Partia Demokratike po mban Kuvendin e saj Kombëtar, forumin më të lartë vendimmarrës, ku pritet të miratohen ndryshimet në statut si edhe të zgjidhet Këshilli Kombëtar. Kryetari Lulzim Basha foli para delegateve nga i gjithe vendin, per historine e PD-se, humbjen ne zgjedhjet e 23 qershorit si edhe kerkoi ndjesë, ndërsa nuk la pa fshikulluar edhe ish-ministra dhe ish-drejtues te larte te PD-se, qe u shkeputen nga zgjedhesit, gje qe sipas tij solli edhe humbjen ne zgjedhjet e 1 viti me pare.
"Unë ju kërkoj ndjesë me përulje. Para së gjithash qytetarëve shqiptarë, që mund të jenë të ndjerë të braktisur dhe kanë patur arsye të ndihen të zhgenjyër në pritshmëritë e tyre dhe bashkë me ndjesën dua t'ju deklaroj angazhimin, vendosmërinë, përkushtimin tim, përkushtimin për korrigjim në dritën e analizave që kemi zhvilluar dhe po zhvillojmë, të mangësive dhe gabimeve tona", tha Basha.
Fjala e plotë e Kryetarit Lulzim Basha në Kuvendin Kombëtar të PD
Të dashur delegate dhe delegatë të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike,
Të nderuar miq dhe të ftuar,
Zonja dhe zotërinj,
Jam i lumtur të jem me ju sot, në Kuvendin më të madh dhe demokratik të historisë së kombit tonë. Kam nderin të përshëndes mbi 7500 delegatë nga e gjithë Shqipëria si dhe miqtë dhe të ftuarit tanë, ne Kuvendin e Bashkimit, Kuvendin e Përtëritjes, Kuvendin e Nisjes së re.
Ky është takimi i parë në këto përmasa i ekipit të madh drejtues të Partisë Demokratike, duke filluar me kryetarin e seksionit me të vogël e më të largët e duke përfunduar me Kryetarin e Partisë.
E kemi thënë, e kemi vendosur së bashku dhe duam të mbetet e gdhendur në murin e vlerave tona se: Partia Demokratike janë demokratët, është anëtarësia!
Të gjithë jemi aksionerë të barabartë në këtë organizatë të lirë e të madhe politike.
Ajo që na ka mbledhur dhe na mban të bashkuar në këtë shtëpi politike është piksëpari dashuria për Shqipërinë, pasioni për të shërbyer përparimin, begatinë dhe integrimin e saj në Europë me idetë dhe vlerat tona që na dallojnë si parti popullore e qendrës së djathtë.
Jemi shumë, por “bashkë jemi më shumë”.
Kjo është një shprehje e vjetër shqiptare, shumë e bukur dhe shumë e thellë në kuptimin e saj, që më vjen ndërmend tani, teksa kam privilegjin të shoh dhe të shijoi nga kjo foltore këtë prani të gjerë, këtë pamje të mrekullueshme të bashkimit, këtë manifestim të çiltër të gëzimit dhe entuziazmit tuaj.
Ky entuziazëm është pasqyra më domëthënëse e një zhvillimi të ri, e një shprese të re, që është rindezuar dhe ka përfshirë demokratët në mbarë vendin.
Partia Demokratike ka dalë nga shoku i humbjes së vitit të kaluar. Partia Demokratike është ringritur.
Njëzet e katër vjet më parë ne shqiptarët shkruam një ndër faqet më të ndritura të historisë tonë. Ne iniciuam procesin e pakthyeshem të Shqipërisë së Lirë dhe Demokratike. Ne mbyllëm kapitullin qindra vjeçar të dhunimit të të drejtave tona dhe iu bashkuam udhëtimit të kombeve të lira të botës.
Ishte vërshimi i një populli që nuk pranonte dhunimin, diktatorët dhe ideologjitë e së keqes. Ishte dëshira shekullore për të jetuar të lirë, për t’u ndjëre zot të fateve tona. Nga kjo lëvizje mbarëpopullore u krijua Partia Demokratike. Pak parti i kanë rrënjet në mobilizimin më të madh të lirisë dhe ndryshimeve demokratike në historinë e vendit tonë.
Ne krenohemi me këtë gjenezë. Partia Demokratike ka hedhur themelet e të gjitha proceseve modernizuese postkomuniste. Ne hodhem bazat e drejtësisë, pronës, sipërmarrjes, lëvizjes së lirë, rilindjes perëndimore të vendit. Me vetëdije ne ndryshuam trajektoren historike të kombit dhe aderuam në vlerat mijëra vjeçare të qytetërimit perëndimor që shenjtërojnë liritë civile, politike, ekonomike dhe sociale të shqiptarëve.
Në këtë rrugëtim ne mbruajtëm traditën tonë, filozofinë e ekzistencës politike, të shkuarën, të sotmen dhe të ardhmen e aksionit tonë politik.
Kuvendet e mëparshme qëndojnë prara nesh si majat më të larta ku ka kaluar historia e Partisë Demokratike.
Ky i sotmi është një Kuvend që ka disa veçori në krahasim me ta.
Verën e vitit të kaluar, me vizionin largpamës dhe të përgjegjshëm për të hapur një cikël të ri, me drejtues dhe drejtim të ri në jetën e kësaj force politike, lideri historik Sali Berisha dha dorëheqjen si kryetar i saj.
Anëtarësia e gjerë zgjodhi për herë të parë me parimin një anëtar një votë kryetarin e ri.
Për mua ka qenë dhe është nder dhe përgjegjësi e madhe të marr drejtimin e një partie që ka shkruar faqet me të ndritura të demokracisë së re shqiptare, që ka lindur në flakën e idealeve pa mort të Lëvizjes Demokratike të Dhjetorit 1990, që ka patur në krye që në orët e para studentë dhe intelektualë flamurtarë, ku spikat prijësi dhe tribuni legjendar i lëvizjes studentore, Azem Hajdari, që është drejtuar në dy dekada trasformimesh e sfidash të mëdha nga Sali Berisha, personaliteti politik më i shquar që ka nxjerrë kjo forcë politike dhe Shqipëria e re demokratike.
Jam i vetëdijshëm se çfarë do të thotë të marrësh stafetën e kësaj historie në kohë të vështira. Por jam i vendosur dhe plot besim që bashkë me gjithë demokratët nga më i vjetri te më i riu, bashkë me qytetarët dhe zgjedhesit shqiptarë, të shkruajmë një histori të re suksesi të Partisë Demokratike për të mirën e Shqipërisë dhe gjithë shqiptarëve.
Partia Demokratike është sërish në qendër të skenës dhe zhvillimeve politike në vend, e përgatitur të shënjestrojë objektivin e rikthimit parti e parë, parti fituese.
Ka dalë dhe është ringritur Partia Demokratike nga humbja, jo si nga një ëndërr e keqe, jo si me magji, por duke menduar, duke reflektuar, duke analizuar, duke diskutuar, duke debatuar, duke venë gishtin me realizëm tek mangësitë dhe gabimet e saj, duke u përballur me qeverinë më antidemokratike që vendi ka njohur në 23 vitet e demokracisë, duke luftuar për vlerat dhe për ligjin, duke shikuar përpara.
Lidhja misionare më te ardhmen ka qenë dhe është vendimtare për të mbledhur e çliruar energji të reja, për të rifituar vetedijen dhe besimin e misionit, për të dalë sërish në ballë dhe për të udhëhequr shpresën e re të shqiptarëve.
Historia peshon në kujtesën dhe krenarinë tonë .
Arritjet peshojnë në përvojën tonë.
Mangësitë dhe gabimet peshojnë në vetëdijen dhe vendosmërinë tonë për t’u korrigjuar e përmirësuar.
Të gjithë këto shkrihen në një tek përgjegjësisë jonë politike për synimet dhe objektivat që kemi përpara.
Qeverisja tetë vjeçare e demokratëve – retrospektive.
Për dy mandate shqiptarët na besuan qeverisjen. Ne morëm pushtetin e një vendi të zhytur në korrupsion, si ne qeveri dhe në bashkitë kryesore. Në 2005 bandat më të mëdha kriminale ishin terrori i qytetarëve, vendi kishte dalë nga aksi i integrimit Europian dhe ekonomia rënkonte nga monopolet. Qeveria i kishte zënë shqiptarët prej fyti, i kishte mbytur me taksa dhe me klientelën e saj politike.
Partia Demokratike ktheu vendin në rrugën e mirëqënies dhe Europës. Në dritën e fakteve të pamohueshme, tetëvjeçari i qeverisjes sonë mbetet periudha e një ndryshimi të madh dhe të pakrahasueshëm në të gjithë treguesit e zhvillimit të vendit. Kjo ka qenë periudha e veprave të mëdha që do t’iu shërbejnë brezave, siç është rruga e Kombit dhe infrastruktura e re rrugore, periudha e një progresi historik në integrimin euroatlantik të vendit, që u kurorëzua me hyrjen në NATO, me heqjen e vizave për shqiptarët, me plotësimin e kritereve të marrjes së statusit të vendit kandidat në BE, i vonuar pa nevojë në kulisat politike të Partisë Socialiste. Ne demokratët jemi krenarë për këto arritje madhore. Jemi të bindur se gjithë shqiptarët i çmojnë e do t’i çmojnë gjithmonë sepse vërtetë kanë vulën e qeverisjes së Partisë Demokratike por i përkasin Shqipërisë, mbarë qytetarëve të saj dhe brezave.
Ne e evokojmë tëtëvjeçarin e qeverisjes tonë jo se kemi kulte, por kemi dhe dëshirojmë të kultivojmë kulturën e ruajtjes së asaj që është bërë mirë, të korrigjimit të asaj që është bërë keq, të përmirësimit dhe reformave të pandërprera.
