do t’i kushtojë rëndësi edhe përmbushjes së detyrimeve që rrjedhin nga konventat ndërkombëtare, raportet e mekanizmave monitorues vendase dhe të huaja, nismave në mbështetje të grupeve të veçanta si gratë, fëmijët, minoritetet apo njerëzit në nevojë.

Zonja Hysi, kryeministri Edi Rama, por dhe kryeparlamentari Meta, në seancën e hapjes së sesionit të ri theksuan se reforma në drejtësi do të jetë prioritet i këtij sesioni. Ku do të fokusohet ajo?

Vetë fjala reformë nënkupton një tërësi përmirësimesh ligjore, organizative dhe institucionale të nevojshme për të ndërtuar një sistem drejtësie të pavarur, efikas dhe efektiv. Deri më sot ka pasur ndërhyrje që kanë synuar të bëjnë përmirësime të pjesshme ose të zgjidhin ngërçe. Në fakt, sistemi i drejtësisë ka nevojë për një “remont” të thellë. Unë sot nuk mund të jap një përshkrim të gjithë reformës në drejtësi, pasi do të jetë komisioni i reformës dhe grupi i ekspertëve që priten të angazhohen, që do të përcaktojnë kornizën e kësaj reforme dhe fokusin e saj. Një gjë është e qartë: reforma në drejtësi do t’i përgjigjet nevojave që ka sistemi i drejtësisë, publiku, përmbushjes së objektivave kombëtarë për të qenë një vend i denjë evropian. Në kryerjen e reformës në drejtësi do të mbahen parasysh rekomandimet e bëra në raporte të ndryshme ndërkombëtare dhe që në mënyrë të përsëritur shprehen në progres-raportin e Bashkimit Evropian dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë.

Duke parë kërkesat e publikut, por edhe rekomandimet ndërkombëtare, çfarë ligjesh pritet të ndryshojnë konkretisht?

Sikurse e theksova edhe më lart, kornizën e reformës dhe ligjet që do të ndryshojnë, përmirësimet e nevojshme organizative dhe funksionale do të përcaktohen nga komisioni i reformës së drejtësisë, në bashkëpunim me vetë punonjësit me përvojë të këtij sistemi, ekspertët, profesoratin, organizatat e shoqërisë civile që janë në angazhuara në aspektet e veçanta të drejtësisë, ofrojnë shërbime dhe bashkëpunojnë me të. Por pa dyshim, ligji për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese, Konferencës Gjyqësore, Këshillit të Lartë të Drejtësisë, mënyra e zgjedhjes së gjyqtarëve, organizimi dhe funksionimi i Prokurorisë, dhe një sërë ligjesh të tjera do të jenë pjesë e kësaj reforme që pritet prej kohësh. Shumë prej këtyre ligjeve kanë disa vite që presin të ndryshohen dhe janë vetë punonjësit e drejtësisë që vënë theksin në këtë nevojë. Reforma do të nënkuptojë përmirësime që fillojnë që nga arsimi i lartë juridik, trajnimet dhe kualifikimet e punonjësve të sistemit dhe rritja e aksesit të publikut te drejtësia.

Opozita nuk është pjesë e punimeve të Kuvendit, por ndërkohë ka përgatitur një paketë të vetën me sugjerime sa i përket reformës në drejtësi, do të merren parasysh ato?

Opozita duhet të jetë pjesë e reformës në drejtësi. Sistemi i drejtësisë mund dhe duhet të reformohet me kontributin e të të gjithëve. Padyshim, do të ishte e mirë që vetë profesionistët dhe njerëzit me integritet të sistemit të drejtësisë të nxisnin dhe t’i kërkojnë politikëbërësve që të bëhet reforma me kontributin e të gjithëve. Nuk e konsideroj të dobishme për një opozitë që të mos jetë e ulur në parlament dhe të kontribuojë drejtpërdrejtë në reformë dhe jo me shënime. Megjithatë, është zgjedhja e saj. Do të doja shumë që ajo të ishte në parlament dhe të thoshte fjalën e saj për çdo ligj dhe për reforma kaq të mëdha siç është reforma në drejtësi.

Mendoni se Presidenti do të bëhet sërish pengesë, nuk do firmosë ligjet e miratuara nga mazhoranca?

