English

Rezerva Ndërkufitare e Biosferës Ohër-Prespë. Baseni Ohër - Prespë një kapital i vërtetë

Me një ceremoni festive në praninë e dy Ministrave të Mjedisit të Shqipërisë dhe të Maqedonisë, z. Lefter Koka dhe z. Nurhan Izairi, por edhe me praninë e zv/Kryeministrit Niko Peleshi dhe të përfaqësuesve të UNESCO-s, u inaugurua zyrtarisht në Korçë, Rezerva Ndërkufitare e Biosferës Ohër-Prespë.

Në fjalën e hapjes ministri i Mjedisit, Lefter Koka, shprehu kënaqësinë e tij për vlerësimin që i është bërë basenit nga UNESCO, duke shënuar të parën Rezervë Biosferë për Shqipërinë. “Baseni Ohër - Prespë ka një rëndësi të madhe jo vetëm lokale e rajonale, por edhe globale, si një zonë me vlera të jashtëzakonshme mjedisore, ekonomike, shkencore dhe kulturore. Kjo është një zonë me interes kombëtar dhe më gjerë dhe menaxhimi e promovimi i vlerave natyrore, biodiversiteti i shumëllojshëm i saj, janë një kapital i vërtetë i cili kërkon përdorim të kujdesshëm nga ana jonë.”- tha ministri Koka.

Më tej, në fjalën e tij ministri i Mjedisit theksoi se Shqipëria ka vullnetin politik për të bashkëpunuar edhe më shumë në çështjet e mbrojtjes së natyrës. “Dua të theksoj”- tha ministri Koka, -“që mbrojtja dhe përdorimi i qëndrueshëm i burimeve natyrore siç janë pyjet, biodiversiteti apo ujërat janë dhe do të mbeten pritoritetet tona”. Ministri i Mjedisit shprehu gjithashtu falenderimet e tij të veçanta për Qeverinë Gjermane për mbështetjen në projektin e Parkut Kombetar të Prespës , Shqipëri.

Gjatë ceremonisë ministrit të Mjedisit, z. Lefter Koka, i’u dorëzua dokumenti i çertifikimit të basenit Ohër – Prespë si “Rezervë Ndërkufitare Biosferë”, i firmosur nga Drejtorja e UNESCO-s zonja Irina Bokova.

Në dokument cilësohet se përfshirja e basenit Ohër – Prespë në rrjetin botëror të Rezervës Biosferë synon ruajtjen, studimin, monitorimin por edhe zhvillimin e qëndrueshëm të zonës. Pjesmarrja në këtë rrjet do të lehtësojë bashkëpunimin dhe shkëmbimet në nivel rajonal dhe ndërkombëtar.

Këshilli Koordinativ Ndërkombëtar (ICC) i Programit “Njeriu dhe Biosfera” të UNESCO-s ka miratuar nominimin e RNBOP-së në sesionin e 26 të mbajtur në Joenkoeping, Suedi, më 11.06.2014.

Rezerva e re Ndërkufitare e Biosferës Ohër-Prespë përfshin basenin e liqenit të Ohrit si dhe basenin e të dy liqeneve të Prespës, që lidhen me të. Sipërfaqja e rezervës në pjesën shqiptare e maqedonase të basenit të Ohrit dhe nën-baseneve të liqeneve të Prespës është 446,244.52 ha.

Në Rezervën Ndërkufitare të Biosferës Ohër-Prespë gjenden 454,000 banorë që jetojnë në 23 komuna e bashki në pjesën shqiptare dhe në gjashtë bashki në pjesën maqedonase.

E gjithë zona karakterizohet nga një biodiversitet i pasur me specie të rralla e të rrezikuara në nivel global. Liqenet e Ohrit dhe Prespës, për shkak të gjenezës historike, kanë në gjirin e tyre specie të shumta endemike të cilat janë unike dhe gjenden vetëm në ekosistemin ujor dhe në ekosistemet tokësore përreth liqeneve. Për këtë arsye në vitet pesëdhjetë të shekullit të kaluar u krijuan parqet kombëtarë për ruajtjen e këtyre vlerave. Parqet Kombëtarë të Galiçicës dhe Pelisterit në Maqedoni dhe Parku Kombëtar i Prespës në Shqipëri përfaqësojnë funksionin e konservimit të Rezervës së Biosferës. Në zonën qëndrore të rezervës janë përfshirë rreth 14,000 ha ku ndalohet rreptësisht zhvillimi i çfarëdo aktiviteti njerëzor.

Rezerva Ndërkufitare e Biosferës Ohër- Prespë do të administrohet nga Komiteti i Menaxhimit të Basenit të Ohrit (OWMC), një institucion i krijuar në kuadrin e një marrëveshjeje dypalëshe nga të dy vendet breg-liqenore, e nënshkruar në vitin 2004 dhe e ratifikuar nga parlamentet e të dy vendeve. OWMC mbështetet nga Sekretariati i Përbashkët me zyra në Pogradec dhe Ohër.

Krijimi i Rezervës Ndërkufitare të Biosferës është mbështetur nga “Rezerva Ndërkufitare e Biosferës Prespa: Mbështetje për Parkun Kombëtar të Prespës në Shqipëri. Një projekt zhvillimi i Republikës së Shqipërisë, i bashkëfinancuar nga Republika Federale e Gjermanisë, nëpërmjet KfW”. Faza e parë e projektit pritet të mbarojë në korrik të vitit 2015 dhe gjatë këtij projekti janë arritur disa rezultate të tjera pozitive përveç krijimit të Rezervës Ndërkufitare Rezervë, mes të cilave përmendim; përmirësimin e menaxhimit dhe administratës, infrastrukturës së Parkut, përmirësimit të bashkëpunimit ndërkufitar si dhe rehabilitimin e pyjeve dhe kullotave. Ndërsa është në proces krijimi i një Organizate Marketingu në Parkun Kombëtar të Prespës. Ndërkohë Ministria e Mjedisit e Shqipërisë është duke përgatitur fazën e dytë të projektit që ka si synim investimin e mëtejshëm në Parkun Kombëtar të Prespës.

KOMENTE