English

Sokol Olldashi vdiq nga shoku i rëndë traumatiko - hemoragjik

Prokuroria e Tiranës pushon hetimet për aksidentin që solli humbjen e jetës të ish-deputetit të PD-së, Sokol Olldashi, ku përcaktohet se shkaku i vdekjes ka qenë shoku i rëndë traumatiko - hemoragjik, pasi viktima nuk ka respektuar 3 nene të Kodit Rrugor: Shpejtësinë, sinjalistikën dhe rripin e sigurimit, shkruan e përditshmja "Shekulli".

Kështu, zyrtarisht u jepet fund dilemave rreth ngjarjes së 23 nëntorit të vitit të kaluar, kur Olldashi gjeti vdekjen në fshatin Mushqeta të Tiranës, pak metra nga tuneli i Krrabës. Prokurori thotë se hetimi për “Shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor”, parashikuar nga neni 290 K.Penal, duhet pushuar pasi fakti nuk parashikohet nga ligji si vepër penale.

Si u gjet makina

Prokuroria thotë se automjeti i markës marka “Mercedes benz” model S 550 4 MATIC, me targa AA 003 HN, i zi, drejtuar nga Sokol Olldashi, ka dalë nga rruga, duke u përmbysur. Makina u gjet mbështetur në tavan, mbi sipërfaqen e tokës, me rrota përpjetë, në mesin e rrugës që të çon te varrezat dhe në xhaminë e fshatit Mushqeta. Automjeti ka qenë i pozicionuar me drejtim lindje-perëndim. Është konstatuar se të katër gomat kanë qenë të fryra në gjendje të rregullt, me disqe alumini të prera me tendencë majtas. Është provuar, kqyrur e kontrolluar, sistemi i drejtimit në të gjithë komponentët përbërës të tij, dhe është konstatuar se ka qenë në gjendje të rregullt. Janë lëvizur edhe gomat e pasme të mjetit dhe pas rrotullimit është konstatuar se ato xhironin në drejtim të kundërt me njëra-tjetrën, veprim që tregon se kutia e shpejtësisë së këtij mjeti ka qenë e aktivizuar. Është konstatuar se sistemi i ndriçimit ka qenë i ndezur, dritat SOS me R-L, kanë qenë të ndezura, automjeti ka timonin në krahun e majtë. Sistemi i airbag-eve horizontale ka qenë i hapur, janë konstatuar të dalë airbag- ët, ndërsa airbag-u i timonit është konstatuar i pahapur. Katër dyert e automjetit kanë qenë të hapura, xhamat e dyerve janë konstatuar të pathyer.

Olldashi kishte vdekur

Sipas prokurorisë, është konstatuar që në pjesën e brendshme të automjetit, në qendër, ndodhej një trup njeriu, këmbët me drejtim nga veriu, dhe me pjesën e e sipërme të trupit nga jugu, i vendosur në pozicionin përmbys. Shtetasi i aksidentuar ka pasur të veshura një palë këpucë, pantallona kadife ngjyrë kafe, rrip mesi, triko-pulovër me ngjyrë jeshile, pjesa e sipërme e trupit qëndronte e vendosur, e mbështetur mbi platformën në formë drejtkendeshi të baxhës, dhe koka dhe të dyja duart nuk dalloheshin. Në pjesën anësore, nga e djathta e mjetit, është konstatuar mbi sipërfaqen e tokës, një njollë e kuqe, si ajo e gjakut, në formë rrëkeje, e cila vazhdonte në drejtimin jug-lindor, te e cila me tampon steril është marrë një mostër për ekzaminim biologjik. Pas lëvizjes së automjetit është nxjerrë kufoma e seksit mashkull, e cila për shkak të dëmtimeve masive në pjesën e kokës dhe fytyrës, ka qenë e pamundur të identifikohej. Në vijim kufoma është dërguar me autoambulancë në morg. Janë gjetur një palë syze optike me një bisht, një pip plastik cigare, pa cigare, një paketë me ilaçe-tabletë, me mbishkrimin “Nebilet” dhe një bustinë “OKI”.

