English

Kina do të mbështesë projekte të mëdha në sektorë kyç në Shqipëri

Kryeministri Edi Rama, gjatë vizitës së tij në Kinë, u prit në një takim dypalësh nga Kryeministri kinez Li Keqiang.

Kryeministri Rama falenderoi Kryeministrin kinez për mbështetjen që vendi i tij ka dhënë në zhvillimin e disa projekteve të rëndësishme, që kanë të bëjnë kryesisht me zhvillimin e infrastrukturës dhe bashkëpunimin në fushën e tregtisë dhe ekonomisë.

Kryeministri Rama theksoi se marrëdhëniet mes dy vendeve janë tejet miqësore dhe u angazhua për t’i intensifikuar ato edhe më shumë, në të ardhmen.

Kryeministri shqiptar u ndal edhe në zhvillimet më të fundit në Ballkan, rajon i cili në 100 vjetorin e fillimit të Luftës së Parë Botërore po përjeton periudhën e parë të paqes dhe bashkëpunimit rajonal. Në këtë këndvështrim, zoti Rama theksoi se projektet e diskutuara edhe gjatë takimit në Bukuresht, projekte rajonale që zhvillojnë infrastrukturën dhe ekonominë, mbeten prioritare për vendet e Ballkanit dhe përbëjnë një mundësi të shkëlqyer për të përfituar mbështetjen konkrete kineze.

Kryeministri Li Keqiang shprehu kënaqësinë që, pas takimit të zhvilluar nëntorin e vitit të shkuar, në Bukuresht, kishte mundësinë të priste Kryeministrin e Shqipërisë në Tianjin, qytet i cili këtë vit mirëpret edhe Forumin verore të Davos-it.

Kryeministri kinez, pasi përgëzoi qeverinë shqiptare për marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Europian, theksoi se qeveria e tij mbetet e angazhuar për të mbështetur Shqipërinë dhe rajonin në zhvillimin e fushës së energjisë, infrastrukturës, arsimit dhe ekonomisë.

Kryeministri Li Keqiang shprehu kënaqësinë që shumë nga projektet e diskutuara në takimin e mëparshëm janë duke ecur në drejtimin e duhur dhe nënvizoi rëndësinë që sipërmarrësit kinezë dhe shqiptarë të intensifikojnë bashkëpunimin dhe vizitat e ndërsjella mes dy vendeve, sidomos duke pasur parasysh marrëdhënien e veçantë mes dy vendeve tona.

Kryeministri Rama shoqërohej në këtë takim nga Ministri i Zhvillimit Ekonomisë, Tregtisë dhe Sipërmarrjes Arben Ahmetaj, Ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri, si edhe Ministrja e Arsimit dhe Sportit Lindita Nikolla. Ndërkohë që në delegacionin kinez merrnin pjesë edhe Ministri i Jashtëm Wang Yi, Ministri i Tregtisë Gao Hucheng, Kryetari i Bashkisë së Tianjin Huang Xingguo dhe Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Shtetëror Yang Jin.

KOMENTE