Qeveria e Partisë Demokratike dhe koalicionit të qendrës së djathtë zhvilluan në 23 qershor 2013, zgjedhje të standardeve europiane. Ranë poshtë të gjitha fushatat viktimizuese, të shpifjeve dhe propagandës së shfrenuar të ish-opozitës se u cënohej vota. Zgjedhjet provuan të kundërtën. Pas humbjes së zgjedhjeve ne bëmë kalimin demokratik të pushtetit në duart e shumicës së majtë.
Analiza e humbjes
Prej rreth nje viti demokratët anembanë vendit analizuan faktoret e humbjës. Ne nxitëm lirinë e mendimit si një faktor bazik drejt së vërtetës. Një analizë që do të fokusohej vetëm të shkaqet e jashtme do të ishte e dëmshme. E padrejtë do të kishte qenë edhe analiza që rrëmon papushim në shkaqet e brendshme duke injoruar ndikimin e faktorëve të jashtëm. Kërkuam të ishim të ndershëm dhe të drejtë në analizat tonë të cilat nuk patën për qëllim të godasim kolegët, por të evidentojmë problemet, nuk patën qëllim të gjejmë koka-turku sepse kjo nuk është në filozofinë tonë. Duam të jemi të ndershëm me veten, kolegët dhe kundërshtarin.
Në dritën e qeverisjes njëvjeçare të koalicionit të majtë tashmë ka dalë në pah pesha e premtimeve false të kundërshtarëve. Gënjeshtrat elektorale të PS-së, një realitet i pranuar tashmë edhe nga zgjedhësit e majtë, na kanë lejuar të gjejmë ekulibrin e duhur në analizat tona, duke vlerësuar drejt çfarë ka qenë qëndrim kritik ndaj qeverisjes tonë dhe çfarë ka qenë mirëbesim njerëzor nga ana zgjedhësve.
Mijëra qytetarë, që janë joshur e mashtruar nga premtimet e legalizimeve falas, të shërbimit shendetësor falas, të listës së gjatë të lehtësimeve për njerëzit në nevojë, e tjerë e tjerë, sot ndihen të genjyer.
Manipulimi i zgjedhësve, shit-blerja masive e votës dhe efektet e krizës globale ndikuan në rezultatin zgjedhor.
Por rezultati do ishte tjetër, nëse ne do ishim treguar më të vendosur, më të bashkuar dhe më të përkushtuar në betejen elektorale. Ne nuk shfrytëzuam potencialin tonë real.
Në bisedat e hapura me demokratët anembanë vendit, në liri të plotë, me përgjegjësi dhe të vetëdijshem për rolin e të vërtetës, ne analizuam çdo detaj të ecurisë tonë. Në të gjithë piramidën partiake, që nga seksioni më i thjeshtë, në kuvendet e degëve, në forume, në komunikim te vazhdueshëm me qytetarët, ne kemi kërkuar se çfarë ka shkuar dhe nuk ka shkuar mirë në qeverisjen tonë, pse e morëm ate rezultat zgjedhor.
Demokratët kanë folur për këto shkaqe dhe janë dëgjuar. Në këtë kontekst unë po rradhis disa prej përfundimeve tona.
Thelbësore mbetet distanca e krijuar me qytetarin, distanca me bazën e partisë. Një pjesë e përfaqësuesve tanë në qendër dhe në periferi u lodhën nga qeverisja. Disa u ndjenë tepër të rëndësishëm për të dëgjuar qytetarët, për t’u marrë me problemet e njerëzve dhe fushatat elektorale.
Qeveria investoi për vepra të mëdha por disa nga përfaqësuesit tanë fjetën mbi dafina. Disa harruan se midis veprave me dobishmëri publike dhe qytetarit me problemet e tij personale, ka një hapësirë të gjerë ku përfaqësuesit tanë duhet të shërbenin me devotshmëri. Lidershipi demokrat duhet të ishte gjithnjë aty ku është jeta e njerëzve, aty ku është problemi i pazgjidhur, aty ku është papunësia, varfëria, përmbytja, shkelja e ligjit, diferencimi shoqëror, e të tjerë. A kemi qenë gjithnjë në lartësinë e duhur? Në mbledhje dhe konferenca të ndyshme janë përmendur raste ekstreme kur të zgjedhur të caktuar të Partisë Demokratike nuk janë parë asnjëherë në zonë gjatë katër viteve të legjislaturës së shkuar.
Në ngjashmëri me indiferencën e të zgjedhurve, drejtorë dhe zyrtarë vendorë janë sjellë në kundërshti të plotë me parimet dhe moralin e Partisë Demokratike. Njerëzit trokisnin për halle, disa prej nesh mbanin sehir nga xhamat e zyrave dhe makinave, duke i shërbyer rehatisë te tyre personale. Këtu nuk është fjala vetëm për distancën fizike me njerëzit, por më keq akoma, për të jetuarit në një botë paralele me qytetarët, deri në moskuptim të tyre. Kjo është distanca që nuk lejon të zgjedhurit të kuptojnë hallet, gjendjen shpirtërore të njerëzve dhe shoqërisë, mendimet e tyre për zhvillimet politike. Kjo në fakt është distanca e deformimit dhe asgjësimit të politikës.
Qarkullimi i elitave dhe i zyrtarëve politikë në kuvend dhe në qeverisje u ngadalësua gjatë mandatit të dytë. Këtu nuk kam parasysh qarkullimin si qëllim në vetvete por qarkullimin e përligjur nga perfomanca e dobët. Keshtu nisi nje zvetënim i shtuar në disa nivele dhe agjenci të qeverisjes, përfshirë zyrtarë politikë në rrethe dhe në qarqe.
Sundimi i ligjit çaloi në disa sektorë të rendësishëm të jetës publike sidomos nga fundi i mandatit të dytë. Kthimi i pronave nuk ruajti ritmet e parashikuara, legalizimet gjithashtu. Rastet e mitmarrjes, abuzimeve dhe korrupsionit që sipas demokratëve erdhën duke u shtuar me kalimin e kohës, kompromentuan besueshmërinë e premtimeve tona në sytë e publikut.
Rastet e arrogancës apo shpërfilljes ndaj situatës ku u gjend një pjesë e sipërmarjes së lirë në vend për shkak të efekteve të krizës globale nuk ishin sjellje të kostumit tonë politik si parti e nismës së lirë.
Fushata jonë elektorale u foli me shumë masave sesa individëve. Nje një numër jo i vogël i kandidatatëve tanë të siguruar nepër lista nuk i dhanë rëndësinë e duhur punës derë me derë, por u mjaftuan të dilnin në tribunat e tubimeve të organizuara nga partia në qendër.
Për të gjitha këto dhe për çdo mangësi tjetër, unë sot, në emër të Partisë Demokratike u kërkoj ndjesë nga kjo tribunë, me përulje, anëtarëve të Partisë Demokratike dhe para së gjithash atyre qytetarëve që janë ndier të braktisur dhe kanë patur arsye të ndihen të zhgënjyer në pritshmërite e tyre nga qeverisja jonë.
Bashkë me ndjesën dëshiroj t’u deklaroj angazhimin dhe përkushtimin tonë për korrigjim në dritën e analizave që kemi zhvilluar e po zhvillojmë, të mangësive dhe gabimeve tona.
Ringritja e partisë – demokratizimi dhe lidhja me qytetarët
Partia Demokartike e Shqipërisë ka mbetur partia më e madhe e qendrës së djathtë në Europën Juglindore, falë aftesive të saj për të kuptuar kohët që jetojmë dhe pulsin e Shqipërisë bashkëkohore. Në përshtatje me rrethanat specifike të kohës dhe momentit, Partia Demokratike:
-ka ditur të hapet;
-ka ditur të përballet;
-ka ditur të ribashkohet;
-ka ditur të qëndrojë në truallin e vlerave autentike;
-ka ditur të jetë e ndjeshme ndaj vlerave dhe kërkesave shoqërore.
Në boshtin e vet Partia Demokratike ka mbetur demokratike, e qendrueshme dhe fleksibël ndaj sfidave të kohës. Kjo është një trashëgimi e vyer, që duhet ta ruajmë dhe zhvillojmë me fanatizëm. Kemi detyrimin historik që forca jonë politike të qëndrojë alternativa kryesore e qendrës dhe qendrës së djathtë në Shqipëri.
Historia jonë na ndihmon në këtë drejtim. Ne demokratët kemi përvoja unike të ringritjes. Ne u ngritëm nga hiri pas daljes së parë në opozitë në vitin 1997. Ajo është një përvojë shumë e vyer jo vetëm për demokratët e çdo gjenerate, por edhe për politikën në përgjithësi. Qendresa epike e partisë tonë në katërvjeçarin e parë dhe hapja e saj në katërvjeçarin e dytë në opozitë, ështe nje leksion qëndrese, gjetjen e vlerave më të mira dhe rikthimi ne pushtet.
Kohët kanë ndryshuar - opozita e vitit 1997 nuk ngjason me opozitën e vitit 2013. Herën e parë partia doli në opozitë nga një rrotacion i dhunshëm që erdhi si ndërprerje e parakohshme dhe brutale e qeverisjes së saj. Herën e dytë, kemi dalë në opozitë nga një rrotacion normal i pushtetit, një humbje në fushën e hapur të betejës politike.
Ajo që duhet të kuptojmë drejt, serish janë koha ku jetojmë dhe pulsi i Shqipërisë reale. Mbi bazamentin tonë tradicional dhe ideor ne dëshifruam mesazhin që shqiptarët na dhanë në zgjedhjet e fundit parlamentare. Ne e nisëm punën atje ku gabuam – tek afërsia me qytetarin, tek mobilizimi i çdo demokrati. Ne iu kthyem rrënjeve tona si burimi i përhershëm i forcës, lirisë dhe progresit.
