Kryeministri Edi Rama dhe aleati i tij në qeverisje, Ilir Meta janë përgjuar nga Shërbimi Informativ Shtetëror. Ky lajm konfirmohet nga burime konfidenciale zyrtare për A1 REPORT.
Gjithashtu, disa deputetë të tjerë të Parlamentit të Shqipërisë janë vënë nën përgjimin e SHISH.
Këto fakte, bëjnë me dije burimet, janë të pasqyruara në raportin që përfunduan deputetët socialistë, Pjerin Ndreu, Xhemal Qefalia dhe Pirro Lutaj, pas kontrollit të zhvilluar në institucionin e drejtuar nga Visho Ajazi.
A1 REPORT mëson gjithashtu se një kopje e këtij raporti do t’i dorëzohet kryeministrit Rama dhe kreut të Kuvendit Meta. Ky raport do të shmangë kalimin në seancë parlamentare për shkak të informacionit të klasifikuar që përmban.
Raporti i deputetëve socialistë u paraqit dje në Komisionin e Sigurisë dhe u miratua vetëm me votat e mazhorancës, pasi opozita vijon bojkotin e saj parlamentar.