Kryetari i komunës së Qelëzës në Pukë, Fatmir Balaj, në një intervistë për gazetën “Shekulli” ka sqaruar arsyet e dorëheqjes së pjesës më të madhe të kryesisë së rrethit të Pukës dhe të atij personalisht. Balaj pretendon se kryetari i ri i rrethit të Pukës së bashku me një rreth njerëzish të ngushtë po e përdorin Partinë Demokratike për interesa të dy familjeve. I pari i komunës së Qelëzës saktëson se kryetari i ri po shkel statutin e PD-së dhe po përgatitet që në zgjedhjet vendore të 2015 të kandidojë vetë për kryetar të bashkisë së Pukës. Më tej, Balaj ka shpjeguar se para dorëheqjes tyre, i kanë nisur një kërkesë kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha, për tu ballafaquar dhe për t’i shpjeguar shkeljet dhe situatën që ka prekur PDnë e Pukës, por sipas tij, Basha nuk ka denjuar t’iu kthejë përgjigje. Ai thotë se ai dhe kolegët e tjerë të tij, nuk do të largohen nga PD-ja, por se vetëm nga kryesia e saj. Balaj tha se grupi i kryesisë së dorëhequr do të protestojë dhe nuk do të dorëzohen deri sa të largojnë kastën inkriminuar që ka instaluar nepotizmin në PD-në e rrethit të Pukës.
Zoti Balaj, dy ditë më parë ju dhe disa nga figurat kryesore të kryesisë së PD-së së Pukës keni dhënë dorëheqje nga strukturat e kryesisë së saj. Çfarë ju shtyu të jepnit dorëheqjen?
Çfarë kemi pasur për të thënë i kemi sqaruar me anë të deklaratës që kemi dhënë dhe nuk kam asgjë tjetër shtesë. Është shkelur statuti i partisë me dy këmbë.
Cilat ishin pakënaqësitë dhe çfarë kishte që nuk shkonte në kryesinë e PD-së së rrethit të Pukës?
Një nga problemet kryesore, përveç problemeve të tjera ishte ai që ka lidhje me verifikimin e mandateve. Pastaj qëndron dhe një problem tjetër, që Partinë Demokratike nuk mund ta udhëheqin disa familje. Është një parti që ka nevojë për zgjerim, për të gjithë elementët dhe jo për t’u ngushtuar në dy tre eksponentë. Janë vendosur në krye të partisë njerëz që nuk kanë dhënë asnjë kontribut.
Çfarë do të bëni tani, do të largoheni nga të gjitha strukturat?
Ne jemi larguar nga kryesia e Partisë Demokratike, por jo nga PD-ja. Partinë Demokratike nuk e bëjnë as kryetari dhe as njerëzit që zgjidhen nga ai. Ne mbetemi në Partinë Demokratike.
E keni adresuar shqetësimin tuaj dhe në Tiranë dhe a keni njoftuar kreu demokrat Lulzim Basha?
Ne kemi hasur në një heshtje që është e pakuptueshme për mua. Pasi ne jemi përfaqësues të 6 njësive, jo një, por gjashtë. Dhe ky nuk është numër i vogël, që mund të mos merret në konsideratë. Janë shkelur parimet, dhe ka probleme këtu. Nuk kemi marrë përgjigje nga Basha. Kemi pritur që ai të na kthente përgjigje por deri tani nuk dhënë xhevap.
Pas tri ditësh mbahet Konventa Kombëtare e Partisë Demokratike, çfarë prisni dhe a ju kanë ftuar të merrni pjesë?
Ne s’kemi asnjë lloj njoftimi dhe asnjë lloj ftese. Çdo gjë që dimë rreth kësaj konvente e kemi mësuar nëpërmjet informacioneve të medies. As nuk e dimë se kush do të jetë aty për të votuar. Ne realisht nuk kemi asnjë njoftim, asnjë prononcim dhe kjo gjë na vë në dyshim, se si ka mundësi të ndodhë një gjë e tillë. Nuk jam ftuar, as unë edhe as zgjedhësit që unë përfaqësoj. Nuk kemi një njoftim zyrtar.
Reagimet i qytetarëve dhe militantëve të Partisë Demokratike pas dorëheqjes tuaj?
