English

Rama komunikon me mediat pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave

Komunikimi me mediat i Kryeministrit Edi Rama, sot pas mbledhje së Këshillit të Ministrave:

Përshëndetje të gjithëve!

E pashë me shumë rendësi që të bëj një komunikim pas mbledhjes së sotme të qeverisë, sepse besoj që është një moment i rëndësishëm për t’u komunikuar, si rezultat i një periudhe që na jep mundësinë, sot, të ndërhyjmë në buxhetin e vendit.

Janë 3.2 miliardë lekë ose 32 milionë dollarë që janë as më shumë e as më pak, por përtej objektivit ambicioz të vendosur sëbashku me Fondin Monetar Ndërkombëtar, që na japin mundësinë që qysh këtë vit të fillojmë me uljen e deficitit dhe të borxhit publik, edhe pse objektivi i vendosur bashkërisht me FMN-në ishte që ulja e deficitit dhe e borxhit të fillonte vitin e ardhshëm.

Është e para herë, pas 5 vitesh rresht, që rishikimi i buxhetit nga Qeveria bëhet me rritje, jo me rënie. Që do të thotë se, kemi pasur fatkeqësinë që për 5 vite rresht të kishim një Qeveri që bënte parashikime përtej mundësisë, duke shfrytëzuar paratë e parashikuara, por që nuk i kishte, për “tamtame” propagandistike dhe pastaj në fund të vitit kthehej në parlament për ta rishikuar buxhetin me ulje. Për herë të parë pas 5 vitesh e rishikojmë buxhetin me rritje.

Së dyti, 4.3 miliardë ose 43 milionë dollarë, falë këtij rishikimi me rritje, vendosen në dispozicion të gjithë pjesës më të dobët të shoqërisë, personave me aftësi të kufizuar, paraplegjikë e tetraplegjikë, invalidë të cilëve shteti u lan përfundimisht borxhet. Borxhe të akumuluara nga mungesa e plotë e ndjeshmërisë ndaj kësaj shtrese, nga brutaliteti i një modeli qeverisës të bazuar tek propaganda për të sunduar dhe jo tek rezultatet për të shërbyer dhe i jep fund padrejtësisë më të madhe sociale, të kthyer në instrument, për të spostuar paratë që i detyroheshin asaj shtrese në drejtime të tjera, në funksion të pushtetërimit dhe jo të qeverisjes.

Së treti, janë 15.2 miliardë lekë ose 152 milionë dollarë që shkojnë për investime. Investime, kryesisht të lëna rrugëve, për infrastrukturën rrugore, duke filluar nga rruga e Valbonës, tek rruga Kukës-Krumë në Has; rruga Lushnje-Berat që është bërë një gangrenë për të gjithë ata që duhet të kalojnë në atë aks; rruga Lin-Pogradec që është një tjetër gangrenë dhe janë dy destinacione turistike me rëndësi të veçantë, që ju jeni të gjithë dëshmitarë dhe janë dëshmitarë të gjithë ata që kanë qenë të detyruar të kalojnë në ato shtigje të hapura me 5 lekë, kur kushtonin miliona e miliona dollarë, vetëm për të prerë shirita, vetëm për të shitur mend dhe për të gënjyer njerëzit me lugë bosh; segmentet e rrugës Plepa-Rrogozhinë, edhe ato të lëna rrugëve, do të financohen në pjesën më të madhe të tyre; Korçë-Ersekë dhe duke mos u zgjatur duke i numëruar të gjitha, 51 projekte që kanë mbetur rrugëve, - flasim infrastrukturë rrugore, - dhe që kanë arritur të financohen deri në plus 50%, do të financohen 100%. Pra, gjithë pjesa e mbetur financohet tani dhe do të investohemi fuqimisht, që t’u rrimë në kokë kompanive që të punojnë ditë-natë, për t’i realizuar ato investime. Ndërkohë që, janë 100 projekte të tjera, nëpër gjithë Shqipërinë, të pashpresa, të çelura pa para, shirita të prerë, ekskavatorë që kanë hedhur çakull ditën e inaugurimit dhe pastaj, një financim tërësisht i dobët, që do të futen në programin e financimeve, për të shtyrë më tutje procesin, por pa mundësinë për t’i përfunduar brenda këtij viti.

