English

Rreziku nga ngrohja prej sobave me dru

Ngrohja me dru është e lirë dhe nuk dëmton klimën. Por bloza që del nga djegja është e rrezikshme për shëndetin.

“Është e pabesueshme ajo që digjet", thotë mjeshtri i pastrimit të oxhakëve Alfred Wolf nga Aachen-i. Në sobat e klientëve të tij, ai gjen shpesh gjurmë të materialeve të djegura, të hedhura atje gabimisht. "Që nga këpucë të vjetra, dollapë rrobash, dru të lyer me llak. Si rezultat, një sobë sa një oxhak fabrike që ndot ambjentin." Sepse nëse u vihet zjarri materialeve të tilla të cilat janë lyer më parë me bojëra mbrojtëse për drurin ose llak ato çlirojnë dioksidin, një lëndë helmuese që ndot ajrin e gjithë zonës përreth. Gjithashtu ajo mund të përhapet nëpër fusha, të depërtojë nën tokë dhe në këtë mënyrë të ndotë rrjetin ushqimor. Në parim, njeriu duhet të djegë në sobë vetëm dru të papërpunuar. Për mjedisin, kjo mund të jetë edhe më e dobishme - të paktën në teori. Sepse djegia e drurit ka efekt neutral në çlirimin e dioksidit të karbonit. Kjo do të thotë se gjatë djegies çlirohet aq dioksid karboni sa pema ka filtruar nga atmosfera gjatë rritjes së saj. Por kjo llogari funksionon vetëm atëherë kur druri digjet në mënyrën e duhur.
Tymi i dëmshëm që prodhohet nga djegja e druve
Tymi i dëmshëm që prodhohet nga djegja e druve
Kushtojini vëmendje drurëve të thatë
"Ventilimi i mirë i furrës është veçanërisht i rëndësishëm," thotë Wolf-i. Sobat e vjetra shpesh kanë vetëm një tub të furnizimit me ajër. Kjo nuk është e mjaftueshme për shkak se oksigjeni që duhet për djegie të plotë është i paktë ndaj aty krijohen grimca bloze dhe gazra helmues. Ndërsa sobat moderne kanë disa tuba ajrimi dhe një teknologji filtrimi shtesë. Ato ulin ndjeshëm ndotjen. Druri i thatë është gjithashtu i rëndësishëm për djegie të pastër: Druri i lagur ul temperaturën e djegies dhe bën që të rritet ndjeshëm çlirimi i lëndëve ndotëse. Për këtë arsye në Gjermani është e ndaluar djegia e drurëve me përmbajtje lagështie më shumë se 25%. Por jo të gjithë i kushtojnë vëmendje mbrojtjes së shëndetit, disa preferojnë një djegie të gjatë e të qëndrueshme. Mjeshtri i pastrimit të oxhakëve Wolf i di truket e klientëve të tij. Ka nga ata që e lagin drurin dhe e mbështjellin me letër. "Ajo nuk është më një sobë, është një oxhak fabrike" thotë Wolf. Në Gjermani nga sobat çlirohen në ajër rreth 30.000 tonë grimcëza. Tendenca: një rritje e pandalshme. Burimi i grimcave janë gjithashtu edhe transporti, industria e qymyrit dhe bujqësia. Nga gjithë këto vetëm sobat çlirojnë 5%.

Pluhuri i imët dëmton shëndetin

"Pluhuri i imët është i rrezikshëm," thotë Barbara Hoffmann nga Instituti i Leibnizit për Kërkimet e Mjedisit në Dyseldorf. Epidemiologia është angazhuar për rreth dhjetë vjet me ndotjen e ajrit dhe grimcat e pluhurit.
Diametri i grimcave është më pak se një e qindta e milimetrit. Kjo është në thelb më pak se trashësia e një fije floku të njeriut. "Grimcat e materies përbëhet nga një shumëllojshmëri e substancave të ndryshme", thotë Hoffmann-i.

"Një shembull i kësaj janë përbërësit aromatikë të cilët dihen se mund të shkaktojnë kancer nëse janë në përqëndrime të larta."

Grimcat depërtojnë përmes mushkërive në trupin e njeriut dhe më pas shpërndahen në çdo kënd të organizmit dhe pastaj shkatojnë infeksion. "Ky infeksion është i lehtë, por i mjaftueshëm për të ndikuar negativisht në qarkullimin e gjakut," thotë profesorja. "Çrregullimet e gjakut mund të shkaktojnë atak në zemër.

Grimcëzat në rrugën drejt trurit

Grimcat e mëdha të pluhurit pengohen zakonisht prej barrierave natyrore - të tilla si mukoza e hundës. Por sa më i vogël një ndotës, aq më lehtë i kalon pengesat. Për këtë arsye, grimcat e imta të pluhurit që janë më të vogla se një e mijëta e milimetrit, përbëjnë një problem të veçantë, shpjegon Hoffmann-i: "Ultragrimcat janë aq të vogla se ata mund të depërtojnë direkt nga mushkëritë në gjak, dhe pastaj të transportohen në të gjitha organet. "Ultragrimcat nuk njohin kufij teksa qarkullojnë brenda trupit të njeriut. Teorikisht, ato mund të depërtojnë edhe në tru. Në shkencë po diskutohet nëse ato rrisin rrezikun e prekjes nga sëmundja Alzheimer.

Shumë studime kanë treguar qartë se grimcat në ajër rrisin vdekshmërinë dhe zvogëlojnë jetëgjatësinë. Mjekja epidemiologe ndjek me vëmendje rezultatet e studimeve në nivel ndërkombëtar: "Rezultatet e këtyre studimeve janë të qarta. Ato janë të ngjashme në të gjitha kontinentet, që në shkencë nuk ka asnjë dyshim."

KOMENTE