English

Berati po rilind përsëri. Ne duam një Shqipëri që jeton me punë

Një vit pasi daltuan gurin e parë për fillimin e ndërtimit të shëtitores dhe sheshit qendror të Beratit, Kryeministri Edi Rama, Zëvendëskryeministri Niko Peleshi dhe Presidenti i Fondit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillimin, Michael Granoff ishin sërish dje, në këtë shesh. Në hyrje të shëtitores së sapopërfunduar, ishte vendosur pllaka e UNESCO-s mbi blloqe guri.

Pedonalja në bulevardin “Republika” dhe sheshi “Teodor Muzaka”, financim i Fondit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim dhe Bashkisë Berat dhe është një ndër ndërhyrjet urbane më të rëndësishme për qytetin. Si pjesë e programit “Rilindja e qyteteve”, prej një viti, në Berat po realizohet projekti për rikonceptimin tërësor të hapësirës publike, ku po kryhen 3 milionë dollarë investime.

Kryeministri bashkë me mijëra qytetarë e përshkoi shëtitoren dhe qëndroi në panelet ku prezantoheshin projektet e ardhshme për Beratin, si dhe vizitoi mozaikët, që paraqesin sinteza artistike të bëra në tokë me gurë të ardhur nga zona të ndryshme të vendit. Këtu, Kryeministri vizitoi edhe ekspozitën e 40 piktorëve nga e gjithë Shqipëria.

Një ansambël peizazhi urban, do t’i cilësonte në përshëndetjen e tij, Kryetari i Bashkisë Fadil Nasufi projektet e nisura në qytet. Ai theksoi se këto investime shënojnë për Beratin nisjen e epokës e zhvillimit të qëndrueshëm e të integruar. “Berati është i kthyer qysh prej një viti, në kantier pune. Berati nuk ka parë deri më sot, që brenda një viti të investohen 3 milionë dollarë. Janë investime që po i kthejnë qytetit shkëlqimin që meriton dhe vëmendjen e duhur,” – u shpreh Nasufi.

Ndërsa për Presidentin e Fondit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, kyçi i këtij suksesi ka qenë partneriteti. “Kjo ceremoni nuk është përfundimi i punëve të bëra, por në fakt është vetëm fillimi i asaj që mund të vazhdohet të arrihet në të ardhmen. Prandaj ne në Fondin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillimin jemi shumë të lumtur dhe krenarë që jemi pjesë e saj. Në fakt mu kujtua që vjet kur kemi ardhur për vizitë në qytetin e Beratit, mbaj mend se kemi qenë duke ecur të dy bashkë dhe ju zoti Kryeministër më keni thënë që po të punojmë sëbashku, unë jam i sigurt se ky projekt mund të jetë akoma edhe më i mirë se ai që kemi menduar. Sot, me kënaqësi ju them që në fakt ashtu është, duke punuar sëbashku ne kemi arritur të bëjmë shumë gjëra të mira. Mund t’ju siguroj se ky është vetëm fillimi,” – u shpreh Michael Granoff .

Për Kryeministrin, këto investime janë fillimi i mbajtjes së premtimit dhënë qytetarëve të Beratit se në 4 vitet e ardhshme do të investohen më shumë se në 20 vite të marra sëbashku.

“Në një vit ne kemi investuar në këtë qytet më shumë sesa në 10 vitet e fundit të marra sëbashku Për të përmbushur zotimin tonë, në fakt na mjafton edhe një vit tjetër, sepse edhe në vitin që vjen do të bëjmë përsëri më shumë se në 10 vitet e fundit, por ajo që unë shoh me rëndësi ende më të madhe është se këto nuk janë projekte që sjellin vetëm një shkëlqim dhe një rrezatim të së shkuarës dhe të shpresave të së ardhmes në trupin e qytetit. Këto janë projekte që çelin rrugë të reja për ekonominë, janë projekte që çelin rrugë të reja për atë industri që Shqipëria duhet ta ketë të parën dhe që Berati duhet të jetë lokomotivë në zhvillim e saj, që është turizmi,” – shpreh Kryeministri.

Projektet e nisura në qytet, Kryeministri i quajti një program zhvillimi dhe premtoi vazhdimin e mbështetjes për të nxjerrë nga harresa qytetin e vjetër.

