Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Vlorë kërkon dënimin me 4 vjet burgim dhe heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike, për një afat prej 3 (tre) vjet, për Shpëtim Gjikën, me funksion Kryetar i Bashkisë Vlorë.
Ai akuzohet për falsifikimin e dy procesverbaleve të mbledhjes së KRRT-së (Këshilli i Rregullimit të Territorit).
Gjithashtu, për të njëjtën akuzë, Prokuroria kërkon dënimin me 3 vjet burgim dhe heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike, për një afat prej 3 (tre) vjet për shtetasen Eleni Dardhaj, punonjëse e Bashkisë Vlorë.
Në kuadër të këtij gjykimi, prokuroria kërkon dënimin me 2 vjet e gjashtë muaj burg për shtetasin Blerdi Liçaj dhe me nga dy vjet burgim për shtetasit Gëzim Feta dhe Gentian Sherifaj, të tre të akuzuar për veprën penale të “fallsifikimit të dokumentave”, të parashikuar nga neni 186/1 i K.Penal.
Por Gjika ka mohuar akuzat e falsifikimit të dokumenteve dhe përkatësisht procesverbaleve të dy mbledhjeve të KRRT-së. Ai ka thënë se ka patur raste që janë miratuar leje edhe gjatë mbledhjeve të KRRT-së, ku anëtarë të caktuar propozonin, ndërsa me pas vendosej që kjo leje të miratohej.
"Prokuroria kërkon nga gjykata që të shpallë fajtor shtetasit e sipërpërmendur, si edhe të urdhërojë prishjen e objektit të ndërtuar nga shoqëria “Deco System” sh.p.k në vendin e quajtur “Tre Racat”, Vlorë; si edhe prishjen e objektit të ndërtuar nga shoqëria “EN-BJO” sh.p.k, që ndodhet pranë Portit Detar Vlorë; dy objekte për të cilat prokuroria deklaron se janë ndërtuar në bazë të lejeve dhe dokumenteve të tjerë të falsifikuar dhe që janë provuar si të tilla gjatë këtij gjykimi”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.