Me një investim prej 47.6 milion lekësh Bashkia e Tiranës ka përfunduar rikualifikimin urban të bllokut “Qemal Stafa” dhe rikonstruksionin e rrjetit të kanalizimeve të ujërave të bardha dhe të zeza. Pjesë e këtij projekti është dhe rruga “Ibrahim Brahja” e cila përmbytej vazhdimisht nga ujërat e zeza dhe të bardha. Kryebashkiaku Lulzim Basha i cili ka parë nga afër përfundimin e punimeve ka theksuar se ditë pas dite po shndërrojmë në realitet projektin tonë të përmirësimit të cilësisë së jetës së qytetarëve kudo ku ata jetojnë, në qendër apo periferi.
“Ky investim i Bashkisë së Tiranës është në vazhdën e përpjekjes tonë për një qytet ku jetohet më mirë, punohet më mirë dhe ku shijohet më mirë jeta. Për një Tiranë moderne europiane, ku standardi i jetës nuk shtrihet vetëm në fasada apo në qendër, por edhe në periferi, kudo ku qytetarët kanë nevojë dhe në lagje të vjetra si kjo, të lëna prej kohësh në harresë dhe të humbura në llogje pa fryt të politikës së përbaltjes dhe të interesit vetjak dhe jo të interesit të qytetarëve”-theksoi kreu i bashkisë së Tiranës.Në këtë bllok banimi është ndërtuar 6084 m² sipërfaqe rrugë me asfalt. Janë realizuar punime për kanalizime të ujërave të zeza dhe të ujërave të bardha. Është ndërtuar rrjeti i ujësjellësit me gjatësi 1685 ml, është ndërtuar rrjeti i ndriçimit elektrik publik, ku janë vendosur 57 copë shtylla. Janë realizuar punime, linja rezervë për fibra optike dhe shërbimet inxhinierike nëntokësore. Janë krijuar ambiente çlodhëse me gjelbërim dhe stola për banorët, duke e kthyer këtë zonë të lënë prej vitesh në harresë, në një hapësirë qytetare bashkëkohore, funksionale dhe tërësisht estetike.
“Tirana moderne europiane, Shqipëria moderne europiane kërkon punë, jo llogje. Për fat të keq, ata që nuk po e ndërtojmë modelin e një Shqipërie europiane, nuk po hapin fronte të reja pune, ata të cilët nuk po përmbushin as shpresat, as pritshmëritë e qytetarëve për një të ardhme më të mirë, ndjehen të kërcënuar nga modeli i punës dhe janë përveshur me një propagandë të egër dhe me bllokime modelit të punës për qytetarët, që përfaqëson sot Bashkia e Tiranës.
Unë kam bindjen se qytetarët e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë e dinë dhe e ndjejnë, se modeli që funksionon për ta që funksionon për të ardhmen europiane të këtij vendi, që funksionon për mirëqenien e tyre është modeli i punës. Unë jam i vendosur që këtë model, që e kemi rikthyer fuqishëm në Bashkinë e Tiranës, të vazhdojmë ta konsolidojmë e ta shtrijmë kudo në Shqipëri, për të mirën e qytetarëve shqiptarë, për të mirën e fëmijëve të tyre, për të mirën e Shqipërisë europiane” - deklaroi kryebashkiaku Basha.