Ne praktikuam demokracinë direkte, parimin një anëtar një votë. Zgjedhja ime si kryetar i PD-së, ishte shprehje e vullnetit të anëtarësisë së gjerë të Partisë Demokratike. Lidhjen e drejtpërdrejtë me anëtarësinë ne e çuam më tej. Gjatë këtij viti, Partia Demokratike i dha pushtetin maksimal demokratëve. Të gjithë jemi pjesëtarë të barabartë në këtë organizatë. Që nga kryetari i partisë deri tek drejtuesi dhe anëtari i seksionit, të gjithë pa përjashtim janë e duhet të ndihen anëtarë të barabartë në këtë familje politike. Si në vendet më të civilizuara hierarkitë në Partinë Demokratike as jepen, as trashëgohen, por fitohen me punë, ndershmëri dhe votë. Besimi i anëtarëve dhe qytetarëve është në themel të konstruksionit tonë politik.
Kështu, me votën e anëtarësisë ne rinovuam të gjithë drejtuesit tanë në mbarë vendin. Kryetarët e rinj janë fryt i demokracisë direkte si në vendet më demokratike. Pjesa më e madhe në këtë kuvend jemi fryt i votës, fryt i lirisë së brendshme në PD. Modernizimin e partisë përmes votës së anëtarësisë ne e çuam përpara. Nuk mund të gjeni një forcë tjetër të ngjashme në këtë vend t’i ketë hyrë kësaj rruge. Ne do të vazhdojmë. Ne do ta shtrijmë vendimmarrjen e demokratëve për të gjithë të zgjedhurit dhe përfaqësuesit politike të PD-së. Forca jonë tek përkushtimi i gjithësecilit. Këtë energji të madhe ndryshuese ne duhet ta çlirojmë.
Reforma: Votë dhe shpërqendrim pushteti
Rezultatet e këtij koncepti të ri politik u panë në ripërteritjen e të gjithë degëve të Partisë Demokratike. Konkurenca dhe vota nxiten një pjesëmarrje të gjerë kandidatësh, çliruan ambicie dhe vlera pozitive nga secili prej tyre, krijuan një atmosferë të gjallë, shpirt gare të karakterizuar nga rivaliteti i forte, civil dhe etik. Në këto gara dolën fitues anëtarë të orëve të para dhe të viteve të fundit, demokratë me përvojë dhe rishtarë nga te gjitha gjeneratat. Zgjedhjet e lira prodhuan një harmonizim shumë të mirë të figurave te reja dhe figurave afirmuara. Ky harmonizim, fotografinë e gjallë të të cilit mund ta shohim sot në Kuvendin tone madhështor, nuk ka qenë dhe nuk mund të jetë i rastësishëm. Ai ka dalë natyrshëm jo vetëm nga nevoja që ka një parti në opozitë për të rinovuar ekipin drejtues, por edhe nga vetë natyra e Partisë Demokratike, si parti popullore e orientimit konservator-liberal, që udhëhiqet nga parimi i vlerave të qëndrueshme, i hapjes dhe rinovimit.
Konkurenca dhe vota e lirë, pavarësisht emocioneve dhe tensioneve të kuptueshme që përcjell gara, e kanë fuqizuar Partinë Demokaratike. Konkurenca dhe vota e lirë e treguan edhe njëherë epërsinë e tyre ndaj formave të tjera kalimtare të krijimit të hierarkive partiake, të promovimit të drejtuesve e përfaqësuesve politike. Vota e lirë peshon drejt, gjykon drejt. Edhe nese ndodh të gabojë për një arsye a nje tjetër, është e sigurtë se gabon më pak se vendimarrja subjektive e një njeriu apo disa njerëzve në krye të partisë.
Ne do i japim mundesi antaresise te zgjedhe perfaqesuesit, te reformoje eliten politike te partise. Ne kemi zgjedhur konkurencën dhe votën e lirë, kemi zgjedhur të delegojmë dhe ndajmë pushtet me te zgjedhurit dhe me anëtarësinë e gjerë. Do vazhdojmë te ndajmë përgjegjësi dhe bashkepërgjegjësi me të medha se sa sot.
Kjo duhet të jetë mendësia e çdo perfaqesuesi të Partisë Demokratike. Lideri qendron tek gjithesecili prej nesh, qofte ky kryetar, anëtar apo militant. Ne duhet ta shohim drejtimin jo si mbretërim i një kryetari, por si ndryshim që buron nga shpirti i çdo anëtari. Jemi pjesë e një fronti ku të gjithë duhet të ndjehemi misionare, të gjithë të marrin përgjegjësi dhe të japim llogari. Kështu Partia Demokratike do bëhet më e fortë, dinamike dhe frymëzuese për shqiptarët.
Ne duhet të rritemi, të meritojmë shumicën e votës popullore.
Të rritemi, të fitojmë, të ndryshojmë Shqipërinë!
Kjo është sfida jonë e përbashkët, sfida e delegatëve dhe pjesmarrësve në këtë Kuvend, sfida e gjithë anëtarëve të Partisë Demokratike, sfida e gjithë të zgjedhurve dhe drejtuesve të bazës, sfida e Këshillit të ri Kombëtar dhe ekipit të ri drejtues, sfida ime si kryetar i Partisë Demokratike. Ne do ndërtojmë mbi përfshirjen jo përjashtimin, mbi zgjerimin e jo mbi mbylljen, mbi përshtatjen jo ngurtësimin, mbi pushtetin e shumicës duke respektuar pakicën. Me këto parime do ndërtohet opozita sot dhe qeveria nesër. Ne do ta mbështesim fuqizimin tonë politik tek kapitali njerëzor cilësor. Me mekanizma demokratike ne do zgjedhim ata që dinë të dëgjojnë dhe nuk i tjetërson pushteti. Ne do zgjedhim shërbyesit e përulur të interesit publik. Demokrati i ndërshëm, i edukuar, me profil të lartë moral, i përkushtuar ndaj vlerave të familjes tonë politike, i gatshëm të luftojë për interesin publik, do jetë modeli i lidershipit tonë politik që do ndryshojnë partinë dhe vendin.
Ringritja morale – imperativ i zhvillimit
Të flasësh per moral dhe ideale demokratike tingëllon patetike dhe jashtë mode për oligarkët e fundit të Europës. Forcat e vjetra në Shqipëri kanë vënë në shënjestër ndjenjat e pastra dhe aspiratat demokratike të qytetarit. Ata duan të nënshtrojnë shpirtin e lirë të kombit. Ata duan të na mbushin mendjen se idealet janë arkaike, se qytetari nuk ka gjë në dorë, se sa rri e vret mendjen për ideale dhe përgjegjegjësi qytetare, më mirë te mbylle gojën, te ulë kokën dhe të presë të marri lëmoshën e baronëve të pushtetit. Qëllimi i baronëve të pushtetit është të dekurajojnë njerëzit, t’u vrasin besimin se janë ata sovrani, t’i gjunjëzojnë dhe të sundojnë duke blerë pushtetin me paratë e krimit. Kjo është fytyra e rrenimit por nuk na dekurajon. Ne u kemi mbijetuar edhe te tjereve para tyre. Të vazhdojmë në rrugën tonë. E ardhmja nuk u perket karaktereve te deformuara.
E ardhmja i përket ndershmërisë;
E ardhmja i përket moralit dhe integritetit;
E ardhmja i përket punës;
E ardhmja i përket i lirisë;
E ardhmja i përket së drejtës;
E ardhmja i përket shqiptarit të civilizuar europian.
Do t’i ndalim me çdo kusht. Le të ndezim me një pasion të ri zjarrin e idealeve demokratike, le të rrezatojë flakadani i pastër i këtyre idealeve në çdo shtëpi dhe zemër shqiptari. Të mos harrojmë: Asnjë komb nuk është ngritur mbi antivlerat; gjithçka të mirë që ka bota sot, e ka prej triumfit të moralit dhe lirisë.
Partia Demokratike – Shtëpia e Lirisë
Suksesi i botës moderne buron nga liria e qytetarëve të saj. Liri më e madhe në familje, në institucione, në punë, shkollë e kudo tjetër, është çelsi i suksesit tone kombetar. Ka ende shumë institucione në vendin tonë, përfshi shumë parti politike, që funksionojnë si kazerma në shërbim të kryetarit. Ne duhet t’i sfidojmë këto mbetje mesjetare. Partia Demokratike do të përpiqet të modernizojë shoqërinë përmes modelit të saj.
Çfarë na duhet konkretisht? Ne na duhet një parti moderne, edhe më demokratike, edhe më e bashkuar dhe më e hapur. Ne duhet të funksionojmë me rregulla loje të qarta, të barabarta, të zbatueshme nga të gjithë e për të gjithë, që ka në themel të vlerësimit dhe karrierës, konkurencën dhe votën e lirë. Ne duhet të funksionojmë si një organizëm politik i gjallë dhe dinamik në çdo qelizë të saj. Ne duhet t’u krijojmë mundësi anëtarëve dhe të zgjedhurve të çdo niveli të kontribuojnë, të mblidhen, të debatojnë të lirë, të vendosin së bashku, me kolegjialitet maksimal për çdo vendim që duhet marrë. Ne duhet të rrezatojmë shembullin e moralit të lartë në shoqëri, të jemi një shkollë politike e vlerave për të gjitha moshat (veçanërisht për rininë). Ne duhet të mbajmë lidhje dhe marrëdhenie të ngushta me qytetarët pa dallim, t’ju dalim zot sa herë është e nevojshme me qëndrimet tona politike, te marrim përsipër te permbushim aspiratat e qytetareve, te udhëheqim drejt një të ardhme më të mirë e më të sigurt.
