Rrugët që të çojnë drejt Dajtit nuk kanë ndryshuar shumë. Herë pas herë makina bie në ndonjë gropë, por teksa shkojmë edhe më tutje drejt Surrelit kuptojmë se disa gjëra kanë ndryshuar. Jemi nisur për të shkuar në shtëpinë e re të çiftit kryeministror, më saktë në shtëpinë e Linda Bashës. Mësuam se së shpejti ajo së bashku me Zahon e vogël do të transferohej në një zonë të qetë të kryeqytetit, në Surrel. Është një fshat i vogël, pasi kalon Linzën. Një fshat i qetë, ku të gjithë e njohin njëri-tjetrin dhe ku qetësia është e madhe. Kështu na thanë dhe kështu ishte. Të gjithë e njihnin njëri-tjetrin. Mes fqinjëve kishte një lloj komunikimi aq të qetë sa edhe natyra e vet këtij vendi falte. Në Surrelin me kalldrëm Rruga për të vijuar më tej në fshatin tjetër ishte e mirë, e shtruar e re dhe e padëmtuar. Por, ne na duhej të ktheheshim djathtas, në Surrel. Nuk ishte një rrugë rurale, një rrugë me gurë që kërcisnin në rrotat e makinës dhe hidheshin përpjetë, por një rrugë ku anash në trotuare kishte gurë të vendosura si kalldrëm. Vazhduam rrugën me makinë, sepse menduam se deri në shtëpinë e re të çiftit kryeministror do të mund të shkonim me makinë. Por zbuluam se rruga nuk ishte deri në shtëpinë e shumëpërfolur, por deri në rreshtin e shtëpive të fshatit. Për të zbritur në shtëpinë më të veçantë të fshatit, siç i thonin banorët, kryeministri, bashkëshortja dhe familjarët e tij do të duhej të ecnin pak në këmbë. Ashtu bëmë edhe ne.
Fqinjët e rinj të çiftit kryeministror
Sapo zbresim nga makina fqinjët e rinj të çiftit kryeministror na presin me dashamirësi. Menjëherë e krijuam bindjen se sa miqësorë dhe mikpritës do të ishin ata me fqinjët më të rinj që do të presin në fshat. I pyesim se ku po ndërtohet shtëpia e çiftit kryeministror dhe të gjithë tregohen të gatshëm të na ndihmojnë. Madje, shumë prej tyre na thonë se brenda nuk mund të hyjmë, por se që nga lart shtëpia duket e veçantë. “Thonë se muret nga brenda janë ngjyrë vjollcë në të kuqërremtë”, tha njëri prej banorëve që po kalonte aty pranë dhe që me shumë kënaqësi pranoi të na shoqëronte deri tek shtëpia e veçantë.
Shtëpia e veçantë
Edhe ne e pamë së largu. Brenda nuk mund të hyje dhe këtë e dinim, pasi në asnjë shtëpi nuk mund të hysh nëse nuk është i zoti. Mirëpo, që së largu mund të dalloje që shtëpia ishte e veçantë. Arritëm të dallonim dy rrathë me disa kënde, gati 11 kënde në një rreth dhe 11 të tjerë në rrethin tjetër. Ajo që ishte shumë e veçantë ishte fakti se të dy rrathët, në tarracën e shtëpisë ishin të mbuluar me bar. Mes gjithë atij gjelbërimi kjo dukej e jashtëzakonshme, një tarracë e gjelbër. Dy rrathët e shtëpisë lidheshin me njëri-tjetrin thjesht dhe dukej se aty nuk dallohej ndonjë beton apo material që nuk do të lejonte dritën. E gjithë shtëpia ishte konceptuar si një shtëpi e vogël fshati që do të priste krahëhapur ndriçimin dhe ajrin e freskët të malit të Dajtit. Nuk ishte shumë e madhe, por as e vogël. Ishte një shtëpi në fshat që dukej sa ekologjike aq edhe postmoderne, kubiste saktësisht.
Fqinji: Edi është shumë i hapur, na duket si komshi i vjetër
Bashkimi është një nga banorët e fshatit Surrel. Është rreth të dyzetave dhe e takojmë në rrugë së bashku me zonjën e tij. Si të gjithë ata që pyetëm, fjalët për fqinjët më rinj që po presin, janë të mira. Ai e ka shumë afër shtëpinë me atë që po ndërton Linda Rama aty. Madje toka e tyre, është ngjitur me atë të zonjës Linda, ndaj edhe herë pas here ai dhe bashkëshortja e tij kanë komunikuar me çiftin kryeministror. Ata na tregojnë se si ka ndryshuar zona e tyre dhe se si është ndërtuar komunikimi pa mure me fqinjët më të rinj që presin banorët aty pranë.
Kur ka filluar ndërtimi i banesës?