Faktikisht njerëzit na njohin, dhe njerëzit janë shqetësuar pasi kjo nuk është një gjë e mirë. Unë personalisht prej vitesh jam anëtar i Partisë Demokratike. Stafi im, por edhe zgjedhësit janë të shqetësuar për heshtjen. Duke marrë parasysh dhe kontributin që unë kam dhënë deri tani dhe këtë e dinë të gjithë. Por nga ana tjetër deri tani kishte dhe një lloj shprese, që pas goditjes së 23 qershorit, Partia Demokratike do të bënte një lloj analize për të parë gabimet dhe për t’u përmirësuar. Dhe të fillonim ta ndërtonim nga A-ja. Gjë që nuk u bë.
A u bë një analizë e tillë nga kryetari i sapozgjedhur?
Jo. Absolutisht asnjë lloj analize apo debate që do të ndihmonin në këtë drejtim nuk janë bërë. As për të parë se cilat janë mundësitë për përmirësim, apo për afrimin e figurave të reja, pasi Partia Demokratike ka pasur kërkesa. Por me sa po kuptoj unë, gjërat po shihen në një këndvështrim tjetër. Pasi këtu po luftohet për kandidatura individuale, pra po luftohet për të qenë kandidat.
Në zgjedhjet e 2015-ës, do e mbështesni Partinë Demokratike ?
Patjetër. Është minimumi që mund të bëjmë të gjithë. Ne kemi qenë dhe do të qëndrojmë mbështetës të PD-së. Ne nuk jemi kundër Partisë Demokratike por jemi kundër drejtuesve lokalë dhe politikave familjare që janë instaluar në kryesinë e re. Ne po shpresojmë që kreu i PD, zoti Basha të bëjë një analizë të situatës në rrethin tonë dhe të na dëgjojë kërkesat tona për parregullsitë që pretendojmë se ekzistojnë këtu.
Cili do të jetë hapi i radhës që do të ndiqni?
Aktualisht ne po presim një shenjë nga kryetari i partisë, pasi ne nuk kemi pasur fatin të flasim konkretisht me zotin Basha. Pra presim një ftesë nga ana e tij. Në mënyrë që dhe ai të njohë nga afër problematikat.
Kryetari i sapozgjedhur ka kontribut në PD-në e Pukës?
Ai ka qenë nënkryetar i Partisë Demokratike, por s’është askushi, dhe është nga Tropoja, pra nuk është pukjan. Është respektuar më shumë se duhet në Pukë. Dhe arriti të zgjidhet kryetar duke përdorur të gjitha mënyrat e mundura, deri sa ia arriti të zgjidhej.
Vonohet publikimi i udhëzimit, Halimi i jep dorën e fundit
Kur na ndajnë edhe dy ditë na fillimi i Kuvendit Kombëtar Lulzim Bashës vijon ta mbajë “të ngujuar” udhëzimin që qartëson mbarëvajtjen e zgjedhjeve dhe pozitën e kryetarit të PD-së. Burimet brenda PD-së bëjnë të ditur se udhëzimi i është lënë në dorë deputetit demokrat Eduart Halimi, për të kuruar detajet e fundit. Ndërkohë nga sekretariati i PD-së mësojmë se për hollësitë që përmban udhëzimi janë informuar të gjithë delegatët që do të jenë të ftuar në datën 27 dhe 28 shtator në Tiranë, për të votuar dhe zgjedhur këshillin prej 100 anëtarësh. Sipas burimeve të besueshme brenda PD-së, Basha u ka shpërndarë udhëzimin vetëm personave të tij të besuar dhe eksponentëve të lartë të PDsë. Përjashtim bëjnë vetëm emrat e grupit të deputetëve të njohur si garda e vjetër e PD-së. Me vonesën e udhëzimit Basha po mundohet t’i zërë të papërgatitur dhe t’i pamundësojë senatorëve zgjedhjen në kryesinë qendrore. Afati i udhëzimit i ka kaluar të gjitha limitet. Ai është dashur të publikohet 10 para mbajtjes së Konventës, në mënyrë që të delegatët dhe kandidatët të përgatiteshin për hollësitë e zgjedhjeve. Ndërkohë që zgjedhjet na ndajnë dhe dy ditë nga zhvillimi i tyre dhe gjasat që ai të publikohet janë shuar, pasi janë shkelur të gjitha afatet. një variant që qarkullon brenda PD-së është se udhëzimi po mbahet larg vëmendjes së medieve dhe i është dhënë pjesës më të madhe të delegatëve që do të votojnë.
