Kryeqytetit iu shtua sot edhe një shkollë e mesme profesionale, e cila iu ofrohet të rinjve shqiptarë të apasionuar pas teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, si një mundësi më shumë për t’u arsimuar në këtë fushë.
Shkolla e mesme profesionale “Hermann Gmeiner”, është një bashkëpunim i suksesshëm i qeverisë shqiptare dhe asaj austriake, përmes mbështetjes së “KulturKontakt Austria”. Shkolla do funksionojë nën drejtimin e përbashkët edhe të stafit të posaçëm austriak, ndërsa certifikata me të cilën nxënësit do të pajisen nga shkolla “Hermann Gmeiner” do të njihet si në Austri, ashtu edhe në vendet e Bashkimit Evropian.
Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Ministri i Mirëqenies Sociale Erion Veliaj ishte sot i pranishëm në inaugurimin e kësaj shkolle, ku pa nga afër mjediset e brendshme, si dhe u takua me nxënës dhe ekipin drejtues.
Drejtorja e shkollës u shpreh se shkolla “Herman Gmeiner”, është e pajisur më një infrastrukturë tërësisht moderne që do të garantojë më së miri cilësinë e procesit të mësimdhënies. “Programet e shkollës do të jenë të bazuar në modelin austriak, në shkollën austriake. Nxënësit e kësaj shkolle do të jenë më cilësorët të cilët do të punojnë në të gjitha fushat për zhvillimin e ekonomisë së vendit”, u shpreh ajo.
Duke theksuar se e ardhmja është drejt arsimit profesional, Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Erion Veliaj vuri në dukje se statistikat më të fundit dhe tregu i punës e dëshmojnë më së miri këtë gjë. “Nxënësit që takuam me kryeministrin nëpër klasa janë me mesatare mbi 8.5. Dua t’i falënderoj për përpjekjen e tyre, por gjithashtu të kontribuojnë edhe me një kulturë, kur në fund të ditës, patjetër që shteti duhet t’i ndihmojë të gjithë, por duhet të ketë patjetër edhe një sens gare, një sens të atyre që dalin të parët dhe më vjen mirë që kjo shkollë është epitoma e kësaj sfide”, u shpreh Veliaj
Ministri Veliaj theksoi se “Sot që kemi kaluar kuotën që kemi vënë prej 10 % rritje në regjistrime, kemi kaluar 30 % , jemi afër 40 % , besoj deri në fund të kësaj jave.”
Fjala e kryeministrit Rama në përurimin e shkollës së mesme profesionale “Hermann Gmeiner”:
Për hir të së vërtetës nuk duhet ndonjë vizion i posaçëm për të kuptuar se çfarë rëndësie ka arsimi profesional dhe çfarë peshe do të zërë në jetën e një vendi, duhet thjesht të mos jesh “qorr”. Ajo çka ka ndodhur për vite të tëra në Shqipëri, duke e braktisur tërësisht fushën e arsimit profesional dhe duke ndërtuar një autostradë pa korsi, pa sinjalistikë, pa asnjë lloj sensi të radhës, të konkurrencës, të meritës për t’i futur të gjithë, në formën e një karamboli gjigand, në universitete, ka sjellë sot, pasoja që kanë filluar të ndjehen fort dhe që do vazhdojnë të ndjehen edhe për vite të tëra, në formën e një papunësie kronike për shumë të rinj e të reja me diplomë; në formën e një rënie pindarike të arsimimit në universitet; në formën e një shpartallimi të plotë të ëndrrave dhe shpresave të shumë familjeve që kanë investuar kursimet e tyre për fëmijët, që t’u japin një diplomë dhe në formën e një rënie dramatike të cilësisë së krahut të punës në Shqipëri.
Është fakt që, më mirë sesa të gjithë ne mund ta dëshmojnë njerëzit e biznesit, sesa e vështirë dhe sesa më e vështirë është bërë vit pas viti, në Shqipëri, që të gjesh krah pune të kualifikuar dhe të mund të ndërtosh plane biznesi të qëndrueshme, në mungesë të këtij krahu pune të kualifikuar.