Presidenti i Republikës ka të drejtë të vendosë veton për një ligj, kur ligji bie ndesh me Kushtetutën. Uroj dhe shpresoj që Presidenti të mos kthejë ligje, nëse nuk ekzistojnë arsyet që Kushtetuta ja njeh si arsye për kthimin e një ligji. E them këtë, pasi veprimtaria e Kuvendit në këtë sesion parlamentar do të jetë e larmishme dhe do të shtrihet në fusha ku reformat janë të nevojshme, të shumëpritura nga ata që na kanë zgjedhur dhe ne i përfaqësojmë në Kuvend por edhe për zhvillimet e vendit. Shumë reforma mund të kenë ndikim në vitet e ardhshme, por vonesa në mosbërjen e tyre mund të ketë pasoja të pariparueshme më vonë. Duke qenë se reforma në drejtësi do të jetë në fokus, asnjë ligj që ka të bëjë me të nuk do të hartohet që të cenojë Kushtetutën. Nëse do të vlerësohet se reforma do të ketë nevojë për ndryshime kushtetuese, është parlamenti që e vendos, dhe nëse është e nevojshme edhe referendumi, bazuar edhe në punën dhe ekspertizën e ekspertëve që do të përfshihen në kryerjen e reformës. Reforma do të ketë edhe mbështetjen dhe konsulencën e misioneve evropiane dhe ndërkombëtare që veprojnë në Shqipëri në mbështetje të sistemit të drejtësisë. Kthimi i çdo ligji, edhe kur nuk ka shkelje të Kushtetutës nuk bën gjë tjetër veç ngadalëson ecurinë e vendit përpara, godet prioritetet kombëtare dhe e largon institucionin e Presidentit nga misioni që Kushtetuta i njeh atij, atë të unitetit të popullit dhe Kryetarit të Shtetit dhe jo të një partie të veçantë.

Sa problem real është kjo përplasje mes institucioneve?

Përplasja institucionale nuk është e dobishme. Ajo që ju thoni përplasje institucionale nuk është reale. Nga ana e parlamentit nuk ka pasur asnjë përplasje institucionale me institucione të tjera, përfshirë edhe Presidentin. Parlamenti ka ushtruar veprimtarinë e tij në mbështetje të Kushtetutës dhe rregullores së kuvendit, qoftë në raport me Presidentit dhe institucionet e tjera kushtetuese. A mund të thuhet se ka përplasje institucionale kur komisioni përgjegjës i kuvendit thërret në seancë Inspektoren e Përgjithshme të Bankës së Shqipërisë për të raportuar për vjedhjen e madhe; kur shkarkoi ish-inspektoren e Inspektoratit të Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurisë që nuk ushtronte detyrat e ngarkuar me ligj dhe injoronte kërkesat e kuvendit për të raportuar; apo kur Këshilli i Lartë i Drejtësisë nuk vepron për të qeverisur drejtësinë dhe luftuar korrupsionin në radhët e drejtësisë? Nëse opozita dëshiron t’u mbushë mendjen njerëzve se ka përplasje institucionale, mendoj se nuk ka të drejtë dhe kjo dëmton ecjen më të shpejtë të vendit në rrugën e duhur dhe lodh gjithnjë e më shumë shqiptarët. Por publiku është tashmë i ndërgjegjësuar dhe mbështet fort çdo reformë që parandalon korrupsionin, reformën në drejtësi, reformat që sjellin zhvillim ekonomik dhe mirëqenie.

Krahas reformës në drejtësi ku do të fokusohet puna e legjislativit, e në mënyrë të veçantë e deputetëve socialistë?

Sesioni i ri parlamentar do të jetë shumë më i ngarkuar sesa ai që lamë pas. Reforma në drejtësi do të jetë kryefjala e punës së parlamentit, sikurse reforma territoriale do të shoqërohet me miratimin e disa ligjeve që kanë të bëjnë me organizimin e qeverisjes vendore dhe decentralizimin. Gjithashtu, qeveria po funksion në mënyrë të plotë me ritme të larta. Ajo ka ndërmarrë një sërë reformash që nuk janë bërë për 23 vjet. Ky angazhim kërkon edhe angazhimin e parlamentit. Parlamenti në përgjithësi dhe deputetët socialistë në veçanti do të ushtrojmë më mirë edhe funksionimin e kontrollit parlamentar, pavarësisht se qeveria i përket të njëjtës mazhorancë. Falë këtij kontrolli qeverisja do të funksionojë edhe më mirë dhe premtimet elektorale do të përmbushen. Lufta kundër korrupsionit është një aspekt i rëndësishëm që kërkon angazhim shumë të madh edhe të parlamentit. Kontrolli parlamentar dhe roli i kuvendit në këtë aspekt është me rëndësi. Deputetët socialistë do t’i kushtojnë rëndësi edhe përmbushjes së detyrimeve që rrjedhin nga konventat ndërkombëtare, raportet e mekanizmave monitorues vendase dhe të huaja, nismave në mbështetje të grupeve të veçanta si gratë, fëmijët, minoritetet apo njerëzit në nevojë.