“Partia Demokratike – Shtëpia e Lirisë” do të vazhdojë të marrë formë, të konsolidohet e të shtrihet nga Tirana në fshatin më të largët. Ne do të presim krahëhapur qytetarët dhe t’i intregrojmë menjëherë si të barabartë në sistemin tonë. Mendësia e partisë së mbyllur në një rreth të caktuar apo të përjetshëm emrash e mbiemrash nuk është mendësia jonë. Frika dhe paragjykimet se mos po na zënë vendin ata që vijnë nuk eshte gjykim i botes moderne. Nuk ka vend për askënd nëse kjo parti rrudhet. Prurjet e reja janë si oksigjeni për rigjallërimin tonë. Hapja është në traditën e PD-së. Ne duhet të hapemi për të gjithë njerëzit e ndershëm. Kush vjen, nuk vjen për t’i zënë vendin ndokujt, por për të rritur partinë, për të dhënë kontributin e tij në rrugën e politikës, për të kontribuar në zhvillimin e Shqipërisë.
Hapja për ne është një koncept më i gjerë se sa zgjerimi fiktiv i partisë me anëtarë të rinj. Hapja për ne do jetë një proces ndërveprimi me shoqërinë. Hapja është komunikim, bashkëpunim me qytetarët, me intelektualët, me sipërmarresit, me shoqërinë civile, me kategoritë e ndryshme shoqërore. Një parti e hapur në këtë mënyrë është një parti që jeton orë e çast me pulsin e Shqiperise bashkëkohore. Një parti që di të dëgjojë, di të reagojë, di të luftojnë në të mirë të qytetarëve është ajo që kërkojmë. Nuk duhet të harrojmë se demokratët janë më shumë se anëtarët e Partisë Demokratike dhe shqiptarët janë më shumë se demokratët. Koncepti ynë i hapjes është një koncept integrues për të gjithë njerëzit që shpresojnë e besojnë te Partia Demokratike, që ndajnë me ne pikpamje dhe qëndrime per çështje te ndryshme. Njekohesisht, hapja jonë duhet t’u dëshmohet si shprehje respekti edhe atyre që mendojnë ndryshe, edhe qytetarëve që kanë bindje të tjera politike. Ka hapësira për veprime të përbashkëta me çdo shqiptar. Në luftën kundër krimit në parlament, ne jemi bashkë me çdo shqiptar të ndershëm, i majtë, i djathtë apo asnjëanës politikisht.
Pagëzimi si shtëpia e lirisë, familja e njerezve te lire, u konsakrua me zgjedhjet e reja në parti që kaluan si një shkollë dhe festë demokracie. Mbi njëqind mijë demokratë në mbarë vendin diskutuan, propozuan dhe votuan drejtuesit e rinj, demokratët që kanë spikatur si figura me reputacion të lartë politik dhe publik. Ky lidership i ri jep garanci se do të zhvillojnë demokracinë e brëndshme në parti, se do të zbatojë me besnikëri statutin dhe programin e partisë, se do të respektojë diversitetin e mendimit, se do të drejtojë në frymën e kolegjialitetit dhe solidaritetit politik e njerëzor, se do të rrisi mbështetjen e publikut ndaj Partisë Demokratike. Një nga detyrat e lidershipit të është të afrojë dhe angazhojë pranë Partisë, intelektualë dhe profesionistë të zotë, të ditur e të përkushtuar nga të gjitha fushat, te hartojnë dhe popullarizojne alternative tonë të re sot dhe vënien e saj në zbatim nesër kur populli të na besojë qeverisjen. Kjo është partia e te gjithë demokratëve, e te gjithe shqiptareve të lirë dhe te ndershëm, por me shumë se kaq, është alternativa e pushtetit, është alternativa e ndryshimit të vertete, është pasuria politike e gjithë shqiptarëve. Me ketë vetëdije le te vazhdojme luften. Me kete vetedije te udheheqim vendin drejt lirise dhe mirëqenies për të gjithë.
Në këtë pikë duhet përcaktuar diçka: në Shtëpinë tonë të Liriëe nuk ka vend për të inkriminuarit. Ne do ta hapim Partinë Demokratike me një përjashtim. Ata që nuk do pranohen kurrë në partinë tonë jane individët e botës se errët të krimit dhe trafiqeve. Ata kane gjetur strehë diku tjetër. Por edhe atje nuk duhet t’i lëmë gjatë. Kriminalizimi i politikës rrezikon mbarë shoqërinë. Bashkë me qytetarët ne do ndërmarrim inisiativa për pastrimin e politikës dhe hapsirës publike.
Ajo që më ka bërë përshtypje pozitive në gjithë këtë diskutim kombëtar ka qenë përjetimi i humbjes pa ndjenjë disfatizmi nga ana e demokratëve. Ky është nje raport i drejtë dhe bashkëkohor me rrotacionin e pushtetit. Ne e kuptojmë si vlerë demokracinë. Ne e dimë se nuk ka humbje përfundimtare si ajo e Kartagjenes. Ne besojmë tek energjitë për t’u ringritur dhe për t’u nisur nga e para.
Megjithese jemi ne vitin e parë të opozitës, ka pasur nje vërshim të brezit të ri, te vajzave dhe djemve nga gjithë Shqipëria, për t’u anëtarësuar në Partinë Demokratike. Me te njejtin entuaziazem u rikthyen themelues të larguar, qindra mijëra anëtarë qe kanë mbajtur ndër vite peshën kryesore të angazhimeve partiake.
Ky nuk është një vershim oportunist por bashkim vlerash, shpresë dhe ndryshimi. Ne i sigurojmë se këtu nuk do zhgënjehen, se me Partinë Demokratike fiton çdo shqiptar, fiton Shqipëria. Të rinjtë erdhën e po vijnë për t’u pozicionuar politikisht kundër qeverisjes arrogante dhe arbitrare; erdhën dhe po vinë sepse duan të bashkohen e të ndajnë me Partinë Demokratike sfidat e kohës, erdhën e po vinë sepse besojnë te ne, besojnë se vendi, ata vetë dhe familjet e tyre do të kenë një të ardhme më të mirë, besojnë se mund të thonë më mirë fjalën e tyre përmes Partisë Demokrartike, besojnë se i kanë rrugët e hapura për të konkuruar e për të marrë përgjegjësi politike në Partinë Demokratike. Ne i ftojme te vijne te gjithe, kemi nevoje per cdo njeri qe jeton me ndershmeri, qe ka deshiren te ndryshoje dicka ne kete vend.
Entuziazmi i sotem është pasqyra më domëthënëse e një shprese të re, që është rindezuar dhe ka përfshirë demokratët në mbarë vendin. Partia Demokratike është ringritur në qëndër të skenës dhe zhvillimeve politike në vend, opozitë e fuqishme kundër qeverisë më antidemokratike që vendi ka njohur gjatë 23 viteve.
Anembanë vendit kanë kthyer sytë nga ne dhe presin forcimin tonë. Mbarë Shqipëria kërkon ndihmë, kërkon shpëtim nga kjo darë skizoide dhe korruptive e papërmbajtur që ka mbërthyer vendin. Nuk gënjehet kush nga bojërat dhe lulishtet, njerezit kërkojnë liri, punë dhe shance për mirëqenie.
Ne mbështetemi në modelin e lidershipit të forte por jo të dhunshëm, të lirisë jo abuzimit, të mirëqënies jo varfërisë, të sherbimit jo të sundimit. Ne bëmë gabime por ne nuk shkelëm vlerat për pushtetin, nuk u kriminalizuam, nuk blemë dhe nuk mashtruam për të fituar zgjedhjet. Demokratët treguan forcën e karakterit.
Qeveritë nuk janë zgjidhja por vetë problemi, thoshte Regani. Rëndon më shumë pesha e tyre kur janë të papërgjegjshme, me reflekse totalitare. Kur qeveria të del mbas çdo peme, mbas çdo vendi pune, kur ta merr shpirtin me taksa dhe arrogancë, kjo nuk është qeverisje por sundim. Një qeveri që bazohet tek polici jo tek bindja dhe frymëzimi nuk mund të krijojë demokraci të vërtetë, nuk mund të respektojë lirinë e qytetarëve nuk mund të zhvillojë vendin.
Çfarë ka ndodhur me qeverisjen Rama-Meta përgjatë një viti? Rrotacioni i pushtetit nuk u shoqërua me progres por me regres. Këta njerëz nuk ishin përgatitur për pushtetin. Këta njerëz ishin përgatitur per revanshin.
Revansh ndaj qytetarëve;
Revansh ndaj sipërmarrjes së lirë;
Revansh ndaj institucioneve të pavarura;
Revansh ndaj administratës;
Revansh ndaj policisë;
Revansh ndaj opozitës;
Premtuan mrekullinë dhe mbollën varferinë dhe pasigurinë. Në vitin e dytë të qeverisjes, premtimet e bujshme elektorale të Ramës janë harruar. Kryeministri iu kthye koktejit të vjetër të propagandës toksike.
Pritshmëritë i lanë vendin mosbesimit. Mos prisni rritje ekonomike – oligarkët nuk dinë të krijojnë pasuri kombëtare, por janë profesionistë në shkatërrim, ndarje dhe përvetësim. Kryeministri i tyre nuk e njeh përmbajtjen por vetëm formën. Si njëherë e një kohë specialiteti është propaganda. Në rrënjet e tyre fle gënjeshtra, si nëna e të gjithë të ligave. Gëzofi i rilindjes nuk mund të heqi zakonin e vjetër. Vesi thonë del me shpirtin. Gënjeshtra nga një ditë në tjetrën dhe kërbaçi në dorë, do të jetë e gjithë qeverisja e tyre.
Shikoni ç’behet çdo ditë - genjejnë dhe shkaterrojnë kudo ku venë dorën. Shkatërro shtëpi, biznese, institucione, jetën e njerëzve të thjeshtë. Degradimi ndihet kudo. Pasqyra më e saktë e mashtrim-shkatërrimit qeveritar është ekononia në përkeqësim, rendi në përkeqësim, rritja e papunësise, shpunësimi antiligjor, falimentimi i sipërmarrjeve. Shpresat e njerezve per nje jete me te mire po shuhen.