E kemi krijuar një hendek shumë të madh, mes një pjese të popullit me diplomë dhe një pjese tjetër pa asnjë akses në arsim, një boshllëk që mund dhe duhet të mbushet vetëm nëpërmjet arsimit profesional, për t’i thënë të rejave dhe të rinjve të këtij vendi se s’ka vetëm një rrugë, por ka dy rrugë. Ka një rrugë për ata të cilët duan dhe mund dhe kanë talentin dhe vullnetin për të vazhduar në arsimin e lartë dhe një rrugë tjetër për ata që kanë dhunti të tjera dhe kanë ëndrra të tjera për t’i realizuar përmes arsimit profesional. Arsimi profesional, shpeshherë kuptohet si rruga e një zanati të dorës së dytë, por në fakt është rruga jo vetëm e një pune shumë herë më të sigurt në të ardhmen, por edhe e një njohjeje nga afër të botës së biznesit dhe e krijimit të kushteve për të ndërtuar edhe sipërmarrje nëpërmjet njohjeve profesionale. Për më tepër pastaj, arsimi profesional, i fokusuar tek teknologjia e re, është pa as më të voglin dyshim, një fushë ku vërtet ndërtohet me largpamësi e ardhmja. E ardhmja e një vendi, e ardhmja e një shoqërie, e ardhmja e cilitdo apo cilësdo që hyn në këtë fushë për të marrë njohjen e nevojshme dhe për të zotëruar në fund një zanat.
U thashë vajzave e djemve që takuam më parë nëpër klasa, që në fund të viteve të kësaj shkolle ata do të shohin se shokët e shoqet e tyre që shkuan në gjimnaz do të jenë duke kërkuar punë, ndërkohë që për ata do të jenë duke i kërkuar për t’i marrë në punë. Është një ndryshim goxha i rëndësishëm.
Një shembull suksesi i afirmuar është shkolla “Piter Maringer” në Shkodër, e cila prej vitit 2008-2009 ka filluar të ofrojë një drejtim të specializuar në fushën e teknologjisë së informacionit. Është fakt që njerëzit që kanë marrë njohuritë në atë shkollë e kanë pasur shumë më të lehtë më pas që të integrohen në tregun e punës. Për më tepër pastaj, shkolla që ne përgëzojmë sot është një shkollë që ofron një diplomë të vlefshme në Shqipëri dhe në Austri. Të mos harrojmë asnjëherë, ose për ata që nuk e dinë, unë e kam mësuar vonë, që Austria është ajo që është, një nga vendet më të suksesshme të Bashkimi Europian, edhe pse një vend i vogël, me tregues të jashtëzakonshëm ndër shumë të tjera, edhe për faktin se Austria është një ndër vendet që ka investuar më shumë se të tjerët për dijen dhe që ka investuar më shumë se të tjerët për arsimin profesional. E njëjta gjë mund të thuhet për Gjermaninë, e njëjta gjë mund të thuhet për të tjera vende shumë të suksesshme. Nëse shohim sot shifrat e papunësisë në Bashkimin Europian, vendet më me pak papunësi janë vendet më me shumë arsim profesional. Nëse shohim nga ana tjetër, qoftë volumin e investimeve dhe të sipërmarrjes, qoftë edhe volumin e parave të thithura nga Bashkimi Europian, përsëri, vendet me më shumë dije dhe me më shumë aftësi profesionale janë vendet që janë në nivelet më të larta në të dy këta tregues.
E dhëna tjetër që meriton vëmendje, por që është shumë inkurajuese në të njëjtën kohë, është e dhëna se jo vetëm që ka një rritje të kërkesës për arsimin profesional dhe kjo i detyrohet në radhë të parë, ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, i cili e ka marrë me shumë pasion dhe ka gjetur rrugën e duhur për ta komunikuar mesazhin se arsimi profesional është një rrugë e sigurt për një punësim nesër, është që ka shumë kërkesa dhe më pak mundësi. Drejtorja po më tregonte se është pamundur për të përballuar të gjitha kërkesat për të hyrë në këtë shkollë.
Ndërkohë që jemi dëshmitarë që shkollat profesionale, në ato pak raste që janë hapur këto vite, kanë dështuar sepse janë ndërtuar mbi model tërësisht të vjetër dhe të gabuar. Shkolla profesionale, të cilat nuk kanë asnjë lidhje me tregun, nuk kanë asnjë lidhje me biznesin, nuk kanë asnjë lidhje me njerëzit e sipërmarrjes dhe për më tepër pastaj, ku jepet mësim për t’u bërë elektricist dhe poçi tregohet në dërrasë me vizatim. Nuk ka poç, nuk ka tela, nuk ka asgjë.
Pastaj në fund njerëzit e braktisin shkollën, sepse kanë përpara një mësues që nuk mund të bëjë asgjë tjetër përveçse t’u thotë që teli është ajo fija që lidhë atë gjënë që bën dritë etj etj, por s’kanë asnjë material.
