Shqipëria u zgjodh për herë të parë anëtare e Këshillit të të Drejtave të Njeriut (KDNJ), me 176 vota, në zgjedhjet e mbajtura në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork. KDNJ është një organ ndër-qeveritar i OKB-së, 47 vendet anëtare të të cilit janë përgjegjëse për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut kudo në botë pavarësisht kombësisë, vendbanimit, gjinisë, ngjyrës, fesë, gjuhës, apo ndonjë statusi tjetër.
Zgjedhja e Shqipërisë në KDNJ përbën njëherazi vlerësim dhe garanci për angazhimin e saj të përhershëm në çështjet e të drejtave të njeriut në të gjitha frontet. Shqipëria ka shumë për t’i ofruar botës nëpërmjet vlerave që e karakterizojnë si harmonia fetare, përkushtimi për fqinjësi të mirë, toleranca dhe mikpritja, si dhe nëpërmjet përvojës së përftuar gjatë reformimit të gjithanshëm që ka kaluar vendi.
Shqipëria vlerëson se KDNJ ia ka arritur të ndërtojë një platformë vitale për çështjet tematike të të drejtave të njeriut kudo në botë, ku vendet anëtare kanë mundësinë për të diskutuar për to dhe për të marrë veprime konkrete për adresimin adekuat të tyre. Gjatë anëtarësisë së saj 3 vjeçare në KDNJ, Republika e Shqipërisë do të angazhohet për universalizimin dhe pandashmërinë e të drejtave të njeriut, për forcimin e tyre dhe të infrastrukturës së sistemit të OKB-së, duke përfshirë rritjen e kapaciteteve të Këshillit.
Shqipëria do të vazhdojë të përmbushë të gjitha detyrimet dhe angazhimet e saj për përmirësimin dhe zbatimin e kuadrit ligjor dhe institucional, si dhe për avancimin më tej të politikave kombëtare dhe ndërkombëtare, në mbrojtje të të drejtave të njeriut.