English

“One stop shop”. Shërbimi më i ri Polici-qytetar

Krijimi i Sportelit unik standardizon marrëdhënien e qytetarit me Policinë e Shtetit. Komunikimi i qytetarit në këto zyra, që do të ofrojnë shërbim të pandërprerë, 24 orë në 24, do të bëhet nëpërmjet regjistrimit elektronik të kërkesave, ankesave apo kallëzimeve. Pas regjistrimit të kërkesës, qytetarit i jepet numri unik i çështjes. Dokumentacioni që e shoqëron kërkesën kalon elektronikisht, në kohë reale, në zyrën vendimmarrëse. Numri unik do t’i mundësojë qytetarit të ndjekë ecurinë e çështjes, në çdo moment.

Zyra e parë e këtij lloji u promovua në prani të Kryeministrit Edi Rama, në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, për t’u shtrirë më pas, edhe në çdo drejtori dhe komisariat të vendit.

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri theksoi se hapja e zyrës së parë në sistemin “One stop shop”, për të gjitha shërbimet policore vendos një marrëdhënie të re ndërmjet qytetarit dhe Policisë së Shtetit. “Të tilla zyra, - u shpreh Ministri Tahiri - do të hapen në çdo komisariat dhe drejtori kudo në Shqipëri, për t’i rikthyer Policisë së Shtetit mentalitetin e shërbimit ndaj qytetarit, për të rikthyer besimin e qytetarëve, për të luftuar korrupsionin dhe për të ndërtuar policinë moderne që presim të gjithë.”

KOMENTE