MAS ka vendosur të shtyjë afatin e aplikimit pranë IAL-ve publike për të gjithë kandidatët që transferohen nga IAL-të të cilave iu është hequr licenca, deri në datën 13 tetor 2014.
Ky vendim u mor në vijim të evidentimit të nevojës për të plotësuar dokumentacionin nga ana e studentëve për të kryer aplikimin pranë IAL-ve publike si dhe shqyrtimin e tyre nga komisionet përkatëse të ngritura nga këto IAL.
Në kushtet kur, në shumë raste, studentët që transferohen nga IAL-të private nuk janë pajisur nga këto IAL me të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për të mundësuar transferimin e tyre në një IAL tjetër, edhe pse ky ka qenë një detyrim i shprehur qartë në VKM nr. 539 datë 06.08.2014 si dhe Udhëzimin Nr. 25 datë 11.08.2014, MAS po pajis me numër matrikullimi të gjithë studentët të cilët nuk e kanë patur atë në dosjet e tyre, edhe në ato raste kur ky numër matrikullimi i është komunikuar edhe më parë IAL-së përkatëse nga Agjencia Kombëtare e Provimeve, por këto IAL nuk e kanë vendosur atë në dosjen e studentit.
Gjithashtu, Ministria e Arsimit dhe Sportit, po punon për të mundësuar pajisjen e studentëve me të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, për të mundësuar aplikimin e tyre për transferimin e studimeve. Për këtë është ngritur një Komision ad hoc që po shqyrton të gjitha rastet e ankesave të paraqitura nga studentët si dhe pajisjen e tyre me të gjithë dokumentacionin e nevojshëm.