Petro Koçi, kryetar i Partisë PSV 91 dhe ish-ministër i Rendit, 16 vite më parë kur ndodhi tentativa për grusht shteti nga ana e PD-së, pas vrasjes së Azem Hajdarit, kujton tani për gazetën "Shekulli" se arrestimi i Sali Berishës nuk u arrit edhe pse Kuvendi me të gjitha votat pro, ia hoqi imunitetin. Më pas ishin ndërkombëtarët që bënin thirrje për pajtim kombëtar që ta linin atë, duke e izoluar politikisht, ndërsa në dhjetor 1998, takimi mes drejtuesve të PS-së dhe Berishës, e riktheu këtë të fundit në politikë. Sipas tij Berisha vazhdon të mbetet udhëheqësi i PD-së dhe ai nuk ka ndërmend të ikë nga politika, sepse ndryshe i bie të parballet me drejtësinë për akuzat e shumta që rëndojnë mbi të.
Z.Koçi, si e shihni rendin me syrin e ish-ministrit të brendshëm?
Edhe në momentin kur u vendos në pikëpyetje rendi për shkak të një serie atentatesh me eksploziv kam shprehur optimizmin që gjendja do të ndryshonte dhe mendoj që situata vjen duke u përmirësuar. Të mos harrojmë që në përbërje të policisë ka individë që janë të politizuar dhe efektet e keqqeverisjes disa vjeçare nuk mund të neutralizohen brenda një viti edhe në fushën e rendit apo të sigurisë. Si një politikan aktiv e gjykoj se rendi gjithnjë e më mirë po dominohet. Rasti i Lazaratit është një fitore e madhe jo thjesht për policinë por një fitore e shtetit për të kontrolluar territorin në çdo centimetër.
Në çfarë raporti ndodhet drejtësia në vendin tonë?
Reforma në drejtësi është shumë delikate, është një nga reformat më të mundshme për tu keqkuptuar, për tu keqinterpretuar dhe për tu abuzuar politikisht. Prandaj gjithmonë kam nënvizuar nevojën e një mirëkuptimi mes palëve dhe nëse kjo nuk arrihet për arsye të interesave kriminale që ka opozita të paktën duhet konsensusi i institucioneve të specializuara që ka BE-ja dhe SHBA-ja. Ne kemi nevojë që të pastrojmë drejtësinë nga krimi dhe korrupsioni i cili në shumë raste është bërë arrogant, duket që sistemi i drejtësisë është i kapur nga korrupsioni dhe ajo që quhet drejtësi e vërtetë nuk po mundet që të flasë shqip. Duhet shfrytëzuar eksperienca ndërkombëtare edhe pse jo të përfshijmë të huaj në këtë proces. Shembulli i Kosovës është një model që duhet parë për reformën në drejtësi.
Kush po e “drejton” PD-në, Berisha apo Basha?
Ikja “de juro” e Berishës nga posti i kryetarit të PD-së është një zhvillim historik, këtë duhet ta pranojmë, pavarësisht se ai e bëri këtë veprim kur nuk mund të merrte më merita. Është akoma herët për të thënë që PD-në po e drejton Lulzim Basha, sepse Berisha me veprimet dhe qëndrimet e veta në njëfarë mënyre ka përgënjeshtruar aktin e dorëheqjes. Pavarësisht mundimeve të Lulzim Bashës për tu sjellë si kryetari “de facto” i PD-së. Berisha faktikisht e komprometon rëndë PD-në me qëndrimin që mban, pavarësisht se mazhorancës nuk i intereson forcimi i opozitës por si qytetar jemi të interesuar që opozita të jetë sa më e shëndetshme. Sali Berisha po e “dobëson” dhe po e “sëmur” jo vetëm imazhin, por edhe brumin e PD-së. Do të ishte korrekte që ai të mbante qëndrimin e një të dorëhequri, i cili jo vetëm që flet rrallë, por edhe kur flet e bën me këshilla për partinë e vet dhe nëse ka momente edhe për gjithë procesin politik në Shqipëri apo në Kosovë. Por Berisha nuk mundet ta bëjë këtë gjë për shkak të inkriminimit shumë të rëndë në të kaluarën në qeverisje dhe interesit të tij për të ruajtur dhe mbajtur imunitet politik ndaj një veprimi të mundshëm të drejtësisë ndaj tij apo ndaj njerëzve afër tij, besoj se kjo është arsyeja kryesore që Berisha vazhdon e “ushqen” akoma protagonizmin e tij në politikë.
