English

Rama: T’i japim fund diktaturës së korrupsionit të pamëshirshëm të drejtësisë. Basha: Nuk duam shteg dhish

Presidenti, Bujar Nishani, duke mbledhur rreth një tryeze politikën, i ka hapur rrugë startit të një prej reformave më të rëndësishme në vend, asaj reforme që në fund synon t’i japë qytetarëve drejtësinë.
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, e përkufizoi thjeshtë konceptin për drejtësinë, të jetë e ndarë nga politika, por jo nga ligji.Kreut të LSI i shërbeu tryeza për ti bërë edhe një ftesë kreut të opozitës ngjitur me të në panel.
Kryeministri Edi Rama për një vit qeverisje nuk e ka kursyer drejtësinë shqiptare dhe këtë herë ka përdorur fjalët e ndërkombëtarëve për të thënë se sa nevojë ka ky sistem për reformë.Rama thumboi hapur eksponentët e drejtësisë disa prej të cilëve të ulur në tyezë.

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në forumin “Reformimi i sistemit gjyqësor në Shqipëri”:

Zoti President,

Zoti Kryetar i Kuvendit,

Zonja dhe zotërinj,

Besoj që, nëse i hedhim një sy gjithë grafikëve të zhvillimit të jetës së këtij vendi në këto 20 vjet, një grafik, pa asnjë dyshim do të bënte dallim të madh nga gjithë të tjerët dhe që do të ishte grafiku i drejtësisë dhe i perceptimit të publikut për drejtësinë.

Janë afro 90% e shqiptarëve, - të cilët përgjithësisht janë shumë herë më të përafruar në qasjen ndaj çështjeve të tjera dhe të ndarë qartë, në përqindje shumë më të arsyeshme,- që besojnë se në Shqipëri nuk ka drejtësi dhe se sistemi i drejtësisë nuk funksion. Janë mbi 80% e shqiptarëve që, rregullisht kur pyeten, pohojnë se sistemi i drejtësisë është i korruptuar dhe se për të fituar një gjyq nuk ka fort rëndësi sesa ke të drejtë, por ka rëndësi në radhë të parë, sesa para ke për të paguar. Janë mbi 90% e shqiptarëve që rregullisht përgjigjen se duhet një reformë rrënjësore, një operacion rrënjësor për sistemin e drejtësisë dhe praktikisht për çrrënjosjen e kancerit që e ka mbërthyer sistemin e drejtësisë. E besoj se nuk e teproj, në qoftë se them se janë 100% e partnerëve ndërkombëtarë të Shqipërisë, e miqve tanë ndërkombëtarë, të cilët nuk besojnë se në Shqipëri ka drejtësi dhe të cilët besojnë se drejtësia në Shqipëri është e korruptuar.

Nuk ka as më të voglin dyshim, që është e rrallë për një vend sot, një vend në mes të Europës për më tepër, që sa herë komentohet nga partnerët, sa herë komentohet nga opinionistë apo analistë të huaj, sa herë komentohet në gjuhë të huaj, komentohet si një vend me drejtësi thellësisht të korruptuar. Kam frikë se nuk gaboj nëse them se ata që ata na shohin sot, të mbledhur këtu, ne njerëzve të politikës dhe të drejtësisë, më shumë na perceptojnë si pjesë të problemit, sesa si pjesë të zgjidhjes. Flas për publikun e gjerë, që sinqerisht do të doja shumë që sot të merrte mesazhin se ka një vullnet të përbashkët dhe ka një ambicie të përbashkët që i kalon kufijtë e partive, që i kalon të gjitha dallimet mes nesh, për të operuar me kurajë këtë sistem kanceroz, por, pa dashur të jem pesimist, kam frikë se e kundërta është e vërtetë.