Ndërtimi i banesës ka filluar dy vjet më parë, para se Edi Rama të bëhej kryeministër, por tani po përfundon. Se këtë shtëpi zonja e ka pasur që nga viti 1994, me sa mbaj mend unë. Tani kanë filluar edhe ndryshime të mëdha për fshatin. Ja për shembull, kjo rruga me gurë, si kalldrëm është bërë tani. Kjo nuk të çon direkt te shtëpia e zonjës Linda, por vazhdon edhe më tej. Edhe zonja kur vjen vetë ecën në këmbë, njëlloj si ne.
Ju vetë dhe banorët e keni takuar zonjën?
Po, ajo ishte këtu ca ditë më parë. Po herë pas here ka ardhur për të parë deri ku kanë shkuar punimet. Madje, ka ardhur edhe kryeministri. I kemi takuar. Zonjën pak më shumë sepse kryeministri na ka vizituar më pak, gjatë fundjavave. Linda, siç e thërrasim ne, sepse ajo është shumë e çlirët me ne, na përshëndet, ndalet dhe bisedon me ne dhe nuk krijon asnjë hapësirë që të na bëjë të dukemi të huaj.
Po kryeministri si është sjellë me ju? A është ai më i distancuar?
Jo, madje edhe ai sillet sikur të na kishte komshinj prej kohësh. Sa herë ka ardhur dhe është ulur te këto kafet afër shtëpisë, që nuk janë të klasit të lartë dhe na ka pyetur se çfarë na shqetëson apo mos ndoshta kemi ndonjë problem. Edhe ai nuk ka vënë mure në komunikimin me banorët. Ka qenë gjithnjë i sjellshëm. Sigurisht që edhe ne e kemi mirëpritur dhe e presim gjithnjë mirë. Të gjithë jemi entuziastë kur ai vjen të na vizitojë. Vetëm të mira po na vijnë fundja. Rruga dhe gjithçka tjetër kanë nisur ta bëjnë edhe më të thjeshtë kalimin.
Rruga e re shkon deri tek shtëpia e re dhe më e bukur e fshatit?
Jo, rruga nuk të çon deri aty. Rruga është bërë për fshatin. Deri tek shtëpia nuk kalon makina pasi është e vështirë. Është bërë për komunitetin, për komshinjtë. Rruga është nisur që më poshtë, jo nga rruga që bën makina e zonjës apo kryeministrit për të ardhur këtu, por nga ana tjetër. Gjithsesi gjërat kanë ndryshuar, dhe për mirë madje.
Kryeministri pi të njëjtin ujë si fshatarët
Është përfolur se kryeministri ndryshe nga fshatarët do të ketë një linjë tjetër elektrike. Madje disa medie arritën të përcillnin faktin se ai ka bërë një kabinë elektrike vetëm për shtëpinë e tij. E në fakt kjo nuk ishte e vërtetë. “Shekulli” u mundua që të gjente atë kabinën elektrike të shumëpërfolur, por nuk gjeti dot asgjë. E në pamundësi, kërkoi edhe ndër banorë. Të gjithë banorët e Surrelit që gjenim në rrugë, duke kaluar atypari i pyetëm për kabinën elektrike të shumëpërfolur, por asnjëri nuk e dinte këtë fakt. Të gjithë na u përgjigjëm njëlloj. Kryeministri dhe familja e tij do të ndriçohej si i gjithë fshati, nga një shtyllë elektrike lart në kodër. I vetmi ndryshim ishte se telat që përcillnin korrentin për në shtëpinë e ardhshme të çiftit kryeministror ishin jo lart mbi shtëpi, mbi tarracën e gjelbëruar të shtëpisë, por nën tokë. E në këtë pikë nuk kishim si të mos interesoheshim edhe për furnizimin me ujë. Shumë nga banorët na thanë se në shtëpinë e re të çiftit kryeministror ka një pus. Vetë çifti ka vendosur të ketë një pus, por vetëm kaq. Ata do të konsumojnë të njëjtin ujë si banorët e tjerë të fshatit Surrel. Dhe në fakt nuk ka pse të ndodhë ndryshe, kur uji që përcillet në ato zona është i pastër dhe i pijshëm.
Ndoshta do të bëhem shok me djalin e kryeministrit
Ergys tota, një djalë 13-vjeçar që banonte aty pranë dhe që shkollohej po aty na tha se ardhjen e Zahos në shtëpinë e re që po ndërtohej e priste i gjithë fshati dhe jo vetëm ai. Ergysi shprehu edhe dëshirën për ta pasur mik djalin e vogël të kryeministrit, Zahon. “Gjërat po bëhen të bukura këtu, duke filluar që nga rruga, ndoshta edhe rrugicat. Shtëpia është e veçantë dhe i jep një hije tjetër fshatit. Ne e mirëpresim me shumë kënaqësi djalin e vogël të kryeministrit. Dhe jam i bindur që të gjithë komshinjtë këtë mendim kanë”, tha Ergysi i vogël, i cili, në ndryshim nga banorët që nuk donin të flisnin me imazh, tha se të flasësh për mikpritjen dhe për gjëra të mira nuk është asnjëherë keq. /shekulli/.