“Rama minimalisht të shtyjë vizitën. Të kthehet në Tiranë e të ballafaqohet me problemet në rritje të qytetarëve”.
Prononcimi për mediat i Kryetarit të Partisë Demokratike
Pyetje: A mund të na thoni, a do të merrnit të njëjtin vendim si Z. Rama për vizitën në Beograd?
Basha: Të nderuar gazetarë, ju jeni dëshmitarë të qendrimeve dhe deklaratave që kanë ardhur në këto ditë nga pala serbe. Është e qartë se me këto qendrime dhe deklarata, pala serbe de fakto ka refuzuar vizitën e kryeministrit shqiptar në Beograd.
Asnjë distancim nga fyerjet në kor e himnit tonë kombëtar në fillim të ndeshjes. Asnjë distancim nga thirrjet raciste; ‘vritini, pritini shqiptarët’ nga huliganët. Asnjë distancim nga dhuna, jo vetëm nga huliganët por dhe nga forcat e sigurisë serbe ndaj lojtarëve tanë të kombëtares dhe stafit të kombëtares në stadiumin e Beogradit. Asnjë distancim nga poshtërimi ndaj lojtarëve, stafit dhe delegacionit tonë, jo vetëm nga huliganët por dhe nga forcat e policisë serbe.
Përkundrazi, iu kanë mbajtur ison huliganëve me deklaratat dhe qendrimet e tyre. Shikoni qendrimin ordiner dhe provokues të presidentit të vendit Nikoliç kur thotë se Shqipërisë do t’i duhen shekuj për t’u bërë vend normal. E thotë këtë ndihmësi i Sheshelit që së bashku me Milosheviçin dhe Karaxhiçin janë speciet e fundit të barbarisë mesjetare në Ballkan.
Çfarë janë këto mesazhe?! Cili është kumti i këtyre deklaratave dhe qendrimeve ndaj Shqipërisë, ndaj kryeministrit shqiptar?!
Mesazhi është mos eja, dera është e mbyllur.
Si klasë politike e periudhës së demokracisë, si Shqipëri kemi bërë dhe vazhdojmë të bëjmë tonën për një histori të re marëdhëniesh me një vend fqinj si Serbia. Bashkohemi të gjithë në vendosmërinë tonë për të investuar për perspektivën Europiane të të gjithë rajonit, të të gjitha vendeve të rajonit dhe gjithë popujve të rajonit.
Por fatkeqësisht, në anën tjetër, urrejtjet dhe dhuna antishqiptare në shtëpinë e saj, gjestet e kërkuara anti-NATO, paradat në Beograd për të nderuar agresorin e sotshëm të lirisë, demostrojnë se Serbia është e dyzuar, për të mos thënë e shtirur në lidhje me integrimin Europian dhe aspak e gatshme për të filluar një histori të re, me shikim nga e ardhmja të marëdhënieve me Shqipërinë.
Të kthehemi tek vizita e kërkuar në këto kushte. Në çfarëdo kushtesh vizita ka qenë e papërligjur nga çështje të rëndësisë së veçantë që janë pjesë e axhendave të këtij niveli. Dhe sipas mediave kërkesa e Z. Rama për të vizituar Beogradin është refuzuar tre herë, apo është shtyrë tre herë. Në çdo rast, vizita në pikëpamjen tonë ka qenë e papërligjur nga çështje të rëndësishme që duhet të jenë pjesë e dialogut të këtij niveli.
Pas ngjarjeve të së martës, insistimi i z. Rama për të trokitur në derën e mbyllur serbe është shumëfish më i pakuptimtë, shumëfish më i padenjë.
Ndaj sot i kërkoj kryeministrit, minimalisht të shtyjë vizitën e tij në Beograd.
Një vizitë për ekzibicion, në këto kushte, nuk ia vlen asnjë qindarkë.
Sikundër i kërkoj të ndërpresë vizitat dhe shëtitjet e tij nëpër botë me një axhendë të varfër edhe për një ish-kryeministër dhe të kthehet në Tiranë në krye të punëve, të ballafaqohet me problemet e njerëzve, me çmimin e energjisë, me rritjen e taksave, me varfërinë dhe me papunësinë.