English

Mbikalimi në Shkozet nyje të rëndësishme rrugore

Kryeministri Edi Rama së bashku me Ministrin e Transporteve dhe Infrastrukturës Haxhinasto dhe Kryetarin e Bashkisë së Durrësit Dako inspektuan sot, punimet për ndërtimin e mbikalimit në Shkozet, pjesë e projektit për Bypass-in e Durrësit.

Punimet për ndërtimin e kësaj nyje të rëndësishme rrugore në kryqëzimin që lidh autostradën Tiranë-Durrës me Bypass-in e Durrësit dhe akset nacionale drejt jugut të vendit kanë rifilluar në muajin janar 2014. Mbikalimi në Shkozet është një investim prej 8 milionë euro. Projekti përfshin edhe kolektorin e ujërave, me gjatësi 1.5 kilometra në zonën e Plepave në Durrës.

Ministri i Transportit Edmond Haxhinasto informoi se projekti ka pësuar një ndryshim, duke përfshirë në të edhe gjelbërimin.

“Po ecim sipas parashikimit. Një gjë që ka ndryshuar, kohët e fundit, është se do të bëjmë lulishte në të dy krahët dhe përveç rrethrrotullimit, do ketë edhe gjelbërim. Është bërë një punë të jashtëzakonshme edhe nëntokë. Është 1.5 kilometra tubacioni për ujërat. Është ndërhyrë shumë nën tokë, ngaqë kjo është zonë paqëndrueshmëri dhe 1.5 kilometra pilota janë përdorur,” – tha Ministri Haxhinasto, duke i dhënë kështu përgjigje, edhe interesimit të veçantë të Kryeministrit për eliminimin e grumbullimit të ujërave, një problem tepër shqetësues për këtë zonë.

Kryeministri vlerësoi projektin dhe përmasën e gjelbër që i është shtuar atij, çka do t’i japë zonës edhe një park urban.

Kryeministri Rama u ndal edhe përgjatë autostradës, ku ka nisur projekti për gjelbërimin. Me një fond rreth 1.4 milionë lekësh po punohet për krijimin e barrierave të gjelbra në të dyja anët e rrugës, nëpërmjet një teknologjie moderne që krijon qëndrueshmëri ndaj kushteve të mjedisit, si dhe për rritjen e qëndrueshmërisë së skarpateve nga rrëshqitjet. E veçanta e këtij projekti, që aplikohet për herë të parë, është se në 13 rrethrrotullimet përgjatë këtij aksi janë parashikuar vepra artistike me motive të zonës ku ato ndodhen. Aksi ka një gjatësi rreth 106 kilometra nga zona e Plepave në Durrës deri në hyrjen e qytetit të Vlorës.

Drejtuesi i punimeve shpjegoi elementet e projektit. “Janë 106 kilometra dhe 13 rotonda. Është segmenti i parë që kemi filluar punimet, konkretisht, nga mbikalimi. Do të gjelbërohet e gjitha, do të ketë edhe shkurre dekorative me ngjyra,” - u shpreh ai.

Ndërsa për Kryeministrin Rama, ndonëse ky është një nga segmentet më të rëndësishme turistike të vendit, është konceptuar në ndërtimin e tij jo si i tillë, ndaj dhe projekti do t’i sigurojë si standardin e sigurisë, ashtu edhe atë estetik. Kryeministri informoi se projekti për gjelbërimin do të shoqërohet edhe me prishjen e të gjitha ndërtimeve pa leje në anë të rrugës, përgjatë gjithë gjatësisë së tij.

“Rindërtim total i të gjithë përmasës së gjelbër që këtu nuk ekziston, në të gjitha rotondat dhe gjithë anët e rrugës. Ndërkohë kemi diskutuar për të vendosur vepra arti nëpër rrethrrotullime. Pasi, kjo është një rrugë turistike që vetëm turistike nuk mund të quhet, në kushtet që është konceptuar dhe ndërtuar copa-copa dhe me gjithfarë lloje plehrash e magazinash natyrore. Bëjmë një transformim absolutisht rrënjësor. Ndërkohë do të vazhdojmë me INUK, me sistemime dhe prishje të të gjitha objekteve që janë pa leje në anë të rrugëve, në mënyrë që të rrisim sigurinë dhe që ta transformojmë nga pikëpamja e standardeve, qoftë nga pikëpamja e standardeve të sigurisë dhe qoftë të standardeve estetike. Sepse, jemi në mes të Europës, në mes të Mesdheut, rruga më turistike e Shqipërisë, sot, që shkojnë të gjithë drejt jugut, është një rrugë që kur kalon të duket se je në Kandahar,” – u shpreh Kryeministri, ndërsa shprehu bindjen se në fund të këtij projekti, transformimi do të jetë i madh.

KOMENTE