Bode: Të gjitha taksat e rritura janë me mosrealizim. Tatimet dhe doganat kanë krijuar një deficit prej 2 miliard e 243 milion lekësh. Kemi thellim të evazionit dhe rënie të performancës fiskale.
Dje Kryeministri Rama bëri gënjeshtrën e radhës elektorale, një mashtrim shtesë, për një buxhet shtesë që s’qenka parë prej 5 vjetësh.
Ky mashtrim propogandistik vjen fill pas largimit pa deklaratë publike të misionit të FMN i cili ndërkaq shprehu hapur pakënaqsinë që ritmika e të ardhurave nuk plotësonte pritshmërinë e tyre.
Kryeministri shprehet për rishikim të buxhetit me rritje, por nuk tha se sa dhe si.
Të ardhurat e 8 mujorit flasin jo për tejkalim të të ardhurave të qeverisë qendrore, por për mosrealizim të tyre për 624 milion lekë, edhe pse programimi i të ardhurave ishte me rendimentin me të ulet fiskal në 10 vjetët e fundit dhe u parapri nga një rritje drastike e taksave.
Të gjitha taksat e rritura janë me mosrealizim. Tatimet dhe doganat kanë krijuar një deficit prej 2 miliard e 243 milion lekësh. Akcizat, barra e të cilave u rit kanë një deficit prej 4 miliard e 350 milion lekësh dhe për më tepër janë detaksuar më pak se 8 mujori i një viti më parë edhe duhan, edhe kafe, edhe birrë. Tatim fitimi ka deficit mbi 10 milion USD dhe fitimi i 8 mujorit i detaksuar është 100 milion usd më i ulët se 8 mujori i vitit të vështirë 2013.
Taksat nacionale, të cilat u shtuan me 12 lekë të reja për çdo litër karburant kanë një deficit prej 22 milion USD si 8 mujor.
Të vetmet taksa të tejkaluara si 8 mujor janë tatimi mbi biznesin e vogël, për të cilin Rama u përbetua se me taksën e tij progressive do të paguanin më pak si dhe TVSH për shumën 57 milion USD, që është taksë e paguar nga qytetarët konsumatorë. (nuk po ndalem te hidrokarburet dhe mosrimbursimi i TVSH).
Mjaftuan vetëm pak muaj që të dilte sheshit gënjeshtra këmbëshkurtër e Ramës se gjoja sistemi i taksave progressive, i vendosur prej tij, do të bënte që 95% e shqiptarëve do të paguanin më pak taksa.
Të dhënat e 8 mujorit vërteton se në shtesën e të ardhurave të buxhetit, qytetarët kanë paguar 83% të tyre, ose rreth 190 milion USD më shumë se 8 mujori i vitit të kaluar, kurse biznesi me vetëm 40 milion USD.
Kjo konfirmohet edhe nga rritja e peshës së taksave paguar nga qytetarët (indirekte) në vëllimin e taksave gjithsej.
Pra të ardhura shtesë në krahasim me atë që është programuar nuk ka. Rishikimi i buxhetit është thjesht një akt pendues i qeverisë, për të zbutur efektet e dështimeve të qeverisë apo programimeve të gabuara me dashje apo mosnjohja e problemeve.
Kryeministri, pa iu dridhur zëri mashtroi me zë të lartë në ditën me diell se do risë me 152 milion USD investimet publike. Zanati i tij i vjetër i sharjes dhe përbaltjes së ish mazhorancës, i sheqerosur me histori borxhesh, nuk i vjen më dot në ndihmë. Të dhënat e 8 mujorit flasin për rreth 220 milion USD investime publike më pak, edhe pse borxhin e rritën në mënyrë galopante. Edhe nëse thërret në ndihmë alibinë e tij të preferuar, tashmë bajate, atë të të borxheve të qeverisë së mëparshme, të cilat deklaron se i ka likujduar tërësisht, përsëri i duhen rreth 150 milion USD për të hedhur lumin. Janë 170 milon USD më pak investimet me financim të brendshëm edhe pse ka marë rreth 100 milion USD hua më shumë nga bankat, janë 50 milion usd më pak financimet e huaja nga kreditë e zhvillimit edhe pse ka marë 300 milion USD mbështetje buxhetore nga FMN dhe BB. Në fakt, ajo që po përgatitet në buxhetin e ndryshuar nga qeveria, është thjesht zëvendësimi i financimit me kredi të huaja afatgjata që i japin borxhit publik siguri në kohë dhe shtojnë valutë likuide në ekonomi, me zgjatjen duart në sistemin tonë bankar ku paratë meren më kollaj, por që kushtojnë më shumë, shpenzohen më keq dhe shterojnë burimet e financimit për biznesin privat.