Sidoqoftë, ne erdhëm me shumë kënaqësi dhe me vullnet të plotë në këtë forum të organizuar nga Presidenti i Republikës. Madje, duke shtyrë në kohë Konferencën Kombëtare për Reformën në Drejtësi, që po përgatisim në koordinim të plotë nga ana e Komisionit të Ligjeve. Pikërisht, sepse besuam dhe besojmë që rruga më e mirë për ta hapur këtë proces është kjo që ndërmarrim sëbashku këtu, nën kujdesin e Presidentit të Republikës, të cilin dëshiroj ta falenderoj për këtë nismë dhe për gatishmërinë që një ide fillestare të tijën, për të mbledhur njerëzit e drejtësisë, e shtjelloi bashkërisht me Kryetarin e Kuvendit, për ta kthyer në një forum më të gjerë se kaq, ku njerëzit e drejtësisë dhe njerëzit e politikës të gjenden sëbashku dhe sëbashku të përpiqen të adresojnë problematikën e rëndë të sistemit.

Ne nuk mund të shikojmë gishtin, kur gishti tregon hënën. E kemi shumë të qartë që më shumë sesa një përpjekje e përbashkët për të adresuar një problem të madh, të përbashkët, kombëtar, përpjekja në vijimësi e viteve të fundit dhe posaçërisht e vitit të fundit ka qenë një përpjekje në dy drejtime të ndryshme. Nga njëra anë, përpjekja për të adresuar me ndjesinë e një emergjence të madhe kombëtare, problemin e rëndë të sistemit të drejtësisë dhe nga ana tjetër, përpjekja për të frenuar këtë adresim në emër të Kushtetutës, të ligjit, të lirive, të të drejtave, të gjitha këto nocione, pa as më të voglin diskutim, legjitime, por s’ka më keq sesa kur kthehen në nocione penguese, për atë që në fakt është problemi themelor që kemi sot, pavarësia e sistemit të drejtësisë nga Kushtetuta, pavarësia e sistemit të drejtësisë nga ligji, pavarësia e sistemit të drejtësisë nga çdo e drejtë dhe liri e njerëzve që nuk e marrin dot drejtësinë në dyert e gjykatave, në një vend ku drejtësia është mall që blihet dhe nuk është e drejtë që të takon.

Dua të shfrytëzoj këtë rast, për të thënë se pa as më të voglin dyshim, ne kemi gjithë vullnetin ta adresojmë këtë problem dhe ta adresojmë sëbashku. Për më tepër, kemi fatin që nuk jemi vetëm në këtë ushtrim të vështirë, jashtëzakonisht të vështirë, por të domosdoshëm për t’ia dalë mbanë. Sepse kemi edhe asistencën e çmuar të komunitetit ndërkombëtar dhe posaçërisht të Bashkimit Europian përmes një ekspertize shumë të kualifikuar dhe bazuar në një eksperiencë, që tanimë është një thesar për ne, që është eksperienca e vendeve që dolën nga rënia e perandorisë komuniste dhe që në rrugën drejt Bashkimit Europian iu nënshtruan reformave të thella në sistemin e tyre të drejtësisë.

Sigurisht që, kemi idetë tona për këtë reformë, kemi propozimet tona për t’i adresuar problemet e sistemit në 360 gradë, por padyshim, kjo, në radhë të parë, sipas nesh është një temë ku politika duhet të krijojë kushtet që të gjithë të mund të shprehen dhe të ndërveprojnë, ku politika duhet të krijojë kushtet që njerëzit e sistemit në radhë të parë, gjykatësit, prokurorët, avokatët, noterët, të gjithë me radhë të mund të shprehen dhe të ndërveprojnë. Padyshim, nga ana tjetër, në këtë ndërveprim, edhe ndërveprimi i gjithë aktorëve politikë ka vlerën e vetë, ndërkohë që prania e ekspertizës ndërkombëtare është një garanci, besojmë ne, për ta çuar procesin në rrugën e duhur, me vullnet dhe me kurajë.

Ky është vizioni ynë për metodën e kësaj reforme. Kjo nuk mund të jetë një reformë e njëanshme, por kur flasim për reformë gjithëpërfshirëse duhet të kemi parasysh në radhë të parë, njerëzit e sistemit dhe pastaj, sigurisht, edhe të gjitha forcat e përfshira në procesin politik.