Pse nuk u arrestua Berisha 16 vite më parë, pas grushtit të shtetit?
Votimi në Parlament dëshmoi se në atë kohë në Partinë Socialiste askush nuk kishte pikëpyetje lidhur me rolin e Berishës jo vetëm në përpjekjet për grusht shteti në 14 shtator 1998, por edhe më përpara gjatë qeverisjes së tij nga 1992-1997. Rezultati i votimit me 100% të votave pro heqjes së imunitetit ka qenë një dëshmi edhe e pastërtisë që ekzistonte tek mazhoranca, por edhe tek grupi i saj parlamentar shumë i madh i PS-së në atë kohë. Mendoj se mosarrestimi i Berishës erdhi si shkak i dobësisë së shtetit në atë kohë, pasi nuk mund të ishte politika ekzekutuesja e arrestimit të Berishës. Nga ana tjetër atmosfera e asaj kohe ishte e dominuar nga kërkesat e vazhdueshme e ndërkombëtarëve për pajtim kombëtar. Edhe kur dha dorëheqjen qeveria Meksi u ngrit një qeveri që u quajt Qeveria e Pajtimit Kombëtar. Edhe në atë kohë nga politika ndërkombëtarë vazhdonte të flitej me këtë slogan. Politika ndërkombëtare zgjodhi izolimin diplomatik dhe politik të zotit Berisha si mjet për ta neutralizuar politikisht. Fatkeqësisht në dhjetorin e atij viti u bë një takim midis drejtuesve të PS-së dhe Sali Berishës. Takim ky që e riktheu Berishën në politikë.
Sa të “fortë” e shihni opozitën?
Në thelb mendoj se opozita e ka tradhëtuar mandatin që i dhanë zgjedhësit në 23 qershor. Partia Demokratike dhe një pjesë e aleatëve të saj u mandatuan për të qenë një opozitë kushtetuese dhe aktive, “gardiane” e tendencave që mund të kenë gjithmonë mazhorancat për të zgjeruar pushtetin e vet përtej kompetencave kushtetuese. Por opozita nuk po e bën këtë gjë, ajo tashmë është shndërruar në një opozitë të dorëzuar sepse ka ikur nga “llogorja” e luftës institucionale politike. Mendoj se opozita është e dominuar nga platforma e destabilizimit, besoj se kjo është arsyeja kryesore që kjo opozitë rri jashtë parlamentit. Por politika që ndiqet nga opozita është një lloj politike që nuk mund të jetë e suksesshme. Kështu që është e udhës që Partia Demokratike të rikthehet në Kuvend. Kjo gjë është në të mirën e vendit sepse praktikisht vendi ka nevojë për një qeverisje të mirë dhe për një opozitë të fortë dhe institucionale.
Pse e kundërshton PD-ja arrestimin e Fullanit?
Mendoj se shkarkimi i Ardian Fullanit ishte një rezultante e logjikshme e zhvillimeve para dhe pas skandalit të Bankës së Shqipërisë. Normale do të kishte qenë që zoti Fullani të kishte dhënë dorëheqjen menjëherë mbas identifikimit të çështjes dhe nëse shkojnë për ndjekje penale një numër kaq i madh punonjësish të institucionit ku ti drejton është e logjikshme të mbash një përgjegjësi të menjëhershme morale. Ajo që e komplikon më shumë situatën është vendosja si truprojë e Partisë Demokratike, që unë shpesh e quaj edhe si “turprojë”. Duket që interesat politike dhe lidhjet personale të ishdrejtuesit por edhe të drejtuesit aktual të PD-së janë të mpleksura me Fullanin. Unë kam përshtypjen sikur PD-së nuk i intereson zbardhja e mëtejshme e problematikës së Bankës. E them këtë pasi aty mund të ketë probleme që e implikojnë edhe drejtuesit e qeverisë Berisha. Prandaj PD nuk është në favor të rëndimit të anës penale të Fullanit sepse ndoshta kjo gjë mund ta bëjë atë bashkëpunëtor me drejtësinë. Kjo besoj së është arsyeja e vërtetë e këtij qëndrimi absurd të PD-së.