Bojkoti, deputetja e PS-së: Opozita, e vetmja e dëmtuar

Mazhoranca qeverisëse, si asnjëherë më parë, ka kryer punën e saj në kuvend, duke qenë jo vetëm certifikuese e ligjeve të qeverisë, por ka ndërhyrë shpesh për t’i përmirësuar ato. Deputetja Vasilika Hysi thekson se në kushtet e një kulture të re në marrëdhëniet mes legjislativit dhe ekzekutivit, e vetmja e dëmtuar nga bojkoti është opozita dhe jo jeta parlamentare apo cilësia e ligjeve.

Si e shikoni vendimin e demokratëve për të vijuar bojkotin?

Opozita ka të drejtën e saj që të zgjedhë taktikat dhe strategjitë e të bërit opozitë, por bojkoti nuk është vendim i mirë. Edhe ne në opozitë kemi qëndruar jashtë Kuvendit për disa kohë, por arsyet kanë qenë të ndryshme nga ato që përdor si argumente opozita e sotme. Ne u përballëm me vjedhjen e votës, në seanca plenare na mohohej fjala, në komisione vendosej me forcën e kartonit. Sot, opozita ka një hapësirë shumë më të madhe në komisione, në seanca plenare ka folur më shumë sesa mazhoronca, madje pa respektuar as rregulloren e Kuvendit. Opozita ka fjalën dhe vendi i fjalës së saj, ndër të tjera, është Kuvendi. Bojkoti e dëmton opozitën dhe i heq mundësinë asaj të kontribuojë në politikëbërje.

A cenon kjo jetën parlamentare, meqë një numër i madh ligjesh janë miratuar pa opozitën tashmë?

Jeta parlamentare ka nevojë për mazhorancën dhe opozitën. Kjo është demokracia parlamentare. Është fakt, që në sesionit e kaluar parlamentar janë miratuar shumë ligje më rëndësi. Kjo mazhorancë, në dallim nga mazhoranca e kaluar, ka punuar me përkushtim në hartimin e ligjeve. Ndonëse opozita nuk ka qenë e pranishme në punimet e Kuvendit dhe në komisione, projektligjet nuk kanë kaluar siç kanë kaluar më parë, pa u diskutuar dhe në pak minuta. Projektligjet, ndonëse të konsultuara gjerësisht nga vetë qeveria në procesin e hartimit të tyre, janë diskutuar gjerësisht edhe në komisionet e përhershme parlamentare. Për shumë ligje janë zhvilluar dëgjesa publike, janë ftuar dhe kanë shprehur vlerësime me shkrim ekspertë kombëtarë dhe ndërkombëtarë. Çdo projektligj i sjellë nga qeveria është diskutuar me përgjegjshmëri, kur ka qenë nevoja është përmirësuar, sikurse disa nisma janë marrë nga vetë deputetët. Ka pasur debate dhe diskutime profesionale për ligje të veçanta që janë më rëndësi për funksionimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës dhe për reforma të rëndësishme. Kolegë deputetë të opozitës, por edhe jashtë saj, ende nuk duan të besojnë se kjo mazhorancë po krijon një kulturë të re të punës dhe marrëdhënie mes pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ, të pa praktikuar më parë. Ndonëse ne jemi mazhorancë në disa komisione, nuk jemi thjeshtë certifikues të ligjeve që sjell qeveria, por ushtrojnë funksionet tona ligjbërëse. Për pjesën më të madhe të ligjeve kemi pasur edhe mendimin e misioneve ndërkombëtare në Shqipëri, të cilat në shumicën e rasteve janë treguar të gatshëm për të na asistuar për ligje të veçanta dhe për çështje sensitive për publikun. Kjo tregon se ligjet nuk kanë kaluar pa vëmendje dhe në shkelje të Kushtetutës, saqë të detyrohet Presidenti i Republikës t’i kthejë në parlament ose të dërgohen nga opozita në Gjykatën Kushtetuese.

KOMENTE