Në rast se ky takim vlen për diçka, vlen si një moment i shprehjes së vullnetit të mirë. Por nga ana tjetër jemi të gjithë dëshmitarë, se askujt, asnjëherë nuk i ka munguar as mundësia dhe nuk i kanë munguar as fjalët për ta shprehur vullnetin e mirë, në 20 vjet. Dhe ja ku kemi sot, ku s’ka më keq se asnjëherë tjetër në 20 vjet, kur vjen puna tek drejtësia dhe tek mënyra si funksion sistemi ynë i drejtësisë.

Tjetra që padyshim përbën sot një detyrim për të qenë sëbashku këtu në këtë tryezë, është e vërteta e madhe dhe e hidhur, por le të na shërbejë si një ilaç për t’u kuruar dhe për t’u zgjuar, se ta harrojmë të gjithë ne, sëbashku, që Bashkimi Europian e pranon Shqipërinë, me këtë sistem drejtësie. Ne mund të fshihemi pas Kushtetutës e mund t’i tregojmë njëri-tjetrit ligjet, e mund të bëhemi zëdhënësit më të zhurmshëm të lirive dhe të drejtave të gjykatësve të korruptuar dhe të anëtarëve të korruptuar të KLD-së, por kjo nuk do të na ndihmojë të shkojmë në Europë. Kjo vetëm do të ushqejë debatin shterpë mes nesh, ndërkohë që Bashkimi Europian, dyert nuk ka për të na i hapur kurrë, nëse ne nuk do provojmë dy gjëra themelore; E para, që drejtësia nuk është mall që shitet dhe që blihet dhe e dyta, se përpara ligjit jemi të gjithë të barabartë.

E fundit, sigurisht që nuk është një pozitë e lehtë, pozita e shumicës sonë, e dalë nga zgjedhje që, në radhë të parë në këndvështrimin tonë, kanë pasur shtysën për një Shqipëri të drejtë, në kushtet e një padrejtësie të kthyer në sistem vertikal në të gjitha nivelet dhe jo thjesht e vetëm tek prokuroria, gjykatat apo sistemi i drejtësisë në vetvete. E, ne që kemi këtë mandat jemi dhe shumë më të ndjeshëm, normalisht, ndaj gjithë reaksionit gjithmonë e më të madh të njerëzve të pakënaqur ndaj nesh, në radhë të parë, për mënyrën si funksionon sistemi i drejtësisë. Dua ta them shumë hapur, ne nuk kemi alibi dhe ne nuk do të kërkojmë alibi. Pa as më të voglin dyshim, ne në radhë të parë i detyrohemi atyre të cilët na kanë votuar për një Shqipëri më të drejtë dhe paralelisht me ta i detyrohemi gjeneratave të tjera të këtij vendi, që nuk meritojnë të mbeten jashtë dyerve të Bashkimit Europian se në Shqipëri ka një koorporatë që shet e blen drejtësinë; Koorporata e prokurorëve dhe e gjykatësve të korruptuar të këtij vendi.

Kam parë sesi menjëherë ka reagime ndaj kësaj qasjeje dhe më vjen shumë keq, por kjo është e vërteta e hidhur e vendit tonë të përbashkët. Fakti që ka përjashtime është për të vënë duart në kokë dhe jo për të qenë të përmbajtur në shprehjen e kësaj të vërtete. Fakti që ka prokurorë dhe gjykatës të ndershëm, të cilët luftojnë përditë për të respektuar veten dhe profesionin e tyre, është për të vënë duart në kokë, se janë përjashtim që përforcon rregullin. Ndërkohë që, e vërteta e tmerrshme është që shqiptarët që nuk vijnë dot në këtë sallë, shqiptarët që nuk kanë dot asnjë akses nëpërmjet celularit tek asnjë lloj gjykate dhe tek asnjë lloj gjykatësi, nuk kanë shans të marrin të drejtën e pronës së tyre pa dhënë lekë, nuk kanë shans të marrin drejtësi për djalin e tyre të vrarë, apo vajzën e tyre të përdhunuar, por, përkundrazi, rivriten dhe ripërdhunohen në dyert e gjykatave. Ashtu sikundër vriten dhe përdhunohen nga kriminelë të lëshuar nga gjykatësit me para, për herë të dytë e për herë të tretë, njerëz të cilëve ne mund, duhet dhe do t’ua kursejmë jetën, duke ua nxirë jetën gjykatësve dhe prokurorëve që e kanë kthyer profesionin e tyre në një biznes, që është biznesi më i ulët që bëhet sot, në Shqipëri.