Në mbyllje të vitit të parë të kësaj qeverie njerëzit po pyesin e do të vazhdojnë të pyesin gjithnjë e më masivisht: A është ky ndryshimi për të cilin votuam?
Brenga është e madhe, tingulli i revoltës edhe më i madh. Mashtruesit që kapërdisen nuk i do më kush.
Për herë të parë këtë vit institucionet shtetërore raportuan se pagat në sektorin privat jobujqësor pësuan ulje nominale. Duke konsideruar edhe inflacionin, ulja reale ka qenë edhe më e madhe. Mbi 300 mijë te punësuar në këtë sektor dhe familjaret e tyre kanë sot nje buxhet familjar me të pakët se nje vit me parë e një pune me pak te sigurte.
Përllogaritet që niveli i jetës se tyre ka rënë me afro 7 për qind, pasojë e drejtpërdrejtë e politikave të gabuara qeveritare mbi sipermarrjen e vogël, të mesme e të madhe dhe e rritjes së taksave mbi konsumin, transportin, banesën, faturën aforfe të energjisë, etj. Viti i ardhshëm duket se do ta thellojë vështirësinë e jetesës së kësaj kategorie.
Afro 150 mijë punonjës buxhetorë dhe familjet e tyre sot jetojnë më keq se nje vit më parë. Pagat e tyre përgjatë një viti mbetën aty ku qenë në shtator 2013, ndërkohë që çmimet dhe taksat janë rritur e do të rriten në dëm të buxhetit të tyre. Perllogaritet qe niveli i jeteses se punonjesve buxhetore dhe familjeve te tyre vitin që kaloi ka rënë me afro 8 përqind.
Gjendja për fermerët shqiptarë është përkeqësuar dukshëm. Investimet publike në infrastrukturën bujqësore kanë pësuar një rënie drastike prej rreth 50 për qind. Ato nuk janë as sa gjysma investimeve publike të së njëjtës periudhë të një viti më parë. Grantet për prodhimet dhe investimet bujqesore janë zvogëluar ndjeshëm dhe janë kanalizuar kryesisht në përfitues klienteliste. Për mallrat bazë, familjet e fermerëve, njësoj si ato te qytetit, po paguajnë më shumë taksa për transportin, naften, punimet bujqesore shto këtu faturat aforfe për energjisë elektrike.
Ndërsa për gjendjen e mbi 500 mijë pensionistëve, qeveria Rama-Meta rezervoi vetëm indeksimin në bazë të infacionit dhe asnjë rritje të vetme. E ndërsa rritja çmimeve të disa prej produkteve bazë të konsumit është më e lartë se norma e inflacionit, kjo do të thotë që se situata për masës se pensionistëve është më e keqe se ka qenë.
Sot në Shqipëri të varfërit janë rreth 12% më shumë se një vit me parë. Kategorive të caktuara të familjeve e individeve në nevojë në Janar-gusht 2014 nuk iu është shpërndarë asnjë lek nga 400 milionë të planifikuara ndonëse shume familje kane patur veshtiresi. Shoqatat e personave me aftësi të kufizuar u preken në te drejtat e tyre perfaqesuese dhe u përbuzen nga qeveritarët që sot bëjnë dasma disaditore duke abuzuar me fondet e shtetit.
Qeveria ua bllokoi kompensimin ish të përdjekurve poltikë, ndryshoi rregullat. Iu dha vetëm një e treta e shumës së planifikuar, ndërkohë që vetë shuma është 12 herë më e vogël se vitin e kaluar.
Kthimi i pronave eshte kthyer ne teater. U bllokuan e po rishqyrtohen me mijera raste te perfunduara. Procesi i kthimit e kompensimit fizik eshte me i ulët se kurrë.
Gënjeshtrës më të madhe, legalizimit falas, i doli boja. Shakanë e 300 mijë vendeve të punës e ka për humor zyra kryeministrore, por jo qytetarët që jetojnë në ditën më të zezë. Gjendja e rendit dhe sigurisë publike është e mjerueshme.
Lulëzon vetëm propaganda, lulëzojnë vetëm reklamat në qeverisjen e sukseve virtuale të Edi Ramës. Ne kete pikë nuk mbetet asnjë hap prapa, madje ua kalon në stil parardhësve politikë të diktaturës komuniste që me cinizmin dhe injorancën e tyre tipike shisnin si parajsë për dekada më radhë mjerimin me të pashembullt. Mashtrim-shkaterrimet e qeverisë janë të mjaftueshme për ta vënë në bankën e kontestimit dhe gjykimit qytetar. Por dëmet nuk mbarojnë këtu. E paafte te perdore pushtetin e saj per të qeverisur ajo është turrur të zaptojë çdo pushtet tjeter. Goditen në mënyrë të programuar kolonat e sistemit demokratik, ndarja e pushteteve, pavarësia e institucioneve, zgjedhjet e ndershme, autonomia vendore, parlamentarizmi dhe bashkëjetesa demokratike.
Kriminalizimi i parlamentit dhe shtetit
Krahas regresit në bilanc, qeveria Rama-Meta ka edhe një regres te madh në botkuptim, me koncepte të rrezikshme për qeverisjen dhe demokracinë. Me sulmet te strukturuara kundër vlerave themelore, Edi Rama po zbaton zakonin e vjetër të fabrikimit te opozitave, në mohim e urrejtje te palës tjetër, sidomos te Partisë Demokratike.
Opozitën në demokraci nuk e përcakton pushteti por mbështetja e qytetarëve. Këtë gjë nuk e kanë kuptuar as i pari i shumicës, as aleati i tij. Kryepushtetari nuk mund të avanconte në ëndrrën e tij të çmendur të uzurpimit të insitucioneve dhe të anashkalimit te opozitës reale pa komplicitetin dhe votat e ortakut politik Ilir Meta. Ky cift antishtet po rrenon nje trashegimi te cmuar demokratike njezetvjecare duke e rrokullisur vendit drejt nje regjimi oligarkik.
Situata është shumë e rëndë. Partia Demokratike vjen në këtë Kuvend në një kohë kur grupi i saj parlamentar ka ndërprerë marrëdhëniet me Parlamentin, me tribunën më të fuqishme që kishim e dëshërojmë të kemi si opozitë, si forcë politike.
Për këtë çeshtje kyçe, që padyshim peshon rëndë në punimet e këtij Kuvendi, dëshëroj të nënvizoj se nëqoftëse Parlamenti i Shqipërisë Demokratike është e duhet të jetë aula e bashkjetesës, dialogut dhe përballjes politike civile mes shumicës dhe pakicës, tribunë e debatit dhe replikave mes palëve, atëherë jashtë parlamentit nuk jemi ne që kemi treguar me fakte, që nga dita e parë e kësaj legjislature, se kemi dashur e duam të diskutojmë e debatojmë, por janë ata, është qeveria oligarkike që nuk duron debatin, që nuk denjon ta dëgjojë opozitën, që nuk e replikon, por ka përcaktuar një politikë të kanosjes dhe ka krijuar repartin e dhunës fizike në Kuvend- një grup deputetësh me rekorde kriminale- për t’i mbyllur gojën opozitës, për të asgjësuar debatin dhe fjalën e lirë në Kuvend. Edhe pse rrinë brënda, ata janë jashtë me dhunimin e parlamentarizmit si praktikë dhe si vlerë. Ata mund të rrinë atje si në një shpellë, të flasin me vete e me njëri tjetrin, por parlamenti nuk është ndërtesë, nuk është një sallë. Parlamenti është demokraci, është bashkëjetësë, vlerë, është elitë e kombit, është përgjegjësi.
Së dyti, kemi marrë këtë vendim të dhimbshëm jo për shkak të një incidenti parlamentar rutinë që vjen nga ndonjë shpërthim i pakontrolluar, por për një arsye shumë më të thellë: jemi në kushte papajtueshmërie me një parlament dhe me një shumicë që nuk zbaton vendimet e Gjykatës Kushtetuese, me një shumicë dhe me një kryeministër që duke ngritur një strukturë dhunë me individë të sjellë enkas në Kuvend për të bërë xhandarin kundër opozitës, provokon dhe kërkon ose vetëgjyqësi, shkalafitje dhe damkosje të aulës së Kuvendit në sy të gjithë opinonit kombëtar e ndërkombëtar, ose konformizëm nga opozita. Por as vetëgjyqësia primitive, as konformizmi nuk janë në traditën dhe kulturën tonë.
Së treti, siç nuk jemi larguar për arsye meskine nga kuvendi, nuk kemi vënë kushte meskine për tu kthyer atje. E theksojmë: jemi në kushte papajtueshmërie më këtë Kuvend. Kërkohet një vetëdije e re për ta atakuar në themel, sot dhe përgjithmonë, problemin e madh të kriminalizimit të Kuvendit dhe administratës publike; kërkohet një reflektim dhe impenjim i madh, në radhë të parë i kryeministrit të vendit, që është autori numër një i kesaj situate. Më kot shkon me mendimin se opozita do të lodhet dhe do të kthehet e penduar në sallën e Kuvendit. Të mos presë kot, as ai, as suflerët e tij. Edi Rama duhet te flasë, duhet të bëjë një mea culpa të madhe për katranosjen që i ka bërë Kuvendit, në mënyrë që të krijohen premisat për të shkuar drejt një marrëveshjeje të rëndësishme mes shumicë dhe opozitës, që do të zgjidhte njëherë e mirë çeshjen e sovranitetit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, që do të zgjidhte njeherë e mirë çeshtjen e dekriminalizimit të Kuvendit të Shqipërisë dhe mbarë administratës publike, duke e çmontuar në themel dhe deri në burmën e fundit mekanizmin që promovon trafikantë, vrasës, pengmarrës në Kuvend dhe në poste publike.
