English

Përmirësim i kujdesit shëndetësor. Ndryshon ligji për akcizën e duhanit

Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Zhvillimit Ekonomik kanë vendosur të ndryshojnë ligjin për akcizën e duhanit dhe korrigjimin e regjimit fiskal për Bio-Dieselin, për t’i ardhur në ndihmë energjisë së gjelbër.

Deklarata për shtyp e Ministrit të Shëndetësisë z. Ilir Beqaj dhe Ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes z. Arben Ahmetaj, pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Ministrave - 1/10/2014

1. Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj:

Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave, midis të tjerave, u miratua edhe një projektligj, një akt që besojmë se do të ndikojë drejtpërdrejtë në përmirësimin e kujdesit shëndetësor të qytetarëve tanë.

Dy sëmundjet apo dy grupsëmundjet me prevalencë dhe incidencë më të lartë në Shqipëri janë sëmundjet kardiovaskulare dhe sëmundjet tumorale. Kjo është dhe arsyeja pse në programin e Qeverisë ne jemi angazhuar që me këto dy grup-sëmundje do të kemi një kujdes dhe një vëmendje edhe më të madhe. Ndërkohë, është e provuar tashmë botërisht që duhanpirja është një nga shkaktarët kryesorë të sëmundjeve kardiovaskulare dhe po ashtu, edhe të kancerit të mushkërive.

Ne jemi angazhuar në programin e Qeverisë dhe do të fokusohemi shumë tek parandalimi dhe diagnostikimi i hershëm. Ndaj, po fillojmë edhe zbatimin e programit të kontrollit bazë 40 deri në 65 vjeç. Por jemi të vëmendshëm që të mbrojmë shëndetin e qytetarëve ndaj efekteve të duhanpirjes.

Në radhë të parë kemi filluar ta bëjmë në mënyrë shumë më të plotë, prej 5 javësh, me ndryshimet e ligjit për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit. Sepse, në radhë të parë, duam të mbrojmë shëndetin e qytetarëve që janë të ekspozuar ndaj duhanpirjes në mjediset publike, por gjithashtu, duam të frenojmë duhanpirjen.

Ndërkohë edhe në vendet e zhvilluar regjimi fiskal i produkteve të duhanit është një nga elementët që ka rezultuar i suksesshëm në frenimin e duhanpirjes. Edhe pse akti, në fakt, formalisht është akt fiskal - sepse po ndryshojmë ligjin e akcizave respektivisht për pjesën e duhanit, - besojmë se frenimi i duhanpirjes do të ketë impakt të drejtpërdrejtë në përmirësimin e kujdesit shëndetësor të qytetarëve, por dhe impakt, po ashtu social dhe ekonomik.

Ndryshimi i akcizës që është parashikuar të kaloj në Kuvend për miratim, është një ndryshim që do të ketë efekt vit pas viti dhe në mënyrë të përshkallëzuar do të shtrijë efektin deri në vitin 2017, edhe me synimin për t’ju afruar nivelit minimal të akcizës së duhanit në vendet e BE-së. Por do të vazhdojmë të kërkojmë zbatimin rigoroz të mbrojtjes së shëndetit nga produktet e duhanit.

Prej 5 javësh ligji po zbatohet me sukses. Unë dua të shfrytëzoj këtë moment për të falënderuar në radhë të parë Inspektoratin Shëndetësor Shtetëror për punën që ka bërë, t’i inkurajoj inspektorët që si deri në këto 5 javë të vazhdojë të punojnë me ndershmëri duke mos krijuar fare hapësira për praktika korruptive apo konkurrencë të pandershme. Por, gjithashtu, një falënderim shumë i veçantë shkon për të gjithë sipërmarrësit, kryesisht atyre të shërbimeve, të cilët i janë bashkuar zbatimit të ligjit dhe në bashkëpunim me Inspektoratin kanë realizuar në këto 5 javë një zbatim shumë të efektshëm të ligjit.

Qeveria është e vendosur që të jetë në krye të punëve edhe për zbatimin e këtij ligji në mënyrë rigoroze.

Faleminderit!



2. Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes Arben Ahmetaj:

Në të njëjtën frymë Qeveria është e angazhuar për t’i dhënë një mbështetje të drejtë, transparente dhe të fuqishme energjisë së gjelbër. Në këtë kuadër, duke studiuar të gjitha ato masa apo edhe pseudo - masa në të kaluarën, për mbështetje apo pseudo-mbështetje të energjisë së gjelbër, Qeveria, sot, bën një korrigjim të rëndësishëm në regjimin fiskal të biodiezel-it.

Në studimet që ne kemi bërë së bashku me partnerët ndërkombëtarë, regjimi fiskal aktual jo vetëm që nuk e ka promovuar energjinë e gjelbër, por ka shërbyer si një gropë e zezë për buxhetin e shtetit dhe ka shërbyer gjithashtu si praktikë korruptive në vite dhe vite rresht.

Jemi të bindur se korrigjimi i kësaj mase, për sa i përket biodizel-it, do të sjellë konkurrencën e ndershme dhe mbi të gjitha, do të sjellë një mbështetje reale për energjinë e gjelbër dhe prodhimin vendas të energjisë së gjelbër. Korrigjimi i masës e bën Qeverinë të fillojë të mendojë që sot për ta realizuar sa më shpejt një mbështetje transparente, efektive, të drejtpërdrejtë që të ketë mundësi të zbatojë ato norma të kërkuara nga BE-ja, qoftë për vitet që kanë kaluar, në fakt, për atë që nuk e kemi arritur dhe për atë që kërkojmë të arrimë në vitet në vijim.

E theksoj, korrigjimi i regjimi fiskal është hapi i parë drejt mbështetjes reale të energjisë së gjelbër.

Faleminderit!

KOMENTE