Kryeministri Rama zhvilloi sot një takim me ekipin e drejtuesve teknik të Bankës së Shqipërisë, lidhur me situatën aktuale të Bankës, pas ngjarjeve të fundit. Pas këtij takimi, Kryeministri Rama dha një konferencë për shtyp në mjediset e kryeministrisë dhe iu përgjigj interesit të medias, mbi këto zhvillime.
Kryeministri Rama:
Mirëdita të gjithëve!
Së pari, dua të bëj një përgëzim shumë të sinqertë për skuadrën tonë kuqezi, që mbrëmë entuziazmoi kombin e tërë përmes një fitoreje sa befasuese aq edhe të merituar, kundër një prej skuadrave më të mëdha të futbollit botëror. E di që shumëkush mund të thotë se fitoren e merituan portugezët dhe jo ne, por unë kam mësuar nga një trajner që admiroj që quhet Jose Mourino, që është portugez, i cili thotë se “fitoren e meriton kush di ta dojë më shumë”. E, dje, ishin djemtë e veshur me të bardha që kishin vënë mishin dhe shpirtin në fushë, që ia rrëmbyen fitoren Portugalisë dhe na dëshmuan të gjithëve se asgjë nuk është e pamundur, kur japim të gjithë bashkë gjithçka për ta arritur.
Tani është e qartë që 11 tetori në Elbasan do të jetë shumë i nxehtë. Pavarësisht rezultatit, cilidoqoftë ai, unë dua të uroj me gjithë zemër që kuqezinjtë do të lënë shpirtin në fushë nga minuta e parë deri tek e fundit dhe do të vazhdojnë ta frymëzojnë kombin tonë me përkushtimin e tyre ndaj fanellës. Ne kemi për detyrë sidoqoftë që shtëpia e re kombëtare të jetë plotësisht gati dhe të përçojë atë ditë një imazh të bukur të Shqipërisë mikpritëse.
Tani, gjykoj se ishte me rëndësi që të komunikonim drejtpërdrejt dhe përmes jush me publikun, lidhur me situatën aktuale të Bankës së Shqipërisë.
Është e qartë se gjithçka ka ndodhur këto javë ka sjellë në vëmendje të gjithë opinionit publik, padyshim dhe në vëmendjen tonë, një problematikë të brendshme të BSH, që sigurisht duhet adresuar dhe zgjidhur sa më parë. Por është po kaq e rëndësishme që në këtë zhurmë të kuptueshme dhe nën këto “tam-tame” të vazhdueshme dhe të përditshme që kanë shoqëruar këtë histori, të theksohet fort se ngërçi ku ndodhet sot Banka e Shqipërisë ka të bëjë me një problem administrimi të brendshëm të Bankës dhe nuk ka asnjë lidhje me sistemin financiar, gjë që do të kishte qenë pastaj realisht një problematikë e madhe më vete për të gjithë sektorin bankar dhe ekonominë në tërësi. Fatmirësisht, nuk jemi gjëkundi në ato kushte dhe stabiliteti financiar i vendit është tërësisht i pacenuar dhe i garantuar.
Nga ana tjetër nuk mund ta fsheh atë që dihet që gjatë këtyre javëve, pozicioni i qeverisë shqiptare ka qenë një pozicion shumë i vështirë në raport me problematikën e trajtuar gjerësisht, dhe arsyeja është ajo që e kemi përsëritur vazhdimisht, pasi e kemi thënë qartë qysh në deklaratën e parë, se BSH është një institucion i pavarur. Pavarësia e BSH është një kusht themelor për mirëfunksionimin e këtij institucioni themeltar për shtetin, si dhe për të ndërtuar raportin mes një qeverie që është e vetëdijshme për këtë dhe vetë Bankës.
Por, sigurisht, kur ndodhemi në këtë situatë tani dhe kur Guvernatori i Bankës gjendet i arrestuar nga organet hetimore dhe i shkarkuar nga Këshilli Mbikëqyrës, kjo situatë del përtej administrimit të përditshëm të Bankës dhe imponon vendimmarrjet e duhura nga qeveria dhe nga parlamenti. Pikërisht për të garantuar vendimmarrjet e duhura unë dhe disa ministra të kabinetit, përkatësisht Ministri Financave dhe Ministri i Ekonomisë kemi zhvilluar një proces kontaktesh shumë intensive.