Pjesa që besoj se është shumë e rëndësishme është që programet e shkollave profesionale, sot, po ndryshojnë në mënyrë përmbajtësore duke bërë, - siç është përshembull rasti në këtë shkollë, - që 30% e ngarkesës mësimore të zhvillohet jashtë shkolle, të zhvillohet në mjediset e biznesit. Nuk është maksimumi, - ç’ka edhe drejtorja e nënvizoi, - do të duhet të shkojmë tek 50%. Të kemi një ndarje të barabartë të kohës, mes kohës që nxënësit kalojnë në shkollë dhe marrin teorinë dhe kohës që nxënësit bëjnë praktikën në mjediset e biznesit.
Por, sigurisht, që edhe kjo do të ishte e pamjaftueshme nëse ne nuk do të kishim garantuar paraprakisht që mjedisi i shkollës dhe mjedisi i tregut të jenë një. Gjithashtu dhe mjedisi ku jepet mësim dhe mjedisi ku jepet eksperienca, të jenë një. Në bordet e shkollave sot po përfshihen sipërmarrës, sipërmarrës sipas profileve dhe sipas interesave të tregut në raport me shkollën përkatëse. Përfshirja e sipërmarrësve bën që për nxënësit, por edhe për mësuesit, të ketë një urë të vazhdueshme komunikimi mes klasave dhe sipërmarrësve.
Po ashtu, e bukur është edhe pjesa e sportit dhe e mjediseve social kulturore në shkollë. Unë nuk dua të ndalem këtu, por dua ta mbyll duke ju dhënë disa të dhëna që janë shumë inkurajuese dhe që besoj janë të lidhura me faktin që po bëjmë një kthesë të vendosur, - edhe pse duhet të rrisim shpejtësinë e marrjes së kësaj kthese, - nga sistemi arsimor i ndërtuar vetëm në atë korsinë e rrëmujshme të futjes të të gjithëve në universitet, tek sistemi arsimor i ndërtuar në dy korsi; Një korsi për arsimin e lartë, një korsi për arsimin profesional.
Praktikisht, po të shohim në të dhënat e fundit të punësimit, do të shikojmë që ata që kanë ndjekur arsimin profesional në 62.4% të rasteve janë punësuar. Ata që kanë ndjekur gjimnazin janë punësuar në 44.2% të rasteve. Pra, 20% më shumë mundësi punësimi i kanë pasur ata që kanë ndjekur arsimin profesional.
Nga ana tjetër, po të shikojmë kuadrin e përgjithshëm të papunësisë, vetëm 15% e atyre që kanë një diplomë profesionale janë të papunë. Vetëm 15%!
Rimëkëmbja e arsimit profesional ka filluar, dhe ka filluar në një mënyrë shumë të ndjeshme, pasi ne po prekim 40% më shumë të nxënësve të regjistruar në arsimin profesional, ç’ka është një tregues që flet vetë se sa e drejtë është zgjedhja që kemi bërë dhe se sa në hava kanë qenë të gjitha kundërshtitë ndaj kësaj zgjedhjeje. Numri i përgjithshëm i nxënësve që sot regjistrohen në arsimin profesional është një rekord që nuk arrihej që nga viti 1994.
Kuptohet që ka edhe rekorde të tjera, si ato në not që janë shumë të rëndësishme, por ky është një rekord që meriton vëmendje sepse viti 1994 ka shënuar vitin e fundit të rënies së një sistemi që arsimin profesional e kishte shumë më të strukturuar sesa sistemi që u ndërtua më pas.
Sfida jonë është që sistemin demokratik ta strukturojmë në mënyrë të atillë që të mos jetë sistemi i papunësisë, por të jetë sistemi i punësimit përmes dijes dhe përmes zanateve.
Nëse në vitin 2014, sipas të dhënave që vijnë jo thjesht nga INSTAT, por nga libri i taksave i Republikës së Shqipërisë,- sepse gjithkush mund të mund të çohet dhe të thotë “INSTAT-i le t’i diskutojmë të dhënat, por askush nuk mund të diskutojë të dhënat që vijnë nga libri i taksave, pra nga libri i llogarive të shtetit, ku vendet e punës maten jo me sondazhe, as me studime, por me sa njerëz paguajnë taksa në Republikën e Shqipërisë, -kemi pasur në sektorin privat një rritje të punësimit me 32096 persona në tremujorin e dytë të vitit, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ajo çka bën përshtypje në këtë numër të punësuarish është përsëri fakti se ata që disponojnë një diplomë arsimi profesional, brenda grupit të tyre, kanë përqindjen më të madhe të të punësuarve.
Faleminderit!