English

Rama intervista në CNN

Intervista e Kryeministrit Rama për CNN:



CNN: Federatat e Futbollit të Serbisë dhe asaj të Shqipërisë po përballen me pasojat e asaj që ndodhi në ndeshjen kualifikatore për Euro 2016. E dini historinë. Të dyja skuadrat braktisën lojën pasi u përleshën për shkak të një flamuri, dhe tani presin sanksionet e UEFA-s. Ju kujtoj dhe një herë se gjithçka shpërtheu pasi një flamur që mbante një mesazh politikisht shumë të ndjeshëm fluturoi mbi stadium. Serbia akuzon vëllain e Kryeministrit të Shqipërisë për këtë ngjarje, që do dëgjoni dhe vetë, sepse zoti Edi Rama është këtu me ne.

Mirëserdhët z. Kryeministër, është kënaqësi që jeni këtu.

Kryeministri Rama: Faleminderit.

CNN: Le ta sqarojmë pak këtë çështje. Ishte apo jo vëllai juaj përgjegjës për fluturimin e dronit ?

Kryeministri Rama : Jo, nuk ishte vëllai im, nuk mund të ishte vëllai im dhe asnjëri prej 45 shqiptarëve të pranishëm në stadium, sepse ne nuk dërguam tifozë për të parë ndeshjen, pikërisht për të evituar incidente, dhe siç mund ta vëzhgoni edhe vetë droni erdhi nga jashtë stadiumit. Pra, si mund të ketë qenë i përfshirë im vëlla ? Por ne e dimë si funksionin propaganda e Luftës së Ftohtë, dhe si funksionon politika e vjetër në Ballkan.

CNN: A e dënoni atë që ndodhi?

Kryeministri Rama: Është një ngjarje për të ardhur keq dhe shumë e trishtë, dhe akoma më shumë për të ardhur keq është se çka ndodhi në stadium, pasoi në nivelet më të larta të politikës serbe. Kjo gjë është vërtet shumë e trishtë. Më lejoni të sjell në vëmendjen tuaj se pas 100 vjetësh, ky është viti i parë në historinë tonë që jemi në paqe, pa konflikte për kufijtë, dhe kemi një mundësi fantastike për të shkuar përpara dhe papritur zihemi në kurthin e një ndeshje futbolli. Kjo s’mund të pranohet.

CNN: Ju keni planifikuar të shkonit në Serbi dhe kjo do jetë vizita e parë pas shumë vitesh? A keni ende ndërmend të shkoni?

Kryeministri Rama: Ky është takimi i parë midis dy kryeministrave që bëhet pas 68 vitesh, kjo për të kuptuar sesa probleme dhe sa keqkuptime ka patur midis vendeve tona në gjithë këto vite. Unë besoj se politika nuk duhet të udhëhiqet nga loja e futbollit, sikurse jam i bindur se ka ardhur koha të kthejmë faqe, të shkojmë përpara dhe të mos biem pre e asaj politike të vjetër që na mbajti peng për një kohë kaq të gjatë.

CNN: Domethënë jeni i gatshëm të shkoni?

Kryeministri Rama: Sigurisht!

CNN: Thjesht sa për të qenë të qartë.

Kryeministri Rama: Sigurisht!

CNN: Bukur. Në rast se ata nuk tërheqin mbrapsht ftesën.

Kryeministri Rama : Kjo u përket atyre.

CNN: Sigurisht, por ju jeni i gatshëm të shkoni nëse ata thonë po. Bukur.

Kryeministri Rama: Deri tani, marrëveshja është se do takohemi.

CNN: Qëndrimi juaj është shumë pozitiv. Vendi juaj u pranua si kandidat për në BE, u aprovuat, morët vulën, dhe tani keni përballë 12 prioritete të cilat janë thelbësore, si shteti i së drejtës, legjislacioni, shëndetësia...

Kryeministri Rama: Ju lutem, janë 5 dhe mjaftojnë, ndaj mos i çoni në 12 sepse pastaj bëhen ca si tepër.

CNN: Por janë thelbësore ama.

Kryeministri Rama: Po, janë shumë thelbësore.

CNN: A do ia dilni? Dhe kur do ju pëlqente t’i bashkoheshit BE-së?

Kryeministri Rama: Sigurisht që ia dalim dhe do t’ia dalim dhe mendojmë se jemi në gjendje t’i bëjmë të gjitha, por në të njëjtën kohë, besojmë edhe që Bashkimi Europian duhet të kthehet nga një Europë e frikës në një Europë të shpresës, sepse ishte një Europë shprese dhe u kthye në një Europë frike, dhe gjithë kjo histori rreth lodhjes nga zgjerimi nuk po ndihmon në këtë moment kaq të veçantë për botën. Ndaj, Europa ka nevojë për Ballkanin më shumë se kurrë, dhe nuk është vetëm Ballkani që ka nevojë për Europën.

CNN: Pra me pak fjalë, ju do jetonit si anëtar në një Bashkimin Europian ku dhe Serbia është anëtare?

Kryeministri Rama: Nuk kemi rrugë tjetër nëse vërtet duam t’u japim brezave të ardhshëm një të ardhme më të mirë në krahasim me 100 vitet e së kaluarës plot me urrejtje dhe gjakderdhje.

CNN: Shumë faleminderit z. Kryeministër.

KOMENTE