Së fundmi, ka një rritje të mirëkuptimit nga faktori ndërkombëtar për arsyet e ndërprerjes së marrëdhënieve me Kuvendin nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike, sikurse ka një angazhim të shtuar të mjaft prej miqve dhe partnerëve tanë për të gjetur një zgjidhje të formatit të lartpertmendur. Ne e duam zgjidhjen. Ne duam të kthehemi në Kuvend.
Zonja dhe zotërinj
Në kushtet e përkeqësimit të gjendjes në mbarë vendin dhe konfliktualitetit në rend të ditës, Kuvendi i Demokratëve pritet me interes nga mbarë qytetarët shqiptarë. Vendi ka kthyer sytë nga opozita, nga Partia Demokratike dhe pret prej nesh zgjidhje, shpresë dhe perspektivë. Ne jemi sot ketu, per t’i treguar Shqiperise se na ka gati, si gjithmone per t’i dale zot, per pune te mira, per pune te medha.
Ne besojmë se themelet demokratike të shtetit i bashkojnë të gjithë shqiptarët. Ne nuk presim që shumica e majtë të përqafojë pikepamjet tona për politikat e zhvillimit por minimumi i bashkëjeteses demokratike kërkon respektimin e kushtetutes dhe parimeve universale të demokracisë.
Në asnjë vend europian shumica qeverisese nuk zapton administraten publike, policine dhe institucionet e pavarura.
Në asnjë vend europian nuk pushohen nga puna mijera profesioniste te burokracise dhe politizohet shteti me militantet e partise.
Në asnjë vend europian nuk refuzohet zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare.
Në asnjë vend europian shumica nuk i hap luftë institucioneve të pavarura, herë me akte antidemokratike, herë me kërcënime e dhunë verbale për t’i intimiduar, për t’i uzurpuar, për t’i detyruar të bëhen vegla të qeverisë.
Në asnje vend europian nuk bllokohen investimet e pushtetit lokal dhe sektoreve strategjike.
Në asnjë vend europian nuk zhduken nga harta administrative, pa konsensus politik dhe qytetar, institucionet e qeverisjes vendore.
Pseudoreforma territoriale është një shembull konkret i abuzivizmit, një tentative për të zhbërë demokracinë dhe autonominë vendore. Goditet parimi europian i subsidiaritetit qe kerkon nje demokraci vendimarrese sa me afer qytetarit. Harta antikushtetuese territoriale u hartua dhe u miratua pa konsensusin me opozitën dhe pa konsultuar qytetarët siç dikton kushtetuta dhe tradita demokratike e vendit për reforma të tilla.
Reformat nuk mund të perdoren si alibi për shkelje të vazhdueshme ligjore dhe kushtetuese, për shkelje parimesh demokratike dhe traditash konsensuale dhe gjithëpërfshirese. Reforma nuk është licensim për eliminim të shtetit ligjor dhe uzurpim të pushteteve.
Ne nuk do lejojmë të preken liritë dhe të drejtat e fituara. Ne nuk do lejojmë tiraninë e mazhorancave të mbarsura në paligjshmeri, të prekë të drejtën e vetëqeverisjes të njesive vendore. Ne nuk do lejojmë të zhduken nga harta 80% e komunave dhe bashkive pa miratimin e banorëve të zonave. Vota është mjeti paqësor më i fuqishëm në shoqëritë demokratike. Qytetarët kanë të drejtën kushtetuese të prononcohen për fshirjen nga harta e organizimit të tyre vendor.
Koha e dhunimit në emër të popullit, ka perënduar. Siç thoshte Tocqueville-i, kur refuzojmë t’i nënshtrohemi një ligji të padrejtë ne nuk refuzojmë të drejten e mazhorancës për të drejtuar, por, përmbi shumicën qendron sovraniteti i qënies njerezore, të drejtat tona të patjetersueshme.
Përballja me të keqen
Përballja jonë me këtë shumë shumicë legjitimohet edhe nga vetdelegjitimi i akteve të saj. E keqja nisi me rilindjen e rreme të 1 prillit. Goditja e parë iu dha integritetit te procesit elektoral. Kriminalizimi i zgjedhjeve përmes një fluksi të kandiduarish me rekorde kriminale, blerja masive e votes me para të pista, presionet edhe kërcënimet, manipulimet me procesverbalet nga shtabet e Partisë Socialiste, ishin shenjat e para te asaj qe do pasonte. Qeverisja vazhdoi ashtu siç u themelua - ne drejtimin e kundert me interesat e vendit dhe qytetareve. Qeveria Rama-Meta, hodhi mënjanë një nga një premtimet elektorale me të cilët morën votat, kontratën me qytetarët qe duhet të jetë libri i shenjtë i çdo qeverie. I flakën këto dhe iu sulen me një babëzi të shfrenuar që vazhdon si një kryqëzatë sot e gjithë ditën ndaj vlerave përbashkuese, institucioneve të pavarura dhe shtyllave të sistemit demokratik.
Si do t’u dalin para qytetarëve kur t’ju thonë se nuk hapen dot treqind mijë vende pune, nuk bënë dot investime, nuk rritën dot rroga e pensione, nuk bënë dot legalizme e shendetësi falas, nuk vendosën dot rendin dhe sigurinë që premtuan, por krijuan një shtet policor, unifikuan shtetin me qeverinë, tentuan te marrin në dorë frenat e drejtësisë, tentuan të eleminojmë opozitën.
Në këtë revansh të paparë ata kanë vënë në shenjestër dhe janë përplasur disa herë me ligjin themeltar të shtetit dhe me shumë ligje të tjëra fondamentale, që burojnë nga kushtetuta e vendit. Me shkelje dhe shmangie te sistemit ligjor, ata janë përpjekur të hapin të çara në korpusin e legjislacionit kushtetues për të kaluar projektin e tyre ogurzi të kapjes dhe nënshtrimit të institucioneve, të zevendësimit të shtetit ligjor me sundimin oligarkik, duke dalë gjithnjë e me dukshëm jashtë kuadrit kushtetues. E gjithë kjo ka qenë dhe është një kambanë alarmi për Partinë Demokratike, për opozitën në tërësi, për gjithë qytetarët shqiptarë, për partnerët tanë ndërkombëtarë.
Faqe aksionit antikushtetues të shumicës Rama-Meta për të instaluar sundimin e tyre oligarkik në vend, ne, Partia Demokartike dhe opozita nuk jemi menduar asnjë sekondë për tu dalë përballë, për të mbrojtur me çdo çmim demokracinë dhe shtetin ligjor.
Përballja jonë me qeverinë, për demokracinë dhe kushtetutën jo vetëm nuk është mbyllur por sot është në kulmin e saj. Ia vlen të ndajme me njeri-tjetrin edhe disa te vërteta te ketij regjimi. Te gjithë shqiptarët, miqtë e partnerët tanë të vërtetë, duhet ta njohin projektin oligarkik të ciftit Rama-Meta, rrezikun që ky projekt paraqet për vendin.
Asnjëherë më parë, as në kohërat e konfliktualitetit më të ashper politik mes qeverisë dhe opozitës, nuk kishte ndodhur të goditeshin ne menyre te njeanshme ligjet konsensuale. Sa pa u ulur në karriget e qeverise e inaguruan pushtetin me një akt të shëmtuar që do të kujtohet gjatë: me prishjen e konsensusit për ligjin e nepunësit civil. Prishja e pabesë e konsensusit të nëpunësit civil ishte edhe hedhja e dorashkës së parë në oborrin e opozitës, njoftimi i parë politikës “ jo bashkëpunuese, jo gjithëpërshirse, jo konsensuale”. Ketu filloi politika e eliminimit të bashkejetesës demokratike me opozitën, e konfliktit dhe përplasjes me të dhe me çdo zë tjetër nga bota e shoqërisë civile apo medias së lirë që nuk do t’u shkonte pas avazit.
Nuk vonoi dhe erdhi goditja e dytë, me vendimin e shembjes së ndërtimeve me leje, me alibinë se po merrnin nën administrim territorin, por duke inauguruar de fakto tritolpolitken si gjuhë të komunikimit me opozitën dhe qytetarët.
Pas kësaj, me alibi e justifikime lloj-lloj vunë në shenjestër dhe goditën pa mëshirë liritë dhe të drejta e shumë qytetarëve dhe sipërmarrësve, filluan sulmet e parreshtura për kapjen, zhantazhimin dhe nënshtrimin e institucioneve te pavarura, ndërmorën kufizimin arbitrar, në shkelje të ligjit dhe Kushtetutës të kompetencave të Presidentit të Republikës, duke ofruar arrogancën në vend të koabitacionit, po çojnë parpara në verbëri të plotë dhe në sfidë të plotë të standarteve europiane projektin e tyre për vënin nën kontroll të sistemit të drejtësisë, për zotërimin e privatësisë së shtetasve si në regjimet policore totalitare. Paligjshmëri per te kapur Inspektoriatin e Kontrollit te Pasurive, Keshillin e Larte te Drejtesise, Banken e Shtetit, kompetencat e Presidentit te Republikes.
Kjo është vetëm një pjesë e tablosë së revanshit absurd që na tregon një kryeministër dhe një shumicë që sillen sikur nuk e kanë marrë pushtetin me votë, por me luftë, sikur nuk janë palë politike që janë alternuar demokratikisht me palën tjetër, por një ushtri pushtuese, sikur nuk kanë marrë në dorë një vend të ndryshuar që ka ecur përpara në rrugën e zhvillimit dhe i ka shpëtuar në periudhën e krizës globale valëve të reçesionit ekonomik, por një vend të mjerë e të rrenuar në vitin zero.
Është dashur të kalojnë muaj e muaj që një opinion gjithnjë e më i gjerë vendas dhe ndërkombëtar të ndërgjegjësohet për këtë regjim me lakmi per pushtet absolut.