-Infrastruktura shëndetësore

Unë i shoh me shumë vëmendje edhe kronikat tuaja objektive lidhur me problematikat në sektorin e shëndetësisë. Sektori më i vështirë. Sektori ku kemi marrë përsipër të bëjmë një reformë themelore. Por, mos harrojmë që e kemi gjetur shëndetësinë jo “kockë e lëkurë”, por “kockë pa lëkurë”. Do të investojmë tani, 1.1 miliardë në mjete emergjence, rreth 20 autoambulanca të reja, helikopterë të ndihmës së shpejtë, që edhe në sezonin e ardhshëm turistik, por edhe gjatë gjithë vitit, të mos gjendemi në kushtet që jemi gjendur për shkak të situatës që kemi trashëguar; dy pajisje shumë të rëndësishme dialize, një për veriun dhe një për pjesën poshtë në Shqipëri dhe përfundimi i rikonstruksionit të Sanatoriumit, një tjetër investim i lënë rrugëve, që besojmë se do të kryhet më në fund dhe do të marrë formën e plotë.

-Infrastruktura arsimore

Kur ne premtonim ose zotoheshim për futjen e tabletave dixhitale në shkolla, shumëkush na përqeshte, të tjerë na shikonin sikur flisnim gjuhën e UFO-ve. Janë praktikisht 700 milionë lekë ose 7 milionë dollarë për financimin e projektit të kalimit nga librat tek tabletat dixhitale. Tabletat dixhitale që do të mbyllin edhe atë hendekun që juve me shumë objektivitet e keni vënë në pah, edhe tani që u hap shkolla. Pashë dje, në pasqyrën që marr nga Zyra e Shtypit, që edhe në emisionin “Fiks Fare” kishte pasur një dedikim të veçantë për familjet që nuk kanë mundësi të paguajnë librat. Pra, mbyllet ky hendek dhe tabletat dixhitale, duke filluar nga viti i ardhshëm, kuptohet që projekti, edhe për arsye të mënyrës si është i konceptuar, por edhe të vetë futjes në punë, nuk futet në punë i gjithi menjëherë, në gjithë territorin, sepse ka një pilotim, pastaj ka një fazë të dytë e kështu me radhë, por ne besojmë shumë që në fund të mandatit do jemi në gjendje që të kemi mbuluar pjesën më të madhe dhe që fëmijët, pa dallim, të kenë tabletën dixhitale dhe pavarësisht, nëse prindërit blejnë, apo s’blejnë dot libra.

Është një kapërcim epokal, falë teknologjisë së re. Kemi bërë një marrëveshje me Google për të marrë platformën falas. Ndërkohë do të shkojmë më tej, duke jo vetëm përdorur tabelën dixhitale dhe bill borderat apo dërrasat e zeza të dikurshme, ekranet dixhitale në klasë, por duke futur në sistem prindërit, të cilët informohen në kohë reale përmes celularit nga regjistri elektronik i mësuesit; mungesa, nota e me radhë.

-Infrastruktura e rendit

Mbani mend që kemi bërë dhe ne fushatë ndër të tjera me imazhin e policit që shtynte makinën. Ndërkohë që, ju jeni vënë në dijeni edhe për raportin e bërë nga auditimi ndërkombëtar në Ministrinë e Brendshme për gjendjen e mjeteve. Është policia më e shkatërruar e kontinentit, ndoshta dhe e botës nga pikëpamja e mjeteve. Kështu që janë 300 milionë lekë që menjëherë do të hyjnë në mbështetje të Ministrisë Brendshme për mjete të reja policore.

-Infrastruktura teknologjike

Ka shumë vite që Shqipëria nuk e ka ripërtërirë atë që quhet “ortophoto” ose fotografim dixhital i territorit, e cila vlen për të marrë të gjitha informacionet për territorin dhe e cila, jo vetëm merr informacionet mbi territorin, por vihet në funksion të kontrollit mbi territorin, pasi përmes saj mund të bëhet kontroll i vazhdueshëm sistematik, pa pasur nevojë për të shkuar drejtpërdrejtë dhe për t’i numëruar gjërat në terren, por thjesht nëpërmjet dixhitalizimit. Janë 450 milionë lekë, rreth 4.5 milionë dollarë për ortophoto që më në fund të kemi një instrument që ishte tërësisht i dalë jashtë përdorimit.

-Një lajm tjetër në vigjilje edhe të vizitës së madhe të 21 shtatorit që dëshmon edhe vullnetin e plotë për të mbështetur dhe promovuar harmoninë dhe bashkëjetesën fetare.

