English

Mamografi levizëse për gratë, në gjithë vendin

Muaji tetor është muaji i sensibilizimit dhe ndërgjegjësimit ndaj sëmundjes së kancerit të gjirit. Lidhur më këtë ministria e shëndetsisë ka vendosur që për të gjitha gratë dhe nënat shqiptare të cilat nuk kanë mundësi të shkojnë tek mjeku apo pranë një qendre shëndetësore për të kryer mamografi, tashmë mamografët do të shkojnë tek ato.

Zëvendësministrja e Shëndetësisë Milva Ekonomi deklaroi se shumë shpejt dy mamografë do vihen në dispozicion të grave në të gjithë vendin, në zonat rurale dhe të largëta.

Por në rastet kur kjo sëmundje ka avancuar, zv/ministrja Ekonomi tha, se për të lehtësuar dhimbjen në listën e barnave të rimbursueshme do të shtohen edhe katër barna të reja për kujdesin paliativ.

“Në Shqipëri po vihen në dispozicion të popullatës femërore dy mamografë të lëvizshëm gjithashtu po investohet edhe në një për të ndihmuar në kurimin, sasia e barnave citostatik që përdoren në kurimin e sëmundjes janë dyfishuar. Në përgjithësi në spitalet tona publike por ndërkohë sasia e barit e cila ndihmon kurmin e grave që kanë kancerin e gjirit, është trefishuar nga periudha 2013 deri në periudhën 2014”, tha Ekonomi.

Në kuadër të muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, pjesë e fushatës sensibilizuese është bërë edhe Forumi i Gruas Socialiste. Deputetja e PS Blerina Gjylameti, e cila është edhe kryetarja e këtij forumi për Tiranën deklaroi se gruaja për parandalimin e kësaj sëmundje duhet të jetë e bashkuar pavarësisht ngjyrave politike.

“Kur ne flasim për gruan, ne flasim është e majtë është e djathtë nuk kanë ngjyra, duhet të ishim të gjitha bashkë do të jemi besoj në momente të tjera. Secila prej nesh, grave të mendojë që thjesht ti kushtojë pak minuta vetes për të ndërgjegjësuar edhe gratë e tjera që një moment përcakton jetën”, tha Gjylameti.

Në të gjithë muajin tetor për të gjitha gratë dhe nënat mbi 40 vjeç në çdo spital publik dhe qendra shëndetësore ofrohen mamografi falas. Edhe Spitali Amerikan i është bashkuar fushatës për parandalimin e kancerit të gjirit. Këtë vit ky spital ofron 400 mamografi dhe ekografi falas.

KOMENTE