Unë besoj dhe ne besojmë se kjo krizë administrimi e Bankës së Shqipërisë mund dhe do të kthehet në një mundësi të re për BSH. Ne kemi treguar që mund të sjellim ndryshim dhe të njëjtën gjë do të bëjmë sërish. Do të tregojmë se jo vetëm jemi krejtësisht të vetëdijshëm për rëndësinë e pavarësisë së Bankës së Shqipërisë, por dhe se jemi në gjendje të ndërtojmë sistemet moderne të drejtimit dhe kontrollit në BSH, që jo vetëm ky episod dramatik të mos përsëritet më, por edhe që gjithçka e mirë dhe e mirënjohur si e tillë, që BSH ka ndërtuar në gjithë këto vite, të shkojë më tutje.
Sapo bëra një takim me ekipin e drejtuesve teknikë të Bankës së Shqipërisë dhe shkova për t’i takuar, sepse besoj që ajo skuadër, e cila nuk ka asnjë lidhje me atë që ka ndodhur dhe e cila ka meritën që vit pas viti dhe me një ecuri konstante për vite me radhë, të ketë garantuar performancën e qëndrueshme dhe të vlerësuar botërisht të BSH, nuk meriton të vuajë asnjë lloj presioni dhe të ndjehet në asnjë lloj trysnie, por meriton të mbështetet, të inkurajohet. Sigurisht, të ndjehet e vlerësuar edhe në këto momente kur në kushte shumë të vështira psikologjike për një bankë qendrore të vazhdojë të garantojë funksionimin normal, duke garantuar një gjë jo të vogël, por një gjë shumë të rëndësishme, që i gjithë sistemi financiar të vazhdojë të funksionojë normalisht. Fakti që, në Bankën e Shqipërisë ka një skuadër drejtuese teknikësh, me një reputacion të padiskutueshëm ndër të gjithë partnerët ndërkombëtarë, që kanë bashkëpunuar me Bankën, është një gur shumë i rëndësishëm themeli për të ndërtuar më tutje dhe për të çuar më tutje një punë që sigurisht mund të përmirësohet, por në asnjë mënyrë nuk duhet hedhur poshtë.
Patëm një diskutim të hapur, një diskutim të vlefshëm lidhur me mënyrën sesi duhet të adresojmë problematikën. Sigurisht, jo problemin që trajtohet nga hetimi dhe nga drejtësia, sepse e përsëris, është një problem shumë serioz, por fatmirësisht, një problem që nuk ka lidhje me gjithë pjesën tjetër të punës së Bankës. Por folëm për çfarë ndryshimesh të reja duhen sjellë, duke përfituar nga kjo krizë e administrimit, për të krijuar një mundësi të re.
Dje kam takuar Presidentin e Republikës, pasi kam pasur kontaktin e parë menjëherë nga kthimi prej Samitit të Uellsit, me Kryetarin e Kuvendit njëkohësisht bashkëkryetari i “Aleancës për Shqipërinë Europiane”. Kemi pasur një shkëmbim, besoj unë të hapur dhe të dobishëm pikëpamjesh me Presidentin e Republikës. Do të vazhdojmë të jemi në kontakt. Ashtu sikundër jemi në kontakte të vazhdueshëm, jam takuar dy herë me përfaqësues të Fondit Monetar Ndërkombëtar, personalisht, ministrat janë në kontakt të vazhdueshëm dhe me ekspertë me reputacion të padiskutueshëm ndërkombëtar që këshillojnë Qeverinë shqiptare. Jam absolutisht besimplotë se do të identifikojmë shpejt, por pa u ngutur, rrugën më të qëndrueshme për ta çuar Bankën edhe një shkallë më lart se ç’ishte përpara shfaqjes së këtij problemi, qoftë përsa i përket reputacionit në arenën ndërkombëtare, qoftë përsa i përket profesionalizmit.
Kemi diskutuar me stafin e Bankës, edhe për natyrën e ndryshimeve ligjore që kërkohen dhe e fundit që na duhet është që të bëjmë ndryshime në tërësinë e ligjit, menjëherë. Do të marrim kohën e duhur dhe do të diskutojmë me qetësi të plotë. Ndërkohë që, padyshim, nëse do të duhet ndërhyrje në ligj për të plotësuar nevojat e momentit, do t’i bëjmë edhe ato.