Sot, jo vetëm në vlerësimin tonë si opozitë por edhe mbare vendin po duket qarte konturimi i nje oligarkie tipike nga ato për të cilat ka folur me shumë shqetësim pak muaj më parë sekretari i Amerikan i shtetit, Xhon Kerry. Duke blerë vota, duke blerë shumicën e cilësuar prej tetëdhjetë e katër deputetësh, duke tentuar përmes diversionit dhe dorovitjes së shpërblimeve e privilegjeve fryerjen e metejshmë të shumicës oligarkike me deputetë që zgjedhësit i kanë votuar për të qëndruar përballë kësaj shumice, duke eliminuar mekanizmin e hetimit parlamentar, duke i hequr opozitës të drejtën kushtetuese për të hetuar qeverinë, duke vënë në zbatim një politikë të dhunës fizike për t’i mbyllur gojën apo për të pamundësuar veprimtarinë e opozitës në Kuvend, oligarkia, rregjimi i një grushti sundimtarësh, nuk është më një metaforë apo një rrezik në horizont, por një realitet i hidhur dhe i strukturuar me emra dhe mbiemra konkretë në qeverinë shqiptare të vitit 2014. Kjo është oligarkia Rama - Meta dhe një establishment i tërë me interesa apo rekorde deri kriminale, me pozicione dhe detyra të qarta, rreth tyre.
Çfarë duan nga ne? Nënshtrim dhe konformim të opozitës, më konketisht të Partisë Demokratrike si forca më e madhe opozitare në vend. Në pamundësi, dëshirojnë përçarjen e saj, zvogëlimin dhe dobësimin deri ne shpërbërje, duke dashur ta zevendësojnë me ndonjë pseudoopozitë të klonuar në kuzhinat e oligarkisë.
Skenari i fundit, kur po shohin se nuk ecen nënshtrimi a dobësimi i opozitës, eshte përplasja e dhunshme me të. Nuk do të na tërheqin në marrëzinë e tyre. Kjo nuk do të thotë se do t’u japim paqe, se do të pajtohemi me revanshin e tyre. Përkundrazi. Do të na kenë përballë dhe vetëm përballë deri sa të heqin dorë përfundimisht nga ëndrra e sundimit, nga ëndrra e restaurimit të pushtetit të etërve nga bijtë dhe çdo ëndërr tjetër që vjen në kundërshtim me kursin demokratik të vendit. Do të vazhdojmë të ndjekim rrugën ligjore institucionale të kundërshtimit të ligjeve dhe akteve antikushtetuese, do të mbështesim dhe inkurajojmë nga afër dhe pa rezerva institucionet e pavarura që janë thirrur në skenë të mbrojnë atë që i ka lindur, demokracinë dhe kushtetutën, të mbrojmë ekzistencën e tyre, të sotmen dhe të nesermen e Shqipërisë europiane.
Si forcë politike protagoniste e periudhës së demokracisë, ne kemi dhënë kontributin tonë të madh në krijimin dhe konsolidimin e këtyre institucioneve. Ne kemi besim të madh se siç ka ndodhur disa herë gjatë këtij viti, Gjykatat e vendit dhe ajo Kushtetuese në veçanti do të kthejnë mbrapsht në vijimësi, të gjitha aktet dhe tentativat antikushtetuese të qeverisë.
Megjithëse po ben dëme të mëdha në vend, oligarikia nuk ka të neserme, fati i saj është dështimi i sigurt, është humbja, shporrja. Sepse oligarkia është në papajtueshmëri me sistemin demokratik. Rama dhe Meta duan të qeverisin si pashallarë, si sekretarë të parë në një sistem përëndimor që funksionon mbi parimet e lirisë dhe ndarjes demokratike të pushteteve. Ata duhet të prishin demokracinë në themel për të realizuar ëndrrën e tyre, gjë që nuk mund ta bëjnë kurrë.
Pavarësisht nga kjo, pavarësisht se themelet e demokracisë janë të forta, ne as i kemi soditur, as i kemi përcjellë dhe as do t’i përcjellim duarkryq në aventurën e tyre. Për të mbrojtur Lirinë dhe Demokracinë, Partia Demokratike është e do të jete në çdo çast në lartësinë e historisë dhe misonit të saj. Fjala Opozitë, fjala e ndaluar në pesëdhjetë vitet e tiranisë komuniste, fjala që përmbledh historinë e përmbysjes së madhe të epokave nga dhjetori i vitit 1990 deri me 22 mars të vitit 1992, po tingëllon më e forte se kurrë në mendjen, në zemrën dhe në zërin e çdo demokrati, të çdo shqiptari si fjala që thërret për bashkim, për veprim dhe kundërshtim pa kushte të oligarkisë.
Aleanca jonë e re me shqiptarët ka objektiva të qarta demokratike.
Ne duam elita të painkriminuara dhe sjellje politike të qytetëruar.
Ne duam ndarje dhe balancim të pushteteve.
Ne duam konsensus dhe gjithëpërfshirje në çështjet thelbësore të ndërtimit të shtetit.
Ne duam shtet ligjor dhe drejtësi të pavarur.
Ne duam liri ekonomike dhe respektim të të drejtave të njeriut.
Ne duam liri të medias, shoqërisë civile dhe zgjedhje të lira e të ndershme.
Një Shqipëri e tërë në këmbë, nga Jugu në Veri, nga Lindja në Perendim nën flamurin e lirive të demokracisë dhe europianizmit, eshte qendrimi yne i patjetersueshem. Sic thoshte Kennedy, ta dije kushdo, ai qe na do te miren apo te keqen, se ne do paguajme cdo cmim, do mbajme cdo barre, do perjetojme cdo mundim, do mbeshtesim cdo mik dhe kundervihemi cdo kundershtari, qe te sigurojme mbrojtjen e demokracine dhe triumfin e lirise. Partia Demokratike do të udhëheqë këtë lëvizje te madhe popullore.
Forca jonë do bëjë diferencën me kundërshtarët. Pozitiviteti do bëjë shkëputjen e madhe nga ky mjedis i vjetëruar politik, i mbingarkuar me antivlera, urrejtje e armiqësi.
Demokracia e re – Alternativa e zhvillimit
Pushteti në një dorë politikanësh nuk ka qenë kurrë zgjidhja por nëna e të gjitha të këqijave. Pushteti në dorën e satrapëve është mjerim për jetën e qytetarëve. Kush më mirë se shqiptarët ka provuar abuzimin me pushtetin. Historia nuk duhet lënë të përsëritet. Çifti i oligarkëve që shkelin mbi partitë e tyre nuk duhen lënë të shkelin edhe mbi Shqipërinë.
Ne jemi këtu për t’i mundësuar çdo njeriu të zot kontributin në politikë. Reformat e PD-së do krijojnë kushtet e gjithpërfshirjes - modelin e ri që sjell ndryshimin.
Detyra jonë është te pengojmë revanshin antidemokratik të qeverisë, t’i sprapsim me forcën e ligjit dhe votës, duke forcuar aleancën me qytetarët shqiptarë, ne bashkëpunim të ngushtë me miqtë dhe partnerët tanë ne Europë dhe Amerikë.
Detyra jonë është t’i largojmë nga pushteti me mjetet e fuqishme që demokracia i jep opozitës dhe qytetarëve të lirë, t’i lëmë pas në vjetërimin e tyre dhe të oftojmë për vendin një nisje të re, një frymë të re, një alternativë të re, një ekip të përgatitur në lartësinë e sfidave dhe pritshmërive të kohes.
Detyra jonë është të hapim një faqe të re të demokracisë shqiptare, që trashëgon përvojën dhe arritjet më të mira te 20 viteve dhe që shikon përpara, drejt standardeve më të përparuara europiane.
Unë e ndjej, dhe ju të gjithë e ndjeni, thirrjen që vjen nga shpirti i Shqipërisë bashkohore për një Demokraci të re, per nje shoqeri te lire, per triumfin e te vertetes.
Në këtë luftë nuk jemi vetëm. Qindra mijë shqiptarë janë sot më të arsimuar se kurrë, me perëndimorë se kurrë. Qindra mijë shqiptare janë sot më të kualifikuar se shumë anëtarë qeverie apo parlamenti. Ata jane aleatet tane natyrale. Shqiperia jone eshte e njejte me Shqiperine e tyre. Formimi, kultura dhe synimet e njerëzve të lirë të çdo moshe, që kanë shijuar demokracinë në Shqipëri apo në vendet përendimore, jane sot me ne.
Demokracia e re është zotimi solemn për vendosjen e pajtueshmërisë organike midis ligjit dhe qeverisjes demokratike.
Demokracia e re është zotimi dhe lufta jone për të kapërcyer kontradiktat midis parimeve demokratike dhe praktikës abuzive te qeverisjes, si burimi kryesor i krizave, konflikteve dhe polarizimit shoqeror. Qeverisja duhet t’i bindet sistemit dhe jo e kundërta.
Kushtetuta të mos trajtohet më si një copë letër pa vlere por si themeli i shtetit dhe shoqërisë së lire. Asnje mazhorance sado numerike nuk mund te flase dhe vendose ne emer te popullit.
Vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk mund të diskutohen por vetëm të zbatohen pa kushte nga kryeministri, deputetët dhe kushdo tjetër që është subjekt i vendimeve.
Zgjedhjet e lira, ndarja demokratike e pushteteve, decentralizimi dhe autonomia vendore nuk mund të jenë fakultative por kolona të shenjta të sistemit demokratik, që shërbehen, por nuk mund të preken.
Liritë dhe të drejtat njerëzore, dinjiteti dhe personaliteti i individit nuk mund perdoren vetem për të zbukuruar fjalime demagogjike, por duhet të respektohen si vlera të shenjta që përcaktojnë epërsinë e demokracisë ndaj çdo sistemi politik hibrid.
