Gjatë punimeve të Sesionit të 131 të Unionit Ndër-Parlamentar, Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta u prit në një takim të veçantë nga Kryetari i Bashkisë së Gjenevës, z. Sami Kanaan.
Z. Meta u shpreh se Gjeneva është një qytet i rëndësishëm për botën dhe në veçanti për Shqipërinë falë komunitetit domethënës shqiptar në Kanton dhe Qytet. "Kjo diasporë e mirëintegruar në Zvicër, përfaqëson një urë të fortë lidhëse dhe bashkëpunimi mes dy vendeve tona, dhe si e tillë duhet t'a vendosim në funksion të intensifikimit të shkëmbimeve mes dy vendeve", vuri në dukje z. Meta.
Në këtë kuadër Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen dhe vëmendjen që Bashkia e Gjenevës i kushton komunitetit shqiptar dhe projekteve të tyre komunitare.
Kryetari i Bashkisë së Gjenevës, z. Kanaan shprehu kënaqësinë për vizitën e Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, z. Meta në Gjenevë dhe theksoi se komuniteti shqiptar përbën një kontribut të vyer për jetën multi-kulturore zvicerane dhe Gjeneva në këtë drejtim ka luajtur një rol parësor duke i mbështetur.
Kryetari i Kuvendit, z.Meta dhe Kryebashkiaku i Gjenevës, z. Kanaan ranë dakord për forcimin e bashkëpunimit, veçanërisht në fushat e trashëgimisë kulturore dhe turizmit. Në këtë kuadër, z. Meta e ftoi z. Kanaan të zhvillojë një vizitë në Shqipëri së shpejti.