Është shumë e rëndësishme që të gjithë të marrin një mesazh shumë të qartë, që nuk janë hapur vende pune në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë dhe që nuk është hapur një vend i ri pune për Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë. Ne do t’i trajtojmë pozicionet në fjalë, me të gjithë respektin dhe dinjitetin e një shumice qeverisëse, që do t’i provojë shqiptarëve se është në gjendje të modernizojë Shqipërinë dhe të rrisë cilësinë e performancës së institucioneve.
Sigurisht që, ka tundime të natyrshme, ka ambicie të natyrshme, ka edhe nxitje dhe shtytje të natyrshme për të shkuar drejt atyre pozicioneve, por, pa as më të voglin dyshim, ne jemi tërësisht në një mendje se politizimi i këtij procesi dhe profile politike të avancuara në këtë proces do të ishin mungesë vizioni dhe përgjegjshmërie në raport me këtë situatë. Shqiptarët meritojnë që, nga ky ngërç i krijuar, Banka e Shqipërisë të dalë më e pavarur, të dalë më e fortë, të dalë më e sigurt dhe të dalë me një kapacitet, të padiskutueshëm të rritur, transparence të brendshme, në mënyrë që puna e bërë deri këtu të vazhdojë dhe rezultatet të vijnë duke u rritur.
Nuk mund të flas më shumë detaje. Unë kam një vizitë të planifikuar në Kinë, që do më duhet ta kryej për t’u takuar me Kryeministrin kinez dhe për të diskutuar atje lidhur me disa projekte, për të cilat kemi hapur kanalet e komunikimit. Sigurisht që nuk ka asnjë ngut dhe asnjë nevojë për të mos e kryer këtë detyrim, sipas axhendës së planifikuar. Çka tregon edhe një herë tjetër, ose një provë më shumë, që nuk jemi në kushtet kur na duhet të nxitojmë me të madhe. Jemi në kushtet kur duhet të ruajmë qetësinë, të veprojmë me shpejtësi, por pa u ngutur dhe të bëjmë gati dhe të procedojmë me vendime të drejta, për të cilat të marrim edhe pëlqimin e partnerëve tanë ndërkombëtarë, Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës Botërore dhe sigurisht, edhe të tjerëve. Pëlqim që me siguri do ta marrim të plotë, kur ne t’i kemi kryer këto procese dhe kur Banka e Shqipërisë të dalë nga e gjitha kjo, shumë më e fortë dhe shumë më e përforcuar në kapacitete të larta profesionale.
Kjo ishte paraqitja që kisha. Sigurisht që jam i hapur për pyetjet tuaja.
-Zoti Rama, kur thoni që nuk është hapur një vend pune për Guvernator të Bankës së Shqipërisë, do të thotë që nuk keni diskutuar me partnerin tuaj në koalicion, zotin Meta dhe Presidentin Nishani për emra konkretë, për atë që do të zërë vendin e zotin Fullani?
Kur thoni se nuk keni ngut, do të thotë që do të prisni, do të bëhen ndryshimet në ligj dhe më pas do të kemi një emër për Guvernatorin e BSH?
Para pak kohësh, ju u shprehët se nuk ishit i lumtur me punën e Prokurorit të Përgjithshëm, sepse në gjithë denoncimet e ardhura nga Qeveria, asnjë nga ish zyrtarët e lartë nuk ishin hetuar seriozisht, arrestimi i zotit Fullani do të thotë që Prokuroria ka filluar të ecë në rrugën e mbarë për të hetuar ish zyrtarët e lartë?
Le ta fillojmë nga pyetja e parë, që lidhet me çfarë ne kemi diskutuar dhe me çfarë ne kemi rënë dakord me Kryetarin e Kuvendit dhe partnerin në drejtimin e koalicionit. Kemi rënë dakord që kjo krizë administrimi duhet trajtuar dhe duhet shfrytëzuar si një mundësi e re për të forcuar pavarësinë e Bankës së Shqipërisë, për të rritur sigurinë dhe rikthyer besimin e plotë, në një kohë sa më të shpejtë, tek Banka e Shqipërisë dhe për të krijuar mekanizmat e nevojshëm, të transparencës së plotë brenda për brenda Bankës së Shqipërisë. Kjo është ajo që ne kemi rënë dakord, si vijë strategjike në këtë proces.
Së dyti, kemi rënë dakord që pozicionet e hapura nuk janë vende pune. E, që shumica jonë do të veprojë me ambicie shumë të madhe. Do të bëjmë gjithçka na takon për t’i plotësuar ato pozicione me profesionistë të nivelit më të lartë të mundshëm.