Kjo është e vërteta, sipas meje.

Duke i uruar sukses Konferencës, unë besoj se ky moment, për të cilën edhe një herë tjetër dhe jo formalisht i shpreh falënderim tim Presidentit të Republikës, është një moment për të filluar një proces. Një proces që do të vazhdojë pa pritur, si, pse, dale, ta shohim e ku e di unë se çfarë, të ulemi të gjithë sëbashku, rreth një tryeze dhe të provojmë me praninë tonë rreth asaj tryeze se e kemi seriozisht, pavarësisht se kush e thërret tryezën, pavarësisht se kush mendon çfarë. Të dalim nga kjo histori e tmerrshme e gjithë këtyre viteve, të paktën, me faqen e bardhë të kujt provoi ta përmbyste atë grafik që e kemi para syve të gjithë. Grafikun e perceptimit të opinionit publik ndaj sistemit të drejtësisë dhe e mënyrës së funksionimit të sistemit të drejtësisë në raport me liritë dhe të drejtat e qytetarëve.

Gjithçka tjetër në Shqipëri që mund të ketë një grafik ka ulje, ka ngritje, ka momente të këqija, ka momente më të mira dhe përgjithësisht, vetë Shqipëria, pavarësisht se ne kemi këndvështrimet tona, nuk është ajo që ishte para 20 vjetësh, në të gjitha aspektet, në raport me aspiratat e njerëzve. Ndërsa po të marrim aspiratën e njerëzve për Shqipërinë Europiane dhe drejtësinë e sotme, ne jemi jo më nën diktaturën e ideologjisë komuniste, por nën diktaturën e një korrupsioni të pamëshirshëm, që nuk pyet për askënd dhe për asgjë.

Faleminderit!

Ndërsa Shefi i opozitës, Lulzim Basha, në hyrje të fjalës së tij ka shpjeguar dhe praninë e tij në tryezë, por nuk ka hezituar ta thotë troç: “Politika të mbajë duart larg nga drejtësia”.

“Jemi sot për të konfirmuar vullnetin tonë. Opozita e sotme ndryshe nga e djeshmja mbështet reformën në drejtësi. Vimë në këtë tryezë me një vizion dhe platformë që ekspertët tanë do ta laborojnë në panelet pas kësaj tryezë.
Ne mbështesim një vizion, modelin europian për drejtësinë. Një reformën që bazohet në dy shtylla, reformimin e sistemit për të luftuar korrupsionin që duhet të bëhet nga vetë sistemi dhe jo qeveria. E thënë troç qeveria duhet të mbajë duart larg nga gjyqësori. Kapja politike e gjyqësorit ëhstë burimi më i keq i deformimit të gjyqësorit dhe korrupsionit në drejtësi.
Së dyti konsolidimin e pavarësisë së gjyqësorit nga politika dhe pushteti ekzekutiv, përmes forcimit të organeve vetëqeverisëse dhe rritjes së rolit të tyre në përgjegjshmërinë, transparencën dhe llogaridhënien e gjyqësorit para ligjit, Kushtetutës, qytetarëve dhe askujt tjetër. Modeli europian bën të mundur efeiçencën e sistemit të drejtësisë pa bërë kurban pavarësinë. Pa lejuar që reforma të kthehet në alibi për ta futur drejtësinë në shtojcë të pushtetit.
Qeverisë i mungon një platformë e qartë dhe vizion për këtë reformë sipas Bashës. Sipas tij modeli europian kërkon autostradë europiane të vendimarrjes, jo korsi emergjencë në mes të natës, aq më pak shteg dhish nën pishtarin e çobanit që i prin kopesë".

KOMENTE