Kryeministri Edi Rama vizitoi sot ekspozitën “Katolicizëm dhe kulturë”, një kolazh veprash të personaliteteve katolike, emra të rëndësishëm të kulturës dhe artit shqiptar si; Buzuku, Bogdani, Bardhi, Fishta, Gjeçovi, e shumë të tjerë.
Ekspozita e organizuar nga Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, me rastin e vizitës së Papa Françeskut në Shqipëri, përçon përmes veprave dialogun ndërfetar dhe tolerancën fetare në Shqipëri.
Drejtorja e re e Bibliotekës Kombëtare Persida Asllani, në fjalën e çeljes u shpreh se ekspozita është konceptuar si një ftesë “për të kujtuar së bashku, jo vetëm kontributin që vjen nga kleri katolik dhe të gjithë njerëzit e këtij komuniteti, por për të ndjekur edhe atë rrezatimin e vazhdueshëm që vjen deri në ditët tona dhe shënjon edhe modernitetin tonë, shënon identitetin tonë europian, së bashku me një nga specifikat tona me të hijshme siç është bashkëjetesa dhe harmonia fetare.”
Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro në përshëndetjen e saj u shpreh se përmes kësaj ekspozite, publiku do të ketë mundësinë të shijojë një rrugë të ndritur dhe të dhimbshme për shqiptarët, rrugën drejt identitetit europian, identitet ky i pamohueshëm. “Në këtë rrugë të hapur e të shtruar nga kontributi shekullor i katolicizmit, ne sot kemi fatin dhe mundësinë e madhe që të ecim dhe ta pasurojmë identitetin tonë kulturor dhe të gjitha diversitetet tona fetare të cilave iu përkasim. Kjo e vërtetë e madhe vjen nga një popull i vogël dhe merr një vlerë të rrallë në kohët tona të trazuara”, u shpreh ministrja Kumbaro.
Ndërsa Kryeministri Rama, teksa ftoi që kjo ekspozitë tejet domethënëse në përmbajtjen e saj të vizitohet gjerësisht, dha dhe lajmin se gjatë vizitës së tij në Shqipëri, Papa Françesku do të sjellë enkas për Bibliotekën Kombëtare një kopje të Mesharit të Gjon Buzukut.
Fjala e kryeministrit Rama mbajtur në çeljen e ekspozitës -“Katolicizëm dhe kulturë”, në Bibliotekën Kombëtare:
Mirëmbrëma të gjithëve!
Besoj se Ministrja e Kulturës e përcolli esencën e kësaj buqete që drejtorja e re e Bibliotekës Kombëtare ka përgatitur me rastin e ardhjes së Papës.
Dua t’i uroj drejtores së re suksese dhe shpresoj që çelja e dyerve të bibliotekës dhe nisja e rrugëtimit të saj si drejtore e bibliotekës me këtë buqetë surprizë të jetë një ogur shumë i mirë për të çuarjen më tej të punëve të nisura kaherë në Bibliotekën Kombëtare dhe njëkohësisht për hapjen e një faqeje të re në historinë e kësaj biblioteke, që besoj se flet për detyrimin që u kemi lexuesve besnikë për të pasur një holl më të denjë, për të patur salla më të denja dhe për të patur një trajtim më të denjë të të gjithë thesarit të Bibliotekës Kombëtare.
Nga ana tjetër besoj se ky është vendi i duhur, për t’u thënë juve të parëve si lexues besnikë të bibliotekës një lajm që besoj se do t’u gëzojë. Kam përfituar nga kontakti me Papën për t’i kërkuar një kopje besnike të dixhitalizuar me teknologjinë më të lartë të “Mesharit” të Gjon Buzukut për Bibliotekën Kombëtare. Kemi marrë konfirmimin se Papa do të vijë bashkë me këtë kopje unikale të Mesharit të Gjon Buzukut që do t’i shtohet Bibliotekës Kombëtare. Për të mos ju marrë më shumë kohë dhe për të mos marrë më tepër kohën e soditjes dhe të shijimit të buqetës që ka përgatitur drejtorja e bibliotekës, unë po e mbyll këtu me një falenderim të posaçëm për të gjithë ju që jeni të pranishëm dhe me dëshirën që falë pranisë së mediave, të tjerë të vijnë dhe ta shohin këtë ekspozitë që është sa modeste në përmasa, aq domethënëse në përmbajtje dhe aq goditëse në mesazhin që vjen nga kohë shumë të largëta për një përkatësi të patjetërsueshme të këtyre trevave, tek një besim që e ka bërë Shqipërinë një vend europian ku jetojnë në harmoni myslymanë dhe të krishterë. Një vend europian, ku të gjithë së bashku besojnë tek vlera dhe parimet që i përkasin asaj ane të botës nga ku dielli lind dhe aty ku perëndon.
Faleminderit!