English

Insektet, sëmundjet dhe ndryshimet klimatike

Msc. Endri Haxhiraj - Sot është një ditë vjeshte dhe presim që gjethet e rëna të krijojnë atmosferën me ngjyrë kafé që shtrohet si tapet për të pritur dimrin. Realiteti na paraqitet larg me ndjeshmërinë tonë. Është ende vapë, thatësirë dhe natyra që gumëzhin. E gjithë kjo nuk është më vetëm një skenar i ndryshimeve klimatike të parashikuar nga organizatat ndërkombëtare por një e vërtetë që po ndodh. Dimri është i shkurtër dhe “i ngrohtë”, për pasojë natyra po e ndjen gjithmonë e më pak nevojën e gjumit letargjik. Pse ndikojnë ndryshimet klimatike tek insektet dhe sëmundjet që ata mbartin? Insektet nuk kanë kontroll mbi temperaturën e tyre fiziologjike dhe temperatura e ambientit përcakton normën e tyre të riprodhimit, çka do të thotë se me ngrohjen e tokës ato do të riprodhohen më shpesh e do të zgjerohet shpërndarja e tyre në një vend. Temperaturat e ngrohta do të favorizojnë më shumë përhapjen e mikroorganizave të rrezikshëm brenda insekteve. Ka edhe efekte të tjera që ndikojnë në përhapjen masive dhe në kohë të insekteve sikurse rritja e nivelit të detit ose “pushtimi i tokës nga përmbytjet” që mund të eliminojë disa vendndodhje mushkonjash (momentalisht) por krijon vendndodhje të reja në vendet ku ka sasi te konsiderueshme kripe deti dhe ujë të ndenjur. Gjithashtu edhe zgjatja e kohës së vegjetacionit çon ne rritje te vendeve te pushimit për insektet, p.sh. mushkonjat meshkuj ushqehen kryesisht me limfën e bimëve dhe për pasojë janë më të disponueshëm për t’u riprodhuar. Një faktor tjetër është sjellja e njeriut që ka gjasa për të ndikuar negativisht. Rritja e udhëtimeve dhe tregtisë ndërkombëtare sjell importin aksidental të insekteve. Shembulli tipik janë mushkonjat që përhapen në zona të reja duke i pushtuar e duke sjellë shtimin e sëmundjeve. Dëshmitë aktuale sugjerojnë se ndryshueshmëritë e klimës ndërvjetore dhe ndërshekullore, kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në epidemiologjinë e sëmundjeve të transmetuara nga insektet (vektoriale). Me rritjen e transportit ndërkombëtar dhe ndryshimet klimatike, rastet konkrete po ndodhin edhe në Shqipëri. Më i fundit është rasti i rishfaqjes se malaries ne Shqipëri që erdhi nga kont Afrika. Po me të njëjtin theksim mund të përmendim edhe rastet me ethet Hemorragjike të transmetuara nga rriqrat në Kukës. Ndryshimet klimatike mund të rrisin numrin e rriqrave dhe te rasteve të sëmundjeve që transmetohen prej tyre. Mushkonja tigër, (aedes albopictus) me origjinë nga Azia Juglindore është fenomeni më i zakontë i pushtimit gjithëvjetor të insekteve. Ajo është transmetuese potenciale e virusit të etheve tropikale dhe e virusit të Nilit Perëndimor. Për të vërtetuar ndikimin e ndryshimeve klimatike dhe përhapjen e insekteve, në një studim në Itali, kërkuesit përdorën kurthe për të parë se ku jetonin mushkonjat. Ata e krahasuar çdo ditë temperaturën sipërfaqësore të tokës për të vendosur se si katër faktorët e mjedisit do ndikonin në shpërndarjen e mushkonjave. Këto ishin: temperatura mesatare e janarit, temperatura mesatare vjetore, dendësia e popullsisë njerëzore dhe distanca e qendrave të popullsisë njerëzore.

Reshjet janë gjithashtu të rëndësishëm për mushkonjën tigër, por lagështia mesatare e zonës në studim ishte shumë më lartë se minimumi që mushkonjat kërkojnë (rreth 500mm në vit), kështu që nuk është përfshirë në këtë studim. Kërkuesit zbuluan se temperatura e sipërfaqes së tokës ishte faktori kryesor për parashikimin e përhapjes së mushkonjave tigër.

Në veçanti mushkonjat përhapen në zona me temperaturë mesatare janari nën 0°C dhe temperaturë mesatare vjetore të paktën 11°C. Rajonet malore, të tilla si Alpet, janë veçanërisht të ndjeshëm ndaj ndryshimeve klimatike, prandaj studiuesit përdorën edhe një skenar për të modeluar ndryshimet e klimës në të ardhmen për të modeluar ndryshimet e temperaturës në rajon deri në vitin 2050. Ata zbuluan se zonat e përshtatshme për mushkonjat mund të zgjeroheshin drejt veriut me rritjen e temperaturave. Transmetimi i sëmundjes varet edhe nga temperatura, kështu që rritja e temperaturave mund të bëjë më të lehtë për përhapjen e sëmundjet e bartura nga mushkonjat te njerëzit e zonës.

A ka insekte të tjera problematike?

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, rriqrat janë përgjegjës për transmetimin e më shumë rasteve të sëmundjeve të njeriut se çdo vektor tjetër i rendit të artropodeve në Amerikën e Veriut dhe Evropë. Studimet tregojnë se popullsia e rriqrave është në rritje. Ndryshimet klimatike mund të rrisin numrin e rriqrave dhe te rasteve të sëmundjeve që transmetohen nga rriqra. Temperaturat e buta te dimrit kanë efekte të rëndësishme në shpërndarjen e tyre.

Shumica e rriqrave që mund të ndikojnë në shëndetin e njeriut janë të rralla në mjedise të urbanizuara, por gjithnjë e më shumë ato do të jene me afër shtëpive tona ku mund të jetë krijuar një mikrohabitat me lagështi dhe me bar të lartë, psh., në kopshte. Tashmë është e dukshme se periudha lulëzuese dhe dalja e gjetheve ndodhin më pare në kohë, ndërkohë që rënia e gjetheve në vjeshtë po vonohet gjithmonë e më shumë. Sipas një studiuesi, Greenberg në librin e tij të vitit 1973 "Mizat dhe sëmundjet“, thuhet se miza shtëpiake musca domestica është e përfshirë në përhapjen e shumë sëmundjeve. Rritja e popullsisë së mizave gjatë ndryshimeve klimatike është për tu shqetësuar. Parashikohet se në varësi të ndryshimit klimatik në Angli popullsia e mizave mund të rritet ndjeshëm deri në 224%.

KOMENTE