“Do të vazhdohet më tutje me çuarjen më tej të këtij aksi kryesor, do të vazhdohet më tutje me çuarjen më tej të procesit të rehabilitimit në lagjet historike, por padyshim do të vazhdohet më tej, për t’i dhënë një pamje tërësisht të re të gjitha godinave që janë në anë të rrugës kryesore dhe për të rritur kështu edhe vlerën e gjithë strukturave, qofshin ato të biznesit, qofshin ato të banimit, në gjithë këtë zonë. Nga ana tjetër rikonstruksioni i Hotel Turizmit të famshëm dhe transformimi i tij nga një ngrehinë e vjetër e një kohe të shkuar në një ngrehinë që duke respektuar traditën do të marrë një zhvillim tërësisht të ri do t’i japin gjithë kësaj shëtitoreje dhe një pikë të re referimi. Ndërkohë ne po punojmë hap pas hapi, për të vazhduar të nxjerrim në pah thesaret e këtij qyteti, duke filluar nga ura e famshme e Goricës, ku praktikisht po ribëjmë tërësisht kalldrëmin, po bëjmë një pastrim rrënjësor, po përgatisim gjithë strukturën për ta mbrojtur urën nga erozioni, duke liruar po ashtu linjat elektrike dhe ujësjellësin që është sipër saj dhe duke i montuar ashtu siç duhet, duke bërë ndriçimin e plotë të urës dhe sigurisht, duke përfituar edhe nga nxjerrja në pah edhe e një harku tjetër të urës, në mënyrë që ai thesar i Beratit të bëhet një pikë e fortë tërheqjeje për turistët dhe për vizitorët. E njëjta gjë për urën e Velabishtit, ku edhe aty po bëhet një investim i rëndësishëm.”

Kryeministri ripërsëriti edhe një herë apelin se nuk do të lejohet zaptimi i hapësirave publike.

“Atyre që thonë që ne po shkatërrojmë, unë do t’ju sillja në vëmendje atë që thoshte Pikaso: “Ne shkatërrojmë për të ndërtuar.” Ne nuk ndërtojmë për të shkatërruar, siç ka ndodhur vite të tëra, ku edhe investimet që janë bërë në emër të ndërtimit më shumë kanë sjellë shkatërrim dhe rrënim, sesa kanë sjellë ndërtim. Sigurisht, edhe në Berat nuk do të lëmë pa shkatërruar ndonjë godinë pa leje, nuk do lëmë pa shkatërruar ndonjë godinë që i zë sytë qytetit të vjetër, nuk do lëmë pa shkatërruar ndonjë godinë të ngritur me arrogancë dhe me brutalitet të madh, duke i bërë një karshillëk të madh gjithë popullit të mirë e të urtë të Beratit dhe duke nxjerrë përfitime nga zaptimi i hapësirave të përbashkëta. Epoka e zaptimit të hapësirave përbashkëta nga të fortët e lagjes, nga të fortët e qytetit ka mbaruar në 23 qershor.”

Duke shprehur falënderimin për të gjithë ata që kontribuojnë për këtë program rilindjeje urbane, Kryeministri në një shkëmbim batute me Kryetarin e Bashkisë u shpreh se “më në fund Bashkia e Beratit arrti t’i shohë disa para që vijnë nga Tirana, se e vetmja gjë që pa nga Tirana për vite të tëra ishte shkëputja nga pjesa tjetër e botës, sepse rruga Lushnje-Berat u kthye në një shteg për tanke dhe autoblinda, përfshirë dhe për gomarë e kuaj, por për njerëz e makina jo. Lidhja e këtij qyteti me gjithë zonën rreth e rrotull dhe fillimi i këtij rrugëtimi për të shkuar thellë në zemrën e historisë, nga autostrada poshtë në Lushnje deri te kanionet e Skraparit janë për ne, një program strategjik zhvillimi dhe transformimi rrënjësor i ekonomisë familjare të të gjithë atyre që jetojnë në këtë zonë.”

Bashkia e Beratit i akordoi Kryeministrit Edi Rama edhe medaljen e mirënjohjes, për mbështetjen dhënë qytetit. Të cilën, nga ana e tij, Kryeministri ia dedikoi Zëvendëskryeministrit Niko Peleshi si koordinator i Programit “Rilindja e Qyteteve”.

