Stadiumi “Elbasan Arena” u inaugurua dje, në mbrëmje, në një ceremoni ku ishte i pranishëm Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Ministrja e Arsimit dhe Sportit Lindita Nikolla, Presidenti i FSHF-së Armando Duka dhe personalitete të tjera të sportit në vend.
Kryeministri së bashku me zyrtarë të tjerë u përshëndetën me futbollistët e kombëtares dhe trajnierin e ekipit tonë kombëtar, Giani De Biazzi, me të cilët biseduan gjatë lidhur me stadiumin e sapopërfunduar dhe angazhimin e Qeverisë për investime të mëtejshmë në futboll dhe sportin në tërësi. “Jam shumë i lumtur që arritëm ta përfundojmë këtë investim dhe t’i japim formën e duhur, sipas standarteve të FIFA-s dhe UEFA-s për stadiumin. Në fakt, në një kohë të ngushtë, rrezikonim të luanim jashtë Shqipërisë ndeshjet. Ju e dini më mirë dhe për këtë arsye, unë do t’ju kërkoja me shumë përulje një duartrokitje për Trebickën, ish lojtar i Kombëtares së Basketbollit dhe ishte në krye të këtij investimi këtu, me kompaninë e vet, për të bërë “Elbasan Arena”. Ne do të bëjmë çmos që të mbështesim sa më shumë dhe me sa më shumë cilësi futbollin. Sigurisht, pas këtij investimi, kontrasti me stadiumet e tjera bëhet edhe më i madh, bëhet edhe më problematik. Mundësitë për të bërë të njëjtën gjë me të gjitha stadiumet nuk janë, por me siguri janë mundësitë për të bërë hap pas hapi një përmirësim të ndjeshëm të infrastrukturës. Sigurisht që nuk e anashkaloj, obejktivi im final është ndërtimi i një stadiumi kombëtar, që të jetë të paktën tek 20 mijë vendet, për të përballuar të gjithë nevojat dhe një stadium me të gjitha standartet. Ne po diskutojmë me Federatën dhe po shikojmë çdo mundësi. Nuk mund të bëj asnjë premtim, por ju siguroj që siç e dëshironi ju futbollistët, njerëzit e futbollit e dëshirojmë edhe ne që këtë gjë ta bëjmë realitet. Nuk eshtë e thjeshtë sepse është një investim i rëndësishëm nga pikëpamja financiare, por nuk është i pamundur dhe kam shumë besim. Po ashtu edhe për ekipin kombëtar ne do të bëjmë çmos që të ketë mbshtetjen morale por edhe mbështetjen e nevojshme financiare”, - u shpreh Kryeministri.
Duke i uruar sukses për ndeshjen me Danimarkën, më 11 tetor, Kryeministri solli në vëmendje ndeshjen me Portugalinë. “Sikur thjeshtë dhe vetëm ajo betejë që u bë me Portugalinë të bëhej edhe këtu, cilido që të ishte rezultati, ju të gjithë do ishit dhe do jeni të nderuar. Më mirë të shkojmë me këmbë në tokë, të japim shpirtin në fushë dhe pastaj rezultati të vijë nga fusha. Edhe njëherë cdo të mirë dhe sukses për ndeshjen” – tha Kryeministri.
Gjithashtu, Kryeministri Rama gjeti rastin të shpreh vlerësimet dhe falënderimet e tij për trajnierin e ekipit kombëtar De Biazzi. “Është kënaqësi e madhe që jemi sot këtu. Edhe është edhe një nder i veçantë që të jemi në krah të një personi që unë e çmoj shumë, realisht. Jo thjeshtë se është trajner i ekipit tonë kombëtar, por edhe e çmoj shumë edhe për fjalët që ka thënë për Shqipërinë, duke shfrytëzuar fitoren me Portugalinë dhe na ka bërë të gjithëve bashkë një nder shumë të madh të gjithëve bashkë, duke përcjellë imazhin e një Shqipërie që është ndryshe nga ajo që shpesh herë mediat në Itali e përshkruajnë” – vijoi Kryeministri.
Kapiteni i kombëtares shqiptare, Lorik Cana e falënderoi Kryeministrin për vlerësimet dhe siguroi se ekipi mundohet që të nderojë kombin sa herë që ndodhet në fushë. “Mundohemi që ta nderojmë çdo herë kur jemi në fushë. Shpresojmë për një fitore dhe një të ardhme të ndritur për sportin shqiptar” – tha Cana.
Kryeministri dhuroi për muzeun e stadiumit një pikturë të bërë mbi një shkresë të Federatës Shqiptare të Futbollit. “Shpirti i betejës futbollistike, - tha Kryeministri, - për muzeun, mbi shkresën e Federatës Shqiptare të Futbollit”.
Me rastin e inaugurimit të stadiumit u zhvillua edhe një ndeshje miqësore mes ekipit kombëtar dhe U-19 të Elbasanit. Stadiumi “Elbasan Arena” ka një kapacitet rreth 12 mijë vendesh dhe rikonstruksioni i tij, një investim me vlerë 5.5 milionë euro, është një investim i përbashkët i Qeverisë dhe Federatës Shqiptare të Futbollit.