Në momentin e hartimit të buxhetit, opozita njoftoi për pamjaftueshmërinë e fondeve të programuara si shpenzime sociale, pasi ishin më të ulëta se një vit më parë. Qeveria këmbënguli se ishin të mjaftueshme madje edhe për të bërë pagesat e prapambetura pasi sipas saj do të luftonte informalitetin që ekzistonte në skemë. Sot pas një viti, edhe pse hoqi masivisht mijëra njerëz fatkeqë nga skema e pagesës së invaliditetit apo ndihmës ekonomike, përdorimi politik i këtyre programeve ia kërkon që të bëjë një shtesë të re. Të dhënat e 8 mujorit tregojnë se shpenzimet për shtresat në nevojë ekstreme janë 18 milion USD më pak nga e njëjta periudhë e vitit të kaluar dhe se vetë programi i qeverisë ka qenë po kaq më i ulët nga fakti i vitit të kaluar. Dhe kjo ndodh kur shuma e detyrimeve vjen në rritje edhe për shkak të indeksimit të pagesave. Ku është papërgjegjshmëria e ish-qeverisë këtu!?
Dhe në këtë kategori demaskohet edhe demagogjia e qeverisë ndaj shtresës së ish të përndjekurve politikë, të cilët në 8 muaj kanë përfituar vetëm 8 përqind të shumës që kishin përfituar një vit më parë.
Rama u tall dje me qeverisjen vendore kur tha se po mendonte dhe për ta, se do tu hiqte qafe tatimorët lokalë.
Në të vërtetë shifrat e 8 mujorit flasin për një trajim armiqësor të qeverisë Rama ndaj buxheteve lokale. Të ardhurat e pushtetit lokal janë rreth 16 milon USD më të larta nga një vit më parë, apo 20 milion më shumë se sa i ka programuar qeveria. Por shpenzimet e tyre janë 22 milion usd më pak nga një vit më parë ose 41 milion usd më pak nga programi. Janë mbi 55 milion USD shpenzime të ligjshme të pushtetit vendor që mbahen të bllokuara nga qeveria, që nuk autorizohen apo nuk transferohen fondet e grandeve (janë rreth 40 milion USD grante më pak të qeverisë qendrore) apo të ardhurave në njësitë e qeverisjes vendore. Dhe këtu nuk llogaritet bllokimi i projekteve me kredi të miratuara ligjërisht apo financimet për grantet konkuruese të infrastrukturës rajonale, të cilat po përdoren nga qeveria qëndrore për infrastrukturën nacionale.
Dhe së fundmi, ti kthehemi argumentit të parë të Kryeministrit në demagogjinë e djeshme. Buxheti shtesë do të ulë deficitin dhe borxhin me 3.2 mld lekë në krahasim me programin e vitit. Kjo do të thotë 0.8% e buxhetit apo më pak se 3% e deficitit të programuar. Tallja smund të jetë më vrasëse se kaq. Shuma e kursyer nga shërbimi i borxhit të brendshëm me norma më të ulëta interesi për shkak të konjukturës bankare, është sa dyfishi i kësaj shume.
Të dhënat e 8 mujorit qeveria ka marrë një hua të re që kap shumen e 725 milion USD ose 305 milion usd më shumë nga një vit më parë. Dhe kjo ka ndodhur kur investimet publike janë 220 milion USD më pak, kur rrogat nuk u ritën, kur pensionet u ritën me 1/3 e rritjes së më parshme, kur për shpenzimet sociale është paguar më pak etj.
Përfundimisht, deklarimi i një buxheti shtesë, është një mashtrim shtesë i qeverisë Rama, përballë rritjes së pakënaqësisë publike ndaj dështimeve në ekonomi. Çdo rritje e të ardhurave apo shpenzimeve të buxhetit në këtë fazë, do të sillte rritjen e deficitit të tyre në buxhet. Ajo që është duke ndodhur, janë vetëm arnime buxhetore që synojnë të rialokojnë dështimet apo paaftësinë e qeverisë.