“Unë kam shumë dëshirë që këtë kujtim, t’ia kaloj Zëvendëskryeministrit, i cili në fakt është drejtuesi dhe koordinatori i gjithë Programit të Rilindjes së Qyteteve, por jo vetëm për këtë, por edhe për faktin se të dy vijnë nga eksperienca e kryetarit të bashkive, ndërkohë që këta mendojnë se e kam harruar atë eksperiencë. Kështu që mbrapa shpinës sime bëjnë ato diskutimet për t’i shtuar fondet Beratit dhe unë bëj sikur s’kuptoj, por jam shumë dakord, në fakt.” – u shpreh Kryeministri

Zëvendëskryeministri Peleshi i konsideroi këto investime jo thjesht infrastrukturore, por për t’i dhënë një drejtim i ri ekonomik, Beratit. “Unë jam shumë i lumtur që shohim sot, në një kohë kaq të shkurtër, një investim që nuk është thjesht një investim në infrastrukturë, por një investim në mentalitet, në psikologji, në zgjimin e shpresës, një investim për t’i dhënë një drejtim të ri ekonomik, Beratit,” – u shpreh Zëvendëskryeministri.

***

Rrjetit të shërbimit kombëtar të punësimit iu shtua edhe zyra më e re në Berat. Në inaugurimin e saj ishin të pranishëm Kryeministri Edi Rama, Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, Kryetari i Bashkisë së Beratit Fadil Nasufi, Presidenti i shoqatës së sipërmarrësve Biznes Albania dhe sipërmarrës lokalë, që mbështesin qasjen e re të qeverisë për zyrat e punës si një instrument ndërmjetësimi mes punëkërkuesve dhe punëdhënësve.

Kryeministri i quajti zyrat e punës një rrugë e re më shumë për punësimin, që përkundrejt edhe skepticizmit të fillimit, çdo ditë po dëshmohen një instrument i vlefshëm edhe për sipërmarrësin si punëdhënës, edhe për punëkërkuesit, të cilët i largon nga skema e ndihmës ekonomike.

“Zyrat e Punës që janë parë me skepticizëm dhe shpeshherë edhe me cinizëm. Sa herë dalim ne për një zyrë pune, na dalin të tjerët dhe na thonë “këta bëjnë zyra pune, po punë s’gjejnë”. Në fakt këto zyra kanë treguar se janë një rrugë e re dhe një rrugë më shumë për punësimin. Më lejoni t’ju them se në se në periudhën janar-shtator, zyrat e punës, gjatë këtij viti kanë pritur, kanë regjistruar, kanë marrë në intervistë 50 387 njerëz. Ky numër është 10 herë më i madh se e njëjta periudhë e një viti më parë.

Çfarë do të thotë kjo? Do të thotë që njerëzit, ata që realisht duan punë, ata që realisht janë gati për punë, ata që realisht duan të jetojnë përmes një pune dhe jo të marrin pension duke siguruar një vend në administratë, për të ndenjur në kafe gjithë ditën, ata trokasin tek zyra e punës. Janë 12 607 punëkërkues, drejtpërdrejt në zyrat e punës, që sot janë në punë, që do të thotë se janë 18 herë më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë. E, ndërkohë janë 23 mijë vende të lira pune, të shpallura nëpërmjet sistemit të zyrave të punës. Që do të thotë 20 herë më shumë se në vitin 2013.

Të gjitha këto kanë çuar që 33 967 njerëz e të gjitha këto janë shifra që vijnë nga emra konkretë, njerëz konkretë, - nuk janë si shifrat që kemi dëgjuar deri dje, që na nxirrnin të dytët pas Gjermanisë, po, të paktën, shyqyr që dolëm barazim me Danimarkën, - 13 herë më shumë se viti 2013.

Kështu që çka unë mendoj se është me rëndësi të veçantë në këtë moment është se Beratit, jo vetëm qytetit, por qarkut të Beratit i jepet mundësia që të ketë një zyrë që kush kërkon punë, troket dhe thotë: ‘unë di të bëjë këtë, këtë dhe këtë, ju lutem më ndihmoni’. Dhe kush ka punë për të dhënë nga sipërmarrësit vjen e thotë: ‘unë kam vend të lirë për këtë, për këtë e për këtë, ju lutem më ndihmoni.” Ajo që bën zyra e punës është që bashkon sipërmarrësin me punëkërkuesin.