Së treti, unë mund t’ju them që çdo emër që ju, televizionet tuaja, kanë diskutuar, përgojuar, hamendësuar, - flas për të gjithë, - nuk është pjesë e kandidaturave për Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë. Asnjë!
Përsa i përket pyetjes lidhur me punën e Prokurorisë dhe Prokurorit të Përgjithshëm, mund t‘ju them këtë që ne, unë, Kryetari i Kuvendit, Qeveria, shumica qeverisëse, kemi qenë të qartë që në krye të herës;
Mbështesim plotësisht hetimin dhe gjithë procesin e hetimit dhe të punës së drejtësisë dhe fjalën e ka drejtësia. Ndërsa, nëse kjo është hapja e siparit, nga ana e Prokurorisë, për të luftuar me shpërdorimin e detyrës dhe me korrupsionin apo me të gjithë fenomenin në tërësi, që ka rraskapitur Shqipërinë gjithë këto vite, deri në nivelet e larta, këtë nuk e tregon ky rast. Këtë do ta tregojë koha nëse do të ketë një rast të dytë, të tretë, të katërt apo të pestë. Ky rast, në vetvete, është kjo që kemi thënë, një rast për t’u hetuar dhe për t’i shkuar deri në fund drejtësia. Sepse bëhet fjalë për një skandal që nuk mund të kapërcehet dhe as të harrohet në një proces të zvarritur hetimor dhe gjyqësor. E, i takon drejtësisë të thotë fjalën e fundit.
Ajo që kemi bërë dhe do të bëjmë ne është që për asnjë moment të mos ngatërrojmë rolet dhe detyrat. Roli ynë ka qenë dhe mbetet ai që kemi përcaktuar qysh në fillim. Detyra jonë tani është që, bazuar në përgjegjësinë tonë, të marrim vendimet e duhura për të çuar më tutje dhe në një nivel edhe më të lartë profesional punën në Bankën e Shqipërisë, si dhe t’i japim të gjithë mbështetjen e nevojshme stafit të drejtuesve teknik dhe gjithë ekspertëve të Bankës së Shqipërisë, që nuk kanë fare lidhje me këtë problem, por që bëjnë punën e tyre të përditshme dhe janë në bazën e gjithë garancive që ka sot sistemi.
-Cili është Guvernatori që keni në mendje? Nga duhet të vijë ai, cilësitë që duhet të ketë. Çfarë do të ndodhë me Këshillin Mbikëqyrës? Ju folët për një reformë që parashikon ndryshim ligjor. A parashikon kjo reformë e thellë edhe ndryshim të Këshillit Mbikëqyrës?
E sigurt është që Guvernatori që nuk kam dhe nuk kemi në mendje është çdonjëri nga guvernatorët që ju e keni ju në mendje. Që e keni dhe në mendje, dhe e keni shkruar apo e keni përfolur. Po kaq e sigurt është që duam t’i japim Bankës së Shqipërisë një Guvernator që menjëherë të përshëndetet ndërkombëtarisht si një zgjedhje e pakontestueshme profesionale dhe morale. Për sa i përket se nga do të vijë, sigurisht nga sistemi. Nga sistemi, do të thotë sistemi financiar dhe bankar. Përsa i përket Këshillit Mbikëqyrës, e përsëris që ne do të veprojmë shpejt, me vendosmëri, por pa u ngutur dhe do të respektojmë në çdo hap pavarësinë e institucionit dhe parimin që kemi vendosur qysh në fillim. Ky nuk është një proces ku shumica do të përdorë “kartonat” për të vënë nën kontroll Bankën e Shqipërisë apo për të pozicionuar aty ku mund të pozicionohen profile që politizojnë procesin dhe nuk e forcojnë reputacionin e Bankës së Shqipërisë. Ky është parimi!
-Ju në fjalën tuaj latë të kuptohej që kushdo të vijë në vendin e Guvernatorit dhe Këshillit Mbikëqyrës do të jetë pa profil politik. Çka do të thotë se të gjithë emrat e lakuar, ish ministra Financash, nuk janë të mundshëm?
Janë të përjashtuar automatikisht.
-Do të thotë që një Guvernator i ri duhet të jetë një ekspert i sistemit bankar dhe duhet të vijë vetëm nga fusha e banking-ut.
Unë mund t’ju them vetëm kaq, sot për sot.