1 vjetori i qeverisjes Rama-Meta
Tashmë jemi fiks një vit në qeverisjen e mazhorancës, mendoj se përgjithësisht jemi brenda pritshmërive. Përtej propogandës të tipit elektoral nga ana e të dyja palëve si të mazhorancës apo opozitës, e them këtë pasi praktikisht qeverisja nisi në kushte shumë të vështira. Unë shpesh e kam konsideruar situatën po aq të rëndë si në vitin ’97, për të mos thënë që në disa aspekti si për shembull punësimi edhe më të rëndë, pasi në atë kohë shteti kishte më shumë punojnës në mbrojtje sesa në momentin e dorëzimit të qeverisë nga demokratët. Kemi ecuri të mirë në fushën e rendit, në mbushjen e gropave financiare dhe ekonomike që la qeveria Berisha, ka zhvillime me prtishmëri shumë pozitive në arsim por edhe në aspekte të tjera siç është shëndetësia. Dua të përmend edhe politikën ndërkombëtare e cila dëshmon se Shqipëria vazhdon të jetë një faktor paqeje dhe stabiliteti, një faktor integrimi jo vetëm për vete por edhe për vendet e rajonit, një investitor i rëndësishëm për zhvillimet në Kosovë. Natyrisht që ka edhe ndonjë aspekt që mendoj se mund të ishte administruar brenda parametrave , profesionalizmit dhe meritokracisë siç është një pjesë e emërimeve në administratën shtetërore.
Heqja e imunitetit të deputetit Sali Berisha, 108 vota pro, asnjë kundër
Seanca parlamentare, e premte, 18.9.1998, paradite
Skënder Gjinushi - Sot në rendin e ditës kemi për të dëgjuar raportin e Komisionit të Mandateve, të Imunitetit e të Rregullores lidhur me heqjen e imunitetit deputetit të Kuvendit Popullor, zotit Sali Ram Berisha. Në emër të komisionit raportin do ta mbajë zoti Spartak Braho, kryetar i këtij komisioni. Spartak Braho –
VENDIM
I.Komisioni i Imunitetit, i Mandateve dhe i Rregullores, i mbledhur sot, më datë 17.09.1998 në orën 12.00, në prani të 7 (shtatë) anëtarëve të komisionit (4 anëtarë munguan pa arsye), pasi shqyrtot kërkesën e Prokurorit të Përgjithshëm për heqjen e imunitetit deputetit Sali Ram Berisha, vëren se: Me shkresën nr.1425, datë 14.09.1998 Prokurori i Përgjithshëm, i ka kërkuar Kryesisë së Kuvendit Popullor dhënien e lejes për fillimin e çështjes penale, heqjen e imunitetit dhe arrestimin e deputetit Sali Ram Berisha. Në relacionin shpjegues të Prokurorit të Përgjithshëm dhe në shpjegimet që ai dha në prani të anëtarëve të komisionit konstatohet se: Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Tiranë ka filluar procesin penal për kryerjen e krimit të kryengritjes së armatosur, parashikuar nga neni 221 i Kodit Penal, ndodhur në datat 13 dhe 14 shtator 1998 në Tiranë. Sipas provave të grumbulluara nga organi i prokurorisë, ku përfshihen kasetat filmike, procesverbalet e pyetjes së dëshmitarëve, incizimet, intervistat në media dhe deklaratat, rezulton se një numër institucionesh kryesore të shtetit dhe objekte prone private janë sulmuar me dhunë, me qëllim për të përmbysur rendin kushtetues. Sipas provave të paraqitura nga organi i prokurorisë, rezulton se: Në datat 13 dhe 14 shtator 1998, duke përfituar nga ceremonia mortore e ishdeputetit Azem Hajdari, Partia Demokratike dhe kryetari i saj, deputeti Sali Berisha, si edhe persona të tjerë kanë bërë thirrje për përdorimin e dhunës, kanë nxitur qytetarë të ndryshëm për armatosjen