Nga njëra anë do të mbyllim kapitullin e të gjithë kalvarit të gjatë që ka penguar ndërtimin e Xhamisë së re, duke vënë në dispozicion fondin e shpronësimit. Do të mbajmë zotimin që do të kemi një Xhami të re pa pallat dhe supermerkato ngjitur, dhe jo një pallat me supermarkato me Xhami ngjitur, siç ishte projekti i propozuar nga Bashkia e Tiranës, për arsye që i di Bashkia e Tiranës, por që i dimë dhe ne, i dinë të gjithë, por nuk jemi këtu duke marrë përsipër të themi se kush e kishte pallatin, kush e kishte supermarkaton, e kush do vinte të falej aty pranë, sikur po merrte thjesht dhe vetëm një lëmoshë. Parku i vënë në dispozicion do të jetë parku i besimit dhe i besimtarëve, pa pallate, pa supermarkato, pa apartamente për të shitur, pa apartamente për të mbajtur.

Nga ana tjetër do të financojmë drejtpërdrejtë pjesën e mbetur, për të përmbyllur punimet e zgjatura shumë në kohë të Teqesë së Madhe të Bektashinjve. Teqeja e Madhe e bektashinjve është një projekt, - që ju e dini se i keni ndjekur vazhdimisht festat e tyre - i të ndjerit, prej gjithmonë, të shumëmirëkujtuarit nga të gjithë, Kryegjyshit Baba Reshatit, i cili ende nuk prehet i qetë për shkak se ky projekt ende nuk mund të përfundojë, sepse komuniteti ka financuar, ka financuar, ka financuar, ka pasur nevojë edhe për një mbështetje të fundit dhe ne në fund kemi krijuar mundësinë ta mbështesim këtë projekt.

-Kemi vendosur në dispozicion edhe një fond për gjelbërimin urban. Nuk i harrojmë asnjë nga zotimet. Kemi thënë dhe do ta mbajmë, se do të mbjellim në 4 vite, më shumë pemë se ç’janë mbjellë në 20 vjet të mara së bashku. Do të kemi një fond për gjelbërimin urban që do ta destinojmë në qytetet që do të paraqesin apo kanë paraqitur projekte të gatshme përmes Fondit të Zhvillimit të Rajoneve. Do të kemi një sezon të fuqishëm mbjelljesh në zonat e banuara, pas kaq shumë vitesh që e vetmja gjë që mbeti ishte hija që krijojnë pemët e mbjella në Tiranë në vitet 2000-2010.

Në fund është diçka tjetër që kam shumë dëshirë ta them. Morëm përsipër një nga reformat e rëndësishme që t’ua heqim nga qafa sipërmarrësve të vegjël, dhe sipërmarrësve të mëdhenj, të gjithë sipërmarrësve në përgjithësi, dy palë tatimorë dhe të kemi një sistem administrimi tatimor, duke e hequr nga pushteti vendor dhe duke e lënë në administrim të Tatimeve të Republikës së Shqipërisë.

Çfarë ka sjellë kjo? Kjo ka sjellë një shumë të konsiderueshme të ardhurash shtesë dhe një ulje të konsiderueshme të telasheve për biznesin e vogël, për dyqanxhinjtë dhe për gjithë ata që jetojnë me një biznes të vogël, si pasojë e presingut të vazhdueshëm të gjithfarëlloj fytyrash dhe gjithfarëlloj xhandarësh që vijnë nga gjithfarëlloj drejtimesh.

Bëhet fjalë për një shtesë të konsiderueshme, e cila do t’i shkojë përsëri mbrapsh bashkive dhe njësive vendore. Pra, ne nuk do të mbajmë asgjë nga kjo shumë, por siç e kemi mbledhur do t’ua japim bashkive mbrapsh që ta administrojnë dhe të bëjnë punë të mira për njerëzit dhe komunitetet.

Kjo është qeveria e “Aleancës për Shqipërinë Europiane”.

E sot jam veçanërisht i kënaqur sepse i japim sens konkret një përpjekjeje titanike mes gërmadhave, gropave e plehrave që trashëguam në Shqipërinë, të cilës po i mbahej fryma.

Shqipëria ka filluar të marri frymë. Është larg të qenit Shqipëria që ne ëndërrojmë, është larg të qenit Shqipëria që ne do të kemi në fund të këtij mandati të parë, por është një Shqipëri që po merr frymë në të gjithë territorin. E me këtë punë ne do të arrijmë dhe një diçka tjetër, që efektshmërinë e investimeve dhe realizueshmërinë e planit të investimeve do ta kemi më të lartin në 20 vjet.

KOMENTE