Me rastin e Kurban Bajramit, Kryeministri Edi Rama së bashku me bashkëshorten e tij znj. Linda Rama, zhvilluan një vizitë në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë.
Kryeministri u prit nga kryetari Skënder Brucaj dhe anëtarë të tjerë të Komunitetit Mysliman, të cilëve u përcolli urimet për këtë ditë të shënuar, festë të dashurisë dhe sakrificës.
Më pas, Kryeministri Rama vizitoi Kryegjyshatën Botërore Bektashiane, ku fillimisht, së bashku me Kryegjyshin Haxhi Baba Edmond Brahimaj, pa nga afër edhe ecurinë e punimeve në Teqenë e Madhe të Bektashinjve.
Qeveria përmes buxhetit të rivotuar së fundmi në parlament financon drejtpërdrejtë pjesën e mbetur, për të përmbyllur punimet e zgjatura shumë në kohë të Teqesë së Madhe të Bektashinjve. Teqeja e Madhe e bektashinjve është një projekt, që nuk mund të përfundonte, sepse komuniteti ka financuar, por nevojitej edhe një mbështetje e fundit dhe qeveria vendosi të mbështesë këtë projekt. Me buxhetin e ri që u votua vetëm pak ditë më parë në parlament, Qeveria ka mbyllur edhe kapitullin e të gjithë kalvarit të gjatë që ka penguar ndërtimin e Xhamisë së re, duke vënë në dispozicion fondin e shpronësimit.
Baba Edmond Brahimaj dhe përfaqësues të tjerë të Kryegjyshatës e njohën Kryeministrin edhe me disa detaje të projektit, i cili përmban një sallë pritjesh, një sallë kongresesh dhe një sallë faljesh për të gjithë besimtarët. Projekti, në mjediset e jashtme, përfshin edhe sipërfaqe të gjelbra, një shatërvan, sipërfaqja e brendshme e të cilit ndërthuret me hapësira të mbjella me lule të ndryshme.
Ndërsa vlerësoi projektin, Kryeministri Rama theksoi se “rëndësi ka që t’i japim mundësi edhe Komunitetit Bektashi për ta pasur, më në fund, këtë Teqe. Baba Reshati e kishte merak, amanet. Dhe Komuniteti Mysliman për të pasur Xhaminë e re. Dy gjëra që janë të kryera në këtë Bajram. Tani nuk mbetet gjë tjetër, vetëm ta përfundoni dhe ta shijoni”.
Gjithashtu, ata edhe vizituan mjediset e jashtme, ku Baba Edmond Brahimaj shpjegoi: “Kjo është Tyrbja e parë që është prishur nga komunizmi." Në të ishte ruajtur edhe një selvi që, sipas Baba Edmond Brahimajt, i rezistoi komunizmit.
Më pas, Kryeministri Rama së bashku me bashkëshorten vizituan Kryegjyshatën Botërore Bektashiane, ku uroi edhe drejtuesit e saj në këtë ditë feste.