English

Bushati takime dypalëshe gjatë punimeve të sesionit të 69-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së

Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati, i cili gjendet në Nju Jork për të ndjekur punime e Sesionit të 69-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, zhvilloi disa takime dypalëshe. Në ditën e parë, ai u takua me homologët e Zelandës së Re, Murray McCully, të Luksemburgut, Jean Asselborn, të Sllovakisë, Miroslav Lajcak, të Spanjës José Manuel García-Margallo, Ministrin e Jashtëm te Mongolisë z. Luvsanvandan Bold dhe me Zëvendësministrin e Jashtëm te Argjentinës Eduardo Zuain.

Në takimin me homologun nga Zelanda e Re u vlerësuan marrëdhëniet miqësore mes dy vendeve dhe u shpreh vullneti e angazhimi për t’i çuar më tej ato. Bashkëbiseduesit nënvizuan rëndësinë e zhvillimit të dialogut politik dhe rritjes së kontakteve përmes realizimit të vizitave të nivelit të lartë si dhe u ndalën në mundësinë e rritjes së bashkëpunimit në fushat e ekonomisë, energjisë së rinovueshme, bujqësisë, industrisë minerare, turizmit dhe arsimit. Në takim, u diskutua dhe për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Zelandës së Re në kuadrin e organizatave ndërkombëtare dhe mbështetjes reciproke të kandidaturave.

Ne takimin me Ministrin Asselborn të Luksemburgut, Ministri Bushati vlerësoi mbështetjen e Luksemburgut për marrjen e statusit kandidat në BE, duke shprehur besimin se kjo mbështetje do të vijojë edhe gjatë presidencës së ardhshme të BE-së nga Luksemburgu për procesin e hapjes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Duke uruar homologun e tij për zgjedhjen e z. Jean-Claude Junker në krye të Komisionit Europian, Ministri Bushati nënvizoi rëndësinë e mbajtjes së një vëmendje të vazhdueshme nga ana e BE-së për procesin e zgjerimit dhe rajonin e Ballkanit, parë kjo dhe në situatën e sfidave gjeopolitike me të cilat po përballet BE-ja. Në kuadrin e bashkëpunimit shumëpalësh, Ministrat vlerësuan pozitivisht bashkëpunimin e deritanishëm dhe u angazhuan për të vijuar koordinimin në funksion të mbështetjes reciproke të kandidaturave në organizata të ndryshme ndërkombëtare dhe avancimit të çështjeve me interes të ndërsjellë për të dy vendet. Duke ndarë vlerësimin për rolin dhe angazhimin e Shqipërisë për një rajon në paqe, të sigurtë dhe të zhvilluar, Ministri Bushati theksoi angazhimin e Shqipërisë dhe në cilësinë e Presidencës së SEECP për një kontribut cilësor në këtë drejtim.

Gjate takimit me Ministrin Lajcak, Ministri Bushati vlerësoi mbështetjen e Sllovakisë ne proceset integruese te Shqipërisë dhe rikonfirmoi angazhimin e qeverisë shqiptare për të përmbushur prioritetet kyçe për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE. Ministrat ndanë mendimin për rëndësinë e intensifikimit të bashkëpunimit rajonal, eksperiencën e grupit të Vishegradit në këtë kontekst dhe rëndësinë e rikonfimimit të procesit të zgjerimit në kuadrin sfidave gjeopolitike si një faktor nxitës për reformat.

Në takim me homologun e tij spanjoll José Manuel García-Margallo, Ministri Bushati shprehu mirënjohjen për mbështetjen e deritanishme të Spanjës për procesin e integrimit evropian, si dhe besimin se kjo mbështetje të vijojë edhe gjatë procesit për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE. Ministrat e Jashtëm vlerësuan marrëdhëniet e mira që ekzistojnë mes dy vendeve dhe shkëmbyen ide mbi mundësinë e krijimit të një dinamike të re në këto marrëdhënie. Referuar bashkëpunimit shumëpalësh, ministrat ndanë mendimin për rëndësinë e koordinimit për çështje me interes të ndërsjellë, si dhe ato me interes rajonal e global. Zhvillimet pozitive në rajon dhe qasja e re bashkëpunuese në vijim dhe të Konferencës së Berlinit, u përshëndetën nga të dy ministrat.

Ministrit Bushati vijoi takimet dypalëshe me Ministrin e Punëve te Jashtme të Mongolisë Luvsanvandan Bold. Ai theksoi se ky vit shënon 65 vjetorin e marrëdhënieve mes dy vendeve tona, çka duhet të shërbejë si nxitje për t’i dhënë një dimension të ri aktivizimit të bashkëpunimit konkret dhe në fusha me interes të ndërsjellë. Në vijim, z. Bushati përsëriti kërkesën për njohjen e Republikës së Kosovës nga Mongolia, kontribut që do t’i shërbente më së miri paqes, sigurisë dhe prosperitetit në rajonin e Ballkanit. Ministri Bold konfirmoi gatishmërinë e Qeverisë se Mongolisë për të thelluar bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve dhe vuri theksin në intensifikimin e vizitave të nivelit të lartë.

Gjatë bisedës me Zëvendësministrin e Jashtëm të Argjentinës Eduardo Zauin, Ministri Bushati vlerësoi nevojën për një bashkëpunim më intensiv mes dy vendeve, nëpërmjet shkëmbimeve të vizitave dypalëshe si edhe intensifikimin e kontakteve diplomatike. Zëvendësministri Zauin u shpreh se: “Shqipëria është një model frymëzimi për dialogun ndërfetar dhe bashkëjetesën, element i cili u theksua fuqimisht edhe gjatë vizitës së Papa Françeskut në Tiranë”. Ministrat ranë dakord për mbështetje reciproke në kuadër të OKB-së.

KOMENTE