e tyre, me synim pushtimin me forcë të rezidencave qeveritare për përmbysjen e rendit kushtetues. Nga zhvillimi i ngjarjeve të paraqitura nga Prokurori i Përgjithshëm është arritur në përfundimin se, përveç synimit për të përmbysur me dhunë rendin kushtetues, janë kryer edhe një sërë plaçkitjesh në rezidencat kryesore të shtetit, janë goditur me armë të lehta dhe të rënda forcat e ruajtjes së rendit, të policisë dhe të gardës, si edhe personat zyrtarë që punonin në këto institucione, një pjesë e të cilëve dhe janë keqtrajtuar fizikisht. Njëkohësisht, rezulton se Prokurori i Përgjithshëm paraqiti prova të mjaftueshme lidhur me sulmin ndaj RTSH-së, pushtimin e tij nga grupe të armatosura njerëzish, militantë të PD-së, të shoqëruar nga funksionarë dhe ish-funksionarë të kësaj partie me synimin e dhënies së kushtrimeve për dhunë e luftë, për përhapjen e shpifjeve e dizinformacioneve, gjë e cila është orientuar edhe nga selia e PD-së mes fakseve dërguar në RTV pas pushtimit të tij. Lidhur me rolin nxitës dhe organizator të kësaj kryengritjeje të armatosur nga deputeti Sali Berisha, komisioni krijoi bindjen se ky rol ka qenë një vijë sjelljeje e tij gjatë gjithë kohës para datave 13 dhe 14 shtator, si edhe në vazhdim, kur ende rezulton se në selinë e PD-së ekziston një grup i armatosur njerëzish, tek të cilët, megjithëse u bëhet thirrje për dorëzim, nuk ka shenja të ndryshimit të qëndrimit. Argumentet e mësipërme, na krijojnë bindjen se deputeti Sali Berisha, i cili akuzohet për veprën penale të organizatorit të kryengritjes së armatosur, parashikuar nga neni 221 i Kodit Penal, nga organi i prokurorisë, duhet të përgjigjet penalisht për veprën e mësipërme dhe, duke qenë se krimi i mësipërm, për të cilin akuzohet, është me rrezikshmëri të theksuar shoqërore dhe kombëtare për rendin kushtetues dhe se vetë i akuzuari paraqet rrezikshmëri shoqërore të theksuar, çmohet se atij duhet t’i hiqet imuniteti parlamentar, për t’i lënë rrugë të lirë organit të prokurorisë të kryejë hetimet dhe e autorizon atë që të fillojë procedim për deputetin Sali Berisha. Lidhur me kërkesën e prokurorit për masën e sigurimit, dhënien e lejes për arrestimin e deputetit Sali Berisha, komisioni çmon se kjo kërkesë nuk duhet votuar nga ky komision me arsyet se: -Zgjidhja e kësaj kërkese është atribut ligjor i organit të prokurorisë dhe gjykatës, mbështetur dhe bazuar në vendimin nr.10, datë 10.8.1993 të Gjykatës Kushtetuese, e cila në interpretim të nenit 20 të Ligjit Kushtetues, ka argumentuar se “Kur Kuvendi Popullor jep autorizim për procedim penal të një deputeti, nuk është e nevojshme që Prokurori i Përgjithshëm të kërkojë nga Kuvendi Popullor autorizim të veçantë për arrestimin e deputetit ndaj të cilit ka filluar procedimi penal”. (Më pas ngrihet komisioni me pesë anëtarë, ku kryetar zgjidhet deputeti i pavarur Nikollë Lesi. Në votim morën pjesë 113 deputetë, nga të cilët 108 votuan pro dhe kundër apo abstenim asnjë deputet).
Maksim Hasani - Si do të procedohet më tej tani që iu hoq imuniteti Sali Berishës?
Skënder Gjinushi - Nga prokuroria pati dy kërkesa, por nga Kuvendi u dha pëlqimi vetëm për heqjen e imunitetit për të lejuar ndjekjen penale, ndërsa masën e arrestit e vlerëson prokuroria.