PD-ja e Pukës, intriga, familjaritet dhe sekserë për blerje votash
Lënda:
Kërkesa për kontestimin e zgjedhjeve për kreun e degës së PD-së Pukë
Drejtuar: Komisonit Zgjedhor të PDSH- së Tiranë
Për dijeni: Z. Lulzim Basha kryetar
Kordinator i PDSH-së për Pukën Z. Mexhid Cungu
1. Të shqetësuar nga problematikat e ndeshura në procesin zgjedhor të zhvilluar për strukturat e degës së Pukë, për shkak të deformimeve të qëllimshme një grup drejtuesish të njësive vendore dhe të strukturave të PD-së dega Pukë, vendosëm tu drejtohemi me këtë shkresë për këto problematika të konstatuara.
2. Nuk është zbatuar Udhëzimi nr. 1 datë 10.04.2014 të PDSH “Për organizimin e zgjedhjeve të reja në strukturat e PD-së”, për përcaktimin e delegatëve. Kryesia e PD-së, sipas udhëzimit ka detyrë të caktojë numrin e delegatëve në çdo seksion, mbështetur në formulën e caktuar, gjë që nuk është bërë asnjëherë. Seksionet dhe grup seksionet kanë sjellë gjithsej sipas formulës 158 delegatë. Tri ditë para votimit u la të bëhen 176 delegatë nga grupseksionet, plus kryesia e vjetër e PD-së dhe 18 delegatë nga dy forumet. Ditën e votimit erdhën 220 delegatë me pretendimin e mbushjes së sallës.
3. Grupseksionit Fushë Arrëz i është dhënë numër i shtuar delegatësh jashtë çdo formule dhe ko krejt e verifikueshme.
4. Të drejtat e votimit për drejtuesit e strukturave të reja e kanë patur vetëm persona që kanë plotësuar formularin e ri të anëtarësisë, gjë që nuk është respektuar as në seksione por as për kryesinë dhe kreun e saj. Në listën e delegatëve të kuvendit janë futur 15 delegatë që nuk janë anëtarë të PD-së, sipas bazës së re të të dhënave për anëtarësinë e PD-së (gjë që është lehtësisht e verifikueshme) vetëm me qëllim të komprometimit të rezultatit të votimit.
5. Delegatët e grupseksionit të Fushë- Arrëzit nuk janë sipas procesverbaleve të zgjedhjeve në seksione, por sipas dëshirës së individëve të caktuar në interes të paracaktimit të rezultatit duke i falsifikuar ata. (lehtësisht e verifikueshme pasi personat që kanë format nuk i kanë firmosur dhe për këtë dhe dëshmojmë). Delegatët në këtë grupseksion janë paracaktuar me lidhje nepotike me qëllim paracaktimin e rezultatit. (Vetëm me një mbiemër janë tetë vetë dhe me dhëndurët, nipër e mbesa kalojnë 20).
6. Është ndikuar nga drejtuesit e institucioneve që të pengohet pjesëmarrja në votim nga personat që kanë dyshuar se nuk do të votojnë në drejtimin e kërkuar, pasi ka qenë e angazhuar PS dhe deputeti i saj në përcaktimin e kryetarit të ri, duke angazhuar dhe sekserë për blerje votash. E gjithë kjo që shënuam më lart nuk është se ne kemi simpati për një kandidaturë tjetër, por jemi të shqetësuar se i gjithë ky mekanizëm nga struktura brenda PDsë dhe jashtë saj duke ndikuar fuqishëm për qëllime të mëvonshme ka tronditur thellë gjithë pjesën e shëndoshë të PD-së së degës Pukë. Ne kontestojmë këtë rezultat dhe kërkojmë takim urgjent për të diskutuar këtë çështje që rrezikon seriozisht degën tonë. Kërkesa është firmosur nga 10 anëtarët e degës së PD-së në Pukës.