Plani ynë është shumë i qartë;

Ne nuk duam një Shqipëri që jeton me ndihmë ekonomike. Ne duam një Shqipëri që jeton me punë.

Ndihma ekonomike duhet t’u shkojë atyre që nuk kanë aftësi për punë, atyre që nuk kanë mundësi për punë, atyre që nuk kanë fuqi për punë. Ndihma ekonomike nuk mund të jetë zgjidhja për familje ku çifti është 30 vjeç apo çifti është 40 vjeç. Për këto familje, zgjidhja është puna. Ajo që ne duam të bëjmë është që gjithkujt t’i afrohet një punë dhe gjithkush që ka një ofertë për punë, e refuzon ofertën për punë, nuk e merr më ndihmën ekonomike. Ndërkohë që, në qoftë se e pranon ofertën për punë, merr shumë më tepër sesa ndihma ekonomike.”

Ministri Veliaj theksoi se nëpërmjet këtyre zyrave është arritur të ndihmohen mbi 300 biznese në gjithë Shqipërinë dhe falë këtyre zyrave po rritet numri i personave largohen nga skema e ndihmës ekonomike.

“Janë punonjës që më parë ishin individë në ndihmë ekonomike. Kjo metaforë shpjegon logjikën e reformës sonë. Heqim njerëz nga ndihma ekonomike drejt punësimit. Ato para që harxhonim për ndihmën ekonomike i kthejmë në subvencion për biznesin, për sigurimet shoqërore, që të sigurohemi që çdo qindarkë e taksapaguesit nuk shkon për lëmoshë, por shkon për një punë me dinjitet. Jam mirënjohës shumë, të gjithëve atyre që kanë kontribuuar. Ky është projekti i 9-të ku, në thonjëza, ju kemi rënë në qafë, se nuk janë të buxhetuara nga fondet e shtetit dhe më vjen mirë që asnjë para e taksapaguesit nuk është shpenzuar, por mbi të gjitha, biznesi ka gjetur vlerë në zyrat e punës, pasi ndihmojmë edhe biznesin për të shkurtuar gjithë burokracinë e rekrutimit të njerëzve të talentuar,” – u shpreh Veliaj.

***

Në harmoni me shëtitoren dhe sheshin qendror, me një financim të Qeverisë me vlerë rreth 262.5 milionë lekë po vazhdojnë punimet për rikonstruksionin e rrugës së re të lumit, që si veçanti ka vendosjen e kangjellave dekorative sipas standardeve të zonës muzeale, si dhe rivitalizimin e parkut perëndimor të qendrës.

***

Kryeministri përshkoi në këmbë rrugën e re deri tek ura e Goricës, ku kanë nisur punimet restauruese. Ura e Goricës, e ndërtuar në vitin 1777, konsiderohet ndër atraksionet e qytetit. Ndaj edhe restaurimi i saj parashikon ruajtjen e urës së vjetër, duke ribërë kalldrëmin sipër urës në të gjithë gjatësinë prej 127 metrash, pastrimin e fasadës, restaurimin e pjesëve të dëmtuara, lirimin e linjave elektrike dhe të ujësjellësit nga sipër duke i montuar poshtë konsolave dhe ndriçimin. Një investim me vlerë 17.6 milionë lekë. Në një bisedë me drejtuesin e punimeve, Kryeministri kërkoi të bëhej pastrimi i kujdesshëm nga aluvionet për ta nxjerrë urën në pah në të gjithë lartësinë e saj dhe me të gjitha harqet. Një fakt impresionues është dalja në dritë një tjetër harku të saj, harkut të 8-të.

Kryeministri u ndal edhe në qendër të Urës Vajgurore, ku edhe aty njoftoi fillimin së shpejti të projektit për bulevardin dhe sheshin qendror.

Pas Beratit, Kryeministri Rama inspektoi edhe ecurinë e punimeve në të tria lotet e aksit Lushnje-Berat. Në bisedë me një prej drejtuesve të punimeve Kryeministri Rama u shpreh se ky aks i rëndësishëm duhet të mbarojë në kohë dhe me standardet e kërkuara. “Me buxhetin e rishikuar, i morët paratë që ju duhen dhe duhet bërë çmos që kjo rrugë të mos ngelet më gropë siç ishte më parë.”

KOMENTE