-Pas situatës së krijuar në Bankën e Shqipërisë, pyetja që ngrenë sot shqiptarët është; Sa të sigurta janë depozitat e shqiptarëve në Bankat e Nivelit të Dytë? Dhe, a ka lëkundje të stabilitetit financiar në Bankën e Shqipërisë dhe në të gjithë vendin?
Faleminderit për pyetjen! Një sugjerim, mos ngatërroni depozitat e shqiptarëve me kreditë e këqija. Depozitat e shqiptarëve janë 100% të sigurta. Sistemi financiar është 100% solid. E, sikur të ishte ndryshe, sadopak ndryshe, mos harroni që ne jemi nën monitorimin ndërkombëtar të institucionit që është krijuar dhe që gjendet sot në gjithë botën për të dhënë alarmin kur ndihet erë “zjarri”, që është FMN. Nuk ka asnjë problem të kësaj natyre. E, në këtë aspekt, do t’i kërkoja të gjithë mediave që të ndajnë qartë dhe prerë rolin e tyre të padiskutueshëm në funksion të bërjes transparente për publikun të të gjithë informacioneve të çfarëdo natyre, me përgjegjësinë e tyre të madhe për të mos cenuar besimin dhe qetësinë e publikut lidhur me sistemin financiar. Është një vijë e hollë në këtë rast, sepse flitet për Bankën e Shqipërisë, por është po kaq e sigurt që çfarë ka ndodhur nuk ka lidhje me sistemin financiar, ka lidhje me një problem të natyrës administrative dhe penale, patjetër, por që nuk afekton, nuk prek, nuk cenon, në asnjë lloj mënyre, gjithë sistemin bankar në Shqipëri. S’ka asnjë problem të kësaj natyre.
-Ju thatë që mazhoranca për zgjedhjen e Guvernatorit të ri, por edhe për Këshillin Mbikëqyrës, nuk do të përdorë forcën e kartonit. A është kjo një mundësi e mirë që duhet një proces gjithëpërfshirës, i afruar edhe me opozitën? A do të jetë një Guvernator që do të marrë votat e gjithë Parlamentit, apo në fund, gjithsesi do të vendosë forca e katronit, pra vetëm mazhoranca?
Unë nuk thashë që ne nuk do të votojmë dhe që nuk do të përdorim kartonë, mund të përdorim edhe elektronikën, varet si është procedura e votimit. Unë thashë dhe e përsëris që ne nuk do të përdorim shumicën që kemi për të politizuar procesin apo për të cenuar pavarësinë e Bankës së Shqipërisë. Kjo nuk do të ndodhë! Por që ne do të përdorim votat, patjetër do të përdorim votat. Nëse opozita do ta shohë këtë moment si moment të rëndësishëm për t’iu rikthyer detyrës, sigurisht që ne i mirëpresim dhe unë jam gati të takohem me kryetarin e opozitës apo të Partisë Demokratike, më saktë, për të këmbyer pikëpamje lidhur me këtë. Por s’kam ftesë për të bërë, sepse boll ftesa më janë refuzuar. Ndërkohë, jam i hapur për çdo ftesë dhe çdo komunikim, nëse kanë diçka për të komunikuar dhe për të thënë.
-Ju thoni që ka ardhur koha për ç’politizimin dhe kthimin e Bankës së Shqipërisë te profesionistët. A ka ardhur koha për të ç’politizuar edhe institucione të tjera të pavarura?
Unë nuk thashë ka ardhur koha të ç’politizojmë. Unë thashë është një moment delikat, kur tundimi i krijuar nga pozicionet e hapura, është i tillë që mund të çojë në politizim dhe mund të çojë në shpërdorim të asaj që ne përfaqësojmë, që është besimi i shqiptarëve. Këtë thashë unë. Por që, sigurisht, ne kemi detyrë të marrim vendimet e duhura dhe të përdorim mandatin që kemi për të plotësuar këtë vakum, në bashkëpunim me Presidentin e Republikës. Ku ta gjesh nëse bashkëpunimin e jep edhe opozita. Ne jemi plotësisht të hapur. E, prandaj desha ta ritheksoj dhe e ritheksova falë një pyetje, që asnjë figurë politike, e sotme, e djeshme apo e pardjeshme, nuk është pjesë e këtij procesi.