Sundimi i ligjit nuk mund të jetë e nuk do të jetë një parullë, por një vijë demarkacioni që ndan shtetin ligjor nga sundimi autokratik.
Demokracia e re është zotimi dhe lufta jone për të sjellë një ndryshim të madh në atë që quhet kultura e bindjes ndaj ligjeve, e zbatimit të ligjeve nga subjektet publike e private, nga çdo qytetar, dhe mbi te gjitha nga qeveria. Një qeveri që nuk i zbaton, por i injoron dhe i shkel ligjet, prish shtetin dhe shoqërinë.
Shqipëria ka sot një korpus ligjor të standarteve përëndimore. Vendosja e kulturës së zbatimit të ligjit në gjithë piramidën shtetërore dhe shoqërore do të jetë momenti i një iluminimi të madh për vendin dhe qyetarët tanë.
Demokracia e re është përpjekja dhe premtimi ynë per reformat e modernizimit dhe integrimit europian, që mbështeten në vlerat e lirisë dhe respektimin e te drejtave njerezore. Liritë dhe Ligji janë dy shtyllat herkuliane të qendrës dhe qendrës së djathtë, që nuk bëjnë dot pa njëra tjetrën.
Demokracia e re është përpjekja dhe premtimi ynë për të sjellë një frymë të re bashkejetese dhe bashkëpunimi politik me forcat aleate, me shoqërinë civile, madje edhe me kundërshtarin duke ruajtur identitetet politike dhe shoqërore të çdo subjekti, në shembullin e bashkejetesës fetare në vendin tonë. Nuk ka kuptim që vendi model i bashkejetesës fetare ne shkallë botërore të mos arrijë të ndërtojë bashkejetësën politike normale; nuk ka kuptim që gjeneratat e reja politike të riciklojnë apo, akoma me keq, të përkeqësojnë konfliktualitetin politik te fillimit të pluralizmit.
Në ketë kontekst, demokarcia e re është përpjekja dhe premtimi ynë që duke ruajtur sekush identitetin e vet politik, të zhvillojmë nga një anë një konfrontim civil të pikampjeve, vizioneve dhe interesave respektive, nga ana tjetër të njohim, të respektojmë dhe të sherbejmë me vetedijë të lartë politike dhe atdhetare sektorin ku priten këto interesa, interesin e përbashkët të qyetarëve shqiptarë, interesin kombëtar.
Demokracia e re është përpjekja dhe premtimi ynë për mirëqeverisje që bashkon parimet e përgjegjesisë, trasparencës dhe llogaridhënies para qytetarëve. Qeverite që ngatërrojne me dashje llogaridhënien me propagandën nuk kane as formim demokratik dhe as suksese.
Demokracia e Re është përpjekja dhe premtimi ynë për demokracinë pjesemarrëse, si vlere e munguar e demokracisë se re shqiptare. Ne do punojme per një marrëdhenie të sinqerte me shoqërinë civile, me grupet e interesit dhe me qytetarët shqiptarë. Ne do te perfshijme zerin qytetar në vendimmarrjen politike. Ne do te harmonizojme qendrimet me opinion publik per reformen kushtetuese, zgjedhore dhe atë të fianancimit të partive politike. Ne do te luftojme te kthejme parlamentin ne aulën elitare të kombit.
Ne do të mbështesim Shqipërinë që punon e kërkon të punojë, krijon e kërkon të krijojë, prodhon e kërkon të prodhojë në bazë të nismës dhe konkurencës së lirë në një treg të brëndshëm, rajonal dhe global gjithnjë e më të hapur e kompetitiv. Ne do luftojme per taksa të ulta, taksa të pagueshme, taksa për të gjithë, taksa qe nxisin zhvillimin, prodhimin, rritjen e të ardhurave, rritjen e punësimit. Ne jemi per politika fiskale, që garantojne stabilitet dhe rritje, mireqenie per te gjithe, solidaritet real me shtresat në nevojë.
Në bashkëpunim me partnerët europianë ne do të përcaktojmë sektorët strategjikë, qe krijojne burimet me të mëdha e më të sigurta të zhvillimit në kushtet e hapjes, sektorët që përfaqësojnë avantazhin dhe markën tonë në hartën e shkëmbimeve, sektorët që japim me shumë se te tjerët për tregun vendas dhe te huaj. Shqipëria do të vazhdojë të prodhojë për nevojat e brëndshme, por përcaktimi i sektorëve strategjikë dhe vënia e tyre në efiçencë do të jetë momenti i një hopi cilësor për ekonominë dhe zhvillimin kombëtar.
Alternativa jonë është zhvillimi. Alternativa jonë është integrimi europian. Alternativa jonë është liria dhe mireqenia per te gjithe.
Politika jonë opozitare është bashkëpunimi për çdo nismë që përshpejton integrimin, qëndresë për çdo akt ligjor të shumicës që bie në kundështim me standardet e Bashkimit Europian.
Ky është misioni, kjo është thirrja e Shqipërisë bashkëkohore.
Ndryshe, per cfare jemi ketu, nese nuk i japim krahë me programin tonë zhvillimit te një shoqërie të drejtë dhe solidare në respekt të dinjitetin njerezor.
Për çfarë jemi ketu, nese nuk i japim vendin e nderit krijimit dhe punës së ndershme, për ta bërë këtë vend të sigurtë e te gëzueshëm për të gjithë.
Ky është misioni, kjo është thirrja e Shqiperise bashkëkohore.
Ne do thellojmë marrëdhëniet e veçanta të bashkëpunimit dhe mbështetjes me ish të përndjekurit politikë, me pronarët, me sipërmarrësit, me njerëzit e punes, me njerezit e lire në qytet dhe në fshat. Ne qender te aksionit tone politik do të jetë rinia dhe gratë shqiptare si potencialet më të mëdha të kohës për emancipimin dhe zhvillimin kombëtar.
Ne do t’i rrisim emrin, potencialin dhe dinjitetin Shqipërisë. Marrëdhëniet e ngushta strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, marrëdhëniet e ngushta dypalëshe dhe shumëpalëshe me vendet e Bashkimit Europian, me fqinjët tanë, me gjithë vendet demokratike, do rrisin të mirën e përbashkët.
Të dashur demokrate dhe demokratë,
Të dashur shqiptarë,
Shqipëria e së shkuarës po e mbyll ciklin e saj. Po vjen gjenerata e njerëzve të lirë, e njerëzve të ndershëm, e njerëzve të edukuar, e një lidershipi të vërtetë. Sundimtarët e rilindur të stampës së vjetër, shumë shpejt do i përkasin historisë, historisë tonë të errët. Nuk ka më vend për Shqipërinë e së vjetrës, e përdorimit të pushtetit si sulltanat.
Misioni ynë është t’ju japim shqiptarëve alternativën, mundesinë të bëjnë diferencën. Prandaj vota e çdo delegati ka rëndësi historike. Sot po reformojmë jo vetëm lidershipin e Partisë Demokratike, por po hedhim themelet e një epoke të re. Sot po zgjedhim përfaqësuesit që do luftojnë çdo ditë për shqiptarët. Sot po zgjedhim përfaqësuesit që besojnë se mireqenia, e drejta dhe demokracia janë të mira publike për të gjithë.
Shqipëria që ne duam të ndërtojmë nuk është luftë për pushtet por luftë për të ardhmen, luftë për mirëqënien, luftë për sigurinë dhe qytetërimin.
Të gjithe ne e shikojmë destinacionin, shikojmë tëj ne horizont tiparet qytetëruese të së ardhmes, besimin se ky vend do behet.
T’i ftojmë shqiptarët të bëhen pjesë e udhëtimit tonë drejt ndryshimit epokal dhe së bashku të luftojmë për të.
Për një vend me ekonomi të fortë ku çdo shqiptar realizon endrën e tij;
Për një vend ku secili sigurohet dhe kurohet me respekt;
Me shkolla qe formojnë elitare të klasit te pare;
Për nje vend ku mjeku, gjykatesi dhe funksionari paguhet denjesisht dhe nuk e shesin dinjitetin per leke;
Me një media të lirë që lufton për të vërtetën jo për shpërblimin e padronëve të kapur nga politika;
Me sipermarrje që lufton konkurencen globale dhe jo mbijetesën nga dara e politikës dhe krimit;
Për një vend ku gruaja respektohet dhe nuk diskriminohet, vritet apo dhunohet;
Me një rini dinamike që ndërton të ardhmen jo e përdorur për fushata dhe e braktisur mbas tyre.
Për një vend me qeveri diskrete që ndihmon por nuk sundon;
Nje vend me politikanë të civilizuar që i afrohen njeriut;
Një vend që jep drejtësi për të gjithë jo sipas xhepit dhe njohjeve;
Imagjinoni një vend që i afron botës mendjen dhe talentin e jo krahun e lirë të punës.
Ky vend nuk është ëndërr por ndryshimi që po afron. Ky vend është Shqipëria ime, Shqipëria jonë. Ështe misioni ynë hyjnor që dëshirat e shqiptarëve t’i kthejmë në realitet.
Le të jetë ky Kuvend preludi i rikthimit tonë si forcë e ndryshimit historik. Me busullën e shqiptarisë dhe europianizmit në mendje dhe në zemra, me shtytjen dhe bekimin e historisë sonë politike, me thirrjen e së ardhmes, me besim dhe organizim të ri, me energji dhe frymëzim te ri, me shpirtin e përballjes dhe më të bashkuar se kurrë me njëri tjetrin, me mbarë qytetarët shqiptarë, te nisemi rrugës se ndryshimit, rruges se lirise dhe mireqenies për të gjithë.
Nga ky Kuvend fillon nisja jonë e re!
Rroftë Partia Demokratike
Zoti e bekoftë Shqipërinë.