Shkaku i aksidentit

Sipas ekspertimit autoteknik, shkaku determinant teknik i ndodhjes së aksidentit janë shkeljet e kryera nga drejtuesi i autoveturës dhe konkretisht: 1.Neni 139 Kodit Rrugor, “Shpejtësia”, ku mes të tjerave thuhet se “drejtuesi i mjetit duhet të rregullojë shpejtësinë në pjesët e rrugës me fushëpamje të kufizuar, të treguar me sinjale të caktuara, në pjerrësi të forta, në kalime të ngushta ose të rënduara, etj”. 2.Neni 144 i Kodit Rrugor “Mosrespektimi i sinjalizimit rrugor”. 3.Neni 170 i Kodit Rrugor, “Përdorimi i rripave të sigurimit dhe sistemeve të fiksimit”.

Shkaku i vdekjes

Nga akti i ekspertimit mjeko-ligjor jepet konkluzioni se: 1.Te kufoma e shtetasit Sokol Olldashi u konstatua trauma e rëndë kafkotrunore, karakterizuar nga thyerje të shumta të kockave të kokës, e shoqëruar me mungesë të indit kockor, konfuzion (shembje) e rëndë e trurit, e shoqëruar me mungesë të indit trunor. Plagë dërmishje dhe ekimoza. 2.Këto dëmtime janë shkaktuar me mjete të forta, karakteristike për traumat automobilistike. 3.Shkaku i vdekjes së shtetasit Sokol Olldashi ka qenë shoku i rëndë traumatiko-hemoragjik. Në gjakun e viktimës nuk u konstatua prania e alkoolit etilik.

Gjendja e rrugëve dhe dëshmitë që vërtetuan aksidentin me vdekje

Rruga në këtë segment ka qenë e asfaltuar, në gjendje të rregullt, pa vijëzime horizantale, me gjerësi 7m, ka bankinë në anën lindore me gjërësi 2-2.5m, dhe nga ana perendimore ka qenë kanali kullues i ujrave. Rruga në këtë pjesë ka pasur një pjerrësi 2-5%, planimetria e rrugës ka qenë një kthesë me tendencë majtas sipas lëvizjes së mjetit me kend 90*. Skarpata veri-lindore ka pasur një pjerrësi pothuajse vertikale, dhe sipërfaqja e saj ka qenë e mbuluar me shkurre të dendura, distanca nga kufiri i karrexhatës deri tek rruga për tek varrezat dhe xhamia e fshatit Mushqeta ka qenë 14.2m. Rruga e varrezave ka qenë e paasfaltuar, ka pasur një gjerësi maksimale 5.9m, në anën jug-perendimore ka qenë një kanal kullues. Në skarpatën lindore të kanalit kullues mbi sipërfaqen e mbjellë me bar, janë fiksuar disa mbetje plastike si ato të sinjaleve të automjetit, me ngjyrë të kuqe dhe të bardhë, të thyer në mënyrë të çrregullt, të ngjashme si ato të stopit të pasëm të automjetit “Mercedes benz”. Në lidhje me këtë ngjarje janë pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale shtetasit H. Lami, E. Çumani, K. Kullolli të tre punonjës policie, Igli Cara, deputet në Kuvendin e Shqipërisë, B. Begolli, M. Bala, mjeku i urgjencës së Tiranës, H. Sallufi dhe L. Sallufi, banorë të fshatit Mushqeta të cilët kanë dhënë deklarime për rrethana të ngjarjes. Nga tabulatet telefonike rezulton se deklarimet e bëra nga shtetasi B. Begolli përputhen plotësisht me qelizat e vendndodhjes së tij në momentin e ndodhjes së ngjarjes.

KOMENTE