-Për sa kohë Guvernatori Fullani nuk ishte i arrestuar, pozicioni i Qeverisë dhe i juaji ishte i baraslarguar për të ruajtur pavarësinë e Bankës. Momentin që ai u arrestua, ju u aktivizuar duke bërë takime që ne dimë tani këto dy ditë. Nuk kemi prekje apo cenim të pavarësisë së Bankës në këto lëvizje? Duket sikur ishte një kolonë, duhet të ikte ai, pa të ndërhyhej?
Së dyti, mund të dimë diçka më tepër rreth takimit që keni pasur me Presidentin Obama? Temë e takimit ishte vetëm anti-terrorizmi apo edhe anti-korrupsioni?
Këtu jemi për Bankën e Shqipërisë! Me Presidentin e Shteteve të Bashkuara nuk kemi folur për Bankën e Shqipërisë.
Ndërkohë që, jemi në një situatë të re. Unë dje kam takuar Guvernatorin në detyrë, me kërkesë të saj. Krejt natyrshëm ka kërkuar të takohet me mua, me Kryetarin e Kuvendit dhe me Presidentin e Republikës. Ka qenë kërkesa e saj për të bërë këto takime. Kam diskutuar me të dhe kam kuptuar qartësisht nevojën për t’i dhënë një mesazh të qartë, një mbështetje, që ne e kemi dhënë në mënyrë të përsëritur përmes qëndrimeve tona të mëparshme, profesionistëve të Bankës së Shqipërisë. Unë kam bërë vetëm këtë. Mos harroni që unë kam vizituar Bankën e Shqipërisë pas zgjedhjeve, pa marrë ende detyrën. Kështu që, vizitat e Kryeministrit në Bankën e Shqipërisë nuk janë cenim pavarësie. Sikundër, vizitat e Guvernatorit në Kryeministri nuk janë dorëzim i pavarësisë. Është thjesht një komunikim krejt normal, i domosdoshëm, mes institucioneve.
-Zoti Kryeministër, a keni dijeni për fondet e Qeverisë apo të Bashkisë të investuara në Kalanë e Gjirokastrës gjatë vitit të fundit? E, a mund të na thoni pse nuk ishit në dasmën e Ministrit Veliaj? Është përfolur për një ftohje mes jush dhe Ministrit?
Ju keni një talent të veçantë për të fituar bukën duke sajuar, pastaj duke komentuar sajesat tuaja, pastaj duke analizuar komentet e sajesave tuaja. Përgjigja ime për të dyja pyetjet tuaja është “Jo, absolutisht jo!” Janë të dyja pyetje që burojnë nga sajesat tuaja. Edhe jeni në të drejtën tuaj, mos e quani ndërhyrje në pavarësinë tuaj. Është e drejta juaj, por unë nuk mund të mos jua them atë që mendoj, duke vlerësuar shumë që ju thoni atë që mendoni edhe pse mendojmë krejt ndryshe.
-Gjatë gjithë komunikimit tuaj të deritanishëm, nuk keni përmendur asnjëherë termin “Fullani do të shkarkohet”. Kur do t’i përgjigjet me votë mazhoranca, Parlamenti, kërkesës që ka adresuar Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë?
Qeveria ka treguar gjatë gjithë këtij procesi një gjë;
Koha e Qeverisë pronare ka mbaruar dhe ka ardhur koha e Qeverisë shërbëtore! Koha e Qeverisë që i dinte të gjitha, që fuste hundët në çdo gjë dhe që bënte shumë të pabëra, duke abuzuar me pushtetin e vet ka mbaruar!
Qeveria nuk ka të drejtë të shkarkojë Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë. Nuk e ka këtë të drejtë ligjore! Kërkesa për shkarkim të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë nga Qeveria, kanë ardhur nga burime tërësisht të painformuara mbi ligjin apo të papërmbajtura në sensin e etikës. Sot, shumica qeverisëse ka një detyrim që t’i përgjigjet një kërkese që vjen nga Këshilli Mbikëqyrës dhe do t’i përgjigjemi kërkesës që vjen nga Këshilli Mbikëqyrës. Patjetër që do të votojmë kërkesën e Këshillit Mbikëqyrës, vendimin e Këshillit Mbikëqyrës. Sot, është koha, ndaj ne po flasim sot.
Shpresoj që të jetë ezauruar kjo pjesë e çështjes, sigurisht që do të kemi kohë të flasim për të tjerat, por mos u mundoni më të gjeni Guvernatorin mes politikanëve ose ish-politikanëve.
Faleminderit!